2020
Zbulimi i Fuqisë së Librit të Mormonit
Janar 2020


Zbulimi i Fuqisë së Librit të Mormonit

Autorja jeton në Arizonë, SHBA.

Pamja
Book of Mormon

Ndërsa isha në misionin tim në Filipine, unë dhe shoqja ime e misionit dhamë një mësim veçanërisht të fuqishëm për rëndësinë e studimit të përditshëm të Librit të Mormonit. Në fund të mësimit, shoqja ime dha një nga dëshmitë më të fuqishme për studimin e shkrimeve të shenjta që kisha dëgjuar ndonjëherë. Ajo dëshmoi se leximi i Librit të Mormonit i shtoi një fuqi të re jetës së saj që ishte e pamundur për t’u shpjeguar.

Ishte e dukshme që përvoja e saj me Librin e Mormonit ia kishte ndryshuar jetën dhe unë e doja atë gjë për veten time.

Atë natë vendosa se do ta lexoja sërish Librin e Mormonit. Që nga fillimi.

Kalova shumë kohë në gjunjë duke i shpjeguar Perëndisë se doja të përjetoja kthimin në besim dhe fuqinë që vjen nga Fryma e Shenjtë.

Përgjigjja që mora ishte: Lexo. Thjesht lexo.

Prandaj kjo ishte ajo që bëra. Fillova të lexoja me një vendosmëri të madhe. I kushtova vëmendje të madhe çdo vargu, kapitulli dhe faqeje. Ndërsa lexoja, gjeta vargje që iu përgjigjën pyetjeve të mia, i lehtësuan shqetësimet e mia dhe më ndihmuan t’i ngrija barrët e atyre të cilëve po iu jepja mësim.

Pas gati një muaji, e kuptova se diçka brenda meje po ndryshonte. Aftësia ime për t’i dashur të tjerët u rrit; kisha më shumë shpresë tek e ardhmja; isha në gjendje të punoja më shumë dhe më gjatë çdo ditë; isha më e përqendruar te puna dhe fillova të ndieja më shumë gëzim.

Një ditë, gjatë studimeve të mia hasa një citim nga Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994), president i mëparshëm i Kishës: “Brenda [Librit të Mormonit] gjendet një fuqi që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj në çastin kur filloni një studim serioz të librit. … Kur filloni të keni uri dhe etje për ato fjalë, ju do të keni në jetë begati gjithnjë e më të madhe.”1

Ndërsa vazhdova të studioja, fillova ta kuptoja vërtet se çfarë donte të thoshte ai. Po gjeja begati më të madhe në jetë.

Ndërsa e kthej kokën pas, jam e bindur se një nga arsyet që u caktova me atë shoqe misioni ishte që të mund të isha atje atë natë për të dëgjuar dëshminë e saj. Ndjeva sikur të gjitha pjesët e bukura të jetës – dashuria, shpresa, mirëbesimi, puna e zellshme, vendosmëria dhe gëzimi – ishin zmadhuar.

Kishte një dritë të re në jetën time dhe e dija se ishte e vërtetë.

Shënime

  1. Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon – Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 7.

  2. Rasëll M. Nelson: “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” Liahona, nëntor 2017, f. 62.