2015
Plani i Shpëtimit: Një Thesar i Shenjtë Diturie për të na Udhërrëfyer Ne
Tetor 2015


Plani i Shpëtimit: Një Thesar i Shenjtë Diturie për të na Udhërrëfyer Ne

Kyçi i suksesit tonë në jetën para lindjes ishte mbështetja jonë për planin e Atit. Ai është po ashtu kyçi i suksesit tonë në jetën në vdekshmëri.

Shpesh kam përsiatur për mungesën e shpresës së fëmijëve të Perëndisë duke u endur në botën e errët dhe të zymtë, duke mos ditur se kush janë, nga erdhën, përse janë këtu në tokë ose ku do të shkojnë pas jetës së tyre në vdekshmëri.

Ne nuk kemi nevojë të endemi. Perëndia ka zbuluar të vërteta të përjetshme për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Ato gjenden në planin e Tij të madh për fëmijët e Tij. Në shkrimet e shenjta ky plan njihet si “plani i shëlbimit”1, “plani i lumturisë”2 dhe “plani i shpëtimit”3.

Pamja
The Beeches, by Asher Brown Durand

AHET, NGA ASHER BROWN DURAND, © MUZEU METROPOLITAN I ARTIT, BURIMI I PAMJES: ART RESOURCE, NJ, NUK MUND TË KOPJOHET.

Duke e kuptuar dhe duke e ndjekur me bindje planin e Perëndisë, ne e ruajmë veten që të mos endemi jashtë shtegut, i cili na kthen sërish drejt Atit tonë Qiellor.4 Atëherë, dhe vetëm atëherë, mund ta jetojmë llojin e jetës që Ai jeton, që është “jet[a e] përjetshme, … më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”5.

Dhurata e jetës së përjetshme ia vlen çdo përpjekje për ta studiuar, mësuar e zbatuar planin e shpëtimit. I gjithë njerëzimi do të ringjallet dhe do ta marrë bekimin e pavdekësisë. Por që të fitojmë jetë të përjetshme – jetën që jeton Perëndia6 – ia vlen ta jetojmë planin e shpëtimit me gjithë zemrën, mendjen, fuqinë dhe forcën tonë.

Të Kuptuarit e Planit të Shpëtimit

Sa fuqizuese është ta dimë planin! Plani i shpëtimit është një nga thesaret më të mëdha të diturisë së dhënë ndonjëherë njerëzimit, sepse ai shpjegon qëllimin e përjetshëm të jetës. Pa të, ne me të vërtetë endemi në errësirë. Kjo është arsyeja përse modeli i Perëndisë është që t’iu japë urdhërime fëmijëve të Tij “pasi u[a] bëri të ditur planin e shëlbimit”7.

Dëshira ime është që ta ndihmoj secilin prej nesh që të përfitojë nga ky thesar diturie – që ta kuptojmë më mirë planin e shpëtimit dhe që ta zbatojmë atë kuptueshmëri në jetën tonë të përditshme.

Liria e Zgjedhjes

Ngaqë liria e zgjedhjes është thelbësore për këtë plan, le ta fillojmë atje. Ati ynë na ka dhënë aftësinë për të vepruar ose për të mos pranuar të veprojmë8 sipas të vërtetave të përjetshme – të vërtetave që e bëjnë Perëndinë atë që Ai është dhe qiellin atë që ai është.9 Nëse e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për t’i pranuar e jetuar këto të vërteta, ne marrim gëzim të përhershëm. Anasjelltas, nëse e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të mos u bindur, për t’i mohuar ligjet e Perëndisë, ne përjetojmë vuajtje dhe hidhërim.10

Liria e zgjedhjes siguron një prapaskenë të përshtatshme për të tre kapitujt e planit të shpëtimit: jetën para lindjes, jetën në vdekshmëri dhe jetën pas vdekjes.

