2015
A po Bëja Mjaftueshëm?
Tetor 2015


Shërbimi në Kishë

A po Bëja Mjaftueshëm?

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Një mësim rreth deleve të humbura më ndihmoi të kuptoja se si ta përmbushja më së miri thirrjen time.

Pamja
Composite photo of a lamb on a cliff. There is a tree growing out of the side of the rocky cliff.

Ilustrimi me kompozim fotografish nga Mike Boyland/iStock/Thinkstock and Oleksiy Fedorov/Hemera/Thinkstock

Në moshën 23-vjeçare, u thirra si presidente e Shoqatës së Ndihmës në lagjen tonë për studentët e martuar. Më kujtohet papërshtatshmëria që ndjeva, e shoqëruar nga dëshira për të bërë më të mirën time. Isha e paduruar dhe e emocionuar, por dyshoja në aftësinë time për të qenë një udhëheqëse e mirë.

Pas disa muajsh si presidente e Shoqatës së Ndihmës, ndjeva se nuk po bëja mjaftueshëm. Dëshiroja të isha në gjendje të lidhesha me motrat dhe të isha në harmoni me nevojat e tyre individuale, por ndjeva se isha larg qëllimit tim.

Fola me peshkopin tim dhe i shpreha shqetësimet e mia. I shpjegova se si nuk mund të arrija t’i ndihmoja të gjitha motrat që dëshiroja. Përshkrova se si uroja të kisha pesë si vetja që ta kryenin punën sikurse mendoja unë se duhej. U përpoqa t’i mbaja shqetësimet e mia të lehta e me humor, por sytë e mi u mbushën shpejt me lot shkurajimi. Ai buzëqeshi dhe më dha një nga këshillat më të mira për udhëheqjen që kam marrë ndonjëherë.

“A e di tregimin e bariut i cili, kur humbi një nga tufa e tij, i la ‘të nëntëdhjetë e nëntat’ për ta gjetur atë?” pyeti ai (shih Lluka 15:4–7). Pohova me kokë.

“Duket se ka kaq shumë mençuri në atë shëmbëlltyrë”, vazhdoi ai. “Bariu e dinte se të nëntëdhjetë e nëntat do të ishin mirë nëse ai i linte ato për të kërkuar delen e vetme të humbur.”

Pastaj peshkopi më dha këshillën që vijon:

“Shiko, të nëntëdhjetë e nëntat kanë një mënyrë të shkëlqyer përkujdesjeje për njëra-tjetrën kur ti nuk je. Ato do ta ngrenë njëra-tjetrën dhe do të mbahen shumë mirë. Të sugjeroj që të përqendrohesh tek ato që duken të humbura. Pjesa tjetër do të jetë në rregull.”

Ndjeva një dëshmi të fortë se ajo që ai më tha, ishte e vërtetë dhe se nuk duhej të shqetësohesha për të gjithë tufën njëherësh. Qëllimi im ishte të gjeja ato që kishin humbur dhe t’i ftoja ato të ktheheshin sërish në tufë. Në atë mënyrë, qëllimet e Atit Qiellor mund të bëheshin të mundura dhe unë mund të isha një mjet në duart e Tij.

Teksa ia vija veshin këshillës së peshkopit, ndjeva një masë më të madhe kuptueshmërie për mënyrën se si Zoti do të donte që unë të shërbeja në mbretërinë e Tij. Mora edhe përmbushje shpirtërore që më forcoi në thirrjen time për shkak se po shërbeja siç kishte udhëzuar Shpëtimtari. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, peshkopi im më kishte dhënë një dhuratë të madhe kuptueshmërie dhe ndriçimi të mendjes.

Unë dëshmoj se, ndërsa lutemi dhe kërkojmë frymëzim nga udhëheqësit tanë të priftërisë, ata do të frymëzohen për të na treguar se si të udhëheqim në mënyra të drejta.