2010
Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim
Maj 2010


Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim

Një sistem paralajmërimi [i] hershëm shpirtëror … mund t’i ndihmojë prindërit në Sion të jenë syçelë dhe dallues në lidhje me fëmijët e tyre.

Pamja
Elder David A. Bednar

Kohët e fundit po i jepja makinës ndërkohë që pikat e shiut nga një stuhi filluan të binin mbi xhamat. Në anë të rrugës, një tabelë elektronike paraqiti një paralajmërim në kohë: “Përpara ka Pellg Uji”. Sipërfaqja ku po i jepja makinës dukej mjaft e sigurt. Por ky informacion jetik më mundësoi të përgatitesha për një rrezik të mundshëm, që nuk e prisja dhe nuk mund ta shihja ende. Ndërsa vazhdova drejt destinacionit tim, ngadalësova shpejtësinë dhe vëzhgova me kujdes për shenja të tjera rreziku.

Sinjale të hershme paralajmëruese janë të dallueshme në shumë aspekte të jetës sonë. Për shembull, një ethe mund të jetë një shenjë e parë e sëmundjes apo e dobësisë. Tregues të ndryshëm financiarë dhe të tregut të punës përdoren për të parashikuar prirjet e ardhshme në ekonomitë lokale dhe kombëtare. Dhe, në varësi nga zona e botës ku jetojmë, ne mund të marrim paralajmërime për përmbytje, orteqe, uragane, cunami, tornado ose stuhi dimërore.

Ne gjithashtu bekohemi nga sinjale të hershme paralajmërimi shpirtëror si një burim mbrojtjeje dhe drejtimi në jetën tonë. Kujtoni se si Noeun e lajmëroi Perëndia për gjëra që ende nuk shiheshin dhe ai “ndërtoi [arkën] për shpëtimin e shtëpisë së tij” (Hebrenjve 11:7).

Lehi u paralajmërua të largohej nga Jeruzalemi dhe ta çonte familjen e tij në vendin e shkretë, sepse njerëzit, të cilëve ai u kishte shpallur pendesë, përpiqeshin ta vrisnin atë (shih 1 Nefi 2:1–2).

Vetë Shpëtimtari u shpëtua përmes një paralajmërimi engjëllor: “Ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ‘Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty derisa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë’” (Mateu 2:13).

Merrni parasysh gjuhën e Zotit në zbulesën e njohur si Fjala e Urtësisë: “Si pasojë e djallëzive dhe planeve që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë në zemrat e njerëzve komplotues në ditët e fundit, unë ju kam lajmëruar dhe paralajmëruar, duke jua dhënë këtë fjalë të urtësisë me anë të zbulesës” (DeB 89:4).

Paralajmërimet shpirtërore duhet të çojnë në një vëzhgim gjithnjë e më vigjëlues. Ju dhe unë jetojmë në “një ditë paralajmërimi” (DeB 63:58). Dhe meqenëse kemi qenë paralajmëruar dhe do të paralajmërohemi, ne duhet të “[rrimë] zgjuar … me çdo ngulmim” (Efesianëve 6:18).

Unë lutem për udhëheqjen e Frymës së Shenjtë ndërsa përshkruaj një sistem paralajmërimi të hershëm shpirtëror që mund t’i ndihmojë prindërit në Sion të jenë syçelë dhe dallues në lidhje me fëmijët e tyre. Ky sistem paralajmërimi i hershëm zbatohet për fëmijë të të gjitha moshave dhe përmban tre përbërës themelorë: 1) leximin dhe bisedimin mbi Librin e Mormonit me fëmijët tuaj, 2) dhënien e dëshmisë spontanisht, për të vërtetat e ungjillit, fëmijëve tuaj dhe 3) ftesën për fëmijët si nxënës të ungjillit që të veprojnë dhe jo thjesht të pësojnë. Prindërit që i bëjnë këto gjëra besnikërisht do të bekohen të njohin herët sinjalet e rritjes shpirtërore apo të sfidave për bijtë e tyre dhe të jenë të përgatitur më mirë për të marrë frymëzim që t’i forcojnë dhe ndihmojnë ata fëmijë.

