2010
Nënat që i Mësojnë Fëmijët në Shtëpi
Maj 2010


Nënat që i Mësojnë Fëmijët në Shtëpi

Unë besoj se është sipas projektit hyjnor që roli i mëmësisë thekson edukimin dhe mësimin e brezit pasues.

Pamja
Elder L. Tom Perry

Kohët e fundit pata mundësinë të udhëtoja me Plakun Donald L. Hallstrom për të vizituar pesë qytete në zonën e madhe qendrore të Shteteve të Bashkuara. Në çdo qytet që vizituam do të zhvillonim një mbledhje me misionarët kohëplotë, të pasuar nga një takim me udhëheqësit e kunjeve dhe lagjeve në lidhje me punën misionare. Në mes të secilit prej dy takimeve, Shoqata e Ndihmës e kunjit do ta na përgatiste një drekë të lehtë për të na dhënë kohë që të takoheshim me presidentët e kunjeve. Kur arritëm në Miluoki të Viskonsinit, dy familje të reja i kërkuan Shoqatës së Ndihmës që t’u lejonte atyre të përgatisnin dhe shërbenin drekën. Dy bashkëshortët punuan në kuzhinë. Dy nënat mbikëqyrën përgatitjen e tryezës dhe shërbimin e ushqimit. Tri fëmijë të vegjël u morën me shtrimin e tryezës dhe shërbimin e ushqimit nën mbikëqyrjen e nënave të tyre. Kjo qe një mundësi për nënat që të kishin një mundësi mësimdhënieje me fëmijët e tyre. Ishte shumë e veçantë të vështroje fëmijët t’i përgjigjeshin çdo detaji ndërsa merrnin mësim nga nënat e tyre. Ata i kryen detyrat e tyre plotësisht dhe tërësisht.

Kjo përvojë më bëri të reflektoj mbi trajnimin që pata marrë nga nëna ime. Ashtu si profeti Nefi dhe ashtu si kaq shumë prej jush, unë u linda nga prindër të mirë (shih 1 Nefi 1:1).

Një nga mbesat e mia, kohët e fundit, më tregoi katër fletore që nëna ime i kishte mbushur me shënime, ndërsa përgatitej t’i jepte mësim klasës së saj në Shoqatën e Ndihmës. E përfytyroj që këto fletore – dhe ka të tjera që nuk i kam shqyrtuar ende – përfaqësojnë qindra orë përgatitjesh nga nëna ime.

Nëna qe një mësuese e shkëlqyer, që qe e zellshme dhe e plotë në përgatitjen e saj. Kam kujtime të qarta të ditëve që u paraprinë mësimeve të saj. Tryeza e dhomës së ngrënies do të mbulohej me materiale referimi dhe shënimet që ajo po përgatiste për mësimin e saj. Kishte kaq shumë material të përgatitur saqë jam i sigurt që vetëm një pjesë e vogël e tij përdorej gjatë mësimit, por jam po aq i sigurt se asnjë nga përgatitjet e saj nuk shkoi kot ndonjëherë. Si mund të jem i sigurt për këtë? Ndërsa shfletova faqet e fletoreve të saj, qe sikur po e dëgjoja nënën time të më jepte mësim edhe një herë. Përsëri, kishte tepër në fletoret e saj për secilën temë të veçantë që të ndahej ndonjëherë në një orë të vetme mësimi, por atë që nuk e përdori në klasën e saj, ajo e përdori për t’u dhënë mësim fëmijëve të saj.

Unë besoj se madje është e sigurt të them që, ndërsa nëna ime qe një mësuese jashtëzakonisht efikase mes motrave të Shoqatës së Ndihmës, mësimdhënia e saj më e mirë ndodhi me fëmijët e saj në shtëpi. Sigurisht, kjo i detyrohej kryesisht sasisë më të madhe të kohës që ajo kishte për t’u mësuar fëmijëve të saj në krahasim me mësimdhënien për motrat e Shoqatës së Ndihmës, por mua gjithashtu më pëlqen të mendoj se ajo u përgatit kaq tërësisht, së pari, që të ishte për fëmijët e saj një shembull i shërbimit të zellshëm në Kishë dhe, së dyti, sepse ajo e kuptoi se ajo që mësoi nga përgatitja e mësimeve të saj, mund të përdorej vazhdimisht për një qëllim më të lartë – për t’u dhënë mësim bijve dhe bijave të saj.

