2010
Nëna Ma Ka Treguar
Maj 2010


Nëna Ma Ka Treguar

Ndoshta shkaku, që ne i përgjigjemi në mënyrë kaq universale dashurisë së nënave tona, është sepse ajo mishëron dashurinë e Shpëtimtarit tonë.

Pamja
Elder Bradley D. Foster

Zoti u ka ngarkuar prindërve përgjegjësinë e parë për ushqimin shpirtëror të fëmijëve të tyre. Ndonjëherë kjo përgjegjësi bie mbi një prind të vetëm. Nëna ime ishte relativisht e re kur babai im vdiq, duke e lënë atë vetëm me katër fëmijë. Por ajo përballoi vështirësinë e saj me besim dhe kurajë, duke na premtuar se, nëse do të qëndronim në rrugën e së vërtetës, fundi do të ishte më i mirë se fillimi. Si fëmijët e nënave trime në Librin e Mormonit, “ne nuk [dyshuam] që [nëna jonë] e [dinte] atë” (Alma 56:48). Vëllezër dhe motra, unë e kuptoj në mënyrën time ndikimin e madh të nënave.

Miku im i mirë, Don Piërsën, tregoi një përvojë që hedh dritë mbi këtë ndikim. Një natë, djali i tij katërvjeçar i kërkoi t’i lexonte një histori nga ato që tregohen kur bihet për fjetje. Eriku pati zgjedhur këtë libër të parapëlqyer të tij: The Ballooning Adventures of Paddy Pork [“Aventurat me Balonë të Pedi Pork-ut], një histori mbi një familje që jetonte në ishujt e detit dhe udhëtonte nga ishulli në ishull me balonë me ajër të nxehur. Ai ishte një libër me figura dhe nuk kishte fjalë, kështu që Vëllai Piërsën i krijonte vetë fjalët për historinë.

“Pedi është në një balonë me ajër të nxehur. Ai është duke u ulur tani në një ishull. Ai po hedh fije mbi anën e balonës.”

Eriku e ndaloi. “Babi, ajo nuk është fije. Ai është litar.”

Vëllai Piërsën vështroi nga Eriku dhe përsëri te libri me figura dhe pastaj ai vazhdoi: “Pedi po del nga balona dhe po zbret nga pema. Oh, jo! Palltua e tij ngeci në një degë!”

Përsëri Eriku e ndaloi. “Babi, ajo nuk është pallto. Ajo është xhaketë.”

Tani Vëllai Piërsën ishte disi në mëdyshje. Ai tha: “Erik, nuk ka fjalë në këtë libër, thjesht figura. Pse ngul këmbë se është xhaketë?”

Eriku u përgjigj: “Sepse nëna ma ka treguar.”

Babai i tij e mbylli librin dhe tha: “Erik, kush mendon ti se është fjala e parë, autoriteti më i lartë në këtë shtëpi?”

Këtë radhë Eriku mendoi me kujdes përpara se të përgjigjej: “Ti je, Babi”.

Vëllai Piërsën u drejtua me fytyrë të ndritur nga i biri. Çfarë përgjigje e shkëlqyer! “Si e ke mësuar këtë?”

Eriku u përgjigj me shpejtësi: “Nëna më tha”.

Siç ka thënë Presidenti Xhejms E. Faust: “Nuk ka të mirë më të madhe në gjithë botën sesa amësia. Ndikimi i një nëne në jetën e fëmijëve të saj është i pallogaritshëm” (“Fathers, Mothers, Marriage”, Liahona, gusht 2004, f. 3).

Sipas një plani hyjnor, ushqimi shpirtëror duket të jetë pjesë e trashëgimisë shpirtërore që iu është dhënë grave. Unë kam parë te bijat e mia dhe tani, te mbesat e mia – madje përpara se ato të mund të ecin, se ato donin të mbanin dhe të kujdeseshin për kukullat e tyre të vogla.