Përbërësi Numër Një: Leximi dhe Bisedimi mbi Librin e Mormonit

Libri i Mormonit përmban plotësinë e ungjillit të Shpëtimtarit dhe është i vetmi libër për të cilin Vetë Zoti dëshmoi se është i vërtetë (shih DeB 17:6; shih edhe Russell M. Nelson, “A Testimony of the Book of Mormon”, Liahona, janar 2000, f. 84). Vërtet, Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë.

Fuqia bindëse dhe kthyese në besim e Librit të Mormonit vjen edhe nga përqendrimi i tij tek Zoti Jezu Krisht edhe nga mësimet e tij të frymëzuara që janë të thjeshta e të qarta. Nefi deklaroi: “Shpirti im kënaqet në thjeshtësi ndaj njerëzve të mi, që ata të mund të mësojnë” (2 Nefi 25:4). Fjala burimore thjesht në këtë varg nuk u referohet gjërave që janë të zakonshme apo pa ndërlikime; përkundrazi ajo do të thotë udhëzim që është i qartë dhe kuptohet lehtë.

Libri i Mormonit është më i sakti nga cilido libër mbi tokë sepse ai përqendrohet tek e Vërteta (shih Gjoni 14:6; 1 Nefi 13:40), madje Jezu Krishti, dhe rivendos gjërat e qarta dhe të çmueshme që janë hequr nga ungjilli i vërtetë (shih 1 Nefi 13:26, 28–29, 32, 34–35, 40). Ndërthurja unike e këtyre dy faktorëve – një përqendrim tek Shpëtimtari dhe thjeshtësia e mësimeve – fton fuqishëm dëshminë konfirmuese të anëtarit të tretë të Kreut-Perëndi, madje të Frymës së Shenjtë. Si rrjedhim, Libri i Mormonit i flet shpirtit dhe zemrës së lexuesit si asnjë vëllim tjetër shkrimi të shenjtë.

Profeti Jozef Smith dha mësim se bindja ndaj porosive që gjenden në Librin e Mormonit do të na ndihmojë “t’i afrohemi Perëndisë” më shumë sesa të cilitdo libri tjetër (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 64). Leximi dhe bisedimi i rregullt mbi Librin e Mormonit fton fuqinë për t’i bërë ballë tundimit dhe për të krijuar ndjenja dashurie brenda familjeve tona. Dhe diskutimet mbi doktrinat dhe parimet në Librin e Mormonit japin mundësi për prindërit që t’i vrojtojnë fëmijët e tyre, t’i dëgjojnë ata, të mësojnë prej tyre dhe t’u japin mësim atyre.

Të rinj të të gjitha moshave, madje dhe fëmijë të vegjël mund dhe i përgjigjen shpirtit të veçantë të Librit të Mormonit. Fëmijët mund të mos i kuptojnë të gjitha fjalët dhe ndodhitë, por ata sigurisht mund të ndiejnë shpirtin e njohur të përshkruar nga Isaia (shih Isaia 29:4; shih edhe 2 Nefi 26:16). Dhe pyetjet që bën një fëmijë, vërejtjet që tregon një fëmijë dhe diskutimet që ndodhin, japin sinjale paralajmërimi të hershëm shpirtëror e vendimtar. Rëndësishëm, bashkëbisedime të tilla mund t’i ndihmojnë prindërit të dallojnë atë që fëmijët e tyre po mësojnë, mendojnë e ndiejnë mbi të vërtetat që përmbahen në këtë vëllim të shenjtë shkrimesh, si edhe vështirësitë me të cilat ata mund të jenë duke u përballur.

Përbërësi Numër Dy: Dhënia e Dëshmisë Spontanisht

Dëshmia është dijeni vetjake, bazuar në dëshminë e Frymës së Shenjtë, që disa fakte me rëndësi të përjetshme janë të vërteta. Fryma e Shenjtë është lajmëtari për Atin dhe Birin dhe mësuesi e udhërrëfyesi tek e gjithë e vërteta (shih Gjoni 14:26; 16:13). Kështu, “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, [ne] mund të [dimë] të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Dija dhe bindja shpirtërore që marrim nga Fryma e Shenjtë janë rezultati i zbulesës. Kërkimi dhe marrja e këtyre bekimeve kërkojnë një zemër të sinqertë, qëllim të vërtetë dhe besim në Krisht (shih Moroni 10:4). Një dëshmi vetjake sjell gjithashtu përgjegjësi dhe përgjegjshmëri.