Ju lutem më lejoni të kujtoj për disa çaste dhe të ndaj disa nga mësimet që mora nga nëna ime mbi mësimdhënien e ungjillit në shtëpi. Nëna ime e kuptoi vlerën që t’u mësonte fëmijëve të saj për standardet, vlerat dhe doktrinën ndërsa qenë të vegjël. Edhe pse qe mirënjohëse ndaj të tjerëve që u mësonin fëmijëve të saj jashtë shtëpisë, qoftë në shkollë apo kishë, ajo e dinte se prindërve u është besuar edukimi i fëmijëve të tyre dhe, së fundi, prindërit duhet të sigurojnë që fëmijëve të tyre po u mësohet ajo që Ati i tyre Qiellor do që ata të mësojnë. Motrat e vëllezërit e mi dhe unë pyeteshim me shumë kujdes nga nëna jonë pasi kishim marrë mësim larg shtëpisë, që të sigurohej se mësime të sakta po binin në veshët tanë dhe po formonin mendjet tona.

Disa ditë, kur vrapoja për në shtëpi nga shkolla, kisha zakon të mendoja se e kisha mbaruar mësimin për atë ditë, por ky iluzion më prishej shpejt kur shihja nënën që rrinte tek dera duke më pritur. Kur qemë të vegjël, secili prej nesh kishte një tavolinë pune në kuzhinë ku mund të vazhdonim të merrnim mësime prej saj, ndërkohë që ajo kryente punët e shtëpisë dhe përgatiste darkën. Ajo qe një mësuese e natyrshme dhe shumë më kërkuese ndaj nesh sesa mësuesit tanë në shkollë dhe kishë.

Qëllimi i mësimdhënies së Nënës përfshinte si mësime laike edhe shpirtërore. Ajo siguronte që asnjë nga ne të mos mbetej pas me detyrat e shkollës, që shpesh ajo do t’i shtonte. Ajo gjithashtu do të praktikonte mësimet e saj të Shoqatës së Ndihmës me ne. Ne, sigurisht, merrnim variantet e pashkurtuara që gjendeshin në fletoret e saj, jo variantet e shkurtuara që duhet të përshtateshin për një orë të vetme mësimi.

Pjesë e mësimit tonë në shtëpi gjithashtu përfshinte mësimin përmendësh të shkrimeve të shenjta, përfshirë Nenet e Besimit, si dhe të fjalëve të profetëve, shikuesve e zbuluesve. Nëna ime qe nga ata që besojnë se një mendje do të dobësohej nëse nuk ushtrohej vazhdimisht. Ajo do të na jepte mësim ndërkohë që ne lanim pjatat, rrihnim gjalpin dhe ndihmonim në shumë mënyra të tjera. Ajo nuk besonte në lejimin e mendimeve të kota që të hynin në mendjen e fëmijëve të saj, edhe kur ata qenë të zënë me punë fizike.

Nuk po e përdor nënën time si një model roli për prindërit në botën e sotme. Kohët janë shumë të ndryshme sot, por ndërkohë që kohët mund të ndryshojnë, mësimi i një prindi asnjëherë nuk duhet të zhvlerësohet. Shumë aktivitete lidhin vlerat e një brezi tek tjetri, por ndoshta më kryesori i këtyre aktiviteteve është mësimdhënia e prindërve për fëmijët në shtëpi. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur marrim parasysh mësimdhënien e vlerave, standardeve morale e etike dhe të besimit.

Mësimdhënia në shtëpi po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në botën e sotme, ku ndikimi i kundërshtarit është kaq i përhapur dhe ai po sulmon, duke u përpjekur të gërryejë dhe shkatërrojë vetë themelin e shoqërisë sonë, madje familjen. Prindërit duhet ta ndajnë mendjen vendosmërisht që mësimdhënia në shtëpi është përgjegjësia më e shenjtë dhe më e rëndësishme. Ndërsa institucione të tjera, të tilla si kisha dhe shkolla, mund t’i ndihmojnë prindërit që t’i “[mësojnë] fëmijës rrugën që duhet të ndjekë” (Fjalët e Urta 22:6), së fundi, kjo përgjegjësi u bie prindërve. Sipas planit të madh të lumturisë, janë prindërit ata të cilëve u është besuar kujdesi dhe zhvillimi i fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Familjet tona janë një pjesë përbërëse e veprës dhe lavdisë së Tij – “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Në planin e përjetshëm të Perëndisë, zakonisht është menduar që prindërit të luajnë rolin kryesor në jetën e fëmijëve të tyre. Fatmirësisht, ka njerëz të tjerë të përfshirë në jetën e tyre që mund të ndihmojnë kur prindërit nuk munden. Megjithatë, janë prindërit që janë urdhëruar nga Zoti që t’i rrisin fëmijët e tyre në dritë e të vërtetë (shih DeB 93:40).