Në profesionin tim si fermer dhe pronar ferme, unë kam pasur një mundësi të mirë për të vëzhguar se si një dashuri e natyrshme nëne shfaqet madje në natyrë. Çdo pranverë ne çojmë një tufë lopësh dhe viçat e tyre të rinj sipër përgjatë Snejk Rivër të Ajdahos, ku kullosin rrëzë kodrave afërsisht përgjatë një muaji. Pastaj ne i grumbullojmë dhe i sjellim poshtë një rruge që çon te vatha. Prej andej ato ngarkohen në kamionë që i çojnë në kullotat e tyre verore në Montana.

Në një ditë veçanërisht të nxehtë vere po ndihmoja në grumbullimin duke kalëruar prapa tufës gjatë lëvizjes së saj poshtë rrugës me pluhur drejt vathës. Puna ime ishte të mblidhja çdo viç që kishte dalë nga rruga. Ritmi ishte i ulët dhe më jepte një kohë për të menduar.

Ngaqë ishte aq nxehtë, viçat e vegjël nuk reshtnin së shkëputuri për tek hijet e pemëve. Mendimet e mia kaluan tek të rinjtë e Kishës, që ndonjëherë dalin nga rruga e drejtë dhe e ngushtë. Unë mendova gjithashtu për ata që e kanë lënë Kishën ose që mund të ndihen sikur Kisha i ka lënë zemrat e tyre ndërsa ata ishin shkëputur. Mendova me vete se një shkëputje nuk ka pse të jetë e ligë që të ndikojë – ndonjëherë ajo mund të jetë thjesht hije.

Pas disa orësh duke mbledhur viça të shkëputur dhe me djersën që më kullonte nëpër fytyrë, u bërtita viçave i mërzitur: “Thjesht ndiqni nënat tuaja! Ato e dinë ku po shkojnë! Ato kanë zbritur kësaj rruge më përpara!” Nënat e tyre e dinin se edhe pse rruga ishte e nxehtë dhe me pluhur tani, fundi do të ishte më i mirë se fillimi.

Sapo e futëm tufën në vathë, vumë re se tre nga lopët shkonin të shqetësuara lart e poshtë te porta. Ato nuk mund t’i gjenin viçat e tyre dhe dukej se ndienin që ata ishin prapa diku në rrugë. Një nga loparët më pyeti çfarë duhej të bënim. I thashë: “Unë vë bast se e di ku janë ata viça. Prapa rreth një çerek milje (0.4 km), ka një grumbull të vogël pemësh. Jam i sigurt se do t’i gjejmë atje”.

Kisha të drejtë, pikërisht siç kisha dyshuar, ne i gjetëm viçat e humbur duke dremitur në hije. Afrimi ynë i trembi dhe u rezistuan përpjekjeve tona për t’i mbledhur. Ata u trembën sepse ne nuk ishim nënat e tyre! Sa më shumë që përpiqeshim t’i shtynim drejt vathës, aq më kokëfortë bëheshin. Më në fund u thashë loparëve: “Më vjen keq. Unë di një mënyrë më të mirë se kjo. Le të kthehemi prapa dhe të nxjerrim nënat e tyre nga vatha. Lopët do të vijnë dhe do t’i marrin viçat e tyre dhe viçat do t’i ndjekin nënat e tyre”. Kisha të drejtë. Lopët nëna e dinin saktësisht ku të shkonin për të gjetur viçat e tyre, dhe ato i udhëhoqën ata përsëri tek vatha, siç e kisha parashikuar.

