2015
Rruga drejt Sigurisë
Tetor 2015


Kur Prapë të Takohemi

Rruga drejt Sigurisë

Nga “Finding Safety in Counsel”, Liahona, korrik 1997, f. 23–25.

Një nga mënyrat se si mund ta dimë se paralajmërimi është nga Zoti, është se është thirrur ligji i dëshmitarëve, dëshmitarëve të autorizuar.

Pamja
Images from the April 2013 general conference.

Duket se nuk ka fund dëshira e Shpëtimtarit për të na udhëhequr drejt sigurisë. Dhe ka qëndrueshmëri në mënyrën se si Ai na e tregon shtegun. Ai na thërret me më shumë se një mënyrë që ajo të mund të mbërrijë tek ata që janë të gatshëm ta pranojnë. Dhe ato mënyra gjithmonë përfshijnë dërgimin e mesazhit me anë të gojës së profetëve të Tij, kurdoherë që njerëzit janë të përgatitur për të pasur profetë të Perëndisë midis tyre. Ata shërbëtorë të autorizuar kanë gjithmonë përgjegjësinë të paralajmërojnë njerëzit, duke u treguar rrugën drejt sigurisë.

Kur tensionet u rritën së tepërmi në veri të Misurit në SHBA, në vjeshtën e 1838-ës, Profeti Jozef Smith bëri thirrje që gjithë shenjtorët të mblidheshin në Far-Uest për t’u mbrojtur. Shumë ishin në ferma të veçuara ose në koloni të shpërndara. Ai e këshilloi veçanërisht Jakob Haunin, themeluesin e një kolonie të vogël që quhej Hauns-Mill. Një raport i asaj kohe përfshin këtë: “Vëllai Jozef dërgoi fjalë me anë të Haunit, që ishte pronar i mullirit, për të njoftuar vëllezërit që jetonin atje, që të largoheshin e të vinin në Far-Uest, por Z. Haun nuk e përcolli mesazhin” (Philo Dibble, në “Early Scenes në Church History”, në Four Faith Promoting Classics [1968], f. 90). Më vonë, Profeti Jozef shënoi në historinë e tij: “Deri më sot, Perëndia më ka dhënë urtësi që të shpëtoj njerëzit që e dëgjuan këshillën. Nuk është vrarë asnjë që [ka vepruar] sipas këshillës sime.” (History of the Church, 5:137). Pastaj Profeti shënoi të vërtetën e trishtuar se do të mund të ishin shpëtuar jetë të pafajshme në Hauns-Mill, po të ishte marrë dhe zbatuar këshilla e tij.

Në kohën tonë ne jemi paralajmëruar me këshillë se ku ta gjejmë sigurinë nga mëkati dhe hidhërimi. Një nga çelësat se si t’i dallojmë këto paralajmërime është se ato përsëriten. Për shembull, më shumë se një herë në këto konferenca të përgjithshme, ju keni dëgjuar profetin tonë të thotë se ai do të citojë një profet të mëparshëm dhe si rrjedhim, do të jetë një dëshmitar i dytë dhe nganjëherë madje i tretë. … Apostulli Pal shkroi: “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1). Një nga mënyrat se si mund ta dimë se paralajmërimi është nga Zoti, është se është thirrur ligji i dëshmitarëve, dëshmitarëve të autorizuar. Kur fjalët e profetëve duket se përsëriten, kjo duhet të tërheqë vëmendjen tonë dhe t’i mbushë zemrat tona me mirënjohje që jetojmë në kohë të tilla të bekuara. …

Ati ynë Qiellor na do. Ai dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur që të bëhej Shpëtimtari ynë. Ai e dinte se gjatë jetës së vdekshme ne do të ishim në rrezik të rëndë, më të keqin e rreziqeve nga tundimet e një kundërshtari të tmerrshëm. Kjo është një nga arsyet pse Shpëtimtari ka siguruar çelësat e priftërisë, që ata që kanë veshë për të dëgjuar dhe besim për t’u bindur, të mund të shkojnë në vendet e sigurisë.