2010
Ai Ësht’ Ngritur!
Maj 2010


Ai Ësht’ Ngritur!

Varri i zbrazët atë mëngjes të parë të Pashkës ishte përgjigjja për pyetjen e Jobit: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?”

Pamja
President Thomas S. Monson

Kjo ishte një seancë e mrekullueshme. Në emër të të gjithë atyre që morën pjesë deri tani me biseda apo me muzikë, si President i Kishës, unë kam zgjedhur thjesht t’ju them në këtë moment vetëm dy fjalë, të njohura si dy fjalët më të rëndësishme në gjuhën angleze. Motrës Sheril Lant dhe këshilltareve të saj, korit, muzikantëve, folësve, ato fjalë janë: “Ju faleminderit”.

Shumë vite përpara, kur isha në Londër, në Angli, vizitova galerinë e famshme Tejt (Tate) të arteve. Vepra nga Geinsborou, Rembrandi, Kaunstabli dhe artistë të tjerë me famë, shfaqeshin në shumë salla. Unë admirova bukurinë e tyre dhe dallova aftësinë që ishte kërkuar për të krijuar ato kryevepra. Vendosur në një qoshe të qetë të katit të tretë, sidoqoftë, ishte një pikturë që jo vetëm më tërhoqi vëmendjen, por gjithashtu më emocionoi. Artisti, Frenk Bremli, kishte pikturuar një vilë modeste përballë një deti gjithë erë. Dy gra, nëna dhe bashkëshortja e një peshkatari që mungonte, kishin vëzhguar dhe pritur gjithë natën për kthimin e tij. Tani nata kishte kaluar dhe ato kuptuan se ai kishte humbur në det e nuk do të kthehej. E gjunjëzuar në krah të vjehrrës së saj, me kokën zhytur në prehërin e gruas së moshuar, bashkëshortja e re qante në dëshpërim. Qiriri i shuar në parvazin e dritares tregonte për vigjëlimin e kotë.

Unë ndjeva dhimbjen e zemrës së gruas së re; ndjeva hidhërimin e saj. Mbishkrimi i ndezur bezdisës, që artisti i kishte shtuar veprës, tregonte historinë tragjike. Atje shkruhej: “Një Agim i Pashpresë”.

Oh, sa nevojë kishte gruaja e re për ngushëllimin, madje realitetin, nga “Rekuiemi” i Robert Ljuis Stivensonit:

Në shtëpi është marinari, në shtëpi i kthyer nga deti,

Dhe gjahtari, në shtëpi nga kodra1.

Midis gjithë fakteve të vdekshmërisë, asnjë nuk është aq i sigurt sa fundi i tij. Vdekja vjen tek të gjithë; ajo është “trashëgimia jonë universale; ajo mund ta pretendojë viktimën[at] e saj në fëmijëri apo rini; [ajo mund të vizitojë] në periudhë kulmore të jetës, apo ftesa e saj mund të vonohet deri kur borërat e moshës të mblidhen mbi … kokë; ajo mund të ngjasë nga një aksident apo sëmundje, … apo … nga shkaqe natyrore; por vdekja duhet të vijë”2. Ajo pashmangshmërisht paraqet një humbje të dhimbshme të miqve dhe veçanërisht në rini, një goditje dërrmuese ëndrrash të parealizuara, synimesh të papërmbushura dhe shpresash të humbura.

Ç’nuk ka menduar fort një qenie e vdekshme, e ndeshur me humbjen e një të dashuri apo, në të vërtetë, duke qëndruar vetë në pragun e pafundësisë, rreth asaj se çfarë shtrihet përtej velit që ndan të dukshmen nga e padukshmja?

Shekuj përpara, burri Job – i bekuar aq gjatë me çdo dhuratë materiale, vetëm për ta gjetur veten të vrerosur rëndë nga gjithçka që mund t’i ndodhë një qenieje njerëzore – u ul me shoqëruesit e tij dhe shqiptoi pyetjen pa kohë e pa moshë: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?”3 Jobi tha atë që çdo burrë apo grua e gjallë e kishte menduar fort.