Jeta Para Lindjes

Siç shpallet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, secili prej nesh “është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” me “një natyrë dhe destinacion hyjnor”11. Në këshillin në botën para lindjes, Ati Qiellor na shpjegoi planin e Tij të shëlbimit.12 Plani u bazua mbi doktrinën, ligjin dhe parimet që kanë ekzistuar gjithmonë.13 Ne mësuam që, nëse e pranojmë dhe e ndjekim planin, neve do të na kërkohet ta lëmë me dëshirë praninë e Atit tonë dhe të vihemi në provë për të treguar nëse do të zgjidhnim të jetonim sipas ligjeve dhe urdhërimeve të Tij.14 Ne u gëzuam për këtë mundësi15 dhe me mirënjohje e mbështetëm planin, sepse ai na ofronte mënyrën se si të bëheshim si Ati ynë Qiellor dhe të trashëgonim jetë të përjetshme.

Por plani nuk ishte pa rrezik: nëse zgjedhim në vdekshmëri që të mos jetojmë sipas ligjeve të përjetshme të Perëndisë, ne do të marrim diçka më pak sesa jeta e përjetshme.16 Ati e dinte se ne do të pengoheshim dhe mëkatonim, ndërkohë që mësonim me anë të përvojës në vdekshmëri, kështu që Ai siguroi një Shpëtimtar për të shëlbuar nga mëkati të gjithë ata që pendohen dhe për t’i shëruar plagët shpirtërore dhe emocionale të atyre që binden.17

Pamja
Cropped portion of Carl Bloch's painting depicting Christ sitting at a table with the two men with whom He walked on the road to Emmaus.

Jezu Krishti ishte Biri i dashur, i zgjedhur dhe i parashuguruar i Atit që nga fillimi.18 Ai e mbështeti planin e Atit dhe ofroi të ishte Shpëtimtari ynë, duke thënë: “Ja ku jam, dërgomë mua”19. Prandaj Jezusi u caktua nga Ati të ishte Ai që do të jetonte një jetë të pamëkatë në vdekshmëri, do të shlyente për mëkatet dhe fatkeqësitë tona dhe do të ringjallej për t’i këputur lidhjet e vdekjes.

Luciferi, i cili u njoh më pas si Satani, gjithashtu jetoi në ekzistencën para lindjes.20 Për arsye egoiste, ai e mohoi planin, kërkoi ta shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur dhe ngriti krye kundër Atit.21 Si pasojë, Satani dhe ata që e ndoqën, nuk do të kenë kurrë një trup. Ata e humbën mundësinë e tyre për të marrë pjesë në planin e Atit dhe e humbën fatin e tyre hyjnor.22 Sot ata e vazhdojnë luftën e tyre të kryengritjes kundër Perëndisë dhe kërkojnë ta kthejnë mendjen dhe zemrën e njerëzimit kundër Tij.23

Kjo tokë u projektua dhe u krijua për ata që e pranuan planin e Atit.24 Këtu ne marrim një trup të krijuar në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Perëndisë. Këtu ne vihemi në provë dhe provohemi. Këtu ne fitojmë përvojën e nevojshme për të trashëguar jetë të përjetshme.25

Jeta në Vdekshmëri

Pamja
Adam and Eve

Perëndia krijoi Adamin dhe Evën dhe i bashkoi ata si bashkëshort e bashkëshorte, i vendosi në Kopshtin e Edenit dhe i urdhëroi të kishin fëmijë.26 Duke e ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes, Adami dhe Eva së bashku ranë prej pranisë së Perëndisë dhe u bënë qenie të vdekshme.27 Kjo e përmbushi planin e Atit duke bërë të mundur që ata të kishin fëmijë, gjë të cilën nuk mund ta bënin në Kopshtin e Edenit.28 Me anë të ligjit të përjetshëm, fuqia hyjnore e riprodhimit duhet të përdoret brenda kufizimeve të caktuara nga Ati ynë Qiellor. Bërja e kësaj gjëje siguron mundësinë për gëzim të përjetshëm. Çfarëdo përdorimi i kësaj fuqie të shenjtë jashtë kufijve të Perëndisë do të përfundojë më së fundi në mjerim.29

Satani, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit “të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë”30, përpiqet të na largojë nga mundësitë e vëna në dispozicion nëpërmjet planit të Atit. Përse Ati Qiellor e lejon Satanin të na tundojë? Sepse Ai e di që kundërshtimi është i nevojshëm për rritjen dhe provimin tonë në vdekshmëri.31 Kundërshtimi na jep një mundësi që të kthehemi te Perëndia dhe të mbështetemi tek Ai. Ngaqë e mira dhe e liga janë vazhdimisht përpara nesh, ne mund t’i shprehim me qartësi dëshirat e zemrave tona duke e përqafuar njërën dhe duke e mohuar tjetrën.32 Kundërshtimi mund të gjendet tek tundimet e Satanit, por edhe te vetë dobësia jonë, pavendosmëritë e vdekshmërisë që trashëgohen në gjendjen njerëzore.33

