2010
Ne Ndjekim Jezu Krishtin
Maj 2010


Ne Ndjekim Jezu Krishtin

Ne gëzojmë në gjithçka që Shpëtimtari ka bërë për ne. Ai e ka bërë të mundur për secilin prej nesh që të fitojmë shpëtimin dhe ekzaltimin tonë.

Pamja
Elder Quentin L. Cook

Është një përgjegjësi e rëndësishme t’u flasësh të dielën e Pashkës shenjtorëve të ditëve të mëvonshme nëpër botë, që e duan Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krishtin. Ne kremtojmë këtë mëngjes fitoren e Tij mbi vdekjen. Ne ushqejmë kuptimin tonë dhe ndiejmë vlerësim të përzemërt për sakrificën shlyese me gatishmëri të Shpëtimtarit në interesin tonë. Bindja e Tij ndaj vullnetit të Atit të Tij arriti fitoren hyjnore mbi vdekjen dhe është ngjarja kulmore në historinë e njerëzimit. E vlerësoj këtë mundësi që të flas mbi ndjekjen e Shpëtimtarit.

Dy ditët e fundit të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, përpara Kryqëzimit të Tij janë thellësisht të rëndësishme dhe në disa mënyra, përtej aftësisë për të kuptuar. Kaq shumë nga ajo çka është thelbësore për fatin tonë të përjetshëm ndodhi të enjten dhe pastaj të premten, ditën kur Krishti u kryqëzua. Darka e Fundit, darka e Pashkës, “përkujtimi i vendosur i çlirimit të Izraelit nga skllavëria”, filloi të enjten në mbrëmje1. Ordinanca dhe doktrina me rëndësi të madhe u ndërmorën në Darkën e Fundit. Do të përmend vetëm tre. Së pari, Shpëtimtari paraqiti ordinancën e sakramentit. Ai mori bukën, e theu atë, u lut mbi të dhe ua kaloi dishepujve të Tij, duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”2. Në këtë mënyrë Ai themeloi sakramentin. Së dyti, theksimi i Tij mbresëlënës qe mbi doktrina që japin mësim dashurinë si një parim të lartë. Ai dha mësim: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri- tjetrin”3. Së treti, nëpërmjet ndërmjetësimit ose drejtimit të Krishtit, “Fryma e Shenjtë iu premtua apostujve” si një Ngushëllues tjetër4.

Shpëtimtari më pas përmbushi Shlyerjen. Ai mori mbi Vete “barrën e mëkateve të njerëzimit” dhe “tmerret që Satani … mund të sillte”5. Në këtë proces Ai duroi gjykimet e sajuara me mashtrim dhe ngjarjet e tmerrshme e tragjike që çuan në Kryqëzimin e Tij. Kjo së fundi kulmoi në Ringjalljen triumfuese të Krishtit të dielën e Pashkës. Krishti përmbushi misionin e Tij të shenjtë si Shpëtimtar dhe Shëlbues. Ne do të ringjallemi nga vdekja dhe shpirtrat tanë do të ribashkohen me trupat tanë. Bazuar në denjësinë vetjake ne, me anë të hirit të Tij, mund të kemi mundësinë e lavdishme që të hyjmë përsëri në praninë e Perëndisë6.

Profeti Jozef Smith, duke folur për ngjarjet e kësaj Pashke, tha: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”7.

Ndërkohë që ne ngazëllejmë në domethënien hyjnore të Gjetsemanit dhe Kalvarit, përqendrimi ynë ka qenë gjithmonë tek Zoti i ringjallur. Frederik Farrar, teologu dhe besimtari anglez, dëshmoi se brezi më i hershëm i besimtarëve në Kishën e Krishterë fillestare e kremtoi Shpëtimtarin si “Krishtin e Ngritur, të Përjetshëm, të Përlëvduar” dhe “medituan për Të jo si në Kryq, por si në Fron”8.

Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim se mesazhi ynë drejtuar botës është se Ai jeton! Simboli i Krishtit për shenjtorët e ditëve të mëvonshme do të gjendet në shprehjen kuptimplote të besimit tonë dhe në mënyrën se si e jetojmë ungjillin e Tij9.

Ndërsa mendojmë thellë se çfarë do të thotë të jemi të krishterë sot, mendoni se çfarë do të kërkojë prej nesh shtegu i të qenit dishepull. Ju sugjeroj që të meditojmë dhe të kemi shembull në mënyrat e duhura atë që bëri Shpëtimtari në ato dy ditët e fundit të jetës së Tij në vdekshmëri.

