2010
Thirrja e Shenjtë e një Misionari
Maj 2010


Thirrja e Shenjtë e një Misionari

Zotit i duhet që çdo i ri i aftë, të përgatitet dhe rizotohet, duke filluar sonte, për të qenë i denjë për një thirrje prej profetit të Perëndisë për të shërbyer në një mision.

Pamja
Elder Ronald A. Rasband

Mirëmbrëma, të dashur vëllezër të mi të priftërisë. Sonte do të doja të flisja rreth shërbimit misionar. Ja drejtoj komentet e mia ushtrisë së gjerë të të rinjve, që mbajnë Priftërinë Aarone, të cilët janë mbledhur nëpër tërë botën; dhe baballarëve, gjyshërve e udhëheqësve të tyre të priftërisë që kujdesen për ta.

Puna misionare është një temë që unë e kam shumë për zemër, si edhe çdo anëtarë i tetë Kuorumeve të të Shtatëdhjetëve, të cilët Zoti i ka caktuar që të shkojnë “përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte”1. Puna misionare është jetësore për Kishën dhe bekimi jetë-shpëtues për të gjithë që e pranojnë mesazhin e tij.

Kur Zoti shërbeu midis njerëzve, Ai thirri peshkatarë në Galile që të linin rrjetat e tyre dhe ta ndiqnin atë, duke shpallur: “Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”2. Zoti ua shprehu këto thirrje njerëzve të përulur, kështu që nëpërmjet tyre, të tjerë të mund të dëgjonin të vërtetat e ungjillit të Tij dhe të vinin tek Ai.

Në qershor 1837, profeti Jozef Smith e thirri Hiber C. Kimballin, një Apostull, që të shkonte në mision në Angli. Thirrja e Plakut Kimball erdhi ndërsa të dy ishin ulur në Tempullin e Kirtlandit dhe Jozefi foli me autoritet hyjnor: “Vëllai Hiber, Shpirti i Zotit më ka pëshpëritur: ‘Shërbëtori im Hiber le të shkojë në Angli, dhe të predikojë ungjillin tim, dhe të hapë derën e shpëtimit për atë komb.’ ”3

Ajo pëshpëritje e Shpirtit është një shembull i mënyrës se si thirrja u vjen shërbëtorëve të Zotit për të dërguar misionarë në fushat e tyre të punës.

Misionarët e sotëm shkojnë dy e nga dy, siç është caktuar nga Zoti, duke mbartur po të njëjtin mesazh, me po të njëjtën thirrje hyjnore për të shërbyer prej profetit të Perëndisë. Profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, ka thënë rreth atyre që thirren për të shërbyer: “Mundësia për të qenë misionarë në jetë është vetëm për ju. Bekimet e përjetësisë presin për ju. Privilegji, për të qenë jo spektatorë, por pjesëmarrës në skenën e shërbimit në priftëri, është juaji.”4

Mundësia është për ju, djemtë e mi të dashur të Priftërisë Aarone. A jeni gati dhe të gatshëm të luani rolin tuaj? Zotit i duhet që çdo i ri i aftë, të përgatitet dhe rizotohet, duke filluar sonte, për të qenë i denjë për një thirrje prej profetit të Perëndisë për të shërbyer në një mision.

E kujtoj me dashuri gëzimin e madh të komplet familjes sonë kur dy prej fëmijëve tanë morën thirrjet e tyre për të shërbyer si misionarë me kohë të plotë. Emocionet dhe pritja mbushte zemrat tona ndërsa ata të dy hapën letrën e tyre të veçantë nga profeti i Perëndisë. Bija jonë, Xhenesa, u thirr në Misionin Miçigan të Detroidit; dhe biri ynë, Kristiani, u thirr në Misionin Rus të Moskës Jugore. Ç’përvoja përulëse dhe drithëruese, të gjitha në të njëjtën kohë!

Kur motra Rasband dhe unë, disa vite më parë, patëm privilegjin që të kryesonim Misionin Nju-Jorkez të Nju-Jorkut Verior, mrekullohesha kur misionarët vinin në qytetin e Nju-Jorkut.

Ndërsa i intervistoja në ditën e tyre të parë në mision, kisha një ndjenjë të thellë mirënjohje për secilin misionar. Ndieja se thirrja e tyre në misionin tonë ishte e përcaktuar hyjnisht për ta dhe për mua, si presidenti i tyre i misionit.

