2010
Qendra e Konferencave Mbush Dekadën e Parë të Shërbimit
Maj 2010


Qendra e Konferencave Mbush Dekadën e Parë të Shërbimit

Konferenca e Prillit çeli dekadën e dytë të shërbimit të Qendrës së Konferencave. Në 10 vitet e para të saj, disa miliona njerëz përjetuan cilësitë unike të ndërtesës së veçantë gjatë më shumë se 100 sesioneve të konferencave të përgjithshme dhe 4.500 aktiviteteve, si dhe transmetimeve televizive përkatëse të tyre.

Qendra e Konferencave e zhvilloi sesionin e parë të saj të konferencës së përgjithshme më 1 prill 2000. Atje, Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tha: “[Qendra e Konferencave] do të jetë një shtesë e shkëlqyer për këtë qytet. Jo vetëm që konferencat tona të përgjithshme do të mbahen atje dhe disa mbledhje të tjera fetare, por ajo do të shërbejë edhe si qendër kulturore për shfaqjet më kulmore artistike. Shpresojmë që ata që nuk janë të besimit tonë do të vijnë këtu, do të përjetojnë atmosferën e këtij vendi të mrekullueshëm dhe do të ndihen mirënjohës për praninë e tij” (“To All the World in Testimony”, Liahona, korrik 2000, f. 4; Ensign, maj 2000, f. 4).

Gjashtë muaj më vonë, më 8 tetor, Presidenti Hinkli e përkushtoi ndërtesën.

Që atëherë, afërsisht shtatë milionë vizitorë kanë ardhur në Qendrën e Konferencave për të marrë pjesë në 4.577 aktivitete. Rreth 4,8 milionë turistë e kanë vizituar ndërtesën dhe qendra ka mirëpritur më tepër se 5.500 zyrtarë të lartë. Aktivitetet e mbajtura në sallë dhe Teatrin afërndenjës të Qendrës së Konferencave kanë përfshirë konferenca të përgjithshme, 10 mbledhje të përgjithshme të Të Rejave, 10 mbledhje të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tri aktivitete përkujtimore (përfshirë funeralin e Presidentit Hinkli) dhe 125 shfaqje muzikore, pa përfshirë Muzika dhe Një Mesazh të Korit të Tabernakullit, që është mbajtur 186 herë në Qendrën e Konferencave.

Ato shifra fillojnë të sugjerojnë përmbushje të fjalëve të Presidentit Hinkli.

Brent Roberts, drejtor i pajisjeve të zyrave qendrore, ka takuar shumë njerëz në ndërtesë, që kanë shfaqur mirënjohjen e tyre për atë çfarë kanë ndier atje. “Ata kanë hyrë me lot në sy dhe Shpirtin në zemra”, tha ai. “Gjithsesi nuk është thjesht ndërtesa – është Zoti, puna e Tij dhe Shpirti i Tij.”

Qendra u njoftua në mëngjesin e Pashkës nga Presidenti Hinkli, gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 1996.

Një vështrim i përgjithshëm i sfidave ndërtimore, që u kapërcyen gjatë ndërtimit të Qendrës së Konferencave, ndihmon për të provuar pozitën unike të ndërtesës. Salla 21.000 vendëshe u desh të ndërtohej mbi një shpat të tatëpjetë mes Mejn Stritit dhe West Tempëll Stritit të Solt-Lejk-Sitit. Tri kompani të mëdha ndërtimi u bashkuan në këtë punë. Nuk duhet të kishte kolona mbajtëse në sallë, për të siguruar që gjithkush të kishte pamje të papenguar, kështu që ndërtuesve iu desh të përdornin shufra çeliku 290 këmbë (88 m) të gjata, të cilat do të ishin të afta të mbanin ngarkesa mes 250 deri 525 paund për inç katror (17–37 kg për cm katror). Ky projekt gjithashtu do të përfshinte planet për kopshte në mbulesën e ndërtesës. Gjatë çdo dite të procesit të ndërtimit, rreth 1.000 punëtorë qenë në këtë vend.

Gjatë ndërtimit, ndërtesa i shpëtoi tornados jashtëzakonisht të fortë të 1999-ës në Solt-Lejk-Siti dhe, ndonëse një krah i vinçit gjigand u thye, puna vazhdoi.

Struktura u përfundua në kohë dhe vizitorët e qendrës shijojnë pajisjet dhe kushtet moderne. Për televizionin, Qendra e Konferencave siguron një sinjal dixhital, me qartësi të lartë. Transmetimi i parë i drejtpërdrejtë me qartësi të lartë në Juta u prodhua nga Qendra e Konferencave gjatë festimeve për 90-vjetorin e ditëlindjes së Presidentit Hinkli në qershor 2000.

Inxhinierët krijuan sistem zanor në sallë që të siguronte akustikë të shkëlqyer – qoftë kur vizitorët dëgjojnë një folës apo marrin pjesë në një aktivitet muzikor – duke bërë llogaritje të kujdesshme për të marrë parasysh materialet në mure dhe tavan, numrin e njerëzve që zënë vend brenda dhe veshjen e dyshemesë e ndenjëset.

Presidenti Hinkli tha se ndërtesa përçon gjithashtu një ndjesi elegance. Një elegancë e tillë mund të shihet kur vizitorët shëtisin në holle, ku mund të shihen një skulpturë e Shpëtimtarit dhe buste të Presidentëve të Kishës; ecin në kopshtet në mbulesën e ndërtesës, mes pemëve, luleve, shkurreve dhe ujëvarave; shohin përmes nëntë çative prej xhami në majë të ndërtesës, që mund të mbulohen për shfaqjet; dhe shijojnë pikturat në mbarë ndërtesën, shumë prej të cilave janë të njohura për anëtarët e Kishës dhe thuajse të gjitha janë origjinale.

Ndërtesa masive paraqet shumë të dhëna statistikore mbresëlënëse. Ajo zë 10 akra (4 ha), apo një bllok qyteti. Ka mjaft instalime elektrike brenda qendrës saqë kabllot t’i vijnë përqark tokës dy herë. Më shumë se 5.900 gallonë (22.330 litra) ujë riqarkullohen nëpër shatërvane dhe rrjedha uji çdo minutë.

Megjithatë, veçoria më e shkëlqyer e qendrës nuk janë as miljet e instalimeve elektrike, as sasia e peshës që mund të mbajë çatia, apo çfarëdo e dhëne tjetër thjesht statistikore.

“Nuk është një objekt muzeal, ndonëse arkitektura është madhështore”, tha Presidenti Hinkli. “Është një vend që duhet të përdoret për nder të të Plotfuqishmit dhe për përmbushjen e qëllimeve të Tij të përjetshme” (“This Great Millennial Year”, Liahona, janar 2001, f. 80; Ensign, nëntor 2000, f. 67).