2020
Rëndësi Ka Ku po Shkoj, Jo Ku Kam Qenë
Janar 2020


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Rëndësi Ka Ku po Shkoj, Jo Ku Kam Qenë

Autorja jeton në Jutë, SHBA.

Mora një shteg që më devijoi nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar shumë herë, por nga e gjitha kjo, kam mësuar se fuqia e Shpëtimtarit dhe Shlyerja e Tij janë të vërteta.

Pamja
young adult walking on train tracks

Jeta ime nuk mori atë drejtim që mendoja.

Në moshën 18–vjeçare, prisja të shërbeja në një mision kohëplotë, të martohesha relativisht shpejt pas kësaj dhe të krijoja një familje në moshën 25–vjeçare. Tani jam 32 vjeç. Nuk shërbeva në një mision dhe isha joaktiv në Kishë pjesën më të madhe të jetës që kur arrita moshën madhore. U martova – u shkurorëzova – u martova sërish.

Për shkak se mora një shteg që më devijoi nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar shumë herë, nuk jam ndier përherë sikur përshtatesha në Kishë. Megjithatë, kam arritur të kuptoj se ka një vend për mua. Përvojat më kanë mësuar se fuqia e Shpëtimtarit dhe Shlyerja e Tij janë të vërteta dhe se ajo që ka më tepër rëndësi nuk është vendi se ku kam qenë, por në cilin drejtim po shkoj tani.

Mendoj se fillimisht e vura në dyshim atë që besoja sepse nuk isha i sigurt se dëshmia ime ishte aq e fortë sa të shkoja në një mision. Me kujtohet se gjatë kohës që u diplomova në shkollë të mesme, mendoja diçka të tillë: “Po sikur dëshmia ime të mos jetë plotësisht e imja? Po sikur të jem mbështetur së tepërmi te dëshmitë e njerëzve të tjerë?”

Kjo gjë më shqetësoi. Doja të shkoja në mision, por pyesja veten a ishin të mjaftueshme përvojat shpirtërore që kisha pasur deri në atë çast që të më bënin mua atë që mendoja se supozohej të ishte një misionar i suksesshëm – dikush që kishte forcë të mjaftueshme shpirtërore dhe dinte mjaftueshëm për ungjillin sa t’ua mësonte njerëzve të tjerë.

Kur mendoj për këtë tani, duhej t’i kisha kërkuar Perëndisë që të më ndihmonte ta kuptoja këshillën që jepet te Doktrina e Besëlidhje 124:97: “Ai duhet të jetë i përulur përpara meje … dhe do të marrë nga Shpirti im, madje Ngushëlluesi, i cili do t’i manifestojë atij të vërtetën e të gjitha gjërave dhe do t’i japë atij, në çastin e duhur, se çfarë do të thotë”.

Por në vend që t’i kërkoja Perëndisë, u përhumba duke e krahasuar njohurinë time shpirtërore me atë të të tjerëve dhe kisha frikë se papërshtatshmëritë e mia do t’i pengonin njerëzit që ta pranonin ungjillin.

Duke qenë larg prindërve të mi kur isha i ri në moshë madhore, vazhdova të përpiqesha për të zbuluar se çfarë besoja. Nuk e kuptoja dëmin e atyre që i shihja si vendime të ndara nga njëri-tjetri, që nuk e ripërcaktuan [kuptimin] se kush isha unë si person. Fillova të largohesha nga ata që i doja sepse e dija se do të zhgënjeheshin nga zgjedhjet që po bëja. Në vend të kësaj, u rrethova nga njerëz që nuk iu interesonte në të vërtetë se çfarë po bëja.Një ditë provova një pije alkoolike nga kureshtja. Pija u bë pjesë e jetës sime dhe përfundimisht u kthye nga thjesht argëtim në diçka ku mbështetesha për t’u përballur me përvojat e vështira. Ndryshimet negative në jetën time gjatë asaj kohe nuk ishin të lidhura domosdoshmërisht me secilën zgjedhje; ato ishin graduale. M’u deshën dy vite për ta kuptuar se zgjedhjet e vogla që bëra me kalimin e kohës më kishin çuar në një situatë ku nuk doja të isha.

Tani, nuk po them se, me qëllim që të mësoni vërtetësinë e ungjillit, ju duhet të përjetoni të kundërtën. Veprimet e mia më shkaktuan dhembje jo vetëm mua, por edhe njerëzve që i doja – shumë nga ajo dhembje qe e panevojshme. Jam mirënjohës që isha në gjendje ta përulja veten aq sa ta kuptoja se 1) isha i mjerë dhe se 2) kisha qenë më i lumtur kur i jetoja urdhërimet e Perëndisë. Kjo ishte diçka që e dija vetë, diçka për të cilën nuk kisha dyshime dhe që duhej t’ua tregoja të tjerëve.