Për të na ndihmuar që të zgjedhim me urtësi, Perëndia ka zbuluar planin e Tij të shëlbimit dhe ka dhënë urdhërimet34, Dritën e Krishtit35 dhe shoqërimin e Frymës së Shenjtë36. Prapëseprapë, edhe me të gjitha këto dhurata, çdonjëri prej nesh, në këtë botë të rënë, kryen mëkat dhe prandaj ne të gjithë jemi të paaftë që të hyjmë në praninë e Perëndisë bazuar në vetë meritat tona.37 Kjo është arsyeja përse plani i Tij i mëshirshëm siguron një Shpëtimtar.

Jezu Krishti erdhi në tokë si Biri i Vetëmlindur i Perëndisë dhe e përmbushi misionin e caktuar Atij përsosurisht duke iu nënshtruar vullnetit të Atit në të gjitha gjërat.38 Sipas planit mëshirëplotë të Atit, efektet e Rënies mposhten nëpërmjet Ringjalljes së Shpëtimtarit39, pasojat e mëkatit mund të kapërcehen dhe dobësia mund të kthehet në forcë, në qoftë se e vëmë veten tonë në dispozicion të Shlyerjes së Jezu Krishtit40.

Pamja
Frontal head and shoulders portrait of Jesus Christ. Christ is depicted wearing a pale red robe with a white and blue shawl over one shoulder. Light emanates from the face.

Pamja e Krishtit, nga Heinrich Hofmann, me mirësinë e C. Harrison Conroy Co.

Ne mund të kualifikohemi për jetë të përjetshme vetëm nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve. Kjo kërkon të kemi besim te Zoti Jezu Krisht, të pendohemi, të pagëzohemi, të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të durojmë deri në fund duke e ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.41 Në parim, ne duhet t’i marrim të gjitha ordinancat thelbësore të priftërisë dhe të durojmë deri në fund në mbajtjen e besëlidhjeve të lidhura me to.

Jeta Pas Vdekjes

Pasi të vdesim, ne vërtet do të qëndrojmë një ditë përpara Shpëtimtarit për t’u gjykuar.42 Ngaqë Perëndia është i mëshirshëm, ata që e ushtrojnë besimin e tyre në Krishtin deri në pendim, do të falen dhe do të trashëgojnë gjithçka që Ati ka, përfshirë jetën e përjetshme.43 Ngaqë Perëndia është i drejtë, çdo njeri që nuk pendohet, nuk do ta marrë dhuratën e jetës së përjetshme.44 Çdo njeri do të shpërblehet sipas besimit, pendimit, mendimeve, dëshirave dhe veprave të tij ose të saj.45

Zbatimi i Planit të Shpëtimit në Jetën Tonë të Përditshme

Pasi e kuptojmë tablonë e madhërishme të planit dhe e shohim veten tonë tek ajo, ne fitojmë diçka të paçmuar, madje thelbësore: këndvështrimin e përjetshëm. Këndvështrimi i përjetshëm na ndihmon në marrjen e vendimeve dhe në veprimet tona të përditshme. Ai i bën të qëndrueshme mendjen dhe shpirtin tonë. Kur opinionet që përpiqen të na bindin, por me të meta të përjetshme, shtillen përreth nesh, ne qëndrojmë të palëkundur dhe të palëvizshëm.

Sikurse na mësoi Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004) i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Pa një kuptueshmëri të planit të shpëtimit, duke përfshirë ekzistencën tonë para lindjes dhe gjykimin e ringjalljen, përpjekja për t’i dhënë kuptim kësaj jete si e vetme do të ishte sikur të shihnim vetëm aktin e dytë të një pjese teatrale me tre akte”46. Ne duhet të kuptojmë aktin e parë (jetën para lindjes) me qëllim që të dimë se si të bëjmë zgjedhjet më të mira në aktin e dytë (jetën në vdekshmëri), i cili do të përcaktojë se çfarë na ndodh në aktin e tretë (jetën pas vdekjes).