Së pari, merrni parasysh paraqitjen e sakramentit prej Shpëtimtarit. Shpëtimtari e dinte se çfarë qe gati që t’i ndodhte Atij. Misioni i Tij i shenjtë, shlyes, që fillonte me Luftën në Qiell në ekzistencën para tokësore, qe gati të shpalosej atë mbrëmje dhe ditën tjetër. Përsëri, megjithëse gjykimet nga kundërshtarët e Tij do t’i ndodhnin pas pak, nuk ka as provën më të vogël që Ai po përgatiste një mbrojtje kundër akuzave të gënjeshtërta. Shpëtimtari përkundrazi u paraqiti ordinancën e shenjtë të sakramentit dishepujve të Tij. Ndërsa meditoj mbi atë rast solemn, ndjenjat e mia preken thellë. Mbledhja e sakramentit është më e shenjta dhe më e shenjtëruara nga të gjitha mbledhjet në Kishë. Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari krijoi sakramentin mes nefitëve10. Nëse ne duhet të jemi dishepujt e Tij dhe të jemi anëtarë të angazhuar të Kishës së Tij, duhet ta kujtojmë dhe nderojmë sakramentin. Ai i lejon secilit prej nesh të shprehë me zemër të thyer e shpirt të penduar gatishmërinë tonë për të ndjekur Shpëtimtarin, për t’u penduar dhe për t’u bërë shenjtor përmes Shlyerjes së Krishtit11. Sakramenti na lejon t’i dëshmojmë Perëndisë se ne do ta kujtojmë Birin e Tij dhe do të mbajmë urdhërimet e Tij kur përtërijmë besëlidhjen tonë të pagëzimit.12 Kjo e rrit dashurinë dhe vlerësimin tonë për të dy, Atin dhe Birin.

Shpëtimtari gjithashtu theksoi dashurinë e unitetin dhe deklaroi se do të njihemi si dishepujt e Tij nëse kemi dashuri për njëri-tjetrin. Kur mbajmë parasysh Shlyerjen, që ka pasoja të përjetshme, të cilën Ai qe gati ta ndërmerrte, një urdhërim i tillë kërkon bindjen tonë. Ne e shfaqim dashurinë tonë për Perëndinë kur mbajmë urdhërimet e Tij dhe u shërbejmë fëmijëve të Tij. Ne nuk e kuptojmë plotësisht Shlyerjen, por mund ta kalojmë jetën tonë duke u përpjekur të jemi më të përzemërt e të sjellshëm, pavarësisht vështirësisë që hasim.

Porosia e Shpëtimtarit për dishepujt e Tij që ta duan njëri-tjetrin – dhe mënyra dramatike dhe e fuqishme si e dha mësim Ai këtë parim në Darkën e Fundit – është një nga ngjarjet më prekëse dhe më të bukura nga ditët e fundit të jetës së Tij në vdekshmëri.

Ai nuk po zhvillonte një mësim të thjeshtë mbi sjelljen etike. Ky qe Biri i Perëndisë që po u lutej Apostujve të Tij dhe gjithë dishepujve që do të vinin pas tyre, që ta kujtonin dhe ndiqnin këtë më qendrorin nga mësimet e Tij. Në ç’mënyrë lidhemi dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin është një masë e gatishmërisë sonë për të ndjekur Jezu Krishtin.

Kur dëgjojmë mesazhet e kësaj konference, ne do të prekemi në zemrat tona dhe do të marrim vendime e zotime që të bëjmë më mirë. Por të hënën në mëngjes ne do të kthehemi në punë, në shkollë, në mëhallë dhe tek një botë që në shumë raste është në trazirë. Shumë në këtë botë janë të frikësuar dhe të inatosur me njëri-tjetrin. Ndërsa i kuptojmë këto ndjenja, ne duhet të jemi të sjellshëm në bisedat tona dhe plot respekt në ndërveprimet tona. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur nuk pajtohemi. Shpëtimtari na mësoi të duam madje dhe armiqtë tanë13. Shumica e gjerë e anëtarëve tanë ia vë veshin kësaj këshille. Ende ka disa që ndiejnë se shprehja e inatit të tyre vetjak ose opinionet e mbajtura fort janë më të rëndësishme se sjellja ashtu si Jezu Krishti jetoi dhe dha mësim. Unë e ftoj secilin prej nesh individualisht ta pranojë se mënyra si nuk pajtohemi është një masë e vërtetë e asaj se cilët jemi dhe nëse vërtet e ndjekim Shpëtimtarin. Është me vend të mos pajtohesh, por nuk është me vend të jesh i vrazhdë. Dhuna dhe shkatërrimi nuk janë përgjigje për mospajtimet tona. Nëse shfaqim dashuri dhe respekt, edhe në rrethana të vështira, ne bëhemi më tepër si Krishti.

