2020
Një Rezervuar Dëshmie
Janar 2020


Një Rezervuar Dëshmie

Pamja
plant growing

Ilustrimi nga Phil, i2iArt.com

Gjatë vitit tim të parë në shkollë të mesme, prindërit e mi u shkurorëzuan. Për vite me radhë e kisha parë babin që nuk e merrte sakramentin. E dija se ai po mundohej që t’i mbante urdhërimet, por nuk e kuptova vërtet masën apo kohëzgjatjen e këtij mundimi. Vetëm kur prindërit e mi më treguan për shkishërimin e tij, motra ime dhe unë më në fund i mësuam hollësitë.

“Të urrej!”, i bërtita pa pushim, duke dënesur. Isha e xhindosur. Si mund t’ia bënte ai këtë familjes sonë?, mendova. Si mund të na gënjente për një kohë kaq të gjatë?

Tronditja dhe zemërimi i fillimit nuk zgjatën shumë. Brenda nja dy javësh, zemërimi im ia la vendin mpirjes. Në fillim, mpirja ishte një lehtësim nga zemërimi dhe dhembja që ndieja, por përfundimisht lehtësimi im u shndërrua në dëshpërim. Ndjeva se jeta po më shkatërrohej rreth e rrotull. Më shumë se kurrë më parë, kisha nevojë të ndihesha e lidhur me qiellin. Kisha nevojë t’i ndieja dashurinë, udhërrëfimin, paqen dhe shërimin e Perëndisë.

Shumë shpejt erdhi konferenca e përgjithshme. Gjatë një sesioni, mbajta vesh dhe prita të ndieja ngushëllimin prej Perëndisë. Por ai nuk erdhi. Atje në godinën e errët kishtare, mendova, nuk mundem ta ndiej Frymën e Shenjtë, por jam e sigurt që Ai është këtu. Ai duhet të jetë këtu. Teksa mendova këtë, fillova të kujtoj dëshmitë e vogla e të shumta që kisha marrë, që shkrimet e shenjta janë të vërteta, që Jozef Smithi ishte profet, që Ati Qiellor e kishte bekuar familjen time dhe se mbajtja e urdhërimeve solli paqe. Ishte sikur pata një rezervuar dëshmie.

Sa më shumë reflektova për dëshmitë e mia të kaluara shpirtërore, aq më shumë e kuptova se edhe pse e dëshiroja skajshëm ta ndieja Shpirtin, nuk kishte vërtet rëndësi që nuk mundja ta ndieja ndikimin e Tij pikërisht në atë çast. E kisha tashmë një rezervë të heshtur, të vazhdueshme me dëshmi që ungjilli ishte i vërtetë.

Ajo dijeni më mbështeti dhe më dha dëshirën që të vazhdoja t’i mbaja urdhërimet edhe kur dukej se nuk kishte përfitim të menjëhershëm. Pak nga pak, e ndjeva më shumë në jetën time dashurinë e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit. Qëndrimi pranë Tyre, edhe kur nuk mundja gjithmonë t’i ndieja Ata pranë, më solli një paqe të pamohueshme dhe një dëshmi më të fortë për ungjillin e Shpëtimtarit. Kjo vazhdon të ketë ndikim tek unë tani kur përballem me pasiguri dhe dëshpërim. E di se mund t’u mirëbesoj Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit dhe se Ata do të më shërojnë, lartësojnë e forcojnë mua si dhe secilin prej nesh.