2020
Si e Përgatiti Zoti Botën për Rivendosjen
Janar 2020


Si e Përgatiti Zoti Botën për Rivendosjen

Në mënyra të panumërta Zoti e përgatiti botën për Rivendosjen e ungjillit të Tij për t’i bekuar individët, familjet, komunitetet, kombet dhe botën.

Pamja
Joseph kneeling

Forcat e Dritës dhe të Errësirës, nga Warren Luch, me mirësinë e Muzeut të Historisë së Kishës

Zoti e përgatiti botën për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit shumë kohë përpara se Ati dhe Biri t’i shfaqeshin Jozef Smithit në vitin 1820. Në fakt, përgatitja e Zotit për të rivendosur plotësinë e ungjillit të Tij në ditët e fundit filloi përpara se të krijohej bota.

Në zbulesën e tetorit 1918 që njihet si seksioni 138 në librin Doktrina e Besëlidhje, të marrë nga Presidenti Jozef F. Smith (1838–1918), ne mësojmë se udhëheqësit e hershëm të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shumë “shpirtra të [tjerë të] zgjedhur … u mbajtën që të vinin në plotësinë e kohëve për të marrë pjesë në ngritjen e themeleve të veprës së madhe të ditëve të mëvonshme” (Doktrina e Besëlidhje 138:53; theksimi i shtuar).

Presidenti Smith pa “se ata ishin gjithashtu mes atyre fisnikëve dhe të mëdhenjve të cilët u zgjodhën nga fillimi” (Doktrina e Besëlidhje 138:55). Ai shtoi se “ata, me shumë të tjerë, i morën mësimet e para në botën e shpirtrave dhe u përgatitën për të ardhur në kohën e duhur të Zotit për të punuar në vreshtin e tij për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve” (Doktrina e Besëlidhje 138:56; theksimi i shtuar).

Pas krijimit të tokës, “profetë[t e lashtë] … që nga fillimi i botës” folën, kënduan, ëndërruan dhe profetizuan rreth “ripërtëritjes të të gjitha gjërave” (Veprat e Apostujve 3:21; shih edhe Lluka 1:67–75).

Duke folur veçanërisht rreth profetit të parë të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit, Presidenti Brigam Jang (1801–1877) vërejti: “Zoti e kishte ruajtur [Jozef Smithin] dhe atin e tij, dhe atin e atit të tij, dhe paraardhësit e tyre të gjithë deri tek Abrahami, dhe nga Abrahami te përmbytja, nga përmbytja tek Enoku, dhe nga Enoku tek Adami. Ai e ka vëzhguar atë familje e atë gjak ndërsa ka qarkulluar që nga burimi i tij deri tek lindja e atij njeriu. [Jozef Smithi] qe parashuguruar në përjetësi për të kryesuar këtë periudhë të fundit ungjillore.”1

Ndërkohë që kremtojmë 200‑vjetorin e Vegimit të Parë këtë vit, mund të jetë e përshtatshme që të kujtojmë burrat dhe gratë e shumta përgjatë udhës së viteve, të cilët u frymëzuan nga Zoti teksa Ai e përgatiti botën për Rivendosjen që filloi kur Ati dhe Biri iu shfaqën të riut Jozef Smith, i cili po kërkonte falje dhe drejtim në vitin 1820.

Teksa shohim pas në histori, ne do të zbulojmë se shumë zbulesa ndikuan në botë duke i përgatitur njerëzit për Kishën e Zotit që të rivendosej në ditët e fundit.2

Revolucioni i Dorëshkrimit

Një nga mënyrat më të rëndësishme se si Zoti e përgatiti botën për Rivendosjen e ungjillit të Tij, ishte një revolucion i dorëshkrimit i cili lindi nga shpikja dhe përdorimi i papiruseve dhe pergamenës.3

Pergamena, e bërë nga lëkura e kafshëve, u përdor në kohët e lashta dhe në periudhën e hershme moderne si një sipërfaqe shkrimi.4 Kopjet më të hershme që njihen të Biblës Hebraike (Dhiatës së Vjetër) dhe shumë kopje të rëndësishme, të mëvonshme të Biblës u ruajtën në pergamenë.5

Papirusi, i bërë nga palca e bimës së papirusit, është një material tjetër i përdorur në kohët e lashta si sipërfaqe shkrimi. Kopjet më të hershme të librave të Dhiatës së Re janë të ruajtura në papiruse.

