2015
Të Mësuarit e Rinisë se si të Udhëheqë sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
Tetor 2015


Duke i Mësuar Rinisë se si të Udhëheqë sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Të rinjtë dhe të rejat tona nuk janë thjesht udhëheqësit e ardhshëm. Ata janë udhëheqës sot. Ne mund t’i ndihmojmë ata të udhëheqin si Shpëtimtari.

Pamja
Youth preparing food for service project in Puerto Rico

Prindërve dhe udhëheqësve të rinisë, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u foli për baraspeshimin delikat që na nevojitet të gjejmë: “Ftojini të rinjtë të veprojnë. Ju duhet të jeni atje, por duhet të largoheni nga udha e tyre. Ju duhet të siguroni drejtim pa e kryer vetë drejtimin.”1

Prindërit dhe udhëheqësit mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë parime që do t’i përgatitin ata për të udhëhequr me drejtësi dhe për ta ngritur mbretërinë e Perëndisë në tokë.

Kur isha 14 vjeçe, u takova me disa të reja që ishin udhëheqëse të shkëlqyera. Në atë kohë, familja ime lëvizi në anën tjetër të Shteteve të Bashkuara dhe u bëmë anëtarë të një lagjeje të re. Nuk më kujtohet se kush shërbente në presidencën e klasës së Trëndafilave, por më kujtohet qartësisht se të rejat ishin shumë dashamirëse me mua. Ato me çiltërsi e përqafuan një vajzë të re, të frikësuar dhe të imtë, si një shoqe të humbur prej kohësh dhe më bënë të ndihesha e mirëpritur. Duke ardhur nga Delaueri, ku isha e vetmja vajzë mormone në shkollën time nëntëvjeçare dhe ku e vetmja vajzë tjetër mormone që e njihja jetonte një orë larg me makinë nga shtëpia ime, unë mendova: “Kjo duhet të jetë se me çfarë ngjan qielli!”

Për herë të parë në jetën time, unë kisha një rreth shoqesh, të cilat i jetonin standardet në broshurën Për Forcën e Rinisë, që më ftuan të merrja pjesë në aktivitete dhe që i ndanë dëshmitë e tyre për ungjillin me mua. Shembujt e tyre të dashurisë së përzemërt bënë më shumë që të më jepnin siguri për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në atë kohë, sesa mund ta kishte bërë ndonjë bisedë apo mësim. Në dashurinë dhe dritën e tyre, të ngjashme me të Krishtit, ato ishin mesazhi i ungjillit të Krishtit dhe ishin ato që më udhëhoqën dhe udhërrëfyen për në tufën e Tij.

Ç’gjë ishte ajo që i bëri shoqet e mia të reja udhëheqëse të mëdha?

Një misionar i ri e përkufizoi udhëheqjen shumë thjesht. Ai tha: “Ne duhet të jemi në vendin e duhur, në kohën e duhur, duke bërë vullnetin e Zotit dhe duke e ndihmuar një njeri që ka nevojë për ndihmën tonë. Ajo është çfarë na bën ne një udhëheqës.”2 Duke u nisur nga kush ata janë dhe nga Drita e Krishtit që shkëlqen brenda tyre, të rinjtë dhe të rejat besnike anembanë kësaj Kishe kanë aftësinë që të udhëheqin sipas mënyrës së Shpëtimtarit dhe “të ndihmojnë njerëzit e tjerë të bëhen pasues të vërtetë të … Jezu Krishtit”3.

Si udhëheqës, ne drejtojmë, udhëzojmë dhe ecim krah për krah me të rinjtë dhe të rejat tona. Por janë presidencat e klasave dhe të kuorumeve që janë përgjegjës për udhëheqjen dhe drejtimin e punës së klasave dhe kuorumeve të tyre, duke përfshirë përzgjedhjen e mësimeve të së dielës dhe planifikimin e aktiviteteve gjatë ditëve të javës. Udhëheqësit e klasave dhe të kuorumeve thirren dhe veçohen nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë; prandaj ata kanë autoritetin për të udhëhequr dhe për të forcuar të rinjtë dhe të rejat e tjera. Ata ndjekin shembullin e Shpëtimtarit dhe mësojnë të shërbejnë siç shërbeu Ai dhe të jenë shërbestarë siç ishte Ai.