Vëllezër dhe motra, në një botë ku çdo njeriu i është dhënë liria e zgjedhjes, disa nga të dashurit tanë mund të devijojnë për një periudhë. Por ne nuk mund të dorëzohemi kurrë. Ne duhet të kthehemi gjithmonë për ta – ne nuk duhet t’i ndalim kurrë përpjekjet. Profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, na ka drejtuar një lutje neve që të shkojmë të shpëtojmë ata nga të dashurit tanë që mund të kenë humbur (shih, për shembull, “Qëndro në Vendin Tënd të Caktuar”, Liahona, maj 2003, f. 54–57). Me ndihmën e udhëheqësve të priftërisë, prindërit duhet të vazhdojnë të kthehen dhe të gjejnë të humburit e tyre, duke i siguruar se gjithnjë do të ketë një “shtëpi”, në familje dhe në Kishë, që pret për kthimin e tyre. Ne kurrë nuk e dimë se kur mund të kthehet një zemër. Ne kurrë nuk e dimë kur një shpirt mund të jetë lodhur dhe rraskapitur nga bota. Kur kjo ndodh, duket se fëmijët tanë thuajse gjithnjë drejtohen së pari nga Nëna, me emocione si ato që shprehen në një poemë të Elizabet Ekers Alen (Elizabeth Akers Allen):

Prapa, rridh prapa, o valë e dëshpëruar vitesh!

Jam kaq i lodhur nga mundimet dhe lotët… .

I lodhur nga zbrazëtia, poshtërsia, gënjeshtra,

Nënë, o nënë, thërret zemra ime për ty! …

Në zemën time, në ditët që kaluan,

Asnjë dashuri si e nënës kurrë nuk u pa; …

Askush si nëna s’mund dhimbjen ta largojë

Nga shpirti i sëmurë dhe truri i lodhur nga bota.

Le të vijë qetësia e butë e dremitjes në sytë e mi;

Më përqafo të fle, nënë, më përqafo të fle!

(Rock Me to Sleep, The Family Library of Poetry and Song, botim i William Cullen Bryant [1870], f. 190–191; pikëzimi i përshtatur.)

Ndoshta shkaku, që ne i përgjigjemi në mënyrë kaq universale dashurisë së nënave tona, është sepse ajo mishëron dashurinë e Shpëtimtarit tonë. Siç ka thënë Presidenti Jozef F. Smith: “Dashuria e një nëne të vërtetë vjen më afër të qenit si dashuria e Perëndisë se çfarëdo lloj tjetër dashurie” (“The Love of Mother”, Improvement Era, janar 1910, f. 278).

Si në të gjitha gjërat, Shpëtimtari dha shembullin e përsosur me dashurinë që Ai tregoi për nënën e Tij tokësore. Në çastin e fundit, më të rëndësishmin e jetës së Tij tokësore – pas vuajtjes në Gjetsemani, gjyqit tallës, kurorës me gjemba, kryqit të rëndë në të cilin Ai u gozhdua brutalisht – Jezusi vështroi poshtë nga kryqi dhe pa nënën e Tij, Marien, që kishte ardhur të ishte me Birin e saj. Akti i Tij i fundit i dashurisë përpara se të vdiste ishte të sigurohej që për nënën e Tij do kishte përkujdesje, duke i thënë dishepullit të Tij, “Ja nëna Jote!” Dhe nga ai çast dishepulli e mori atë në shtëpinë e vet. Siç thuhet në shkrimet e shenjta, Jezusi e dinte pastaj se “çdo gjë ishte kryer” dhe Ai uli kryet dhe dha frymën (shih Gjoni 19:27–28, 30).

Sot unë qëndroj përpara jush që t’ju sjell dëshminë time se Jezu Krishti është vetë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Kjo është Kisha e Tij, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ati ynë Qiellor do që të gjithë fëmijët e Tij të kthehen tek Ai. Unë e di këtë pa asnjë kundërshti në saje të dëshmisë së Frymës së Shenjtë në zemrën time. Unë nuk e kam ditur gjithnjë – kur isha i ri më duhej të mbështetesha në dëshminë e prindërve të mi. Nëna ime më siguroi që, nëse do të qëndroja në rrugën e së vërtetës, edhe kur dukej nxehtë dhe pluhur, edhe kur kishte shkëputje, fundi do të ishte më i mirë se fillimi. Unë do të jem përjetësisht mirënjohës që nëna më tregoi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.