2020
Rejçëll Lajt’holl – Kaliforni, SHBA
Janar 2020


Portrete Besimi

Rejçëll Lajt’holl

Kaliforni, SHBA

Pamja
Rachel Lighthall

Ecni përreth hirit dhe mbetjeve në vendin ku jetonte Rejçëlli dhe sigurisht do ta vini re se gjithçka është rrënuar. Por edhe pas zjarrit që e shkatërroi qytetin Perëdajs në Kaliforni, ju do ta vini re besimin e Rejçëllit teksa flet për mënyrën se si e ka parë dorën e Perëndisë në jetën e saj.

Riçard M. Romni, fotograf

Jemi mësuar të kemi zjarre në këtë zonë, kështu që, kur e pashë që qielli dukej vërtet plot tym atë mëngjes, nuk u shqetësova shumë. Isha banore disi e re në zonë, por ata që kanë banuar në qytetin Perëdajs prej një kohë të gjatë – veçanërisht ata që jetojnë pranë kanioneve – janë shpërngulur më parë.

Megjithatë, kësaj radhe, erërat e forta e përçuan zjarrin kaq shpejt saqë autoritetet e llogaritën plotësisht gabim kohën që do tʼi duhej të mbërrinte deri tek ne. Shumica prej nesh nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte derisa në qytet kishte zjarre kudo. Gjendja jonë kaloi nga “Pak shqetësuese” në “Alarmuese! Dilni jashtë!” brenda një ore.

Shpërngulja qe e rrëmujshme – dhe e shpejtë. Shumicës së njerëzve iu desh të udhëtonin me makinë përmes zjarrit që të dilnin nga qyteti. Teksa i jepja makinës me fëmijët e mi, tymi vinte ngado. Thëngjijtë ishin shpërndarë në gjithë qytetin dhe vatra zjarresh u përhapën kudo. Shumë prej njerëzve u larguan ndërkohë që shtëpitë e tyre kishin marrë zjarr ose shtëpitë e fqinjëve të tyre kishin marrë zjarr. Nuk e dija nëse shtëpia jonë do të shkatërrohej apo jo.

Teksa i jepja makinës, bëra një bashkëbisedim me Perëndinë. U luta që të largoheshim të pacenuar dhe që shtëpia jonë të shpëtonte. Kishim vetëm rreth dy vjet që banonim në shtëpinë tonë. Si familje, kishim punuar së bashku për ta përmirësuar. Bashkëshorti dhe fëmijët e mi më ndihmuan të vija syprina të reja për banakët dhe shtroja të reja në dysheme. Ne e quanim atë “shtëpiza jonë e verimit në pyll”. E doja shtëpinë time, por u përpoqa të isha mjaft e fortë sa t’ia nënshtroja vullnetin tim vullnetit të Perëndisë.

Disa ditë më vonë, zbuluam se shtëpia jonë ishte shkatërruar. Ne e kishim bërë atë të bukur dhe tani ishte shkatërruar nga zjarri. Por duke e hedhur vështrimin pas, koha që kaluam në shtëpinë tonë, kishte qenë një kohë shumë e mrekullueshme. Jam shumë mirënjohëse që Perëndia ia dha familjes sonë atë kohë në atë shtëpi.

Një nga gjërat më të bukura që kam parë dhe dëgjuar si rrjedhojë e këtij zjarri, janë dëshmitë e njerëzve, të cilët i quaj me “besim të madh”. Këta njerëz e panë se si Perëndia ishte në hollësitë e jetës së tyre. “Besim të madh” si ky nuk është diçka që e arrin brenda natës. Duhet kohë e gjatë që të ndërtohet.

Ai më kujton shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave. Nëse nuk e ke të mbushur plot llambën tënde, koha që të drejtohesh te Perëndia është përpara krizës. Kur ndodhin fatkeqësi të tilla si ky zjarr, nuk është ajo koha që të fillosh ta mbushësh llambën tënde. Është njësoj si kur hipën në makinë dhe u kërkon fëmijëve ta vendosin rripin e sigurimit. Përfytyrojeni sikur ata të thonë: “Nuk kam nevojë për rripin e sigurimit. Kur të të dëgjoj të klithësh, atëherë do ta vendos!” Në një çast krize, ata nuk do të kenë kohë asnjëherë.

Pas zjarrit, kam vënë re se njerëzit këtu që kanë “vaj në llambat e tyre” nuk kanë vuajtur dhe aq shumë. Ata ende janë të pikëlluar, ata ende kanë sfida, por prapëseprapë besojnë se Perëndia kujdeset për ta dhe gjendet në hollësitë e jetës së tyre. Ata e dinë se Perëndia është mjaft i fuqishëm sa Ai mund t’i kishte shpëtuar shtëpitë e tyre nga zjarri, por ata gjithashtu nuk tërbohen nga inati kur gjërat nuk janë të favorshme. Ata e pranojnë vullnetin e Tij. Këtij i them unë “besim i madh”.