Këtë mëngjes të lavdishëm Pashke do të doja të shqyrtoja pyetjen e Jobit – “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” – dhe të jap një përgjigje që vjen jo vetëm nga një shqyrtim i menduar mirë, por gjithashtu nga fjala e zbuluar e Perëndisë. Po filloj me thelbësoret.

Nëse ka një projekt në këtë botë ku jetojmë, duhet të ketë një Projektues. Kush mund ta shohë morinë e mrekullive të universit pa besuar se ka një projekt për të gjithë njerëzimin? Kush mund të dyshojë se ka një Projektues?

Në librin e Zanafillës ne mësojmë se Projektuesi i Madh krijoi qiellin dhe tokën: “Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës”.

“U bëftë drita!” tha Projektuesi i Madh, “dhe drita u bë”. Ai krijoi një kupë qiellore. Ai ndau tokën nga ujërat dhe tha: “Të mbijë toka gjelbërimin, … drurët frutorë të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij”.

Dy drita krijoi Ai – diellin dhe hënën. Yjet u krijuan sipas projektit të Tij. Ai thirri për krijesa të gjalla në ujë dhe shpendë që të fluturonin mbi tokë. Dhe ashtu u bë. Ai bëri kafshë, bisha dhe rrëshqanorë të tokës. Projekti ishte thuajse në përfundim.

Në fund të të gjithave, Ai krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet – mashkullin e femrën – me zotërim mbi të gjitha gjërat e tjera të gjalla.4

Vetëm njeriu mori inteligjencë – një tru, një mendje dhe një shpirt. Vetëm njeriu, me këto veti, ishte i aftë për besim dhe shpresë, për frymëzim dhe pikësynim.

Kush mund të argumentojë në mënyrë bindëse se njeriu – vepra më fisnike e Projektuesit të madh, me zotërim mbi të gjitha gjërat e tjera të gjalla, me një tru dhe një vullnet, me një mendje dhe një shpirt, me inteligjencë dhe shenjtëri – duhet të vijë në një fund kur shpirti e braktis trupin e tij të vdekshëm?

Për të kuptuar domethënien e vdekjes, ne duhet të kuptojmë qëllimin e jetës. Besimi i thjeshtë duhet të çojë në dritën e diellit të mesditës që vjen nga zbulesa, me anë të së cilës ne dimë se kemi jetuar përpara lindjes në tokë. Në gjendjen tonë paratokësore, ne ishim sigurisht midis bijve dhe bijave të Perëndisë që thërrisnin nga gëzimi për shkak të mundësisë për të ardhur në këtë ekzistencë tokësore sfiduese por përsëri të nevojshme.5 Ne e dinim se qëllimi ynë ishte të merrnim një trup fizik, të kapërcenim provat dhe të provonim që mund t’i mbajmë urdhërimet e Perëndisë. Ati ynë e dinte se nga natyra e jetës tokësore, ne do të tundoheshim, do të mëkatonim dhe do të dështonim. Kështu, që ne të mund të kemi të gjitha shanset për sukses, Ai dha Shpëtimtarin, i cili do të vuante dhe do të vdiste për ne. Jo vetëm që Ai do të shlyente për mëkatet tona, por si pjesë e asaj Shlyerjeje Ai do të kapërcente gjithashtu vdekjen fizike, së cilës ne do t’i nënshtrohemi për shkak të Rënies së Adamit.

Kështu, më shumë se 2.000 vite përpara, Krishti, Shpëtimtari ynë, lindi në një jetë të vdekshme në një grazhd në Betlehem. Mesia, i profetizuar shumë kohë përpara, kishte ardhur.

