2010
Kthehu te Zoti
Maj 2010


Kthehu te Zoti

Kurrë mos lejoni një rrethanë tokësore t’ju gjymtojë shpirtërisht.

Pamja
Elder Donald L. Hallstrom

Shumë vite përpara, unë vërejta një thyerje zemre – që u kthye në tragjedi. Një çift i ri po i afrohej lindjes së fëmijës së tyre të parë. Jeta e tyre ishte mbushur me pritshmëri dhe emocione për këtë përjetim monumental. Gjatë lindjes, u krijuan ndërlikime dhe foshnja vdiq. Zemërthyerja u kthye në pikëllim, pikëllimi në zemërim, zemërimi u kthye në fajësim dhe fajësimi u kthye në hakmarrje kundër mjekut, të cilin ata e bënë plotësisht përgjegjës. Prindërit dhe anëtarë të tjerë të familjes u përfshinë seriozisht, në përpjekje së bashku për të shkatërruar emrin e mirë dhe karrierën e mjekut. Ndërsa javët dhe pastaj muajt e ashpërsisë shkatërronin familjen, hidhërimi i tyre u shtri tek Zoti. “Si mundi Ai të lejonte të ndodhë kjo gjë e tmerrshme?” Ata kundërshtonin përpjekjet e përsëritura të udhëheqësve dhe të anëtarëve të Kishës që t’i qetësonin shpirtërisht dhe emocionalisht dhe, me kohë, u shkëputën nga Kisha. Katër breza të familjes janë prekur deri tani. Atje ku dikur ishte besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe Kishës së Tij, nuk ka pasur aktivitet shpirtëror nga anëtarët e familjes për dekada.

Në rrethanat më të vështira të jetës, shpesh ka vetëm një burim paqeje. Princi i Paqes, Jezu Krishti, shtrin hirin e Tij me ftesën: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28). Ai më tej premton, “Unë po ju lë paqen, unë po jua jap, po jo si e jep bota.” (Gjoni 14:27).

Gjyshërit e mi nga babai kishin dy fëmijë, një djalë (babai im) dhe një vajzë. Pasi shërbeu një mision dhe në shërbim ushtarak në Havai, babai im u kthye në ishujt në 1946 për t’u formuar profesionalisht dhe për të krijuar familjen e tij. Prindërit e tij jetonin në Solt-Lejk-Siti, ashtu si edhe motra e tij. Ajo u martua në 1946 dhe katër vjet më vonë po priste një fëmijë. Ka diçka shumë të veçantë për prindërit të presin që vajza (në këtë rast një vajzë e vetme) të lindë për herë të parë. Askush nuk e dinte se ajo kishte binjakë. Mjerisht, ajo dhe binjakët të gjithë vdiqën gjatë lindjes.

Gjyshërve të mi iu dërrmua zemra. Pikëllimi i tyre, sidoqoftë, menjëherë i ktheu ata drejt Zotit dhe Shlyerjes së Tij. Pa qëndruar në atë se si mundi të ndodhte kjo dhe kush mund të fajësohej, ata u përqendruan në të jetuarit e një jete të drejtë. Gjyshërit e mi kurrë nuk patën pasuri; ata kurrë nuk qenë midis elitës shoqërore; ata kurrë nuk patën pozitë të lartë në Kishë – ata ishin thjesht shenjtorë të devotshëm të ditëve të mëvonshme.

Pasi dolën në pension profesional në 1956, ata shkuan në Havai që të ishin me pasardhësin e tyre të vetëm. Dekadat që pasuan i gjetën ata duke dashur familjen e tyre, duke i shërbyer Kishës dhe kryesisht ata thjesht i gëzoheshin të qenit së bashku. Atyre nuk u pëlqente kurrë të qëndronin veças dhe madje thoshin që kushdo që të vdiste përpara, të gjente një mënyrë për të ndihmuar të ribashkoheshin shpejt. Duke iu afruar ditëlindjeve të tyre të 90-ta dhe pas 65 viteve martesë, ata ndërruan jetë brenda pak orësh nga njëri-tjetri për shkaqe natyrore. Si peshkop i tyre, unë drejtova funeralin e tyre të dyfishtë.

Besnikëria e gjyshit Art dhe e gjyshes Lu, veçanërisht kur përballeshin me vështirësi, ka ndikuar tani katër breza që kanë pasuar. Drejtpërdrejt dhe thellësisht, ajo ndikoi birin e tyre (babanë tim) dhe nënën time kur vajza e vetë prindërve të mi, fëmija e tyre më e vogël, vdiq për shkak të ndërlikimeve që ndodhën gjatë lindjes. Në moshën 34 vjeçare, ajo vdiq dhjetë ditë pas lindjes së fëmijës, duke lënë 4 fëmijë, me moshë nga 0 ditë deri në 8-vjeçare. Me shembullin që kishin parë në brezin e mëparshëm, prindërit e mi – pa ngurim – u drejtuan nga Zoti për lehtësim.

Kudo në botë dhe midis anëtarësisë së Kishës, ka gëzim të madh dhe dhimbje të madhe. Të dyja janë pjesë e planit. Pa njërën, ne nuk mund ta dallojmë tjetrën. “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25) dhe “pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11) nuk janë kontradiktore; ato plotësojnë njëra-tjetrën. Kur përshkruan se si u ndje kur u drejtua nga Zoti, Alma i Riu tha: “Shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa kishte qenë dhembja ime” (Alma 36:20).

