2020
T’i Japim Shtysë Brezit të Ri
Janar 2020


T’i Japim Shtysë Brezit të Ri

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Këtu janë katër mënyra se si t’i ndihmoni fëmijët tuaj që të vendosin dhe të arrijnë synime kuptimplota që të rriten ashtu si u rrit Shpëtimtari.

Pamja
hands helping women

Ilustrimet nga David Green

Si prindër dhe udhëheqës, ne dëshirojmë t’i ndihmojmë fëmijët dhe rininë që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës, të cilët kanë një shtysë të brendshme për t’i shërbyer Zotit dhe për të përmbushur misionet e tyre vetjake.

[Nisma] Fëmijët dhe Rinia është një grup i thjeshtë por i fuqishëm burimesh që t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat të rriten nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale, ashtu si bëri Shpëtimtari (shih Lluka 2:52). Kjo mund të ndodhë teksa ata e mësojnë dhe e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, marrin pjesë në shërbime e veprimtari kuptimplota dhe emocionuese dhe vendosin e arrijnë vetë synimet e tyre. Megjithatë, ashtu si prindërit në historinë më poshtë, ne mund të ndihemi tashmë të mbingarkuar pa ia shtuar listës sonë synimet e dikujt tjetër. Ose mund të shqetësohemi se fëmijët tanë nuk do të rriten po të mos i shtyjmë.

Bashkëbisedim për Vendosje Synimesh, Shembulli 1:

Alana, 15 vjeçe, u ul bashkë me nënën e saj, Rejçëllin, duke këqyrur një listë që kishin bërë, me synime të mundshme për të cilat mund të punonte Alana. Babi i Alanës, Xhefi, kaloi pranë. “Cilën nga këto duhet të bëj, babi?”, pyeti Alana.

Xhefi pa orën, u ngërdhesh pak dhe i hodhi një sy listës. “Hëm, kjo duket e lehtë. Si mendon për ‘Të mësosh përmendsh një himn’? Këtë mund ta përfundosh goxha shpejt. Cila nga të tjerat duket e lehtë?”

Rejçëlli ndërhyri, duke u kujtuar se sa shumë ngurrim kishte pasur Alana që të konkurronte për ekipin e atletikës së shkollës. “Në fakt, ndoshta të nevojitet të provosh diçka të vështirë! Po sikur të provosh diçka që kërkon ushtrim fizik?”, sugjeroi ajo.

“Ëh”, foli mbyturazi Alana, duke u zgjatur drejt telefonit të saj. “Mendoj se mbarova.”

Si Mund të Ndihmojnë Prindërit dhe Udhëheqësit?

Prindërit dhe udhëheqësit mund të bëjnë shumë që t’i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat të jenë të nxitur së brendshmi për të përvetësuar vlera të mira, për të bërë zgjedhje të mira dhe për t’i shijuar si përparimin e tyre, ashtu edhe arritjet e tyre.

Mendoni për një rast kur ishit shumë të nxitur që të punonit për një synim. Çfarë ju dha shtysë? Ka gjasa që ju patë një mundësi apo aftësi që vërtet e dëshironit, ose një problem që ju nevojitej ta zgjidhnit. Shembulli dhe përkrahja e të tjerëve ju frymëzoi të përpiqeshit.

Po ashtu, fëmijët dhe të rinjtë e të rejat do të kenë më tepër shtysë së brendshmi kur 1) vendosin plot lutje se çfarë duan ata (jo thjesht çfarë duan të tjerët për ta), 2) hartojnë një plan për ta arritur atë, 3) nuk ndikohen tepër nga shpërblimet ose dënimet dhe 4) e ndiejnë se prindërit dhe udhëheqësit janë në anën e tyre.

1. Ndihmojini të rinjtë e të rejat ta kuptojnë se çfarë duan më shumë

Gjithkush dëshiron diçka: të jetë në një ekip sportiv, të flejë më shumë, të ndihet më pak i/e vetmuar, të jetë më pranë Perëndisë. Zoti dhe lajmëtarët e Tij shpesh i pyetën njerëzit: “Çfarë dëshiron ti?” (Shih Marku 11:24; 1 Nefi 11:1–2; Alma 18:15; 3 Nefi 27:1–2; Ethëri 2:23–25.) Por që të dimë se çfarë duam më shumë, jo thjesht çfarë duam pikërisht tani, kërkohet përvojë dhe shqyrtim i vetvetes.

Teksa mendoni për një fëmijë apo të ri ose të re që dëshironi ta ndihmoni, pyetni me vete:

  • Si mund t’i paraqit atij/asaj përvoja, vlera dhe ide të reja në një kontekst marrëdhëniesh pozitive dhe zbavitjeje?