Pasi përfunduam detyrën tonë misionare, unë u thirra nga Presidenti Gordon B. Hinkli që të shërbeja në Kishë si i Shtatëdhjetë. Pjesë e trajnimit tim të hershëm, si një Autoritet i Përgjithshëm i ri, përfshinte një mundësi për t’u ulur me anëtarë të Të Dymbëdhjetëve, kur ata caktonin misionarë për të shërbyer në njërin prej mbi 300 misionet e kësaj Kishe të madhe.

Me inkurajimin dhe lejen e Presidentit Henri B. Ajring, do të doja t’ju tregoja një përvojë, shumë të veçantë për mua, që pata me të disa vite më parë kur ishte anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Çdo Apostull mban çelësat e mbretërisë dhe i ushtron ato nën drejtimin dhe caktimin e Presidentit të Kishës. Plaku Ajring po caktonte misionarë në fushat e tyre të punës dhe si pjesë e trajnimit tim, unë isha ftuar të vrojtoja.

Një mëngjes herët, u bashkova me Plakun Ajring në një dhomë ku ishin përgatitur disa ekrane të mëdha kompjuterike për sesionin. Ndodhej gjithashtu një anëtar mbështetës nga Departamenti Misionar, i cili ishte caktuar për të na ndihmuar atë ditë.

Së pari, u gjunjëzuam së bashku në lutje. Më kujtohet që Plaku Ajring, duke përdorur fjalë tepër të sinqerta, i kërkoi Zotit ta bekonte atë që të dinte “përsosmërisht” se ku duhej të caktoheshin misionarët. Fjala “përsosmërisht” shprehu shumë për besimin që Plaku Ajring tregoi atë ditë.

Kur procesi filloi, një fotografi e një misionari për t’u caktuar, do të shfaqej në një prej ekraneve kompjuterike. Ndërsa shfaqej secila fotografi, për mua ishte njësoj sikur misionari të ishte në dhomë me ne. Plaku Ajring do ta përshëndeste misionarin me zërin e tij të dashur, që të hynte në zemër: “Mirëmëngjesi, Plaku Rajer ose Motra Jang. Si jeni sot?”

Ai më tregoi se në vetë mendjen e tij, atij i pëlqente të mendonte se ku do ta përfundonin misionin e tyre misionarët. Kjo e ndihmonte atë, që të dinte se ku duheshin caktuar. Pastaj, Plaku Ajring, studionte komentet nga peshkopët dhe presidentët e kunjit, shënimet mjekësore dhe çështje të tjera që kishin të bënin me çdo misionar.

Pastaj, ai i referohej një ekrani tjetër që shfaqte zonat dhe misionet nëpër botë. Së fundmi, siç nxitej prej Shpirtit, ai e caktonte misionarin në fushën e tij ose të saj të punës.

Nga të tjerë prej të Dymbëdhjetëve, kam mësuar se kjo metodë e përgjithshme është e zakonshme çdo javë, ndërsa Apostujt e Zotit caktojnë shumë misionarë për të shërbyer nëpër botë.

Duke qenë se kam shërbyer si misionar në vetë vendin tim në Misionin Lindor të Shteteve të Bashkuara, shumë vite më parë, unë u preka thellësisht nga kjo përvojë. Gjithashtu, duke qenë se kisha shërbyer si president misioni, isha mirënjohës për një dëshmi të mëtejshme në zemrën time që misionarët që unë kisha marrë në qytetin e Nju-Jorkut, u dërguan tek unë me anë të zbulesës.

Pasi caktoi pak misionarë, Plaku Ajring u kthye nga unë, ndërsa meditonte mbi një misionar të veçantë dhe tha: “Pra, Vëllai Rasband, ku mendon se duhet të shkojë ky misionar?” U befasova! Qetësisht i sugjerova Plakut Ajring se nuk e dija, dhe se nuk e dija nëse mund ta dija! Ai më pa drejtpërsëdrejti dhe thjesht tha: “Vëllai Rasband, trego më shumë vëmendje; edhe ti gjithashtu mund ta dish!” Pas kësaj, e tërhoqa karrigen time pak më afër Plakut Ajring dhe ekranit kompjuterik; dhe tregova shumë më tepër vëmendje!

