2020
“Në Diturinë e Atij që i Di të Gjitha Gjërat”
Janar 2020


“Në Diturinë e Atij që i Di të Gjitha Gjërat”

Pamja
man on the phone

Ilustrimi nga Christopher Wormell

Kur hyra në qendrën e trajnimit të misionarëve si misionar kohëplotë, zbulova se kishte shumë gjëra për të mësuar. Bëra më të mirën që mundesha që të studioja, ta forcoja dëshminë time dhe të ndërtoja mbi themelin që tashmë e kisha. Unë lutesha, i bëja një pyetje Atit Qiellor dhe pastaj bëja kërkime për përgjigje. Kjo praktikë ma ndryshoi jetën.

Një ditë, teksa po shërbeja si misionar në Peru, një bashkëmisionar mori një letër që e njoftonte se shoku më i mirë i të atit kishte vdekur papritur. Ai shpërtheu në lot. “Përse do ta lejonte Ati Qiellor që të ndodhte kjo?”, thirri ai.

Ajo pyetje ma përshkroi zemrën. Atë natë, u gjunjëzova dhe i bëra Atit në Qiell të njëjtën pyetje. Pastaj, duke kërkuar te Libri i Mormonit, sytë më shkuan te 2 Nefi 2:24 që thotë: “Por, vini re, të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat”.

Ai varg zuri vend në zemër dhe nuk m’u largua. I shkrova një kartolinë misionarit dhe e përfshiva atë shkrim të shenjtë si pjesë të dëshmisë sime. E sigurova se çdo gjë do të ishte në rregull sepse Ati Qiellor i bën gjërat në dituri. Ne mund t’i mirëbesojmë Atij sepse Ai na do dhe i di të gjitha gjërat.

Rreth një vit e gjysmë më vonë, unë po shërbeja në malet e Perusë, kur mora një telefonatë të papritur nga presidenti im i misionit. Ai më tha se babai im kishte pësuar një goditje në tru dhe ishte në gjendje të vështirë. Pas një kohe të shkurtër, babai im ndërroi jetë. U rrënova shpirtërisht dhe u ndjeva i pllakosur nga pyetje si kjo: “Si mund ta kaloj ndonjëherë këtë gjë?”

Iu luta Atit Qiellor për përgjigje. Më së shumti doja të dija se përse babai im duhej të largohej pa e pasur unë mundësinë që t’i thosha lamtumirë. U ktheva te Libri i Mormonit, e hapa dhe lexova të njëjtat fjalë që ia kisha shprehur atij misionari shumë muaj më parë: “Por, vini re, të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat”. Ato fjalë më mbuluan me një ndjenjë paqeje dhe më dhanë hir kur u ndjeva i humbur.

Ati im tokësor nuk ishte më, por Ati im Qiellor do të ishte gjithmonë atje për mua. Ati Qiellor i bën të gjitha gjërat në urtësinë e Tij dhe teksa bëjmë kërkime dhe më të mirën që mundemi për t’u përgatitur, ne mund të gjejmë përgjigje të çmuara.