  • A ia lejoj t’i përjetojë pasojat e zgjedhjeve të dobëta që të dëshirojë të bëjë zgjedhje më të mira?

  • Kur mund ta pyes për atë që beson dhe e vlerëson? (Shih listën shoqëruese: “Pyetje të Dobishme për Hulumtim”.)

  • Si mund t’i vë në dukje pikat e tij/saj të forta? (Përpiquni: “E shoh që je vërtet i/e aftë për _______________. Si mund ta përdorësh atë për t’i shërbyer Zotit?”)

2. Ndihmojini të rinjtë e të rejat të krijojnë një plan

Pasi të vendosin një synim, të rinjtë e të rejat shpesh janë shumë të aftë të mendojnë një plan. Fëmijëve më të vegjël mund t’u nevojiten më shumë ide. Shtojini sugjerimet tuaja vetëm kur ata/ato të ngecin. Por jini të ngazëllyer, jo ngulmues, nëse atyre iu pëlqejnë idetë e veta më shumë se tuajat!

Për t’i ndihmuar të tjerët të krijojnë një plan, ju mund t’i pyetni:

  • Cili është synimi yt? (Është e vështirë të vendosen synime abstrakte si: “Të jem më i sjellshëm”, po të mos përfshihen veprime të veçanta si: “Ta përgëzoj dikë çdo ditë” ose “Të kërkoj ndjesë kur inatosem”.)

  • Përse ky synim është i rëndësishëm për ty? (Si do t’i ndihmojë ai t’i jetojnë vlerat e tyre ose të bëhen më shumë si Shpëtimtari?)

  • A është ky një çast i mirë për të punuar për këtë synim? (Përse po ose përse jo?)

  • Cili është një hap i vogël e i lehtë që mund ta ndërmerrje për të filluar? (Kujtojuni atyre se veprimet krijojnë shtysë. Ndihmojini ata të fillojnë, ose të fillojnë sërish, me diçka të vogël dhe të thjeshtë.)

  • Si mund të organizosh gjëra që ta përkrahësh planin tënd? (Merreni parasysh të krijoni kujtues, të publikoni fjalë nxitëse, të bëni një tabelë ose kalendar për ta gjurmuar përparimin, të hiqni gjërat që ju tundojnë, të merrni mjetet e duhura, ose të kërkoni ndihmë.)

  • Çfarë pengesash mund të të dalin përpara? Si mund t’i trajtosh ato? (Ndihmojini ta kujtojnë planin e tyre, të bëhen kureshtarë për atë që shkoi keq, të ushtrohen më shumë me pjesët e vështira, të provojnë një strategji të re, apo ta rregullojnë synimin.)

Për t’i ndihmuar të tjerët kur kanë ngecur, mund t’u tregoni përvoja nga jeta juaj ose e familjarëve për njerëz që u përballën me sprova dhe qenë të aftë ta rimerrnin veten. Gjithashtu përpiquni të pyetni:

  • Çfarë ke provuar? Çfarë mund të provoje tjetër?

  • Kush mund të të ndihmojë? Si mund të të ndihmoj unë?

  • Çfarë idesh të vijnë në mendje teksa lutesh për këtë?

3. Kini kujdes me shpërblimet ose dënimet

Shpërblime të vogla mund t’i ndihmojnë njerëzit të provojnë diçka të re, ta bëjnë më zbavitëse një detyrë të vështirë, apo të kremtojnë për suksesin. Megjithatë, kur jepen me tepri, shpërblimet në të vërtetë mund ta dobësojnë shtysën. Njerëzit që tashmë kënaqen duke e kryer një detyrë, shpesh do ta bëjnë atë më pak, jo më shumë, nëse marrin pagesë për ta bërë atë, duke arritur në përfundimin se nuk ia vlen ta kryesh vetëm për shpërblimin. Dhe ndërsa fëmijëve iu nevojitet t’i përjetojnë pasojat e zgjedhjeve të dobëta, ata mësojnë t’i kenë frikë dhe t’i shmangin njerëzit të cilët i dënojnë, në vend që të mësojnë t’i përvetësojnë vlerat e mira.

Sigurisht, njerëzit presin të paguhen për punën, aty ku një shtesë shpërblyese ose vlerësimi gjithashtu mund të japin përshtypje të dobishme. Por kur është fjala për ta jetuar ungjillin dhe arritjen e synimeve vetjake, shpërblimet e brendshme janë ato më nxitëset në këndvështrimin afatgjatë. Shpërblimet e brendshme përfshijnë:

  • Ta ndiejnë Shpirtin.

  • Të ndihen të lidhur me prindërit, udhëheqësit dhe miqtë.

