2015
Kunguj apo Pjepra?
Tetor 2015


Reflektime

Kunguj apo Pjepra?

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Ndonjëherë nuk ekziston një zgjedhje e gabuar. Ekziston thjesht një zgjedhje.

Pamja
illustration of a pumpkin on a vine

Ilustrim nga Carolyn Vibbert

Babai im qe mjaft i befasuar tek zbuloi se farat e kungullit që ai kishte mbjellë vitin e shkuar, vendosën të mbinin në mes të ngastrës së tij të pjeprave këtë verë. Pjeprat po përparonin mjaft mirë, por kështu po ndodhte edhe me kungujt. Aq mirë, në fakt, saqë im atë u tundua që t’i linte bimët e kungullit të vazhdonin të rriteshin. Prapëseprapë ai e dinte se po ta bënte, kungujt do ta mbytnin rritjen e pjeprave.

Ndaj atij i duhej të bënte një zgjedhje. Ai mundej ose t’i shkulte kungujt që pjeprat të kishin një mundësi më të madhe për të lulëzuar, ose t’i linte bimët e kungullit të rriteshin dhe t’i vështronte ato ndofta tek u zinin frymën bimëve të pjeprit, gjë që me gjasë do të jepte një prodhim më të pakët prej të dyjave. Kunguj apo pjepra? Kjo zgjedhje qe midis dy mundësive të mira.

Duke i peshuar të dyja, im atë vendosi t’i shkulte bimët e kungujve. Jo vetëm që u vonuan për të mbirë, por ai vendosi që i dëshironte më shumë pjeprat e planifikuar sesa kungujt befasues.

Kjo përvojë më shtyu të mendoj rreth zgjedhjeve që bëjmë, veçanërisht në marrëdhëniet tona me të tjerët. Qoftë me familjen tonë, miqtë tanë, punëdhënësin tonë apo ata me të cilët dalim në takime apo martohemi, kur një zgjedhje është midis dy gjërave të mira, dallimi i mundësisë së drejtë apo më të mirë ndonjëherë është i vështirë, veçanërisht kur duam ta shmangim bërjen e zgjedhjeve të gabuara. Frika e bërjes së zgjedhjes së gabuar ndonjëherë na paralizon dhe ajo frikë mund të na pengojë nga lëvizja përpara me besim. Por e vërteta është se, ndonjëherë nuk ekziston një zgjedhje e gabuar. Ekziston thjesht një zgjedhje. Në rastin e babait tim, ai e bazoi vendimin e tij tek ajo që ai vlerësonte më tepër. Ai e kishte zët t’i vështronte kungujt të thaheshin, por ai e dinte se do t’i vinte keq për dëmin që ata do t’u bënin pjeprave më vonë.

Në jetë, disa zgjedhje me të cilat përballemi shpesh, nuk kanë rëndësi, të tilla si: Çfarë ushqimi duhet të ha për mëngjes? Çfarë ngjyre duhet ta vesh fustanin sot? Kur përballemi me një zgjedhje midis dy gjërave të mira, ne mund të bëjmë siç bëri babai im dhe thjesht të pyetim: “Çfarë vlerësoj unë më shumë?” Pastaj të marrim një vendim e të lëvizim përpara me besim, duke mirëbesuar se Zoti do të na korrigjojë nëse e kemi gabim në njëfarë mënyre.

Por disa zgjedhje kanë vërtet shumë rëndësi. Presidenti Tomas S. Monson tha një herë: “Vendimet janë vazhdimisht para nesh. Për t’i marrë [vendimet] me mençuri, duhet kurajë – kurajë për të thënë jo, kurajë për të thënë po. Vendimet vërtet përcaktojnë fatin” (“Tre Parimet e Zgjedhjes”, Liahona, nëntor 2010, f. 68). Kur përballemi me këto lloj zgjedhjesh, një pyetje më e mirë për t’u bërë është: “Çfarë vlerëson Zoti më shumë?” Nëse ia dimë përgjigjen asaj pyetjeje, gjithçka na duhet është t’i përputhim vlerat tona me të Tijat dhe më pas të vazhdojmë me atë zgjedhje. Ajo do të jetë gjithmonë zgjedhja e duhur.