E thënë ndryshe, kuptueshmëria e planit të shpëtimit, e shoqëruar me lutjen e sinqertë, e ndryshon mënyrën se si ne e shohim jetën, këdo përreth nesh dhe veten tonë. Kuptueshmëria e planit e qartëson vegimin tonë shpirtëror dhe na lejon t’i shohim gjërat ashtu siç janë vërtet.47 Ashtu sikurse Urimi e Thumimi e aftësuan Profetin Jozef Smith që të merrte zbulesë dhe udhërrëfim48, po ashtu do të na tregojë njohuria për planin mënyrën se si të “veproj[më] në përputhje me doktrinën dhe parimin që i përkasin së ardhmes, lidhur me lirinë e zgjedhjes morale”, që Zoti na e ka dhënë.49 Si rrjedhim, besimi ynë do të forcohet dhe ne do ta dimë se si ta hartojmë udhëtimin e jetës sonë dhe se si të marrim vendime në përputhje me të vërtetën e përjetshme.

Ja disa shembuj që janë veçanërisht domethënës në kohën tonë.

Qëllimi i Martesës në Planin e Perëndisë

Pamja
illustration of a bride and groom in front of a temple

ILLUSTRIMI NGA JAMES JOHNSON

Martesa dhe familja po sulmohen ngaqë Satani e di se ato janë thelbësore për të fituar jetë të përjetshme – po aq thelbësore sa Krijimi, Rënia, dhe Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit.50 Ngaqë nuk ia doli mbanë të shkatërronte ndonjë prej këtyre shtyllave të planit, Satani kërkon të shkatërrojë kuptueshmërinë dhe praktikën tonë të martesës e familjes.

Me planin e Atit Qiellor si një pikë e palëvizshme referimi, qëllimi i martesës vjen qartësisht në fokus. Urdhërimi për ta lënë babanë e nënën, për t’u bashkuar me njëri-tjetrin në martesë51 dhe për t’u shumëzuar e për ta mbushur tokën52 e bën planin e Tij të mundshëm. Nëpërmjet martesës ne i sjellim fëmijët e Tij shpirtërorë në botë dhe bëhemi bashkëpunëtorë me Të për t’i ndihmuar fëmijët e Tij që të marrin pjesë në planin e Tij.53

Plani i Atit na siguron udhën për të trashëguar jetë të përjetshme, jetën që bënë prindërit tanë qiellorë. Sipas planit, “në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin”54. Pikërisht thelbi i jetës së përjetshme përfshin martesën e përjetshme të burrit dhe të gruas, e cila është një pjesë thelbësore e bërjes si prindërit tanë qiellorë.55

Martesa midis një Burri dhe një Gruaje

Në martesë ne e plotësojmë njëri-tjetrin, sikurse munden vetëm burri dhe gruaja me ndryshimet e tyre të pashoqe dhe thelbësore. Duke ecur përgjatë vdekshmërisë si bashkëshort e bashkëshorte, ne rritemi së bashku, afrohemi më pranë Shpëtimtarit kur bindemi, bëjmë sakrifica për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe e ngremë së bashku mbretërinë e Tij. Duke e ditur që martesa e përjetshme është një urdhërim i Perëndisë dhe që Ai përgatit një udhë për fëmijët e Tij për t’i përmbushur të gjitha urdhrat e Tij56, ne e dimë se martesat tona do të kenë sukses kur bashkohemi në mbajtjen e besëlidhjeve që kemi bërë.

Është nëpërmjet ordinancave të priftërisë dhe zgjedhjes për t’i mbajtur besëlidhjet shoqëruese, që ne marrim fuqinë e perëndishmërisë teksa ndeshemi me sfidat e vdekshmërisë.57 Ordinancat e tempullit na dhurojnë fuqi nga lart dhe na aftësojnë që të kthehemi në praninë e Atit tonë Qiellor.58 Ordinanca e vulosjes e aftëson bashkëshortin dhe bashkëshorten që të rriten së bashku nëpërmjet fuqisë së Perëndisë dhe që të jenë një me Zotin.59 Çfarëdo zëvendësimi për këtë lloj martese nuk do t’i përmbushë qëllimet e Tij të shenjta për ne ose për brezat e fëmijëve të Tij që vijnë më pas.60