  • T’i jetojnë vlerat e tyre.

  • Të mësojnë, të provojnë gjëra të reja dhe të zgjidhin probleme.

  • Të zbaviten.

  • Të sjellin një ndryshim për mirë.

Ndihmojini të rinjtë e të rejat t’i dallojnë e t’i vlerësojnë këto shpërblime të brendshme. Dhe herë pas here siguroni një shpërblim të vogël të duhur për të kremtuar për një punë të bërë mirë.

4. Ndihmojini të rinjtë e të rejat ta ndiejnë dashurinë tuaj

Marrëdhëniet e dashura janë një nga mënyrat më të rëndësishme për të ndikuar te vlerat, synimet dhe shtysat e të tjerëve. Në ç’mënyrë njerëzit jua kanë treguar se vërtet ju duan dhe ju kanë për zemër? Si e vendosni se me cilin nuk ka problem të jeni i sinqertë lidhur me gabimet ose mundimet tuaja? Nëse nuk e keni ndier vërtet se ju donin në shtëpi, çfarë mendoni se ju nevojitej dhe që nuk e patët?

Përgjigjet tuaja mund t’ju ndihmojnë të dini se si t’ua thoni të rinjve e të rejave se ju i doni dhe se janë të sigurt me ju.

Duke u ushtruar dhe me ndihmën e qiellit, ne mund të ndihmojmë për t’i dhënë shtysë brezit të ri dhe për të pasur ndikim tek ai.

Bashkëbisedim për Vendosje Synimesh, Shembulli 2:

Alana, 15 vjeçe, u ul bashkë me nënën e saj, Rejçëllin, duke këqyrur një listë synimesh për të cilat mund të punonte Alana, kur babi i Alanës, Xhefi, kaloi pranë. “Cilën nga këto duhet të bëj, babi?”, pyeti Alana.

Xhefi pa orën, u ngërdhesh pak dhe i hodhi një sy listës. “Hëm, kjo duket e lehtë. Si mendon për ‘Të mësosh përmendsh një himn’? Këtë mund ta përfundosh shpejt. Cila nga të tjerat duket e lehtë?”

Xhefi ndaloi. Diçka nuk dukej në rregull, kështu që ai ndaloi të mendonte se çfarë ishte.

Jam vonë, mendoi ai. Thjesht dua ta mbaroj këtë. Nuk jam shumë i mirë me këto gjërat e prindërimit. Hëm. Ai pa të bijën dhe pastaj e kuptoi se po ndiente edhe disa gjëra të tjera. Shpresë. Kënaqësi. Kjo nuk ishte thjesht një plotësim detyrash. Kjo ishte për rritjen e saj. Dhe kjo ishte një mundësi për të krijuar lidhje me të. Një buzëqeshje iu përhap në fytyrë.

“Le të ndalojmë dhe të mendojmë për këtë”, tha ai. “Po sikur secili nga ne të shkruajë atë për të cilën mori nxitje për të punuar kohët e fundit?”

“Ëëë dakord”, tha Alana. Rejçëlli gjeti lapsa dhe letër dhe ata kaluan disa minuta duke u menduar e duke shkruar.

“Dakord”, tha Rejçëlli. “Po tani?”

Alana u kujtua: “Mendoj se supozohet që ne të lutemi për të dhe pastaj të zgjedhim një synim e të bëjmë një plan. Por babi, a mendon vërtet se ka rëndësi për Atin Qiellor se çfarë synimi zgjedh unë?”

Xhefi u mendua thellë. “Ti ke plot ide të mira, kështu që ndoshta Ati Qiellor thjesht dëshiron që ti të zgjedhësh një për t’ia filluar. Por jam plotësisht i sigurt për një gjë. Ati Qiellor kujdeset për ty.”

“Unë e di se ti dëshiron t’i përdorësh dhuntitë e tua për të sjellë një ndryshim”, shtoi Rejçëlli, “kështu që nëse një nga këto është më e rëndësishme, jam e sigurt që Ati Qiellor do të të ndihmojë ta ndiesh.”

Alana buzëqeshi, pastaj u kujtua: “Presidenti Nelson u kërkoi të rinjve e të rejave që të bëjnë një vlerësim të plotë të jetës së vet. A mund të shkoj të marr atë që shkrova?”

“Sigurisht!”, tha Xhefi duke buzëqeshur. Ai pa sërish orën e dorës. “Oh, më duhet të vrapoj. Gjeje se çfarë shkrove dhe le të bisedojmë në darkë, dakord? Kam disa pyetje që mund të të ndihmojnë.”

“Shkëlqyeshëm!”, tha Alana duke buzëqeshur. “Dhe babi, mami, faleminderit.”