2015
Të Rinj Mahnitës dhe Të Reja Mahnitëse në Shkrimet e Shenjta
Tetor 2015


Të Rinj Mahnitës dhe Të Reja Mahnitëse në Shkrimet e Shenjta

Autorja, që ishte një mësuese seminari, jetoi në Gjermani dhe vdiq në vitin 2012.

Ju mund t‘i mësoni mësoni dhe t’i ndiqni shembujt e shumë të rinjve të drejtë, historitë e të cilëve janë ruajtur në shkrimet e shenjta.

Pamja
illustration of scenes from the Bible

Ilustrimi nga Andrew Bosley

Zoti e do rininë e Kishës. Ai ka një besim të madh te ju. Në çdo epokë, Zoti ka frymëzuar të rinj dhe të reja të guximshme për të udhëhequr dhe bekuar popullin e Tij. Ai ka nevojë për fuqinë e tyre krijuese, guximin dhe origjinalitetin. Ai gjithmonë ka qenë kështu dhe do të vazhdojë të jetë kështu.

Shembujt e shumtë të heronjve të rinj përshkojnë si fill i artë gjithë shkrimet e shenjta. Edhe pse ata jetuan shumë kohë përpara, ju mund t’i ndiqni shembujt e tyre dhe të lidheni me jetën e tyre. Ata patën probleme familjare; ata jetuan midis njerëzve të padrejtë; ata përballuan “Goliathë”, por guximi, bindja dhe besimi i tyre në Jezu Krisht i çoi përpara përmes sfidave të tyre – ashtu siç mund të bëjnë këto cilësi për ju gjithashtu.

Abrahami

Vendosmëria, guximi dhe gatishmëria e Abrahamit për të ngritur zërin e vet kundër ligësisë ishin mahnitëse – madje më mahnitëse po të kihet parasysh se babai i tij adhuronte idhuj. Kur qe i ri, ai qëndroi aq fort për drejtësinë saqë gati e vranë si sakrificë. (Shih Abraham 1:2–7.)

Jozefi i Egjiptit

Ai ishte 17 vjeç kur vëllezërit e tij më të rritur e shitën si skllav, megjithatë, me bekimet e Zotit, Jozefi qe në gjendje të bënte diçka të mirë në këtë situatë të vështirë. Ai nuk u mund, sepse ai nuk u dorëzua kurrë. Besimi i tij në Zot ishte i vazhdueshëm. Madhështia e brendshme e Jozefit u shfaq në mënyrën fisnike me të cilën ai i fali padrejtësitë që i ishin bërë. (Shih Zanafilla 37; 45.)

Davidi

Kur ishte adoleshent, Davidi ishte bari dhe luftoi kundër një ariu dhe një luani për të mbrojtur delet e babait të tij. Vetëbesimi i tij nuk erdhi nga aftësitë e tij si bari; ai erdhi nga besimi i tij tek Ati Qiellor, siç shfaqet në luftën e tij kundër Goliathit. (Shih 1 Samuelit 17:32–54.)

Esteri

Ajo pati vendosmërinë ta vendoste jetën e vet në rrezik për të shpëtuar njerëzit e saj. Nuk ishte bukuria e Esterit, por karakteristikat e saj shpirtërore që e bënë atë një njeri të madh. (Shih Esterit 4–5.)

Danieli

Pamja
Illustration of scenes from the Bible, Book of Mormon and Church history.

Ilustrimi nga Andrew Bosley

Ai iu bind ligjit të Zotit për shëndetin edhe pse të tjerët përreth tij nuk vepronin kështu. Ai lutej, edhe pse lutja ndaj Atit Qiellor ishte kundër urdhrave të mbretit. Në saje të drejtësisë së tij dhe hapjes ndaj frymëzimit nga Shpirti, Danieli u bekua nga Zoti me dhuratën e interpretimit të ëndrrave dhe vegimeve. Ai mori fuqi dhe urtësi nga Ati Qiellor deri atje saqë në kohë rreziku, fuqitë e qiellit qenë në dispozicion të tij. (Shih Daniel 1; 6.)

Nefi

Nefi ishte një shembull i pabesueshëm kur tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar” (1 Nefi 3:7). Ai pati guximin të bënte atë që iu kërkua të bënte. A jetoi ai në një shtëpi të rehatshme? Jo, ai jetoi në shkretëtirë për shumë vite. A shkonin mirë gjërat për të? Jo, vëllezërit e tij shpesh inatoseshin me të dhe disa herë u përpoqën ta vrisnin. Nëpër gjithë këtë, ai gjithmonë iu bind urdhrave të Zotit.

Dy Mijë Luftëtarë të Rinj Amonitë

Këta të rinj qenë rritur nga prindër besnikë dhe besimi i tyre te fjalët e nënave të tyre i bekoi ata. Ata mësuan të dëgjonin me vëmendje dhe të bindeshin me saktësi, dhe në betejat e tyre ata nuk dyshuan që Ati i tyre në Qiell do t’i mbronte. (Shih Alma 56:45–48.)

Mormoni

Kur ishte 15 vjeç, Zoti e vizitoi atë ngaqë ishte i përulur, i pastër dhe i dëlirë, me gjithë ndyrësinë e njerëzve përreth tij. Gjithashtu, në moshën 15 vjeçare, Mormoni u bë udhëheqës i ushtrisë. Më vonë atij iu besua mbajtja e shkrimeve të shenjta. (Shih Mormoni 1–2.)

Jozef Smithi

Në moshën 14-vjeçare ai kërkoi në shkrimet e shenjta dhe u lut që të dinte me cilën kishë të bashkohej. Zoti e thirri atë që të rivendoste ungjillin dhe Kishën e Jezu Krishtit. Jozefi ia kushtoi gjithë jetën e vet përmbushjes së asaj detyre, me gjithë pengesat dhe vështirësitë e shumta. Në moshën 17-vjeçare, ai u vizitua nga engjëlli Moroni, i cili i tregoi atij fletët e arta. Edhe pse në moshë të re, Jozef Smithi ishte një mësues i fuqishëm dhe një shembull i madh për ata përreth tij. (Shih Joseph Smith – Historia 1.)

Dita Juaj

A kanë kaluar ditët e të rinjve mahnitës dhe të rejave mahnitëse? Jo! Engjëlli Moroni e vuri në dijeni Jozef Smithin se parashikimi i Joelit do të përmbushej:

“Unë [Zoti] do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime.

Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret” (Joel 2:28–29; shih Joseph Smith – Historia 1:41).