2020
Të Dish Është Gjë e Mirë, por Nuk Mjafton
Janar 2020


Të Dish Është Gjë e Mirë, por Nuk Mjafton

Këtu janë disa rrëfime nga anëtarët e hershëm të Kishës, të cilët dëgjuan dëshmi nga dëshmitarët e Librit të Mormonit.

Pamja
Joseph holding the golden plates

Ilustrimet nga Dan Burr

Dëgjimi i dëshmisë së një dëshmitari të Librit të Mormonit mund të jetë gjëja më e mirë pas shikimit të fletëve të arta apo një engjëlli. Shumë anëtarë të hershëm të Kishës e patën atë mundësi.

Ato që vijojnë janë rrëfimet e disa anëtarëve të cilët folën me dëshmitarët e Librit të Mormonit. Do të shohim, megjithatë, siç dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, se marrja e një dëshmie për Librin e Mormonit është një “gjë e mirë, por nuk mjafton!”1

Pamja
Rebecca Williams

Rebeka Uilliams: “Fjala e Tyre Besohet”

Rebeka Suejn Uilliamsi i dëgjoi disa dëshmitarë të Librit të Mormonit në Ohajo në fillim të vitit 1830. Ajo ia tha dëshminë e vet babait dhe vëllezërve të saj: “E kam dëgjuar të njëjtën histori nga disa prej familjes [Smith] dhe nga tre dëshmitarët vetë. I dëgjova të shpallin në një mbledhje publike se panë një Engjëll të Shenjtë të zbriste nga qielli dhe të sillte fletët e t’i vendoste përpara syve të tyre.”

Kur pjesëtarët e familjes nuk e pranuan dëshminë e saj, Rebeka nuk u druajt. Vazhdoi t’i donte, të lutej për ta dhe ta vlerësonte këshillën e mirë të atit të saj. Ajo gjithashtu vazhdoi t’i dëshmonte atij se dëshmitarët e Librit të Mormonit thanë të vërtetën: “Ata janë burra me karakter të mirë dhe fjala e tyre besohet. … Ata e kanë parë një engjëll të Perëndisë dhe kanë folur me të.”2

Në fund të viteve 1830, gjatë një periudhe mosmarrëveshjesh të përhapura gjerësisht në Kishë, Rebeka qëndroi besnike, duke zgjedhur t’u bindej porosive të Librit të Mormonit.3

Pamja
William McLellin

Uilliam Mek‑Lelini: “I Detyruar … ta Pranonte të Vërtetën”

Një mëngjes në vitin 1831 një mësues shkolle, në moshë të re, i quajtur Uilliam Mek‑Lelin dëgjoi se disa burra në udhën për në Misuri do të predikonin rreth një libri të ri që u përshkrua si “një Zbulesë nga Perëndia”. Shkoi me nxitim që t’i dëgjonte. Ai e dëgjoi Dejvid Uitmerin të dëshmonte se kishte “parë një Engjëll të Shenjtë i cili i kishte bërë të njohur vërtetësinë e këtij anali”. Donte thellësisht të dinte a ishin të vërteta dëshmitë e tyre. I ndoqi ata për 644 km deri në Indipendëns të Misurit, ku takoi dhe intervistoi dëshmitarë të tjerë, përfshirë Martin Harrisin dhe Hajrëm Smithin.4

Uilliami i bëri pyetje Hajrëmit për disa orë. “Bëra pyetje për veçantitë e daljes në dritë të analit”, shënoi Uilliami. Të nesërmen në mëngjes, pasi u lut që të drejtohej për tek e vërteta, ai e kuptoi se ishte “i detyruar si një burrë i ndershëm që ta pranonte të vërtetën dhe vlefshmërinë e Librit të Mormonit”5.

Në vitet pasues, besimi i Uilliamit u vu në provë dhe u forcua nga zgjedhjet e tij dhe nga përndjekja që vuajtën shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Kur shenjtorët në kontenë Xhekson në Misuri u sulmuan, mikun e Uilliamit, Hajrëm Peixhin, njërin nga Tetë Dëshmitarët, e qëlluan me shkopinj dhe kamxhikë disa burra që thoshin se do ta linin të ikte po ta mohonte Librin e Mormonit. “Si mund të mohoj atë gjë që e di se është e vërtetë?” tha Hajrëmi dhe ata e goditën sërish.