Kishte shumë pak gjëra të shkruara mbi djalërinë e Jezusit. Mua më pëlqen pjesa nga Lluka: “Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”6. Dhe nga libri Veprat e Apostujve ka një fjali të shkurtër lidhur me Shpëtimtarin që përmban një botë të tërë: “[Ai] e përshkoi vendin duke bërë mirë”7.

Ai u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Ai thirri të Dymbëdhjetë Apostujt. Ai bekoi të sëmurët. Ai bëri që ulokët të ecnin, të verbërit të shihnin dhe të shurdhrit të dëgjonin. Ai madje i ktheu të vdekurit në jetë. Ai dha mësim, Ai dëshmoi, dhe Ai siguroi një shembull të përsosur për ne që ta ndjekim.

Dhe pastaj misioni tokësor i Shpëtimtarit të botës iu afrua përfundimit. Një darkë e fundit me Apostujt u shtrua në dhomën e sipërme. Pastaj vijnë Gjetsemani dhe kryqi i Kalvarit.

Asnjë qenie e vdekshme e thjeshtë nuk mund të kuptojë gjithë rëndësinë e asaj që Krishti bëri për ne në Gjetseman. Ai Vetë më vonë e përshkroi përjetimin: “Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt”8.

Pas agonisë së Gjetsemanit, tani i dërrmuar, Atë e zunë duar të ashpra, të vrazhda, dhe e çuan përpara Anasit, Kajafas, Pilatit dhe Herodit. Atë e akuzuan dhe e mallkuan. Goditje të egra e dobësuan më tej trupin e Tij të shkatërruar nga dhimbja. Gjaku rridhte nëpër fytyrën e Tij pasi një kurorë mizore me gjemba të mprehtë ishte ngjeshur në kokën e tij, duke shpuar ballin e Tij. Dhe pastaj, edhe një herë Atë e çuan te Pilati, që iu bind britmave të turmës së egërsuar: “Kryqëzoje!”9

Atë e fshikulluan me një kamzhik, ku ishin mbërthyer fije shumfishe lëkure dhe copa metali e kocka të mprehta ishin thurur në to. Duke u ngritur nga egërsia e fshikullimeve, me hapa që pengoheshin, Ai mbarti kryqin e Tij derisa nuk mund të ecte më dhe dikush tjetër e mori barrën për Atë.

Më në fund, në një kodër që quhej Kalvar, ndërsa ndjekësit e pashpresë vështronin, trupin e tij të plagosur e mbërthyen në kryq. Pa mëshirë Atë e tallën, e mallkuan dhe e përqeshën. Dhe përsëri Ai thirri. “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”10.

Orët në agoni kaluan ndërsa jeta e Tij po mbaronte. Nga buzët e tij të thara erdhën fjalët: ‘“O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!” Dhe, si tha këto, dha frymë”11.

Kur paqja dhe ngushëllimi i një vdekjeje të mëshirshme e çliroi Atë nga dhimbja e vdekshmërisë, Ai u kthye në praninë e Atit të Tij.

Në çastin e fundit Mjeshtri mund të ishte kthyer prapa. Por ai nuk e bëri. Ai kaloi poshtë të gjitha gjërave, që Ai të mund të shpëtonte të gjitha gjërat. Trupi i Tij pa jetë u vendos me ngut por butësisht në një varr të huajtur.

Asnjë fjalë në krishtërim nuk ka më shumë domethënie sesa ato që u thanë nga engjëlli për Maria Magdalenën dhe Marien tjetër që qanin kur, në ditën e parë të javës, ato iu afruan varrit për t’u kujdesur për trupin e Zotit të tyre. Tha engjëlli:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur”12.

Shpëtimtari ynë jetoi përsëri. Ngjarja më e lavdishme, më ngushëlluese dhe më siguruese e të gjithë historisë njerëzore kishte ndodhur – fitorja mbi vdekjen. Dhimbja dhe agonia e Gjetsemanit dhe e Kalvarit qenë zhdukur. Shpëtimi i njerëzimit qe siguruar. Rënia e Adamit qe korrigjuar.

