2010
Ju, të Lumtura Përherë e Përgjithmonë
Maj 2010


Ju, të Lumtura Përherë e Përgjithmonë

Ati Qiellor ju ofron dhuratën më të madhen e të gjithave, jetën e përjetshme, dhe mundësinë e bekimin e pafund të të qenit ju vetë “të lumtura përherë e përgjithmonë”.

Pamja
President Dieter F. Uchtdorf

Të dashura motrat e mia të reja në mbarë botën, jam mirënjohës dhe i nderuar të jem me ju sot. Presidenti Monson dhe të gjithë udhëheqësit e Kishës ju duan; ne lutemi për ju dhe gëzohemi për besnikërinë tuaj.

Gjatë viteve kam pasur kontakte me shumë gjuhë të bukura, secila prej tyre është magjepsëse dhe e mrekullueshme; secila ka hijeshinë e vet të veçantë. Por, sado të ndryshme mund të jenë këto gjuhë, ato shpesh kanë gjëra të përbashkëta. Për shembull, në shumicën e gjuhëve ekziston një shprehje aq magjike dhe plot premtim, sa ndoshta asnjë në botë. Ajo shprehje është: “Na ishte njëherë”.

A nuk janë këto fjalë të mrekullueshme për të nisur një histori? “Na ishte njëherë” premton diçka: një histori aventure dhe dashurie, një histori princeshash dhe princërish. Ajo mund të përfshijë rrëfenja kuraje, shprese dhe dashurie të përjetshme. Në shumë prej këtyre historive, dashamirësia mposht poshtërsinë dhe e mira mposht të ligën. Por ndoshta më shumë nga të gjitha, më pëlqen shumë kur kthejmë faqen e fundit e sytë tanë arrijnë rreshtat e fundit dhe ne shohim fjalët magjepsëse: “Dhe ata jetuan të lumtur përherë e përgjithmonë”.

A nuk është kjo çka dëshirojmë të gjithë: të jemi heronjtë dhe heroinat e vetë historive tona, të triumfojmë mbi vështirësitë, ta përjetojmë jetën në gjithë bukurinë e saj dhe, në fund, të jetojmë të lumtur përherë e përgjithmonë?

Sot, dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj tek diçka shumë kuptimplote, shumë e jashtëzakonshme. Në faqen e parë të librit tuaj të Përparimit Personal të Të Rejave, ju do të gjeni këto fjalë: “Ju jeni një bijë e dashur e Atit Qiellor, e përgatitur për të ardhur në tokë në këtë kohë të veçantë për një qëllim të shenjtë dhe të lavdishëm.”1

Motra, këto fjalë janë të vërteta! Ato nuk janë krijuar në një përrallë! A nuk është e mrekullueshme të dini se Ati ynë i përjetshëm Qiellor ju njeh, ju dëgjon, ju mbron dhe ju do me një dashuri të pafundme? Në fakt, dashuria e Tij për ju është kaq e madhe sa Ai ju dhuroi këtë jetë në tokë si një dhuratë e çmuar e “na ishte njëherë”, të plotësuar me vetë historinë tuaj të vërtetë të aventurës, sprovës dhe mundësive për madhështi, fisnikëri, kurajë dhe dashuri. Dhe, më e lavdishmja nga të gjitha, Ai ju ofron një dhuratë përtej çmimit dhe të kuptuarit. Ati Qiellor ju ofron dhuratën më të madhen e të gjithave, jetën e përjetshme, dhe mundësinë e bekimin e pafund të të qenit ju vetë “të lumtura përherë e përgjithmonë”.

Por një bekim i tillë nuk vjen pa një çmim. Ai nuk jepet thjesht sepse ju e dëshironi atë. Ai vjen vetëm nëpërmjet të kuptuarit se cilat jeni dhe çfarë duhet të bëheni, që të jeni të denja për një dhuratë të tillë.