Këto materiale shkrimi, krahasuar me shkrimin mbi fletë guri apo argjile, e bënë të lehtë për shkruesit që t’i shënonin fjalët e Perëndisë të marra nëpërmjet profetëve dhe apostujve të frymëzuar. Duke përdorur këto materiale shkrimi, shkrues të shumtë, të panumërt dhe të panjohur i kopjuan, i përçuan dhe i ruajtën me zell shkrimet e shenjta në kopje të shumta me qëllim që flakët e besimit të mos shuheshin kurrë.

Për shembull, unë mësova kohët e fundit se “ka më shumë se njëqind dorëshkrime të Ungjillit të Mateut të shkruara në greqisht”, me shumë dorëshkrime të tjera biblike të prodhuara në pergamenë gjatë Mesjetës.6

Pamja
printing house

Ilustrim i shtypshkronjës së shekullit të 16‑të, nga Getty Images

Revolucioni i Shtypshkrimit

Siç kam dhënë shpesh mësim, Zoti frymëzoi një hap tjetër të jashtëzakonshëm në përgatitjen e botës për Rivendosjen e ungjillit të Tij shpëtues kur një argjendar gjerman, Johanes Gutenberg, i përshtati teknologjitë e shtypshkrimit që ishin paraqitur për herë të parë në Kinë, për të prodhuar shtypshkronjën në vitin 1439 ose 1440.7

Gutenbergu ishte një mjet në duart e Zotit për ta shtuar njohurinë, të kuptuarit dhe besimin fetar në botë.8 Shpikja e tij ndezi një revolucion shtypshkrimi që e ndryshoi botën përgjithmonë nëpërmjet lehtësimit të qarkullimit të gjerë të ideve dhe informacionit që u bënë “vepruesit e ndryshimit”9.

Studiuesit vlerësojnë se në Europë ekzistonin rreth 30 000 libra në kohën që Gutenbergu e botoi Biblën në shtypshkronjën e tij. Brenda 50 vjetëve pas shpikjes së tij, më shumë se 12 milionë libra gjendeshin në Europë.

Reforma Protestante e përdori shpikjen e Gutenbergut për të përhapur idetë e veta dhe për t’ua sjellë Biblën njerëzve të thjeshtë në mënyra që askush ndonjëherë në një brez të mëparshëm nuk mund ta kishte përfytyruar.

Revolucioni i Shkrimit e Këndimit dhe Përkthimi i Biblës

Revolucioni i shtypshkrimit nxiti dhe u nxit nga një rritje në njohurinë e shkrim‑këndimit dhe një etje në rritje mes njerëzve të thjeshtë të Europës për t’i lexuar fjalët e shenjta të shkrimit të shenjtë në vetë gjuhët e tyre.

Bibla në latinisht, e përkthyer nga greqishtja dhe hebraishtja në vitin e pestë ps.K., kishte qenë Bibla zyrtare e kishës katolike të vendeve perëndimore për 1 000 vjet.10 Për shekuj, shumë europianë mësuan rreth Biblës kryesisht nëpërmjet predikimeve të dhëna nga priftërinjtë.

Por në shekujt e 15‑te dhe 16‑të, reformuesit fetarë krijuan përkthime të reja të Biblës në gjuhët e zakonshme të Europës, të tilla si gjermanishtja, italishtja, anglishtja, spanjishtja dhe frëngjishtja. Këto përkthime u bazuan zakonisht te tekstet origjinale të hebraishtes dhe greqishtes – jo te Bibla në latinisht. Ato bënë të mundur që dhjetëra mijëra lexues t’i përjetonin historitë dhe mësimet e Biblës në gjuhën e vet.

Martin Luteri, i lindur në vitin 1483, ishte një nga udhëheqësit në botimin e Biblës në gjuhën e kohës së tij. Përkthimi i tij në gjermanisht u botua në vitin 1534 – një vit vendimtar në historinë e krishterimit në vendet perëndimore.11 Besimi i Luterit te fuqia e shkrimeve të shenjta ndihmoi për ta nxitur Reformën. Reformues të tjerë i dhanë shtytje edukimit të përbotshëm kështu që kushdo mund të kishte mundësinë t’i lexonte vetë shkrimet e shenjta.

