2020
Henri B. Ajring
Janar 2020


Përgjigje nga Udhëheqësit e Kishës

Shkoni dhe Bëni me Mirëbesim te Perëndia

Nga një fjalim në konferencën e përgjithshme të tetorit 2010.

Djaloshi Nefi në Librin e Mormonit frymëzon te ne një dëshirë për të zhvilluar mirëbesim te Zoti për t’iu bindur urdhërimeve të Tij. Nefi u përball me rrezik dhe vdekje të mundshme kur tha këto fjalë mirëbesimi, që ne mund dhe duhet t’i ndiejmë vazhdueshëm në zemrën tonë: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7).

Ai mirëbesim vjen nga njohja e Perëndisë. Më shumë se çdo popull tjetër në tokë ne, nëpërmjet ngjarjeve të lavdishme të Rivendosjes së ungjillit, kemi ndier mirënjohje për atë që Perëndia ka zbuluar për Veten, që ne të mund t’i mirëbesojmë Atij.

Për mua ajo filloi në 1820-ën, me një djalosh në një korije pemësh, në një fermë, në shtetin e Nju-Jorkut. Djaloshi, Jozef Smith i Riu, shkoi mes pemëve deri te një vend i veçuar dhe u gjunjëzua që të lutej me mirëbesim të plotë se Perëndia do t’i përgjigjej. Çdo herë që e lexoj rrëfimin e tij, mirëbesimi im te Perëndia dhe shërbëtorët e Tij, rritet:

“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.

… Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:16–17.)

Ati na e zbuloi neve se Ai jeton, se Jezu Krishti është Biri i Tij i Dashur dhe se Ai na deshi aq shumë sa ta dërgonte atë Bir për të na shpëtuar ne. Dhe sepse unë kam një dëshmi se Ai e thirri atë djalosh si një profet, unë u mirëbesoj apostujve dhe profetëve të Tij sot dhe atyre që ata thërrasin për t’i shërbyer Perëndisë.

Ju e tregoni mirëbesimin tuaj te Perëndia kur dëgjoni me qëllimin për të mësuar e për t’u penduar dhe, pastaj, shkoni e bëni çfarëdo që Ai kërkon. Nëse i mirëbesoni Perëndisë aq sa t’i dëgjoni mesazhet e Tij zemërdhënëse, korrigjuese dhe drejtuese nga shërbëtorët e Tij, ju do ta gjeni atë. Dhe nëse shkoni e bëni atë çfarë Ai do që ju të bëni, fuqia juaj për t’i mirëbesuar Atij do të rritet dhe me kohë ju do të pushtoheni nga mirënjohja kur të zbuloni se Ai ka arritur t’ju mirëbesojë juve.