Sprova Është Pjesë e Udhëtimit

Për një çast, mendoni përsëri për përrallën tuaj të preferuar. Në atë histori, personazhi kryesor mund të jetë një princeshë apo një fshatare; ajo mund të jetë një sirenë apo një mjelëse, një sundimtare apo një shërbëtore. Ju do të gjeni një gjë që të gjitha e kanë të përbashkët: ato duhet të kapërcejnë vështirësi.

Hirushja duhet të durojë njerkën e saj të ligë dhe vajzat e këqia të saj. Ajo është e shtrënguar të vuajë orë të gjata skllavërie dhe talljeje.

Tek “E Bukura dhe Bisha”, Bela bëhet robëreshë e një bishe me pamje të frikshme, që të shpëtojë të atin. Ajo sakrifikon shtëpinë dhe familjen e saj, gjithçka ka të shtrenjtë, për të kaluar disa muaj tek kështjella e bishës.

Tek përralla “Rumpelshtilqen”, një mullis i varfër i premton mbretit se bija e tij mund ta tjerrë kashtën e ta shndërrojë në ar. Mbreti menjëherë dërgon ta marrin atë dhe e kyç në një dhomë me një pirg kashtë dhe një çikrik. Më vonë në histori, ajo përballet me rrezikun që të humbasë fëmijën e saj të parëlindur, nëse nuk gjen emrin e krijesës magjike që e ndihmoi për këtë detyrë të pamundur.

Në secilën prej këtyre historive, Hirushes, Belës dhe të bijës së mullisit u duhet të përjetojnë trishtim dhe sprovë përpara se të mund të arrijnë të jenë “të lumtura përherë e përgjithmonë”. Mendoni për këtë. A ka pasur ndonjëherë një njeri, që nuk i është dashur të kalojë përmes vetë luginës së errët të tij apo të saj të tundimit, sprovës dhe hidhërimit?

Ngjeshur në mes të “na ishte një herë” dhe “të lumtur përherë e përgjithmonë” të tyre, atyre të gjithëve iu është dashur të përjetojnë vështirësi të mëdha. Përse të gjithë duhet të përjetojnë trishtim dhe tragjedi? Përse ne thjesht nuk mund të jetojmë në hare dhe paqe, me çdo ditë të mbushur me mrekulli, gëzim e dashuri?

Shkrimet e shenjta na thonë se është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat, sepse pa të ne nuk do të mund të dallonim të ëmblën nga e hidhura2. A do të ndiente triumfin e përfundimit të garës vrapuesja e maratonës, nëse nuk do të kishte ndier dhembjen e orëve të përpjekjes përtej kufijve të saj? A do ta kishte ndier pianistja gëzimin e zotërimit të një sonate të ndërlikuar, pa orët e përpikta të praktikës?

Në historira, ashtu si në jetë, vështirësia na mëson gjëra që nuk mund t’i mësojmë ndryshe. Vështirësia na ndihmon të zhvillojmë një thellësi karakteri që nuk vjen në asnjë mënyrë tjetër. Ati ynë i dashur Qiellor na ka vendosur në një botë të mbushur me sfida dhe sprova kështu që ne, nëpërmjet kundërshtimit, të mund të mësojmë urtësi, të bëhemi më të fortë dhe të përjetojmë gëzim.

Më lejoni të ndaj me ju, një përvojë personale që pata kur isha adoleshent, ndërkohë që familja jonë po frekuentonte kishën në Frankfurt të Gjermanisë.

Një të diel, misionarët sollën një familje të re në mbledhjet tona, që nuk e kisha parë më parë. Ishin një nënë dhe dy bijat e saj të bukura. Mendova se këta misionarë po bënin një punë shumë, shumë të mirë.

Veçanërisht vura re bijën me flokë të errët të hatashëm dhe sy të mëdhenj bojë kafe. Emri i saj qe Hariet dhe mendoj se rashë në dashuri me të, që nga çasti i parë kur e pashë. Për fat të keq, kjo e re e bukur nuk dukej se ndiente të njëjtën gjë për mua. Ishin shumë të rinj që dëshironin të njiheshin me të dhe fillova të vras mendjen nëse do të më shihte ndonjëherë më shumë sesa thjesht si shok. Por nuk lejova që kjo të më frenonte. Gjeta mënyra që të isha atje ku ishte ajo. Kur shpërndaja sakramentin, sigurohesha që të isha në pozicionin e saktë që të isha unë ai që ia shpërndaja sakramentin asaj.