Disa udhëheqës fetarë ishin të shqetësuar se leximi i përhapur gjerësisht i Biblës do të çonte drejt herezive, nënvlerësimit të autoritetit të kishës dhe madje drejt trazirës qytetare. Ata u përgjigjën duke i burgosur, torturuar dhe madje duke i vrarë shumë njerëz të cilët u zbuluan se po përkthenin Biblën në një gjuhë të zakonshme për kohën apo se zotëronin përkthime në një gjuhë të zakonshme të shkrimeve të shenjta.

Uilliam Tindejlli, i lindur rreth vitit 1494, hyri në skenë gjatë punës së guximshme të Martin Luterit për përkthimin e Biblës në gjermanisht.12 Ndërkohë që ishte ende i ri, Tindejlli pati idenë e bërjes së një varianti të ri dhe më të mirë të Biblës në anglisht nisur nga gjuhët origjinale të hebraishtes dhe greqishtes.

Rreth vitit 1523, ai kërkoi ndihmë dhe inkurajim nga peshkopi katolik i Londrës që ta bënte një variant të tillë, por u kundërshtua fuqimisht. Për shkak se ishte miratuar një vendim për ta ndaluar përkthimin e Biblës nga kuvendi kishtar i Oksfordit në vitin 1408, Tindejllit i nevojitej një leje zyrtare që të vazhdonte pa ndërhyrje.

I përkushtuar ndaj detyrës së përkthimit të Biblës në anglisht, Tindejlli e filloi punën e vet në fshehtësi dhe e përfundoi përkthimin e Dhiatës së Re në vitin 1525. I shtypur në Këln të Gjermanisë, përkthimi i Tindejllit u fut fshehurazi në Angli, ku po shitej në fillim të 1526‑s.

Përfundimisht, sikurse shumë burra e gra që i vranë pasi donin që njerëzit e thjeshtë të kishin aftësi t’i përdornin shkrimet e shenjta në gjuhën e tyre, Tindejllin e mbytën teksa qëndronte i lidhur në një turrë drurësh në fillim të tetorit 1536.13 Sidoqoftë, përkthimi i tij në anglisht jetoi ndërkohë që fjalët dhe frazat e tij, si dhe kapituj të tërë të përkthimit të tij, u përfshinë në Variantin e Mbretit Xhejms.14

Varianti i Mbretit Xhejms, i botuar në vitin 1611, u miratua zyrtarisht nga Kisha e Anglisë dhe më vonë ndikoi në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në disa mënyra të rëndësishme.15 Ajo ishte Bibla në anglisht e lexuar më gjerësisht në kohën e lindjes së Jozef Smithit në 1805-n. Deri në atë kohë shumica e familjeve, përfshirë atë të Jozef e Lusi Mek Smithit, zotëronin një Bibël dhe lexonin rregullisht prej saj. Në fakt, shumë njerëz mësuan të lexonin duke e dëgjuar Biblën të lexohej në shtëpi dhe duke e studiuar atë vetë.

Pamja
Joseph reading the Bible

Revolucionet Politike dhe të Komunikimit

Revolucionet e shtypshkrimit, përkthimit dhe shkrimit e këndimit përgatitën udhën për revolucionet politike dhe teknologjike që përfshinë Europën dhe kontinentin amerikan midis shekujve të 17‑të dhe 19‑të. Klima politike që po ndryshonte në Europë dhe Amerikë, u dha njerëzve liri më të madhe për të zgjedhur vetë shtegun e tyre fetar. Liria fetare ishte njëra nga rrjedhojat e shumta të revolucioneve politike që ndodhën gjatë kësaj periudhe.

Zoti gjithashtu filloi ta “përhap[ë] Frymën [e Tij] mbi çdo mish” (shih Joel 2:28; Joseph Smith – Historia 1:41), përfshirë ata që u përgatitën për të ëndërruar për teknologji të reja transporti dhe komunikimi që do ta çonin përpara Rivendosjen e Tij në mënyra befasuese.

