2015
Të Gjesh Ndihmë
Tetor 2015


Të Gjesh Ndihmë

Autorja jeton në Juta, SHBA.

Ishte pas mesnate, por Tejti e dinte se ishte koha për të folur.

“Atë Qiellor, tani të lutem, më udhërrëfe e më mbro çdo ditë” (Children’s Songbook, f. 19).

Pamja
Product Shot from October 2015 Liahona

Tejti rrinte zgjuar në errësirë, duke i kapsallitur sytë që të mos qante. Ai qe lutur për ndihmë, por dukej sikur një re e rëndë dhe e zezë i rrinte përsipër, duke e lënë jashtë Shpirtin.

“Po sikur të mos e harroj kurrë atë program të tmerrshëm televiziv”, shqetësohej ai.

Disa ditë më parë, ai i kishte mbaruar herët detyrat e tij dhe kishte ndezur televizorin. Por ai nuk e kishte pritur të shihte diçka si ajo në ekran. Tejti qe aq i tronditur, saqë harroi ta fikte televizorin aq shpejt sa duhej ta kishte fikur.

Ishte një aksident. Ai nuk kishte dashur ta shihte një skenë si ajo, por tani nuk mund ta harronte. Ndonjëherë ajo i befte në mendje në mes të shkollës, në tavolinën e darkës madje edhe gjatë Kishës. Në kohë si ato, ai ishte i gëzuar që mami dhe babi nuk mund t’ia lexonin mendjen. Prindërit e Tejtit e kishin mësuar të mos shihte figura të njerëzve pa rroba. Ai e dinte se ata prisnin që ai gjithashtu t’i shmangte programet televizive, filmat dhe videolojërat e dhunshme.

“Tani e di pse”, tha mbyturazi Tejti me vete.

Tejti u çua nga shtrati dhe ra në gjunjë përsëri. Çfarë mund të bënte?

“Atë Qiellor”, pëshpëriti Tejti. “Të lutem më ndihmo të ndaloj së menduari për atë që pashë.” Ai i fshiu lotët që i ishin krijuar në sy dhe mbajti vesh. Zemra e tij rrahu më shpejt. Ai mendoi se e ndjeu Frymën e Shenjtë ta nxiste, por nuk ishte përgjigjja që dëshironte.

Ai duhej t’u tregonte prindërve.

“Përse?” pyeti veten Tejti. Ai do të ndihej si vogëlush po të shkonte në dhomën e prindërve të tij në mes të natës. Dhe për t’iu treguar? Ai prapë u ndje i turpëruar dhe i neveritur.

Pastaj i erdhi një mendim i qartë në mendje: Ati Qiellor donte që ai të ishte i lumtur. Ati Qiellor donte që ai të ndiente Shpirtin përsëri, të mendonte për gjëra të mira dhe të ishte i sinqertë me familjen e tij. Ai veçanërisht donte që Tejti të bëhej një mbajtës i denjë i priftërisë Aarone kur të mbushte 12 vjeç për pak muaj. Tejti e kuptoi se po të kapej pas asaj që kishte parë dhe ta mbante sekret, ai do të mbetej i palumtur rreth saj.

Tejti e dinte se kishte nevojë për ndihmë dhe Fryma e Shenjtë sapo i kishte thënë se ku ta gjente.

Tejti pa numrat e orës dixhitale që shkëlqenin në anë të shtratit të tij. Ishte afërsisht ora 1:00 e mëngjesit. Ai u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga korridori i errët drejt dhomës së prindërve të tij. Duke u përtypur me siklet, ai trokiti lehtë në derën e tyre.

“Mami? Babi?”

“Tejt, ti je?” erdhi zëri i përgjumur i mamit.

“Ka ndonjë gjë që nuk shkon?” pyeti babi.

“Po”, tha Tejti. “A mund të flasim? Dhe a mundem ndoshta të marr një bekim?”

Babi e ndezi llambën në anën e tij te shtrati dhe e ftoi Tejtin brenda. Për herë të parë pas ditësh të tëra, Tejti ndjeu ngrohtësi, shpresë dhe dritë.

Ilustrimi nga Mark Robison