Kur kishim aktivitete të veçanta në kishë, shkoja me biçikletë tek shtëpia e Harietës dhe i bija ziles së portës. Zakonisht, përgjigjej nëna e Harietës. Në fakt, ajo hapte dritaren e kuzhinës së apartamentit të tyre në katin e katërt dhe pyeste se çfarë doja. E pyesja nëse Harieta dëshironte të shkonte me mua në kishë, me biçikletën time. Nëna e Harietës thoshte: “Jo, ajo do të vijë më vonë, por unë do të jem e lumtur të vij me ty me biçikletë për në kishë”. Kjo nuk ishte pikërisht ajo që kisha në mendje, por si mund të refuzoja?

Dhe kështu shkonim në kishë. Duhet ta pranoj, kisha udhëtime me biçikletë shumë mbresëlënëse. Nëna e Harietës ulej mbi hekurin e biçikletës, tamam para meje dhe unë përpiqesha të isha drejtuesi më elegant i biçikletës në rrugët me kalldrëm të ashpër.

Koha kaloi. Ndërsa Harieta e bukur takohej me shumë të rinj të tjerë, dukej sikur unë nuk mund të bëja ndonjë përparim me të.

A isha i zhgënjyer? Po.

A isha i mundur? Absolutisht jo!

Faktikisht, duke shikuar pas, e kuptoj se nuk të bën aspak keq të kesh marrëdhënie të mira me nënën e vajzës së ëndrrave të tua.

Vite më vonë, pasi kisha mbaruar trajnimin tim si pilot luftarak në forcën ajrore, përjetova një mrekulli moderne në përgjigjen e Harietës ndaj interesimit tim të vazhdueshëm. Një ditë ajo tha: “Diter, je pjekur shumë gjatë këtyre viteve të kaluara”.

Veprova shpejt pas kësaj dhe, brenda disa muajsh, u martova me gruan që e kisha dashuruar që kur e pashë për herë të parë. Procesi nuk kishte qenë i lehtë kishte çaste vuajtjeje dhe dëshpërimi, por së fundi lumturia ime qe e plotë dhe akoma është, madje dhe më shumë.

Të dashura motrat e mia të reja, duhet ta dini se do të përjetoni vetë vështirësitë tuaja. Asnjë nuk përjashtohet. Ju do të vuani, do të tundoheni dhe do të bëni gabime. Ju do të mësoni për veten tuaj atë që ka mësuar çdo heroinë: përmes kapërcimit të sfidave vijnë rritja dhe forca.

Është reagimi juaj ndaj vështirësisë, jo vetë vështirësia, që përcakton se si do të zhvillohet historia e jetës suaj.

Ka nga ato mes jush që, edhe pse të reja, kanë vuajtur tashmë një masë maksimale brenge dhe pikëllimi. Zemra ime është e mbushur me dhembshuri dhe dashuri për ju. Sa të shtrenjta jeni ju për Kishën. Sa shumë ju do Ati juaj Qiellor. Edhe pse mund t’ju duket se jeni vetëm, engjëj ju shoqërojnë juve. Edhe pse ju mund të ndieni se asnjë nuk mund të kuptojë thellësinë e dëshpërimit tuaj, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, e kupton. Ai vuajti më shumë se ne mundet ndoshta të përfytyrojmë dhe Ai e bëri atë për ne; Ai e bëri atë për ju. Ju nuk jeni vetëm.