Kur Zoti e ngriti Profetin e Tij, Ai frymëzoi burra e gra që të shpiknin teknologji të tilla si kanalet për lundrim, telegrafët, hekurudhat dhe motorët me avull, që ungjilli të mund të shkonte në të gjithë botën.

Në mënyra të tjera të panumërta Zoti e përgatiti botën për Rivendosjen e ungjillit të Tij për t’i bekuar individët, familjet, komunitetet, kombet dhe botën.

Udhërrëfimi i Familjes Smith

Teksa marrim parasysh se si Zoti e përgatiti botën për Rivendosjen, ne gjithashtu duhet të kujtojmë se shumë prej asaj që Ai përmbushi, ishte nëpërmjet jetës së individëve – burrave dhe grave të zakonshme që, në disa raste, përmbushën gjëra të jashtëzakonshme.

Shumë individë dhe familje në vendet anembanë botës u përgatitën për ta pranuar mesazhin e Rivendosjes. Këta përfshinë prindërit e Profetit, Jozef dhe Lusi Mek Smithin, dy individë thellësisht shpirtërorë të cilët u rritën në një kulturë që u mësoi ta donin Jezu Krishtin dhe ta studionin Biblën.

Për vite, Jozefi dhe Lusi kishin përjetuar probleme financiare, shëndetësore dhe të tjera në Nju‑Ingland, në cepin verilindor të Shteteve të Bashkuara. Deri në vitin 1816, kur i humbën të lashtat e tyre për shkak të ndryshimit të klimës në të gjithë botën, të shkaktuar nga shpërthimi i malit Tambora në Indonezi, Jozefi dhe Lusi nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të hiqnin dorë nga Nju‑Inglandi dhe të merrnin vendimin e guximshëm që të largoheshin nga rrjeti i sigurisë së familjes, miqve dhe komunitetit.

Siç thotë vëllimi 1 i historisë së re të Kishës: “Jozef Plaku i donte së tepërmi bashkëshorten dhe fëmijët e tij, por nuk pati qenë në gjendje t’u siguronte shumë qëndrueshmëri në jetë. Fati i keq dhe investime pa sukses e kishin lënë familjen të varfër dhe pa shtëpi të përhershme. Ndoshta Nju-Jorku do të ishte ndryshe.”16

Në shumë mënyra, dështimet e familjes Smith në Nju‑Ingland i shtynë ata drejt Nju‑Jorkut perëndimor, ku gjallërimi fetar u shtua dhe e frymëzoi Jozef Smith të Riun të kërkonte Zotin në përpjekjen e tij për falje dhe udhëzim. Ai ishte vendi ku ndodheshin të fshehura fletët e arta, duke e pritur atë që t’i gjente, përkthente dhe botonte.

Pamja
family reading scriptures

Fotografi e familjes nga Wendy Gibbs Keeler

Dallimi i Dorës së Zotit në Jetën Tonë

Sikurse Zoti bëri me dështimet e familjes Smith, Ai është në gjendje të na bëjë të fortë, të na japë mësime të reja dhe të na përgatitë nëpërmjet dështimeve dhe problemeve për një të ardhme shumë të ndryshme nga ajo që përfytyrojmë.

Teksa marrim parasysh se si dora e Zotit u shfaq në jetën e familjes Smith, na nevojitet të kuptojmë se dora e Tij gjithashtu shfaqet në jetën e secilit prej nesh. Kërkimi i dorës së Zotit në jetën tonë kërkon ndjeshmëri shpirtërore dhe, në shumë raste, kohë e largpamësi. Për fat të mirë, bekimet patriarkale, ditarët vetjakë dhe historitë vetjake të jetës mund të japin një mundësi për ta kuptuar se si shfaqet dora e Zotit në jetën tonë.

Në një zbulesë të dhënë në vitin 1831, Zoti e paralajmëroi botën: “Dhe në asgjë nuk e fyen njeriu Perëndinë apo kundër askujt nuk ndizet zemërimi i tij, përveç atyre që nuk e pohojnë dorën e tij në gjithçka dhe nuk u binden urdhërimeve të tij” (Doktrina e Besëlidhje 59:21).