Disa mbyten nga probleme të mëdha, të tjerë i lënë gjërat e vogla të bëhen të mëdha. Sajmonds Rajder [Symonds Ryder] ishte një udhëheqës kempbelit që dëgjoi mbi Kishën dhe pati një takim me Jozef Smithin. I prekur nga ky përjetim, ai u bashkua me Kishën në qershor 1831. Menjëherë më pas, ai u shugurua plak dhe u thirr të shërbente një mision. Gjithsesi, në letrën e thirrjes së tij nga Presidenca e Parë dhe në mandatin e tij zyrtar për predikim, emri i tij u shkrua gabim – në një germë. Mbiemri i tij paraqitej si R-i-d-e-r, jo siç duhej R-y-d-e-r. Kjo bëri që ai ta vinte në dyshim thirrjen e tij dhe ata nga të cilët vinte. Ai zgjodhi të mos shkonte në mision dhe u shkëput, gjë që shpejt çoi në urrejtje dhe në kundërshtim të fortë kundër Jozefit dhe Kishës. Në mars 1832, kur Jozef Smithi dhe Sidni Rigdën ishin marrë forcërisht natën nga shtëpia nga një turmë e egërsuar që i leu me zift dhe u ngjiti pupla, një zë qe dëgjuar të thërriste “Sajmonds, Sajmonds [sic], ku është kova e ziftit?” (History of the Church, 1:262–263). Në më pak se 10 muaj, Sajmonds Rajder u shndërrua nga një i kthyer i etur në një udhëheqës turme, të cilit i nisi rënia shpirtërore nga një gabim drejtshkrimor i emrit të tij … me një germë. Nuk ka rëndësi madhësia e çështjes, mënyra se si reagojmë mund të përcaktojë drejtimin e jetës tonë.

Profeti Jozef Smith dha një model në trajtimin e tragjedisë dhe kundërshtimit personal. Atij iu zbulua ndërsa ndodhej në mjedisin çnjerëzor të burgut të Libertisë ky drejtim hyjnor (që, pjesërisht, ishte një përshkrim i jetës së Jozefit në atë vend dhe gjithashtu një paralajmërim): Nëse “të marrët do të të përqeshin, … nëse thirresh përmes vuajtjes, … nëse armiqtë e tu bien mbi ty … Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve … dhe gjithë elementët ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde” (DeB 122:1, 5–7). Pastaj deklarata e thellë: “Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?” (vargu 8). Kjo pasohet nga një drejtim i qartë dhe premtime të mëdha. “Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde dhe … mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë” (vargu 9).

Gjatë viteve më pas, Jozef Smithi vazhdoi të durojë me drejtësi një jetë plot vështirësi. Ai dha këtë këndvështrim plot besim të së ardhmes: “Dhe sa për rreziqet që jam thirrur të kaloj, ato më duken vetëm një diçka e vogël … në ujë të thellë jam mësuar të notoj … unë … i përlëvduar në mundim; sepse … Perëndia … më ka çliruar prej gjithë atyre dhe do të më çlirojë që tani e tutje” (DeB 127:2). Besimi i Jozefit në kapërcimin e kundërshtimit të vazhdueshëm bazohej në aftësinë e tij për t’u kthyer gjithmonë nga Zoti.

Nëse ndieni se ndaj jush është bërë padrejtësi – nga cilidoqoftë (një anëtar i familjes, një mik, një anëtar tjetër i Kishës, një udhëheqës i Kishës, një partner biznesi) apo nga çfarëdo qoftë (vdekja e një të dashuri, probleme shëndetësore, ndryshim gjendje financiare, abuzim, vartësim nga droga), trajtojeni çështjen direkt dhe me të gjithë forcën që keni. “Qëndro në udhën tënde” (DeB 122:9); dorëzimi nuk është alternativë. Dhe, pa vonesë, kthehu nga Zoti. Ushtroje gjithë besimin që ke tek Ai. Lëre Atë të marrë nga barra jote. Lëre hirin e Tij të lehtësojë ngarkesën tënde. Neve na është premtuar që nuk do të “[vuajmë] nga ndonjë pikëllim, por çdo gjë [do të përfshihet] vetëm në gëzimin për Krishtin” (Alma 31:38). Asnjëherë mos lejoni që ndonjë rrethanë tokësore t’ju çarmatosë shpirtërisht.

Akti i Tij më shembullor, Shlyerja, kërkoi që Jezusi të zbriste “nën gjithçka” (DeB 88:6) dhe të vuante “dhembjet e të gjithë njerëzve” (2 Nefi 9:21). Kështu ne kuptojmë se Shlyerja ka një qëllim më të gjerë se sigurimi i një mjeti për mposhtjen e mëkatit. Ky, më i madhi i të gjitha realizimeve tokësore i jep Shpëtimtarit fuqinë që të përmbushë këtë premtim: “Në qoftë se ju do të ktheheni te Zoti me qëllim të plotë të zemrës dhe ta vini besimin tuaj në të dhe t’i shërbeni atij me të gjithë zellin … , në qoftë se ju e bëni këtë, ai do t’ju nxjerrë nga robëria” (Mosia 7:33).

Duke përkujtuar këtë mëngjes pashke, le të kthehemi nga Zoti, “ylli [ynë] i ndritshëm i mëngjesit” (Zbulesa 22:16). Unë dëshmoj se Ai do të ndriçojë përgjithmonë udhën tonë, të vërtetën tonë dhe jetën tonë (shih Gjoni 14:6), në emrin e Jezu Krishtit, amen.