2010
Të Zhvillojmë Gjykimin e Mirë e të Mos Gjykojmë të Tjerët
Maj 2010


Të Zhvillojmë Gjykimin e Mirë e të Mos Gjykojmë të Tjerët

Gjykimi i mirë nevojitet jo vetëm për të kuptuar njerëzit, por edhe për të përballuar vendime që shpesh na afrojnë ose na largojnë nga Ati ynë Qiellor.

Pamja
Elder Gregory A. Schwitzer

Jetojmë në një botë në të cilën shumë situata kërkojnë që ne të bëjmë gjykime që shpesh janë të vështira. Prapëseprapë, Shpëtimtari dha urdhërim të “mos gjykoni” bashkëqenien tuaj.1 Si mund ta bëjmë këtë gjë dhe ende të ushtrojmë gjykim të mirë në një botë plot mashtrim dhe kalbëzim? Ne duhet të gjykojë mirë kur marrim vendime jetike në secilën fazë të jetës sonë; si zgjedhja e miqve, gjetja e një shoku të përjetshëm ose zgjedhja e një profesioni që do të na lejojë të përkujdesemi për familjen tonë dhe t’i shërbejmë Zotit. Edhe pse Shpëtimtari na kërkoi të mos gjykojmë të tjerët, akoma Ai pret nga ne që të përdorim gjykim të shkëlqyer.

Ne shpeshherë mund të gjendemi duke i gjykuar me të shpejtë njerëzit, gjë e cila mund t’i ndryshojë ose t’i rivlerësojë marrëdhëniet tona me ta. Shpesh bëhen gjykime të pasakta për shkak të informacionit të kufizuar ose ngaqë ne nuk shohim përtej asaj që ndodhet drejtpërdrejt përpara nesh.

Që ta ilustroj, tregohet shpesh ngjarja e kohës kur Jezusi vizitoi shtëpinë e Maries dhe Martës, të cilat jetonin në Betani me të vëllanë, Llazarin. Ishte një vend mikpritës për Mësuesin, ku mund të pushonte dhe të shijonte mjediset e një vatre familjare të drejtë. Gjatë njërës prej vizitave të Tij, Marta qe e zënë me përgatitjen e një vakti dhe Maria zgjodhi të ulej pranë këmbëve të Mësuesit për të marrë udhëzimin e Tij.

“Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: ‘Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej?’…

Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ‘Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;

por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet’.”2

Shumë mësime janë dhënë të dielave duke përdorur këtë ngjarje, të cilat e kanë caktuar Martën në një pozicion më të ulët lidhur me besimin e saj. Megjithatë, ka një tjetër ngjarje për këtë grua të madhe, Martën, që na jep ne një pamje më të thellë të kuptimit dhe të dëshmisë së saj. Kjo ndodhi kur Shpëtimtari mbërriti për të ngritur vëllain e saj, Llazarin, nga vdekja. Në këtë rast ne shohim se ishte Marta ajo që po shkonte tek Jezusi “si e mori vesh” se Ai po vinte. Kur e takoi, ajo thotë që e di se “të gjitha ato që [Ai do t’i kërkonte] Perëndisë, Perëndia do [t’ia jepte Atij]”.

Krishti pastaj i tregoi Martës doktrinën e madhe të ringjalljes, duke thënë:

“Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?”

Ajo iu përgjigj me dëshminë e saj të fuqishme: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”3.

Sa shpesh është gjykuar Marta gabim sikur qe një person që interesohej më shumë për të bërë punët e shtëpisë, sesa për Shpirtin? Mirëpo, dëshmia e saj në sprovën e vdekjes së të vëllait tregon qartë thellësinë e kuptimit dhe të besimit të saj.