Gatishmëria jonë për t’iu bindur urdhërimeve të Zotit Jezu Krisht, veçanërisht dy urdhërimeve të mëdha që të duam Perëndinë dhe të afërmit tanë porsi vetveten, do të rritet kur ta kërkojmë dhe ta dallojmë dorën e Zotit në jetën tonë dhe dorën e Tij në përgatitjen e botës për Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit. Ajo është “një vepër [e] mrekullueshme dhe një çudi” (2 Nefi 25:17).

Zoti po e përgatit tani botën për Ardhjen e Tij të Dytë, sikurse Ai e përgatiti botën për Rivendosjen e ungjillit të Tij të përjetshëm. Sërish dora e Tij është e dukshme jo vetëm në ngjarjet e ndryshimit historik, por edhe në jetën e individëve.

Kur Jozef Smithi shkoi në korijen që ne tani e quajmë të shenjtë, ai po kërkonte falje dhe drejtim për jetën e tij.17 Në njëfarë kuptimi, Ai po i përgjigjej ftesës së frymëzuar nga Zoti, të shënuar tek Ungjilli sipas Mateut:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28–30)

Unë dëshmoj se që nga fillimi, dora e Zotit e përgatiti botën për Rivendosjen e “ungjilli[t të] vërtetë, [të] kulluar dhe [të] thjeshtë” të Jezu Krishtit, të “doktrina[ve] shpëtuese të Krishtit” që janë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë.18 Gjithashtu dëshmoj se dora e Zotit është në jetën tonë individuale duke na ftuar që ta ndjekim Atë, t’u shërbejmë të tjerëve dhe ta duam Atë ndërkohë që Ai e përgatit botën për Ardhjen e Tij të Dytë dhe të lavdishme.

Shënime

  1. Brigam Jang, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 580; shih edhe Brigham Young, “Remarks”, Deseret News, 26 tetor 1859, f. 266.

  2. Përparimet në transportim, komunikim, inxhinieri dhe mjekësi janë një pjesë e rëndësishme e përgatitjes nga Zoti për Rivendosjen e ungjillit dhe të Kishës së Tij.

  3. Shih L. D. Reynolds dhe N. G. Wilson, Scribes and Scholars: A Guide to the Transmission of Greek and Latin Literature, bot. i 4-t (2013).

  4. Për shembull, Deklarata e Pavarësisë së SHBA‑së, Nenet zyrtare të Parlamentit Britanik, rrotullat e Torës të përdorura në sinagogat judease dhe diplomat e disa universiteteve.

  5. Shih Timothy H. Lim dhe John J. Collins, The Oxford Handbook of the Dead Sea Scrolls (2010) dhe Bruce M. Metzger dhe Bart D. Ehrman, The Text of the New Testament: Its Transmission, Corruption, and Restoration, bot. i 4‑t (2005).

  6. Thomas A. Wayment, The New Testament: A Translation for Latter-day Saints, A Study Bible (2019), f. 2.

  7. Shih Diana Childress, Johannes Gutenberg and the Printing Press (2008).

  8. Shih, për shembull, M. Rasëll Ballard, “Mrekullia e Biblës së Shenjtë”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 96–99.

  9. Shih Elizabeth L. Eisenstein, The Printing Press as an Agent of Change (1980), f. 703.

  10. Shih James Carleton Paget dhe Joachim Schaper, bot., The New Cambridge History of the Bible, Vëll. 1, From the Beginnings to 600 (2013); shih edhe vëll. 2–4.

  11. Ky botim në latinisht i shekullit të katërt u bë varianti zyrtar i kishës katolike; shih Richard Marius, Martin Luther: The Christian between God and Death (1999).

  12. Shih David Daniell, William Tyndale: A Biography (1994).

  13. Trupin e pajetë të Tindejllit më pas e dogjën në një turrë drurësh.

  14. Përkthimi në anglisht nga Uilliam Tindejlli, edhe pse i papranuar, është ruajtur në Variantin e Mbretit Xhejms të Biblës së vitit 1611.

  15. Shih David Norton, The King James Bible: A Short History from Tyndale to Today (2011).

  16. Shih Shenjtorët, Vëll. 1: Standardi i së Vërtetës, 1815–1846: Historia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2018), f. 6.

  17. Shih “Rrëfimet për Vegimin e Parë”, Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org.

  18. Shih Joseph F. Smith, në M. Rasëll Ballard, “Ungjilli i Vërtetë, i Kulluar dhe i Thjeshtë i Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 29.