Varri i zbrazët atë mëngjes të parë të Pashkës ishte përgjigjja për pyetjen e Jobit: “Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” Të gjithëve atyre që mund të më dëgjojnë unë u deklaroj: Nëse një njeri vdes, ai do të rrojë përsëri. Ne e dimë, sepse ne kemi dritën e së vërtetës së zbuluar.

“Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.

Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin”13.

Unë i kam lexuar – dhe unë i besoj – dëshmitë e atyre që përjetuan pikëllimin e kryqëzimit të Krishtit dhe gëzimin e ringjalljes së Tij. Unë i kam lexuar – dhe unë i besoj – dëshmitë e atyre në Botën e Re, të cilët u vizituan nga i njëjti Zot i ringjallur.

Unë e besoj dëshminë e atij, që në këtë periudhë ungjillore foli me Atin dhe Birin në një korije që tani quhet e shenjtë dhe që dha jetën e tij, duke e vulosur atë dëshmi me gjakun e tij. Ai deklaroi:

“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!

Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit”14.

Errësira e vdekjes gjithmonë mund të shpërndahet nga drita e së vërtetës së zbuluar. “Unë jam ringjallja dhe jeta”15, tha Mjeshtri. “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time.”16

Ndër vite unë kam dëgjuar dhe lexuar dëshmi që janë shumë për t’u treguar, nga individë që dëshmojnë të vërtetën e Ringjalljes dhe që kanë marrë në orët e tyre të vështirësisë më kulmore, paqen dhe ngushëllimin e premtuar nga Shpëtimtari.

Unë po përmend vetëm një pjesë të një tregimi të tillë. Dy javë përpara mora një letër prekëse nga një baba i shtatë fëmijëve, i cili shkruante mbi familjen e tij dhe, veçanërisht, për birin e tij Xhejsën, që ishte sëmurur kur ishte 11 vjeç. Në pak vitet e mëpasme, sëmundja e Xhejsënit u përsërit disa herë. Ky baba tregonte për qëndrimin pozitiv dhe natyrën e gëzuar të Xhejsënit, megjithë sfidat shëndetësore. Xhejsëni mori priftërinë Aarone në moshën 12-vjeçare dhe “gjithnjë i gatshëm lartësoi përgjegjësitë e tij përsosmërisht, pavarësisht nëse ndihej mirë apo jo”. Ai mori çmimin Skautist Shqiponjë kur ishte 14 vjeç.

Verën e fundit, jo shumë pas ditëlindjes së tij të 15-të, Xhejsëni u shtrua përsëri në spital. Në një nga vizitat për ta parë Xhejsënin, babai i tij e gjeti me sy mbyllur. Duke mos kuptuar nëse Xhejsëni po flinte apo ishte zgjuar, ai filloi t’i fliste butësisht: “Xhejsën”, tha ai “unë e di se ke kaluar shumë në jetën tënde të shkurtër dhe se gjendja jote tani është e vështirë. Edhe pse ke një betejë gjigande përpara, unë nuk dua kurrë që ti ta humbasësh besimin tek Jezu Krishti”. Ai thoshte se u befasua kur Xhejsëni menjëherë hapi sytë dhe tha: “Kurrë!” me një zë të qartë, të vendosur. Xhejsëni pastaj i mbylli sytë dhe nuk foli më.

Babai i tij shkruante: “Në këtë deklarim të thjeshtë, Xhejsëni shprehu një nga dëshmitë më të fuqishme, të pastër për Jezu Krishtin që nuk e kam dëgjuar kurrë… . Ndërsa deklarata e tij ‘Kurrë!’ u ngul në shpirtin tim atë ditë, zemra ime u mbush me gëzim që Ati im Qiellor më kishte bekuar të jem babai i një djali të tillë të mrekullueshëm dhe fisnik… . Ishte hera e fundit që e dëgjova atë të thotë dëshminë e tij për Krishtin”.