Shkova te peshkopi për t’i rregulluar gjërat dhe u takuam rregullisht që të më përgatiste për të shërbyer në një mision. Dokumentet e mia thuajse kishin mbaruar kur u nxita për t’u siguruar a i kuptonte ai disa nga zgjedhjet që kisha bërë. Ai bashkëbisedim nuk ishte i lehtë, por më shumë sesa dëshiroja të shkoja në një mision, dëshiroja të isha i drejtë përpara Perëndisë. Isha i gatshëm të mbaja përgjegjësi për atë që kisha bërë gabim dhe t’ia thoja gjithçka Atij që të mund të isha i pastër.

Pak pas kësaj, dola përpara këshillit disiplinor. Në një farë mënyre ishte frikësuese që ta pranoja atë që kisha bërë përpara njerëzve që kishin qenë udhëheqësit dhe këshilltarët e mi për vite, por ndërsa pashë rreth e qark dhomës, ndjeva paqe. Munda ta kuptoja se ata ishin atje për të më kuptuar dhe ndihmuar. Ndërsa u largova, ndjeva Shpirtin të më siguronte se pavarësisht se cili do të ishte vendimi, unë po bëja pjesën time dhe do të isha mirë. Perëndia dhe udhëheqësit që më donin, do të punonin me mua që të më çonin atje ku kisha nevojë të isha. U largova duke e ndier dashurinë e Shpëtimtarit dhe me njohurinë se nuk kisha shkuar përtej shëlbimit të Tij.

Një Vend për Papërsosurinë

Pavarësisht se kisha ndier paqe, ishte e vështirë t’u përgjigjesha pyetjeve nga njerëzit rreth arsyes përse nuk isha në një mision. Ndërsa vazhdova të punoja në procesin e pendimit me ndihmën e peshkopit, u bë gjithnjë e më pak e mundur që të shërbeja në një mision në të ardhmen time. Më duhej të zbuloja se si ta vazhdoja jetën. Në moshën 21–vjeçare, ngaqë nuk i përkisja as grupeve të të rinjve në moshë madhore që po përgatiteshin për mision, që qenë kthyer nga misioni ose që ishin martuar, e kisha të vështirë të ndieja se kishte ndonjë vend të cilit i përkisja.

Dalja në takime ishte e vështirë. Ndonjëherë vajzat më trajtonin ndryshe pasi u thoja se nuk kisha shërbyer në një mision dhe se isha joaktiv për një periudhë kohe. Për një arsye apo një tjetër, shumica e ndërveprimeve nuk shkonin më tej se takimi i parë.

Isha i lumtur që më në fund arrita të martohesha në tempull, por ndonjëherë prapë ndieja se nuk përshtatesha. Kisha një dëshmi, por nuk munda të zbuloja dot se si ta jepja atë dhe klasat e kishës më dukeshin si provime ku bashkëmoshatarët e mi do të vërenin që nuk do t’i kaloja. Mendova se për shkak se pjesa më e madhe e tyre kishin jetën që dëshiroja, ata nuk kishin ngecur aq shumë sa unë.

Një ditë peshkopi më thirri dhe më dha thirrjen për të dhënë mësim në kuorumin e pleqve. Isha i befasuar duke qenë se kisha qenë në kuorumin e pleqve vetëm dy herë vitin e kaluar. Pavarësisht nga fakti që u ndjeva jashtëzakonisht në ankth, e pranova thirrjen. Të dielën e parë që dhashë mësim, u gjenda duke bërë hyrjen më të çuditshme që ndoshta ata kishin dëgjuar ndonjëherë:

“Përshëndetje vëllezër, unë jam Riçard Monsoni. Nuk shërbeva kurrë në një mision dhe kam qenë joaktiv pjesën më të madhe të jetës që kur arrita moshën madhore. Nuk kam marrë pjesë edhe aq shumë në kuorumin e pleqve sepse nuk mendoj se i përkas atij ose përshtatem aty. Nuk do të jem në gjendje t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve tuaja por po shpresoj se do të merrni pjesë që të mund të mësojmë së bashku. Nëse nuk e keni problem situatën time, atëherë do të fillojmë.”

Atë ditë e kuptova se mund ta pranoja para të tjerëve – dhe para vetes – se, ndonëse nuk e konsideroja veten “një shigjetë të drejtë” (dikush që kishte shërbyer në një mision, që ishte aktiv gjatë gjithë jetës dhe nuk kishte bërë gabime të rënda), kisha marrë po atë drejtim që kishin marrë ata, dhe kjo ishte ajo që kishte rëndësi. Për çudinë time, zbulova se më shumë se një prej atyre burrave, për të cilët mendoja se kishin bërë jetë të përsosur, kishin bërë gabime gjithashtu. Mendoj se ajo e përforcoi idenë për të gjithë ne se përsosuria nuk është një kërkesë për t’i sjellë vlera klasës ose Kishës në tërësi.