Shumë motra e kanë dëgjuar shpesh ngjarjen e parë dhe e kanë pyetur veten a janë si Maria apo si Marta, megjithatë, e vërteta qëndron në njohjen e një personi dhe në përdorimin e gjykimit të mirë. Duke ditur edhe më shumë për Martën, gjejmë se faktikisht ajo ishte një person me karakter të thellë shpirtëror, e cila kishte një dëshmi të spikatur e të guximshme për misionin e Shpëtimtarit dhe për fuqinë e Tij hyjnore lidhur me jetën. Një gjykim i gabuar për Martën, mund të ketë bërë që ne të mos e njohim natyrën e vërtetë të kësaj gruaje të mrekullueshme.

Nga ana ime, kur isha doktor i ri, mësova një mësim të madh në lidhje me gjykimet e shpejta. Ndërsa po punoja në një turn të mesnatës në një sektor urgjence, një djalë dhe bashkëshortja e tij hynë brenda, ngaqë ajo po vuante nga njëfarë dhimbjeje e fortë. Nga veshja dhe higjiena e tyre, ishte e lehtë të shihje se për ta kish qenë një jetë e ashpër. Flokët e tij ishin të çrregullt dhe shumë të gjatë. Rrobat e tyre nuk qenë larë për njëfarë kohe dhe pasojat e një jete të ashpër u shkruheshin në fytyrë.

Pas një kontrolli, u ula me të që t’i shpjegoja problemin e të bisedoja për mjekimin. Ky njeri me pa me një qartësi të thellë dashurie, e cila rrallëherë përjetohet, dhe më pyeti me krejt dashurinë e një bashkëshorti të merakosur: “Doktor, a do të bëhet mirë gruaja ime e dashur?” Në atë çast ndjeva që Shpirti dëshmoi se ai ishte fëmijë i Perëndisë dhe pashë në sytë e tij faktin e Shpëtimtarit. Ky njeri vërtet shfaqi dashuri për një tjetër dhe unë e kisha gjykuar gabim. Qe një mësim që la një mbresë të përhershme.

Gjykimi i mirë nevojitet jo vetëm për të kuptuar njerëzit, por edhe për të përballuar vendime shpesh që na afrojnë ose na largojnë nga Ati ynë Qiellor. Kur shikoj prapa në vetë jetën time, mund të shoh shumë raste në të cilat një ndryshim i lehtë i kursit, bazuar mbi gjykim të dobët, do të më çonte larg asaj ku Zoti do të dëshironte që të isha – vendime si ai që të kesh familje ndërsa po arsimohesh, të jesh aktiv në të gjitha aspektet e ungjillit, të paguash të dhjetën dhe ofertat kur të ardhurat ishin së tepërmi të pakta dhe të pranosh thirrjet në kohë të vështira, vendime që më kanë ndihmuar të kuptoj më shumë për sakrificën. Shumë bekime në jetë janë të munguara, sepse është përdorur gjykim sipas botës për një gjë që ishte me të vërtetë një vendim shpirtëror.

Gjenden karakteristika të shumta të njerëzve të cilët kanë zhvilluar gjykimin e mirë. Do t’ju paraqes katër udhëzime për zhvillimin e një gjykimi të tillë në marrjen e vendimeve të rëndësishme.

Së pari, standardet tuaja vetjake vendosini në një rresht me ungjillin e Jezu Krishtit. Një njeri nuk mund të jetë kurrë gjykatës i mirë, pa pasur si referim ungjillin e Jezu Krishtit. Ungjilli i Jezu Krishtit ka një rekord të gjatë dhe të suksesshëm për udhëheqjen e njeriut drejt lumturisë. Disa nga idetë e botës e lënë njerëzimin në mëshirë të fatit që të përpiqet të përcaktojë standarde të vetat. Për këtë arsye, ne dëgjojmë thënie të tilla, si “parime të reja morale”. Kjo thënie është mashtruese! Standardet e moralit janë të përjetshme dhe nuk kanë ndryshuar; as nuk duhet të përpiqemi për të zbuluar një interpretim të ri të tyre. Për rininë, këto standarde janë të shkruara tek broshura Për Forcën e Rinisë. Këto standarde radhiten qartë në një vijë me ungjillin e Jezu Krishtit dhe nënkuptojnë vazhdimin gjatë jetës në moshë të rritur. Ndoshta do të ishte mirë që ne, si të rritur, ta studiojmë dhe ta zbatojmë këtë broshurë në jetën tonë.