Uilliami u forcua nga dëshmia e Hajrëmit – dhe vetëkuptohet që u tremb shumë se mos e goditnin. Kur Uilliami dëgjoi se njerëz në zonë po ofronin shpërblim për kapjen e tij dhe të Oliver Kaudërit, ata u larguan nga qyteti për t’u fshehur në pyll me Dejvid Uitmerin. Atje Uilliami intervistoi dy prej Tre Dëshmitarëve. “Nuk kam parë kurrë një vegim të shfaqur në jetën time”, tha ai, “por ju burra thoni se keni parë dhe si rrjedhim ju e dini me siguri. Tani ju e dini se jeta jonë është në rrezik nga ora në orë, po qe se turma mund të na kapë. Më thoni, me frikën e Perëndisë, a është i vërtetë Libri i Mormonit?”

“Vëlla Uilliam”, tha Oliveri, “Perëndia e dërgoi engjëllin e Tij të shenjtë që të na shpallte të vërtetën e përkthimit të tij dhe si rrjedhim ne e dimë. Dhe, edhe nëse turma na vret, përsëri ne duhet të vdesim duke shpallur vërtetësinë e tij.”

Dejvidi shtoi: “Oliveri ju ka thënë të vërtetën solemne, sepse ne nuk mund të mashtroheshim. Në mënyrën më të vërtetë unë të shpall të vërtetën e tij!”6

Dejvidi, Martini, Hajrëmi, Oliveri dhe Uilliami më vete arritën ta dinin se Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Ata e dinin se ungjilli i shkruar në fletët e arta ishte i vërtetë. Më vonë ata i lejuan hatërmbetjet me Jozefin të acaroheshin derisa nuk jetuan më sipas mësimeve të Librit të Mormonit.

Pasi i dëshmoi zgjedhjet e tyre, Profeti Jozef dëshmoi se jo vetëm që Libri i Mormonit ishte i vërtetë – “më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë” – por që ne “do t’i afrohe[mi] më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”7.

Pamja
Sally Parker

Selli Parkeri: “E Fortë në Besim”

Selli Parkeri ishte një fqinjë e Lusi Mek Smithit në Kirtland të Ohajos. “Ajo më tregoi të gjithë historinë”, shkroi Selli. Kur e pyeti Lusin nëse i kishte parë fletët, “[Lusi] tha se jo, nuk i takonte asaj që t’i shihte, por ajo e kishte ndier peshën e tyre dhe i kishte mbajtur në duar, dhe unë e besova gjithçka që thoshte ajo, sepse jetova pranë saj për tetë muaj dhe ajo ishte një nga gratë më të mira”.

Në 1838‑ën, Selli dëgjoi edhe Hajrëm Smithin të jepte dëshminë e tij: “Ai tha se i kishte parë fletët me sytë e tij dhe i kishte mbajtur ato në duart e veta”8.

Në fund të viteve 1830, ndërkohë që shumë njerëz po largoheshin nga Kisha, Selli Parkeri vajtoi për humbjen e miqësisë së tyre dhe e ripërtëriu vendosmërinë e saj që t’u bindej porosive të Librit të Mormonit. “Kam ndërmend të mbahem tek ai besim që është si kokrra e farës së sinapit”, tha Selli. “E ndiej fuqinë e tij në zemrën time tani. Jam po aq e fortë në besim sa ç’isha kur u pagëzuam dhe mendja ime është e njëjtë. Kam ndërmend të mbahem tek ungjilli deri në vdekje.”9

Pamja
Rhoda Greene

Roda Grini: “Ai Kishte Shpirtin e Perëndisë”

Lusi Mek Smithi foli në konferencën e përgjithshme të 1845‑ës, pasi të gjithë dëshmitarët e Librit të Mormonit në familjen e saj kishin vdekur nga sëmundja ose ishin vrarë. Ajo tregoi një histori nga misioni i parë i birit të saj, Samuelit.

Samueli, njëri nga Tetë Dëshmitarët, vizitoi shtëpinë e Roda Grinit, burri i së cilës ishte në mision për një kishë tjetër. Samueli e pyeti Rodën a do ta donte një libër. “Është një Libër i Mormonit që vëllai im, Jozefi, e përktheu nga fletët e fshehura në tokë”, shpjegoi ai.

Roda e pranoi një kopje të librit për ta lexuar dhe për t’ia treguar bashkëshortit të saj. Kur Samueli u kthye më vonë, Roda i tha atij se burri i saj nuk kishte interes dhe ajo nuk mund ta blinte librin. I trishtuar, Samueli e mori librin dhe filloi të largohej. Roda më vonë i tha Lusit se Samueli pastaj u ndal dhe e vështroi. “Ajo nuk kishte parë kurrë një burrë që dukej si ai”, tha Lusi në bisedën e saj të konferencës. “Ajo e dinte se ai kishte Shpirtin e Perëndisë.”