Pamja
looking out into the light

Kohë të Vështira dhe një Vendim

Fatkeqësisht, aktivizimi im në Kishë nuk zgjati. Martesa ishte e vështirë dhe iu ktheva veseve të vjetra për të shpëtuar nga dhembja. Veprimtaritë e kohës së lirë filluan të zëvendësonin praninë në kishë.

Kaluan tre vjet dhe e preka sërish fundin. Duhej të bëja një zgjedhje. A mund ta jetoja ungjillin për veten time pavarësisht se çfarë po më ndodhte në jetë? Apo vallë do t’i jepesha errësirës? E dija se zotimi në rrugën e ngushtë dhe të ngushtuar do të thoshte t’i zhdukja ndikimet negative në jetën time. Gjithashtu, dëshira ime për t’u kthyer sërish në kishë tregoi se unë dhe bashkëshortja ime ishim në shtigje të ndryshme. Me gjendjen e martesës sonë në atë pikë, e kishim marrë tashmë rrugën drejt shkurorëzimit.

Isha i frikësuar. Nuk kisha asnjë garanci se përpjekjet e mia do të më jepnin gjërat e mira që dëshiroja në këtë jetë. Por vendimi im iu kthye asaj që kisha mësuar vite më parë – se isha më i lumtur duke e jetuar ungjillin. Vendosa të zotohesha plotësisht dhe ta lija veten në duart e Perëndisë, le të ndodhte çfarë të ndodhte. Nga tani e tutje, isha unë dhe Ai.

Edhe një herë fillova të shkoja sërish në kishë dhe ta vija jetën në vijë. Një nga ditët më të lumtura të jetës sime ishte kur mora sërish një rekomandim tempulli. Në tempull gjeta ngushëllim, ndërsa martesa ime vazhdoi të thyhej dhe përfundimisht i erdhi fundi.

Gjetja e Burimit Tim për Vetëvlerësim

Sado që i druhesha atij vendimi, nëpërmjet asaj përvoje mësova që ta vlerësoj dorën e Perëndisë në rrugën time. Edhe pse kisha ngecur, nuk e kisha humbur garën. Nuk po konkurroja me askënd tjetër. Kur u mbështeta te Shpëtimtari për vetëvlerësim, munda ta ndaloja harxhimin e të gjitha orvatjeve të mia në përpjekje për të ndryshuar këndvështrimin e të tjerëve për mua.

Zbulova se nuk e kisha problem që të ulesha në Kishë vetëm ose në mes të anëtarëve që ishin në faza të ndryshme të jetës. Bëra një përpjekje që të mos fshihesha dhe isha i gatshëm për t’u folur njerëzve në lagjen time. Isha në gjendje ta shijoja praninë në mbledhjet e mia për qëllimet e tyre përkatëse.

Pasja e asaj paqeje më ndihmoi gjithashtu ndërsa iu riktheva daljes në takime. Prapëseprapë nuk është se më ofroheshin shumë takime të dyta, por tani e dija se nuk kisha përse të bëja lëshime te standardet e mia thjesht sepse kisha shkelur në dërrasë të kalbur në të shkuarën. Po e jetoja ungjillin sa më mirë që mundesha, dhe isha mjaftueshëm i mirë për të dalë në takime me ato që gjithashtu po e jetonin ungjillin sa më mirë që mundeshin.

Përfundimisht gjeta një bijë të denjë të Perëndisë me të cilën u martova në tempull. Rruga e saj ishte shumë e ndryshme nga e imja, por kur bëhej fjalë për dashurinë për Shpëtimtarin dhe kuptueshmërinë për Shlyerjen e Tij, ishim në të njëjtën linjë.

Me kalimin e viteve, kam mësuar që të mos e lë të shkuarën ose miratimin e njerëzve të tjerë që të përcaktojnë vetëvlerësimin tim aktual. E kam lënë pas idenë se jeta ime është e suksesshme vetëm nëse është e përsosur. Jo kushdo e ka vlerësuar faktin se ku jam tani për shkak të mënyrës se si kam arritur këtu dhe nuk ka problem. Nuk është synimi im që t’i bind ata. Synimi im është që të vazhdoj të pendohem dhe t’i afrohem më shumë Shpëtimtarit. Është për shkak të Atij që, si Alma i Riu pas pendimit të tij, unë nuk mund të “ngacm[ohem më] nga kujtimi i mëkateve të mia” (Alma 36:19). Mund të kem paqe nga dijenia se ajo që ka rëndësi është ku po shkoj – drejt Shpëtimtarit.