Disa herë të tjera, ndërsa procesi vazhdonte, Plaku Ajring kthehej nga unë dhe thoshte: “Mirë, Vëllai Rasband, ku e ndieni se duhet të shkojë ky misionar?” Unë do të përmendja një mision të veçantë dhe Plaku Ajring do të më shikonte mendueshëm dhe thoshte: “Jo, nuk është ai!” Pastaj, ai do të vazhdonte t’i caktonte misionarët atje ku kishte ndier nxitjen.

Kur po i afroheshim përfundimit të asaj mbledhjeje të caktimit, një fotografi e një misionari të caktuar u shfaq në ekran. Unë pata nxitjen më të fuqishme, më të fuqishmen e mëngjesit, se misionari që kishim para nesh duhej caktuar në Japoni. Nuk e dija nëse Plaku Ajring do të më pyeste për të, por çuditërisht më pyeti. Unë, disi druajtur dhe përulësisht, i thashë atij: “Japoni?” Plaku Ajring u përgjigj menjëherë: “Po, le të shkojmë atje.” Dhe lart, në ekranin kompjuterik u shfaqën misionet e Japonisë. Aty për aty, e dija se misionari duhej të shkonte në Misionin Japonez të Saporos.

Plaku Ajring nuk ma kërkoi emrin e saktë të misionit, por ai e caktoi atë misionar në Misionin Japonez të Saporos.

Në fshehtësi, brenda zemrës sime, isha prekur thellësisht dhe i isha sinqerisht mirënjohës Zotit që më mundësoi të provoja nxitjen për të ditur se ku duhej të shkonte ai misionar.

Në fund të mbledhjes, Plaku Ajring më dha dëshminë e tij për dashurinë e Shpëtimtarit, që Ai e ka për çdo misionar të caktuar që të dalë në botë dhe të predikojë ungjillin e rivendosur. Ai tha se është prej dashurisë së madhe të Shpëtimtarit që shërbëtorët e Tij e dinë se ku duhet të shërbejnë këta të rinj e të reja, misionarë më të vjetër dhe çifte misionarësh pleq të mrekullueshëm. Atë mëngjes, pata një dëshmi tjetër që çdo misionar i thirrur në këtë Kishë dhe i caktuar apo i ricaktuar në një mision të veçantë, thirret me anë të zbulesës nga Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm, nëpërmjet një prej këtyre, shërbëtorëve të Tij.

Unë e mbyll me fjalët e Zotit për vëllezërit Uitmer që patën një rol të thellë në ditët e hershme të Rivendosjes. Ata qenë dëshmitarë të fletëve të tunxhit dhe dëshmitë e tyre të vulosura përfshihen në krye të çdo kopje të Librit të Mormonit. Ata ishin mes grupit të parë të misionarëve të thirrur nga profeti i Perëndisë, më 1829-n, për të predikuar ungjillin e Zotit Jezu Krisht.

Në hyrje të seksionit 14 të Doktrina e Besëlidhje, shpallet: “Tre nga bijtë e Whitmer-it, secili pasi mori dëshmi për vërtetësinë e veprës, u bënë shumë të shqetësuar lidhur me çështjen e detyrës së tyre individuale.”

Xhon dhe Piter Utimerit, të Riut, Zoti u tha këtë: “Pasi shumë herë ti ke dëshiruar prej meje të dish atë që do të jetë më me vlerë për ty.”5

Mendoj se shumë prej ju të rinjve ia keni bërë vetes po të njëjtën pyetje. Këtu është përgjigjja e Zotit: “Dhe tani, vër re, unë të them se gjëja që do të jetë më me vlerë për ty, do të jetë t’i shpallësh pendim këtij populli, që ti të mund të sjellësh shpirtra tek unë, që ti të mund të pushosh me ta në mbretërinë e Atit tim.”6

Në këtë periudhë të jetës suaj, një thirrje misioni nga Zoti, miqtë e mi të rinj, është puna më e rëndësishme që mund të bëni. Përgatituni tani, jetoni me drejtësi, mësoni nga familja dhe udhëheqësit tuaj të Kishës dhe ejani bashkohuni me ne, në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë mbi tokë – pranoni caktimin tuaj hyjnor në “një kauzë kaq të madhe”7. Kjo është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Lluka 10:1.

  2. Mateu 4:19.

  3. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 327.

  4. Tomas S. Monson, “That All May Hear,” Ensign, maj 1995, f. 49.

  5. Doktrina e Besëlidhje 15:4, 16:4.

  6. Doktrina e Besëlidhje 15:6, 16:6.

  7. Doktrina e Besëlidhje 128:22.