Mundësi për Udhëheqje nga Rinia

Udhëheqja fillon në shtëpi. “Plotësimi i detyrës sonë ndaj Perëndisë si prindër dhe udhëheqës, fillon me udhëheqjen me anë të shembullit – duke i jetuar parimet e ungjillit me qëndrueshmëri dhe zell në shtëpi”, na mësoi Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. “Kjo kërkon vendosmëri dhe zell përditë.”4 Prindërit japin mësim doktrinën e Krishtit. Ata e ndihmojnë rininë të caktojë synime dhe t’i plotësojë ato. Programet Përparimi Personal dhe Detyra ndaj Perëndisë i ndihmojnë të rejat dhe të rinjtë që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin, të përgatiten për të bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta dhe të përmbushin rolet dhe përgjegjësitë e tyre hyjnore në familje, shtëpi dhe Kishë.

Në kishë, udhëheqësit e Priftërisë Aarone dhe të Të Rejave mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat, që shërbejnë në presidencat e kuorumeve dhe klasave, për t’i kuptuar detyrat e tyre të shenjta dhe për t’i lartësuar thirrjet e tyre që të ushqejnë shpirtërisht dhe të forcojnë të gjithë anëtarët e tjetër të kuorumeve dhe të klasave.

Si udhëheqës të rritur, ne i përgatitim të rinjtë dhe të rejat që të drejtojnë mbledhjet e kuorumeve dhe të klasave, si dhe aktivitetet e Përbashkëta. Ne takohemi me rininë në mbledhjet e presidencave, ndërkohë që ata vendosin mënyra se si t’u shërbejnë atyre që po hasin vështirësi, se si ta përfshijnë të gjithë rininë në mësimet e së dielës dhe se si të planifikojnë aktivitete, projekte shërbimi, kampe dhe konferenca të rinisë.

Ne i nxitim presidencat e rinisë që t’i ndihmojnë të gjithë anëtarët e kuorumeve dhe të klasave për të marrë pjesë në çdo fushë të punës së shpëtimit, duke përfshirë punë misionare nga anëtarët, mbajtjen aktive të të kthyerve në besim, aktivizimit e anëtarëve më pak aktivë, punën në tempull, punën për historinë familjare dhe mësimdhënien e ungjillit.5 Presidencat e rinisë i ndihmojnë të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të mësojnë gëzimin dhe bekimin e të shërbyerit në emrin e Shpëtimtarit dhe të të ushqyerit të deleve të Tij.

Puna e udhëheqësit nuk është të bëjë fletushka të përsosura me anë të programit Pinterest apo të japë leksione të mbushura me fakte. Puna e udhëheqësit është t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat të mësojnë dhe të vënë në jetë parime, të cilët do t’i ndihmojnë ata të udhëheqin sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Sa vijon janë katër nga ato parime.6

Përgatitini Shpirtërisht

Pamja
Family members sitting in the living room or family room of their home. They are reading the Church magazines.

Ndihmojeni rininë të kuptojë fuqinë e përgatitjes së saj vetjake, shpirtërore. Mësojuni atyre të ushtrojnë besim te besëlidhjet që i bëjnë në ordinancën e sakramentit. Gatishmëria e tyre për të marrë mbi vete emrin e Krishtit, për ta kujtuar Atë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij i kualifikon ata që të kenë gjithmonë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ata nuk janë të vetëm në shërbimin e tyre kur janë në gjendje të marrin, dallojnë dhe veprojnë sipas nxitjeve të Frymës së Shenjtë.

Ata përgatiten shpirtërisht duke kërkuar udhëzim nëpërmjet lutjes së zjarrtë dhe duke i hetuar shkrimet e shenjta për përgjigje. Ata përpiqen t’i zbatojmë urdhërimet me qëllim që Fryma e Shenjtë t’iu flasë në zemrën dhe mendjen e tyre, që ata të mund të ndiejnë dhe të dinë se kush ka nevojë për ndihmën e tyre dhe çfarë mund të bëjnë ata. Ata e ndiejnë dashurinë e pastër të Krishtit për çdo anëtar/e të klasës ose kuorumit.

Përgatitja shpirtërore u jep të rinjve vetëbesimin se ata janë vepruesit e Zotit dhe se ata janë në punën e Tij (shih DeB 64:29).