Premtimi nga Shpëtimtari i Frymës së Shenjtë për Apostujt ka rëndësi supreme në pranimin e rolit të lartë të Frymës së Shenjtë, pjesëtarit të tretë të Kreut-Perëndi. Fryma e Shenjtë është një personazh shpirtëror, Ngushëlluesi, që jep dëshmi për Atin dhe Birin, zbulon të vërtetën e të gjitha gjërave dhe shenjtëron ata që janë penduar e pagëzuar. Ai përmendet si Shpirti i Shenjtë i Premtimit dhe si i tillë konfirmon si të pranueshme për Perëndinë veprimet e drejta, ordinancat dhe besëlidhjet e secilit prej nesh14. Ata që janë të vulosur me anë të Shpirtit të Shenjtë të Premtimit marrin gjithçka që ka Ati15.

Ne jetojmë në një botë të zhurmshme, grindavece, ku është e mundur të jesh duke parë ose dëgjuar informacion, muzikë, ose madje thjesht gjepura, praktikisht çdo orë që je zgjuar. Nëse duam të kemi frymëzimin e Frymës së Shenjtë, duhet të gjejmë kohë të ulim ritmin, të meditojmë, të lutemi dhe të jetojmë në mënyrë të tillë që të jemi të denjë për të marrë dhe vepruar sipas nxitjeve të Tij. Do të shmangim gabime të mëdha nëse ua vëmë veshin paralajmërimeve të Tij. Është privilegji ynë si anëtarë që të marrim dritë dhe njohuri prej Tij, madje deri në ditën e plotë16.

Sprovat shlyese të Shpëtimtarit të përjetuara në Gjetseman dhe në kryq, janë shembull i madh për ne. Ai përjetoi vuajtje mendore, fizike dhe shpirtërore që janë përtej aftësisë sonë për të kuptuar. Në kopsht Ai iu lut Atit të Tij, duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.”17 Si dishepuj të Tij, do të ketë kohë kur ne do të gjykohemi e përndiqemi padrejtësisht dhe do të na tallin padrejtësisht, dhe do të provojmë stuhi materiale e shpirtërore të një madhësie që do të na duken të papërballueshme për ne, dhe do të përjetojmë kupa të hidhura saqë do të lutemi të largohen prej nesh. Askush nuk përjashtohet nga stuhitë e jetës.

Ne po përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Shkrimet e shenjta janë të qarta se askush nuk e di se kur do të ndodhë kjo. Shkrimet e shenjta na thonë se në ditët e fundit, mes kupave të hidhura që do të përjetojmë, do të ketë “tërmete në vende të ndryshme”18 dhe “[valë] të detit të fryra përtej kufijve të tyre”19.

Tërmete dhe cunami rrënues kanë ndodhur kohët e fundit në vende të ndryshme, përfshirë Kilin, Haitin dhe ishujt e Paqësorit. Disa javë më parë, Peshkopi Kryesues H. Dejvid Barton, Plaku Ted R. Kallister dhe unë patëm mundësinë të takoheshim me shenjtorë që kishin humbur pjesëtarë të familjes si rezultat i cunamit që goditi bregun lindor të Samoas shtatorin e kaluar. Godina kishëtare qe plot dhe qe një takim emocionues. Ne qemë në gjendje të siguronim ata anëtarë të denjë që, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ata mund të ribashkohen me të dashurit që kanë humbur.

Presidenti i kunjit, Soni Parsëll, qe duke i dhënë makinës së tij kur pa dallgën gjigande që po vinte nga larg në det. Ai i ra borisë, ndaloi fëmijët në rrugë që po shkonin në shkollë dhe i paralajmëroi ata që të vraponin për në vende më të larta e në siguri sa më shpejt që të mundeshin. Fëmijët ndoqën udhëzimet e tij. Ai i dha makinës furishëm, arriti vajzën e tij katërvjeçare, e futi në makinë dhe pastaj u përpoq të shkonte tek nëna e tij. Përpara se të mund ta mbërrinte nënën, muri i ujit e rrëmbeu makinën, e zvarriti mbi 90 metra dhe e ngeci tek një pemë. Ai lëvizi shpejt që ta siguronte të bijën sipër makinës dhe pastaj notoi që të shpëtonte nënën, që ishte kapur tek dega e një peme tjetër pranë shtëpisë së tyre. Me përpjekje të madhe ai notoi me të tek makina dhe siguria. Shumë nuk qenë kaq me fat. Ata nuk patën mundësinë të shkonin tek një vend më i lartë dhe tek siguria. Shumë humbën jetën e tyre, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit.