Çdokush që beson te Perëndia, e ka parë dorën e Tij në këtë zjarr. Mbase nuk mund t’ia provosh dikujt që ka një Perëndi për shkak të një mrekullie të stërmadhe, por Perëndia ka shkaktuar një milion mrekulli të vogla këtu në qytetin Perëdajs. Nëse beson te Perëndia, mund ta shohësh kudo dorën e Tij. Edhe pse ka qenë sfiduese, ka qenë gjithashtu e mrekullueshme. Perëndia na ka ndihmuar të mësojmë saktësisht atë që na nevojitet të mësojmë.

Pasja e “besimit të madh” nuk ia kurseu asnjërit pikëllimin për humbjet e veta. Një nga pjesët më të vështira të të gjithë kësaj përvoje ishte të shihja pikëllimin e njerëzve që i dua. Ndoshta jam pikëlluar më shumë për ta sesa për veten time. Po, ka qenë sfiduese për familjen time dhe ne humbëm shumë. Por ne gjithashtu fituam shumë.

Anëtarët e Kunjit Çiko në Kaliforni bënë kaq shumë që t’u shërbenin njerëzve të prekur nga zjarri. Secili person që erdhi në qendrën e kunjit në ditën e shpërnguljes, gjeti strehim brenda disa orëve prej anëtarëve të tjerë të kunjit. Ata na çuan në shtëpitë e tyre dhe na ndihmuan të merrnim gjërat që na nevojiteshin. Jam e mrekulluar edhe nga dhurimet e të gjitha llojeve që morëm nga shenjtorët nga mbarë bota. Jemi bekuar e kemi marrë përkrahje dhe mund ta ndiejmë dashurinë e tyre. Është kaq e mrekullueshme të jesh shenjtore e ditëve të mëvonshme. Do ta shpreh këtë me gjithë fuqinë e zërit që kam!

Kur ra zjarri, u luta shumë sepse kisha nevojë të dija si ta trajtoja pikëllimin dhe më nevojitej t’u mësoja fëmijëve të mi se si ta trajtonin pikëllimin. Perëndia kishte disa gjëra të bukura për të m’i mësuar. Mësova rëndësinë që ka “pikëllimi i kulluar”. Për mua kjo nënkupton se ti nuk futesh në situata të zymta gjatë pikëllimit tënd, apo në një gjendje frike. Mos i lejoni mendimet tuaja që të shkojnë drejt një gjendjeje zemërimi apo turpi. Pikëllohuni në atë mënyrë siç do të pikëllohej Perëndia. Në këtë mënyrë, pikëllimi është i bukur dhe shërues. Të lë më shumë përshtypjen e dashurisë.

Në këtë gjendje, sfida më e madhe është e panjohura. Ka më shumë pyetje sesa përgjigje për cilindo. Nuk e dimë se sa shpejt mund të rindërtohet qyteti Perëdajs, apo nëse mund të rindërtohet sepse madhësia e shkatërrimit dhe humbjes është e pamasë.

Perëndia ka punuar me mua prej vitesh që të më përgatiste për këtë gjendje. Kam pasur “fatkeqësi të tjera natyrore” në jetën time që më kanë ndihmuar ta di se Perëndia po e udhërrëfen bukur jetën time.

Nuk ka asnjë vështirësi përmes së cilës kaloj, që nuk e ka një qëllim dhe kuptim të përsosur dhe të bukur. Kam vënë re se, kur e kam lejuar Perëndinë të më japë mësim, gjithmonë kam mësuar nga sfidat e mia. Perëndia na lejon të kalojmë përmes këtyre sfidave që të mund të arrijmë të kemi mirëbesim tek Ai dhe ta duam Atë. E di se kur gjërat vështirësohen, Ai është gjithmonë aty.

Pamja
Rachel standing near burned down home

Rejçëlli vështron gërmadhat e asaj që ishte dikur shtëpia e saj. “Koha që kaluam në shtëpinë tonë, ishte një kohë shumë e mrekullueshme”, thotë ajo. “Jam shumë mirënjohëse që Perëndia ia dha familjes sonë atë kohë në atë shtëpi.”

Pamja
burned down meetinghouse

Ndërtesa e Lagjes së Parë të qytetit Perëdajs, dikur një vend për adhurim, studim të ungjillit dhe veprimtari, tani është një grumbull rrënojash. Megjithatë, anëtarët e kanë ndier përkrahjen nga shenjtorët në mbarë botën. “Ne mund ta ndiejmë dashurinë e tyre”, thotë Rejçëlli. “Është kaq e mrekullueshme të jesh shenjtore e ditëve të mëvonshme. Do ta shpreh këtë me gjithë fuqinë e zërit që kam!”

Pamja
Rachel standing in burned down house

“Çdokush që beson te Perëndia, e ka parë dorën e Tij në këtë zjarr”, thotë Rejçëlli. “Edhe pse ka qenë sfiduese, ka qenë gjithashtu e mrekullueshme. Perëndia na ka ndihmuar të mësojmë saktësisht atë që na nevojitet të mësojmë.”

Pamja
Lighthall family

Pjesëtarët e familjes Lajt’holl mbajnë lart secili një send të nxjerrë nga hiri i shtëpisë së tyre. Ato shërbejnë si kujtues të bekimeve nga Perëndia. Duke folur për zjarrin, Rejçëlli thotë: “Po, ka qenë sfiduese dhe ne humbëm shumë. Por ne gjithashtu fituam shumë.”