Tërheqjet dhe Dëshirat

Secili prej nesh vjen në këtë botë të rënë me dobësinë ose sfidën e qenësishme brenda gjendjes njerëzore.61 Të kuptuarit e planit të Perëndisë na bën të aftë t’i shohim të gjitha pavendosmëritë njerëzore – duke përfshirë tërheqjet dhe dëshirat e papërputhshme me planin e Tij – si të përkohshme.62 Dituria se jetuam përpara kësaj jete si bij dhe bija të dashur të prindërve qiellorë, na aftëson që ta nxjerrim identitetin tonë vetjak nga zanafilla jonë hyjnore. Është pozita jonë si një bir ose bijë e Perëndisë – jo pavendosmëritë ose prirjet tona – që është burimi i vërtetë i identitetit tonë.63

Me këtë këndvështrim, ne jemi më të aftë për ta pritur me përulësi e durim Zotin64, duke mirëbesuar se nëpërmjet besimit, bindjes dhe durimit tonë deri në fund, prirjet dhe dëshirat tona do të pastrohen, trupat tanë do të shenjtërohen dhe ne do të bëhemi me të vërtetë bijtë dhe bijat e Krishtit, të përsosur nëpërmjet Shlyerjes së Tij.

Këndvështrimi i përjetshëm i planit sjell sigurinë që për besnikët, patjetër do të vijë dita që “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; … as [nuk do të ketë më] mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan”65. Ky “ndriçim [i] përkryer [i] shpresës”66 do t’i bëjë të qëndrueshme mendjen e zemrën tonë dhe do të na aftësojë të presim me durim dhe besnikëri për Zotin.

Premtimet për Ata që Durojnë me Besnikëri

Ata që e pyetin veten nëse rrethana ose gjendja e tyre e tanishme i shkëput ata nga jeta e përjetshme, duhet të mbajnë mend se “askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij”67.

Asnjë bekim nuk do t’iu mohohet besnikëve. Presidenti Lorenco Snou shpalli: “Asnjë shenjtor i ditëve të mëvonshme, që vdes pasi ka jetuar një jetë besnike, nuk do të humbasë asgjë ngaqë nuk mundi të bëjë disa gjëra ndërkohë që atij apo asaj nuk iu dhanë mundësitë. Me fjalë të tjera, nëse një i ri apo e re nuk ka mundësi të martohet dhe jeton një jetë besnike deri në vdekjen e vet, ai apo ajo do të ketë të gjitha bekimet, ekzaltimin dhe lavdinë që mund të ketë një burrë apo grua që e pati këtë mundësi dhe e përmirësoi. Kjo është e sigurt dhe e vërtetë.”68

Premtimet për të Gjithë Ata që e Dinë Planin dhe e Zbatojnë Atë Çdo Ditë

Pamja
One painting depicting a boy writing, with open books on a table, including the scriptures. The father, next to him seated, looks at his work and rests his arm on the back of the boy's chair. A case of books is at viewers left and french doors are at viewers left in background.

Secili prej nesh me gjithë zemër e mbështeti planin e Atit në jetën para lindjes. Ne e dinim se Ai na donte dhe u mahnitëm nga oferta e Tij zemërgjerë për këtë mundësi që të trashëgonim gjithçka që Ai ka, përfshirë jetën e përjetshme. Kyçi i suksesit tonë në jetën para lindjes ishte mbështetja jonë për planin e Atit. Ai është po ashtu kyçi i suksesit tonë në jetën në vdekshmëri.

Kështu që ftesa ime është që së bashku të ngrihemi sërish në mbështetje të planit të Atit. Këtë ne e bëjmë me dashuri për të gjithë, sepse plani vetë është një shprehje e dashurisë së Perëndisë.

Teksa e vëmë në jetë çdo ditë njohurinë tonë për planin e Atit, jeta jonë do të ndërmarrë kuptim më të thellë. Ne do t’iu bëjmë ballë sfidave tona me besim më të madh. Ne do të ecim përpara me shpresën e sigurt, të shndritshme, të shkëlqyer të jetës së përjetshme.