Ne u thamë familjeve samoase se anëtarët në mbarë botën shprehën dashuri e interesim, u lutën për ta dhe kontribuan me oferta agjërimi e ndihmë humanitare, si për anëtarët edhe për fqinjët e tyre. E njëjta gjë është e vërtetë për anëtarët dhe fqinjët e tyre në Kili dhe Haiti. Ne e bëjmë këtë sepse ndjekim Jezu Krishtin.

Kur u takuam me familjet në Samoa, domethënia e shkuarjes shpirtërisht në vendin më të lartë, jetesës së një jete më të mirë dhe kapjes tek ordinancat shpëtuese qe tepër e qartë. Shembulli dhe jeta e Shpëtimtarit na mësojnë të shmangim shpirtërisht udhën e ulët, ku mbizotërojnë gjërat e kësaj bote. Kur po tokja duart me anëtarët pas mbledhjes sonë, një motër më tha se familja e saj nuk kishte qenë në tempull dhe ata kishin humbur një bijë. E përlotur ajo tha se synimi i tyre tani ishte që të përgatiteshin për ordinancat e shenjta të tempullit, që të mund të jenë së bashku përjetësisht.

Kur meditova mbi atë që tha kjo motër dhe gjendjen e tanishme të botës, kam ndier një ngut të këshilloj secilin prej nesh që të kërkojë vendin më të lartë – strehimin dhe mbrojtjen e përjetshme të tempullit.

Të dielën e Pashkës, më 3 prill 1836, një javë pas përkushtimit të Tempullit të Kirtlandit, Të Dymbëdhjetët kryen detyrën në shpërndarjen e sakramentit të Darkës së Zotit anëtarëve. Pas mbledhjes, në vijim të lutjes solemne dhe të heshtur, Shpëtimtari iu shfaq në madhështi Profetit Jozef dhe Oliver Kaudrit dhe me anë të Moisiut, Eliasit dhe Elijas shpalli rivendosjen e çelësave të tjerë të priftërisë, përfshirë fuqinë e shenjtë vulosëse që bashkon familjet gjatë gjithë përjetësisë20.

Sot në këtë mëngjes Pashke ne gëzojmë në gjithçka që Shpëtimtari ka bërë për ne. Ai e ka bërë të mundur për secilin prej nesh që të fitojmë shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Por ne, ashtu si fëmijët samoas, duhet të vrapojmë sa më shpejt të mundemi për tek vendi i lartë që Ai ka dhënë për siguri dhe paqe.

Një nga mënyrat si e bëjmë këtë është duke u mbajtur tek mësimet e profetit tonë të gjallë, Presidentit Tomas S. Monson. Ai është një shembull i shkëlqyer i atij që ndjek Shpëtimtarin.

Në këtë mëngjes të lavdishëm Pashke unë mbushem me fjalët e ruajtura si thesar të dala nga pena e Eliza R. Snout, një shërbëtore besnike në Rivendosje:

Sa i madh, i lavdishëm dhe i plot’,

Plani i shëlbimit t’tij,

ku drejtësia e mëshira

jan’ në harmoni!21

Unë jap dëshminë time apostolike se Jezu Krishti jeton dhe është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës. Ai ka siguruar shtegun drejt lumturisë së vërtetë. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të (1916), f. 594.

  2. Lluka 22:19.

  3. Shih Gjoni 13:34–35.

  4. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 603; shih edhe Gjoni 14:16–17.

  5. James E. Talmage, Jesus the Christ, f. 613.

  6. Shih 2 Nefi 9:6–24.

  7. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 49; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 20:22–25.

  8. Frederic W. Farrar, The Life of Lives—Further Studies in the Life of Christ (1900), f. 209.

  9. Shih Gordon B. Hinckley, “This Glorious Easter Morn”, Ensign, maj 1996, f. 65–67; “The Symbol of Our Faith”, Liahona, prill 2005, f. 2–6.

  10. Shih 3 Nefi 18:1–11.

  11. Shih Mosia 3:19.

  12. Shih Mosia 18:8–10; Doktrina e Besëlidhje 20:37, 77–79.

  13. Shih Mateu 5:44.

  14. Shih Doktrina e Besëlidhje 132:7.

  15. Shih Romakëve 8:16–17; Efesianëve 1:13–14; Doktrina e Besëlidhje 76:51–60.

  16. Shih Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  17. Mateu 26:39.

  18. Mateu 24:7; Joseph Smith—Matthew 1:29.

  19. Doktrina e Besëlidhje 88:90.

  20. Shih Doktrina e Besëlidhje 110.

  21. “Oh, sa Urti dhe Dashuri”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 19.