Prindërit duhet të sjellin dritë e të vërtetë në shtëpitë e tyre me anë të një lutjeje familjare, një sesioni të studimit të shkrimit të shenjtë, një mbrëmjeje familjare, një libri të lexuar me zë, një kënge dhe një vakti familjar, njëherësh. Ata e dinë se ndikimi i prindërimit të drejtë, të vetëdijshëm, ngulmues, të përditshëm është mes forcave më të fuqishme e mbështetëse për mirë në botë. Shëndeti i çfarëdo shoqërie, lumturia e njerëzve të saj, mirëqenia e tyre dhe paqja e tyre të gjitha gjejnë rrënjë të përbashkëta në mësimin e fëmijëve në shtëpi.

Plaku Jozef Filding Smith dha mësim: “Është detyra e prindërve t’u mësojnë fëmijëve të tyre këto parime shpëtuese të ungjillit të Jezu Krishtit, kështu që ata do ta dinë përse duhet të pagëzohen dhe që të mund të kenë dëshirë në zemrat e tyre që të vazhdojnë të mbajnë urdhërimet e Perëndisë pasi të pagëzohen, që ata të mund të kthehen në praninë e tij. Vëllezërit e motrat e mia, a i doni familjet tuaja, fëmijët tuaj; a doni të vuloseni tek etërit tuaj dhe nënat tuaja para jush … ? Nëse është kështu, atëherë duhet të filloni t’i mësoni që në djep. Duhet t’u mësoni me anë të shembullit si dhe të këshillës” (në Conference Report, tetor 1948, f. 153).

Shembulli i nënës time si mësuese në shtëpi fton një tjetër mendim, më në përgjithësi mbi mësimdhënien. Udhëheqësit e Kishës shpenzojnë goxha kohë duke menduar si ta përmirësojnë mësimdhënien në Kishë. Përse investojmë këtë kohë dhe përpjekje? Kjo është sepse besojmë tek fuqia e pamasë e mësimdhënies për të rritur besimin e individëve dhe për të forcuar familjet. Është besimi im se një nga gjërat më efikase që mund të bëjmë për të përmirësuar mësimdhënien në Kishë është që të përmirësojmë mësimdhënien në shtëpitë tona. Mësimdhënia jonë në shtëpi na përgatit të japim mësim më efektivisht në kishë dhe mësimdhënia jonë në kishë na ndihmon të japim mësim më efektivisht në shtëpi. Në mbarë Kishën ka tryeza të dhomës së ngrënies të mbuluara me materiale referimi dhe fletore të mbushura me ide për mësimet që do të zhvillohen. Nuk ka ndonjë gjë të tillë si përgatitja me tepëri për të dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit, sepse materialet për kuptimin e ungjillit, nëse përdoren ose jo gjatë kohës së mësimit, mund të jepen mësim gjithmonë në shtëpi.

Dokumenti i frymëzuar “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” deklaron:

“Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. ‘Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti’ (Psalmi 127:3). Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore, si dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë… .

… Sipas planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (Liahona, tetor 2004, f. 49).

Sipas “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, parimet që ju kam mësuar mbi mësimdhënien në shtëpi zbatohen për të dy prindërit, por ato janë veçanërisht vendimtare për rolin e një nëne. Etërit më shpesh e kalojnë shumicën e ditës së tyre larg shtëpisë në punësimin e tyre. Kjo është një prej shumë arsyeve pse kaq shumë nga përgjegjësia për t’i dhënë mësim fëmijës në shtëpi bie mbi nënat. Ndërsa rrethanat ndryshojnë dhe idealja nuk është gjithmonë e mundur, unë besoj se është sipas projektit hyjnor që roli i mëmësisë thekson edukimin dhe mësimin e brezit pasues. Ne shohim kaq shumë sfida sot nga ndikime hutuese dhe shkatërruese që kanë qëllim të çorientojnë fëmijët e Perëndisë. Ne po shohim kaq shumë të rinj që u mungojnë rrënjët e thella shpirtërore, të nevojshme për të mbetur të palëkundur në besim ndërkohë që stuhitë e mosbesimit dhe dëshpërimit shtillen rreth tyre. Tepër shumë prej fëmijëve të Atit tonë në Qiell po mposhten nga dëshira të botës. Sulmi i furishëm i ligësisë kundër fëmijëve tanë është njëherësh më i mprehtë dhe më i pacipë nga sa ka qenë ndonjëherë. Mësimdhënia e ungjillit të Jezu Krishtit në shtëpi shton një tjetër shtresë veçimi për të mbrojtur fëmijët tanë nga ndikimet e botës.

Perëndia ju bekoftë ju nëna dhe etër të mrekullueshëm në Sion. Ai ia ka besuar kujdesit tuaj fëmijët e Tij të përjetshëm. Si prindër ne bëhemi partnerë, madje bashkohemi, me Perëndinë që të bëjmë të ndodhë vepra dhe lavdia e Tij mes fëmijëve të Tij. Është detyra jonë e shenjtë të bëjmë më të mirën tonë. Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.