Nëse ndieni ndonjëherë se barra juaj është tepër e madhe për t’u mbajtur, çojeni zemrën tek Ati juaj Qiellor dhe Ai do t’ju mbështesë e bekojë. Ai ju thotë juve, ashtu siç i tha Jozef Smithit: “Fatkeqësia [juaj] dhe mjerimet [tuaja] do të jenë veçse një çast i shkurtër; Dhe atëherë, në qoftë se i [duroni] mirë ato, Perëndia do [t’ju] lartësojë nga lart.”3

Qëndresa ndaj vështirësisë nuk është gjëja e vetme që duhet të bëni për të përjetuar një jetë të lumtur. Më lejoni ta përsëris: mënyra si reagoni ndaj vështirësisë dhe tundimit është një faktor vendimtar që ju të arrini ose jo tek “lumturia përherë e përgjithmonë” për vetë veten tuaj.

Qëndroni të Vërteta ndaj Asaj që e Dini se Është e Drejtë

Motra, motra të reja, motra të reja të dashura, qëndroni të vërteta ndaj asaj që e dini se është e drejtë. Ngado që të shihni sot, do të gjeni premtime për lumturi. Reklama në revista premtojnë hare të plotë, nëse ju vetëm do të blini një farë veshjeje, shampoje, apo produkti kozmetik. Disa prodhime mediatike reklamojnë ata që përqafojnë të ligën ose që u jepen instinkteve të mishit. Shpesh po këta njerëz portretizohen si modele suksesi dhe arritjeje.

Në një botë ku e liga portretizohet si e mirë dhe e mira si e ligë, nganjëherë është e vështirë të njohësh të vërtetën. Në disa mënyra, është thuajse si dilema e Kësulëkuqes: kur nuk jeni krejt të sigurt për atë që po shihni, a është një gjyshe e dashur, apo është një ujk i rrezikshëm?

Kam kaluar shumë vite në kabinën e një aeroplani. Detyra ime ishte të çoja një aeroplan të madh reaktiv nga një anë çfarëdo e botës tek destinacioni ynë i dëshiruar. E dija me siguri që, nëse dëshiroja të udhëtoja nga Nju-Jorku për në Romë, më duhej të fluturoja drejt lindjes. Nëse dikush do të më thoshte se duhej të fluturoja drejt jugut, e dija se nuk kishte ndonjë të vërtetë në fjalët e tij. Nuk do t’i besoja atij sepse e dija vetë. Asnjë masë përpjekjeje për të më bindur, asnjë masë lajkatimi, rryshfeti ose kërcënimi nuk do të mund të më bindte se fluturimi drejt jugut do të më çonte tek destinacioni im, sepse e dija.

Ne të gjithë kërkojmë lumturi dhe të gjithë përpiqemi të gjejmë për vete lumturinë përherë e përgjithmonë. E vërteta është: Perëndia e di si të arrijmë atje! Dhe Ai ka krijuar një hartë për juve; Ai e di rrugën. Ai është Ati juaj i dashur Qiellor që kërkon të mirën tuaj, lumturinë tuaj. Ai dëshiron me gjithë dashurinë e një Ati të përsosur e të kthjellët, që ju të arrini destinacionin tuaj hyjnor. Harta është e disponueshme për të gjithë. Ajo i jep udhëzime të qarta, se çfarë të bëjë dhe ku të shkojë, cilitdo që po përpiqet të vijë tek Krishti dhe të “[qëndrojë] si dëshmitar [i] Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”4. Gjithçka që duhet të bëni është t’i mirëbesoni Atit tuaj Qiellor. Besojini Atij mjaftueshëm sa të ndiqni planin e Tij.

Megjithatë, jo të gjithë do ta ndjekin hartën. Mund ta shohin atë. Mund të mendojnë se është e arsyeshme, ndoshta madje e vërtetë. Por ata nuk ndjekin udhëzimet hyjnore. Shumë besojnë se çfarëdo rruge do t’i çojë ata tek një “lumturi përherë e përgjithmonë”. Disa madje mund të zemërohen kur të tjerë, që e dinë rrugën, përpiqen t’i ndihmojnë e t’ua tregojnë atyre. Ata supozojnë se një këshillë e tillë është e vjetëruar, e pavend, pa lidhje me jetën moderne.

Motra, ata supozojnë gabim.