Megjithëse familja e tij priste që ky të ishte vetëm një shtrim tjetër i zakonshëm në spital, Xhejsëni vdiq në më pak se dy javë më vonë. Një vëlla dhe një motër më të rritur po shërbenin misione në atë kohë. Një vëlla tjetër, Kajli, sapo kishte marrë thirrjen për misionin e tij. Në fakt, thirrja kishte ardhur më parë nga sa pritej dhe më 5 gusht, vetëm një javë përpara vdekjes së Xhejsënit, familja u mblodh në dhomën e tij në spital, kështu që thirrja për mision e Kajlit të hapej atje dhe të mësohej nga e gjithë familja.

Në letrën që më dërgonte, ky baba kishte futur një fotografi të Xhejsënit në shtratin e tij në spital me vëllanë e tij më të madh Kajlin pranë shtratit, duke mbajtur thirrjen e tij për mision. Poshtë fotografisë ishte shkruar ky shpjegim: “Të thirrur për të shërbyer misionet e tyre së bashku – në të dy anët e velit”.

Vëllai dhe motra e Xhejsënit, tashmë duke shërbyer misionet, dërguan në shtëpi letra të shkëlqyera ngushëlluese që të lexoheshin në funeralin e Xhejsënit. Motra e tij, që shërbente në Misionin e Buenos-Ajresit Perëndimor, në Argjentinë, si pjesë të letrës së saj, shkruante: “Unë e di se Jezu Krishti jeton dhe ngaqë Ai jeton, të gjithë ne, përfshi Xhejsënin tonë të dashur, do të jetojmë përsëri gjithashtu… . Ne ngushëllohemi duke pasur dijeninë e sigurt që ne jemi vulosur së bashku si një familje e përjetshme… . Nëse ne bëjmë më të mirën tonë që të bindemi dhe të përmirësohemi në këtë jetë, ne do të shihemi [me atë përsëri]”. Ajo vazhdonte: “[Një] shkrim i shenjtë, që e kam dashur prej kohësh, tani merr një kuptim dhe rëndësi të re në këtë kohë… . [Nga] Zbulesa kapitulli 21, vargu 4: ‘Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan’. ”

Vëllezër dhe motra të mia, në orën tonë të hidhërimit më të thellë, ne mund të marrim paqe të plotë nga fjalët e engjëllit atë mëngjes të parë të Pashkës: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall”17.

Ai ësht’ ngritur! Ai ësht’ ngritur!

Me gëzim thoni kudo.

Ai shkat’rroi tre dit’t e burgut;

Lereni tokën të gëzoj’.

U shkel vdekja, jemi t’lir’.

Krishti e fitoi lavdin’!18

Si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë në tokë sot, këtë të diel të lavdishme Pashke, unë deklaroj se kjo është e vërtetë, në emrin e Tij të shenjtë – madje emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë – amen.

SHËNIME

  1. Stevenson, Robert Louis, “Requiem”, nga An Anthology of Modern Verse, botim A. Methuen (1921), f. 208.

  2. James E. Talmage, Jesus the Christ, botim i tretë (1916), f. 20.

  3. Jobi 14:14.

  4. Shih Zanafilla 1:1–27.

  5. Shih Jobi 38:7.

  6. Lluka 2:52.

  7. Veprat e Apostujve 10:38.

  8. Doktrina e Besëlidhje 19:18.

  9. Lluka 23:21.

  10. Lluka 23:34.

  11. Lluka 23:46.

  12. Lluka 24:5–6.

  13. 1 Korintasve 15:21–22.

  14. Doktrina e Besëlidhje 76:22–23.

  15. Gjoni 11:25.

  16. Gjoni 14:27.

  17. Mateu 28:6.

  18. “Ai Ësht’ Ngritur!” Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 55.