Merrni Pjesë në Këshilla

Mësojini rinisë urdhrin themeltar dhe fuqinë zbuluese të këshillave, kur marrin pjesë në këtë proces të krijuar në mënyrë hyjnore, nëpërmjet të cilit qeveriset Kisha e Zotit dhe bekohen individët e familjet.7 Komiteti i peshkopatës për rininë dhe mbledhjet e presidencave të kuorumeve dhe klasave janë këshillat ku të rinjtë e të rejat i mësojnë detyrat e tyre dhe marrin përgjegjësi për t’iu dhënë shërbesë të tjerëve.

Anëtarët e këshillave:

  • Bashkohen me drejtimin e udhëheqësve të priftërisë dhe e ndjekin drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.

  • I japin mendimet dhe idetë e tyre me një shpirt drejtësie, shenjtërie, besimi, virtyti, durimi, dashurie hyjnore dhe dashamirësie vëllazërore.

  • Punojnë së bashku, sikurse udhëzohen nga Fryma e Shenjtë, për të planifikuar se çfarë do të bëjnë për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë.

Jepuni Shërbesë të Tjerëve

Të rinjtë dhe të rejat udhëheqin sipas mënyrës së Shpëtimtarit kur ata japin shërbesë me dashuri e mirësi. Jozef Smithi na mësoi: “Asgjë nuk është kaq e mirëllogaritur për t’i çuar njerëzit që të braktisin mëkatin sesa t’i marrësh ata për dore dhe t’i mbrosh ata me butësi. Kur persona shfaqin mirësinë dhe dashurinë më të vogël ndaj meje, o çfarë fuqie ka kjo mbi mendjen time.”8

Shpëtimtari na mësoi vlerën e çmuar dhe të paçmueshme të çdo shpirti (shih DeB 18:10–15). Ndihmojeni rininë tonë të kuptojë të vërtetën e lavdishme që Jezu Krishti e dha jetën e Tij dhe hapi udhën që të gjithë njerëzit të mund të vijnë tek Ai. Në mirënjohje për atë që Ai ka bërë, shërbëtorët e vërtetë të Zotit i afrohen dhe i japin shërbesë me dashamirësi të përzemërt çdo të riu dhe çdo të reje, për të cilët Shpëtimtari sakrifikoi gjithçka.

Jepeni Mësim Ungjillin e Jezu Krishtit

Ndihmojini të rinjtë dhe të rejat që të dallojnë mundësitë për ta dhënë mësim ungjillin dhe që të kuptojnë se mësimdhënia e tyre më e rëndësishme do të jetë shembulli i tyre. Kur rinia jeton sipas fjalëve të profetëve dhe i mban standardet e dhëna në broshurën Për Forcën e Rinisë, ata udhëheqin sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Nëpërmjet integritetit moral të fjalëve dhe veprimeve të tyre, ata tregojnë se çfarë do të thotë të jesh një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit. Ata qëndrojnë si dëshmitarë të Tij pa hipokrizi. Më pas, kur të japin dëshmi, të ndihmojnë për të dhënë mësim një të diel apo t’ua thonë të vërtetat e ungjillit shokëve dhe shoqeve të tyre, ata do të mbushen me Shpirtin dhe fjalët e tyre do të kenë fuqi për të kthyer në besim.

Udhëhiqni sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Që të udhëhiqni sipas mënyrës së Shpëtimtarit është një privilegj i shenjtë, i cili do t’i kërkojë rinisë që të japin gjithçka munden teksa i shërbejnë Zotit në shtëpi, në Kishë dhe në komunitet. Të rinjtë dhe të rejat që udhëheqin sipas mënyrës së Shpëtimtarit, bëhen mesazhi i ungjillit të Krishtit, përgjigjja ndaj lutjes së dikujt, engjëjt që u japin shërbesë njerëzve nevojtarë dhe drita e Krishtit për botën.

Shënime

  1. David A. Bednar, “Youth and Family History”, lds.org/youth/family-history/leaders.

  2. Letër nga nipi i Karol F. Mek-Konkit, 13 mars 2015.

  3. Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 3.1.

  4. Robert D. Hejls, “Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri”, Liahona, maj 2010, f. 95.

  5. Shih Manuali 2, 5.

  6. Shih Manuali 2, 3.2.

  7. Shih Manuali 2, 4.1.

  8. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 421, 456.