Ungjilli Është Udha tek Lumturia Përherë e Përgjithmonë

E kuptoj se, nganjëherë, disa mund të vrasin mendjen se përse shkojnë në mbledhjet e Kishës, ose pse është kaq e rëndësishme të lexojnë shkrimet e shenjta rregullisht, ose t’i luten Atit tonë Qiellor çdo ditë. Këtu është përgjigjja ime: Ju i bëni këto gjëra sepse ato janë pjesë e shtegut të Perëndisë për juve. Dhe ai shteg do t’ju çojë tek destinacioni juaj i “lumturisë përherë e përgjithmonë”.

“Lumturia përherë e përgjithmonë” nuk është diçka që gjendet vetëm në përralla. Ju mund ta keni atë! Është e disponueshme për ju! Por ju duhet të ndiqni hartën e Atit tuaj Qiellor.

Motra, ju lutem, përqafoni ungjillin e Jezu Krishtit! Mësoni ta doni Atin tuaj Qiellor me gjithë zemrën, fuqinë dhe mendjen tuaj. Mbusheni shpirtin tuaj me virtyt dhe ta doni mirësinë. Përpiquni gjithmonë të nxirrni në pah më të mirën tek vetja dhe të tjerët.

Mësoni të pranoni dhe veproni sipas vlerave të Të Rejave. Jetoni standardet e Për Forcën e Rinisë. Këto standarde ju orientojnë dhe drejtojnë tek lumturia juaj përherë e përgjithmonë. Jetesa sipas këtyre standardeve do t’ju përgatisë që të bëni besëlidhjet e shenjta në tempull dhe të krijoni vetë trashëgiminë tuaj të mirësisë në rrethanat tuaja vetjake. “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”5, pavarësisht tundimeve ose vështirësive. Ju premtoj se brezat e ardhshëm do të jenë mirënjohës për ju dhe do t’ua lëvdojnë emrin për kurajën e besnikërinë tuaj gjatë kësaj kohe vendimtare të jetës suaj.

Motrat e mia të reja të dashura, ju që qëndroni për të vërtetën dhe drejtësinë, ju që kërkoni mirësinë, ju që keni hyrë në ujërat e pagëzimit dhe ecni sipas mënyrës së Zotit; Ati juaj në Qiell ka premtuar që ju do të “ngrihen[i] me krahë si shqiponja, [do të] vrapo[ni] pa u lodhur dhe ec[ni] pa u lodhur”6. Ju “nuk do të mashtrohe[ni]”7. Perëndia do t’ju bekojë dhe begatojë8. “Portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; … dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij.”9

Motra, ne ju duam. Ne lutemi për ju. Jini të forta dhe trime. Ju jeni vërtet bija shpirtërore mbretërore të Perëndisë së Plotfuqishëm. Ju jeni princesha të destinuara të bëheni mbretëresha. Vetë historia juaj e mahnitshme ka filluar tashmë. “Na ishte njëherë” e juaja është tani.

Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë ju lë bekimin tim dhe ju jap një premtim që, kur pranoni dhe jetoni vlerat dhe parimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, “[ju] do të je[n]i të përgatitura të forco[ni] shtëpinë dhe familjen, të bë[ni] dhe të mba[ni] besëlidhjet e shenjta, të [merrni] ordinancat e tempullit dhe të gëzo[ni] bekimet e ekzaltimit”10. Dhe dita do të vijë kur ju të ktheni faqet e fundit të vetë historisë tuaj të lavdishme, atje do të lexoni dhe përjetoni përmbushjen e atyre fjalëve të bekuara e të mrekullueshme: “Dhe ata jetuan të lumtur përherë e përgjithmonë”. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Përparimi Personal i Të Rejave (broshurë, 2009), f. 1.

  2. Shih 2 Nefi 2:11, 15.

  3. Doktrina e Besëlidhje 121:7–8.

  4. Mosia 18:9.

  5. Doktrina e Besëlidhje 87:8.

  6. Isaia 40:31.

  7. Joseph Smith—Mateu 1:37.

  8. Shih Mosia 2:22–24.

  9. Doktrina e Besëlidhje 21:6.

  10. Përparimi Personal i Të Rejave, f. 3.