Prindërit duhet të jenë vigjilentë dhe të vëmendshëm shpirtërisht ndaj mundësive që ndodhin spontanisht për t’u dhënë dëshmi fëmijëve të tyre. Raste të tilla nuk ka nevojë të programohen, të planifikohen, ose shkruhen. Në fakt, sa më pak e programuar të jetë një ndarje e tillë dëshmie, aq më shumë ka gjasa për ngritje morale dhe ndikim të qëndrueshëm. “As mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të thoni; por mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu” (DeB 84:85).

Për shembull, një bashkëbisedim familjar që ndodh natyrshëm në drekë mund të jetë mjedisi i përsosur që një prind të rrëfejë dhe dëshmojë për një bekim të veçantë që ai apo ajo mori gjatë rrjedhës së aktiviteteve relativisht rutinë atë ditë. Dhe një dëshmi nuk ka nevojë të fillojë gjithmonë me frazën: “Ju jap dëshminë time”. Dëshmia jonë mund të deklarohet kaq thjesht sa “E di se u bekova me frymëzim në punë sot”, ose “E vërteta në këtë shkrim të shenjtë gjithmonë ka qenë një burim i fuqishëm drejtimi për mua”. Mundësi të ngjashme për të dhënë dëshmi mund të krijohen ndërsa udhëtojmë së bashku në një makinë apo autobus, ose në një mori mjedisesh të tjera.

Reagimi i fëmijëve ndaj një dhënie dëshmie të tillë të improvizuar dhe gatishmëria ose mosdashja për të marrë pjesë, janë burime të fuqishme sinjalesh paralajmërimi të hershëm shpirtëror. Shprehja e një fëmije mbi një mësim të marrë në studimin familjar të shkrimit të shenjtë apo një deklarim i çiltër shqetësimi mbi një parim apo praktikë të ungjillit mund të jenë sqarues së tepërmi dhe t’i ndihmojnë prindërit të kuptojnë më mirë një pyetje ose nevoja të veçanta të fëmijës. Diskutime të tilla – veçanërisht kur prindërit janë po aq të etur të dëgjojnë me vëmendje sa janë edhe të flasin – mund të ushqejnë një mjedis mbështetës e të sigurt në shtëpi dhe të nxisin komunikim të vazhdueshëm mbi tema të vështira.

Përbërësi Numër Tre: Ftesa Fëmijëve për të Vepruar

Në morinë e gjerë të të gjitha krijesave të Perëndisë, janë “gjërat që veprojnë dhe gjërat që pësojnë” (2 Nefi 2:14). Si fëmijë të Atit tonë Qiellor, ne jemi bekuar me dhuratën e lirisë morale të zgjedhjes, aftësinë dhe fuqinë e veprimit të pavarur. Të pajisur me lirinë e zgjedhjes, ne jemi vetëveprues dhe në origjinë ne jemi që të veprojmë dhe jo thjesht të pësojmë – veçanërisht kur “kërko[jmë] të mëso[jmë], … me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118).

Si nxënës të ungjillit, ne duhet të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” (Jakobi [Bibël] 1:22). Zemrat tona hapen ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë kur ne e ushtrojmë si duhet lirinë e zgjedhjes dhe veprojmë në përputhje me parime të sakta – dhe kështu ne ftojmë mësimdhënien dhe fuqinë e Tij dëshmuese. Prindërit kanë përgjegjësinë e shenjtë t’i ndihmojnë fëmijët që të veprojnë dhe të kërkojnë të mësojnë me anë të besimit. Dhe një fëmijë nuk është kurrë tepër i vogël që të marrë pjesë në këtë model mësimi.

Po t’i japësh një njeriu një peshk e ushqen atë për një vakt. T’i mësosh një njeriu të peshkojë e ushqen atë për të gjithë jetën. Si prindër dhe udhëzues për ungjillin, nga ju dhe unë nuk pritet të shpërndajmë peshk; përkundrazi, puna jonë është të ndihmojmë fëmijët tanë të mësojnë “të peshkojnë” dhe të bëhen të palëkundur shpirtërisht. Ky synim jetik përmbushet më së miri kur i nxisim fëmijët tanë të veprojnë në përputhje me parime të sakta – kur i ndihmojmë ata të mësojnë duke vepruar. “Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia” (Gjoni 7:17). Mësimi i tillë kërkon ushtrim shpirtëror, mendor dhe fizik dhe jo thjesht pranim pasiv.