Së dyti, u vini veshin mesazheve të profetit të gjallë. Sa gjykime të dobëta financiare do të shmangeshin, sikur t’ua kishim vënë veshin këshillës së dhënë për vite me radhë përmes profetëve tanë mbi shmangien e spekulimeve të rrezikshme dhe mbi zbatimin e një buxheti të kujdesshëm për shmangien e borxhit të konsumatorit? Sa martesa do të shpëtoheshin duke përdorur gjykim të mirë në shmangien e informacioneve që çojnë në varësi nga pornografia dhe në ankth? Çdo konferencë e përgjithshme dhe revistë e Kishës përmban këshillë nga profetët, e cila, nëse zbatohet, do të na prijë drejt gjykimit të mirë. Ne mbetemi pa shfajësim kur i shpërfillim ato.

Së treti, kultivoni me Shpirtin e Shenjtë një marrëdhënie dëgjimi. Neve na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë mbas pagëzimit tonë, por shpeshherë ne e lëmë këtë dhuratë në raft, duke harruar që Ai do të na ndihmojë në gjykimet më të rëndësishme të jetës sonë. Zoti na e dha këtë dhuratë duke e ditur që do të hasnim vendime të vështira në jetë. Dëgjimi me vëmendje i këtij zëri është jetik në zhvillimin e një gjykimi të mirë. Një marrëdhënie dëgjimi shpesh kërkon një mjedis pa zhurmë, në të cilin ne mund të kalojmë kohë duke u menduar dhe duke dëgjuar zërin e ulët e të qetë. Ky mjedis i qetë është dhe i jashtëm, dhe i brendshëm. Prandaj, ai është më shumë se ndërprerje e muzikës së botës ose e gjëmimit të informacioneve të tjera; ai është edhe ndërprerje e zhurmës së mëkatit përbrenda shpirtit tonë. Kjo gjë do të hapë komunikimin me Shpirtin, që është aq shumë i nevojshëm.

Krishti tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”4. Paqja që vjen nga dëgjimi i Shpirtit të Shenjtë me vëmendje, mënjanon frikën e një gjykimi të dobët në jetë.

Së katërti, mbani urdhërimet. Gatishmëria për mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë hap për ne shumë bekime të premtuara. Libri i Mormonit, përveçse është një dhiatë tjetër e Jezu Krishtit, është një libër për rezultatet e mbajtjes dhe të mosmbajtjes së urdhërimeve. Zoti i tha Nefit, në kapitullin e dytë të librit të tij të parë: “Derisa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, do të përparoni”5.

I njëjti premtim u përsërit pothuajse nga çdo profet kryesor në Librin e Mormonit. Për më tej, janë shënuar një mijë vite histori, të cilat japin dëshmi se këto gjëra janë të vërteta. Dhe i njëjti mesazh gjen zbatim për ne sot. Gjykimi i mirë mësohet dhe praktikohet më së miri brenda caqeve të vëna nga Zoti duke na dhënë urdhërime.

Unë dëshmoj që, kur ne përballemi me vendime të vështira dhe i ndjekim këto orientime, ne mund të dimë më mirë si duhet të gjykojmë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Mateu 7:1. Shih edhe Mateu 7:1, poshtëshënimi a, nga Përkthimi i Jozef Smithit, ku Shpëtimtari na urdhëron: “Mos gjykoni padrejtësisht”.

  2. Lluka 10:40–42.

  3. Shih Gjoni 11:20–27.

  4. Gjoni 14:27.

  5. 1 Nefi 2:20.