“Shpirti nuk më lejon që ta marr këtë libër”, i tha Samueli Rodës, e cila ra në gjunjë dhe i kërkoi Samuelit të lutej me të. Ajo e mbajti librin, e lexoi dhe mori një dëshmi për të. Po ashtu, më së fundi, mori dëshmi edhe bashkëshorti i saj. Ata vendosën t’u bindeshin porosive të tij gjatë gjithë jetës.

“Dhe kështu puna filloi”, dëshmoi Lusi, “dhe u shpërnda si një farë sinapi.”10

Roda Grini është paraardhësja ime. Unë jam lartësuar nga dëshmia e saj për Librin e Mormonit dhe nga dëshmitë e shënuara të dëshmitarëve dhe atyre që i dëgjuan ata. Jam forcuar nga zgjedhjet e tyre për t’iu bindur gjërave që na mëson Libri i Mormonit.

Secili prej nesh mund të jetë dëshmitar bashkëkohor i Librit të Mormonit, kur Fryma e Shenjtë na pohon të vërtetën e librit. Pak kohë përpara se të nisesha për në mision, unë e mbarova leximin e Librit të Mormonit, më pas rashë në gjunjë dhe u luta thjesht, por me qëllim të vërtetë, një zemër të sinqertë dhe besim në Jezu Krishtin (shih Moroni 10:3–4). Ndjeva një mbresë të fuqishme që më përçoi mendimin: “Ti tashmë e di se është i vërtetë”. Erdhi me një paqe të cilës nuk kam dëshiruar kurrë të mos i bindem. E kam ditur që atëherë se Libri i Mormonit është i vërtetë.

Por kjo nuk mjafton. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Sa herë që dëgjoj dikë, përfshirë dhe veten, të thotë: ‘E di se Libri i Mormonit është i vërtetë’, dua ta them me zë të lartë: ‘Gjë e mirë, por nuk mjafton!’ Neve na nevojitet të ndiejmë, në ‘pjes[ën] më [të] thellë’ të zemrës sonë, se Libri i Mormonit është pa dyshim fjala e Perëndisë. Ne duhet ta ndiejmë atë kaq thellësisht sa kurrë nuk do të duam të jetojmë qoftë edhe një ditë pa të.”11 Mësimet e Presidentit Nelson janë të vërteta. Përpjekja ime e vazhdueshme për të jetuar sipas mësimeve të Librit të Mormonit më ka sjellë më pranë Perëndisë se sa çdo gjë tjetër.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” Liahona, nëntor 2017, f. 63.

  2. Rebecca Swain Williams drejtuar Isaac Fischer Swain-it, Youngstown, New York, 12 qershor 1834, germëzimi i standardizuar. Shih transkriptimin dhe fotografitë e letrës në Janiece Johnson, “Give Up All and Follow Your Lord”, BYU Studies, vëll. 41, nr. 1 (2002), f. 97–102.

  3. Shih edhe Janiece Lyn Johnson, “Rebecca Swain Williams: Steadfast and Immovable”, Ensign, prill 2011, f. 38–41.

  4. Shih The Journals of William E. McLellin: 1831–1836, bot. Jan Shipps dhe John W. Welch, (1994), f. 29–33.

  5. The Journals of William E. McLellin, f. 33, germa të mëdha të standardizuara.

  6. William E. McLellin’s Lost Manuscript, bot. Mitchell K. Schaefer (2012), f. 165–167.

  7. Jozef Smithi, në parathënien e Librit të Mormonit. Për një analizë të këtij mësimi, shih Scott C. Esplin, “Getting ‘Nearer to God’: A History of Joseph Smith’s Statement”, te Living the Book of Mormon: Abiding by Its Precepts, bot. Gaye Strathearn dhe Charles Swift (2007), f. 40–54.

  8. Në Janiece L. Johnson, “‘The Scriptures Is a Fulfilling’: Sally Parker’s Weave”, BYU Studies, vëll. 44, nr. 2 (2005), f. 115, 116.

  9. Në Johnson, “‘The Scriptures Is a Fulfilling’”, f. 117.

  10. Lucy Mack Smith, “This Gospel of Glad Tidings to All People”, në Jennifer Reeder dhe Kate Holbrook, bot., At the Pulpit: 185 Years of Discourses by Latter-day Saint Women (2017), f. 24.

  11. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” f. 63.