Ftesa fëmijëve si nxënës të ungjillit, që të veprojnë dhe jo thjesht të pësojnë, ndërtohet mbi leximin dhe bisedimin për Librin e Mormonit dhe dhënien e dëshmisë spontanisht në shtëpi. Përfytyroni, për shembull, një mbrëmje familjare në të cilën fëmijët ftohen dhe pritet të vijnë të përgatitur të bëjnë pyetje mbi atë që po lexojnë e mësojnë në Librin e Mormonit – ose mbi një çështje që u theksua së fundmi në një diskutim mbi ungjillin apo dëshmi spontane në shtëpi. Dhe përfytyroni më tej që fëmijët bëjnë pyetje dhe prindërit nuk janë të përgatitur mjaftueshëm për t’u përgjigjur. Disa prindër mund të jenë të shqetësuar mbi një qasje të tillë të paformatuar për mbrëmjen familjare. Por mbrëmjet familjare në shtëpi më të mira nuk janë domosdoshmërisht prodhim i paketave të skicuara apo mjeteve pamore të parapërgatitura, të blera, apo të shkarkuara nga rrjeti. Çfarë mundësie e lavdishme për anëtarët e familjes që të kërkojnë në shkrimet e shenjta së bashku dhe të udhëzohen nga Fryma e Shenjtë. “Pasi predikuesi nuk ishte më i mirë nga dëgjuesi, as nuk ishte mësuesi më i mirë nga nxënësi; … dhe të gjithë punonin, çdo njeri sipas fuqisë së tij” (Alma 1:26).

Ju dhe unë, a po i ndihmojmë fëmijët tanë të bëhen veprues për veten që veprojnë dhe kërkojnë të mësojnë me anë të studimit dhe me anë të besimit, apo i kemi trajnuar fëmijët tanë të presin që t’u jepet mësim dhe të pësojnë? Ne si prindër, a po u japim kryesisht fëmijëve tanë të hanë të barasvlerëshmin shpirtëror të peshkut, apo po i ndihmojmë ata vazhdimisht të veprojnë, të mësojnë për vete dhe të qëndrojnë të paepur dhe të palëkundur? A po i ndihmojmë fëmijët tanë të përfshihen me zell në pyetjen, kërkimin dhe trokitjen? (Shih 3 Nefi 14:7.)

Kuptueshmëria shpirtërore që ju dhe unë jemi bekuar të marrim dhe që është konfirmuar si e vërtetë në zemrat tona, thjesht nuk mund t’u jepet fëmijëve tanë. Pagesa për shkollim, e zellit dhe e mësimit me anë të studimit e me anë të besimit, duhet të paguhet për të siguruar dhe “zotëruar” personalisht dije të tillë. Vetëm në këtë mënyrë mundet ajo që njihet në mendje gjithashtu të ndihet në zemër. Vetëm në këtë mënyrë një fëmijë mund të lëvizë përtej mbështetjes mbi dijeninë dhe përvojat shpirtërore të prindërve dhe të të rriturve dhe t’i pretendojë ato bekime për veten. Vetëm në këtë mënyrë fëmijët tanë mund të përgatiten shpirtërisht për sfidat e vdekshmërisë.

Premtimi dhe Dëshmia

Unë jap dëshmi se prindërit që vazhdimisht lexojnë dhe bisedojnë mbi Librin e Mormonit me fëmijët e tyre, që u japin dëshmi spontanisht fëmijëve të tyre dhe që i ftojnë fëmijët si nxënës të ungjillit që të veprojnë dhe jo thjesht të pësojnë, do të bekohen me sy që mund të shohin larg (shih Moisiu 6:27) dhe me veshë që mund ta dëgjojnë zërin e borisë (shih Ezekieli 33:2–16). Dallueshmëria dhe frymëzimi shpirtëror që do të merrni nga ndërthurja e këtyre tre zakoneve të shenjta do t’ju mundësojnë të qëndroni si roje në kullë për familjet tuaja “duke ndenjur zgjuar … me çdo ngulmim” (Efesianëve 6:18) – për bekimin e familjes tuaj të ngushtë dhe të pasardhësve tuaj të ardhshëm. Unë kështu premtoj dhe dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.