2010
Kur Zoti Urdhëron
Maj 2010


Kur Zoti Urdhëron

Bindja besnike, pavarësisht madhësisë në dukje të detyrës, do të sjellë udhëheqjen, ndihmën dhe paqen e Zotit.

Pamja
Elder Bruce A. Carlson

Tregohet një histori e dy amatorëve të argëtimeve jashtë shtëpisë, të cilët morën me qira një aeroplan të vockël, në gjendje të ulet dhe mbi shkurre [bush plane], që t’i çonte drejt një liqeni të largët për udhëtimin e tyre të përvitshëm të peshkimit. Pas një ekskursioni të suksesshëm, piloti u kthye t’i rimerrte. Megjithatë, me shpejtësi i informoi peshkatarët se aeroplani i tij i vogël nuk do t’i mbante ata, pajisjet e tyre dhe peshën e shtuar të peshkut që kishin zënë. Do të duhej një fluturim i dytë.

Tani, sportistëve nuk u interesonte të paguanin për një udhëtim të dytë vajtje-ardhje. Kështu që, pas një premtimi për një paketim të pakët dhe një pagesë të vogël shtesë, piloti me gjysmë zemre pranoi të përpiqej ta bënte fluturimin.

Peshkatarët qëllimthi zbardhën dhëmbët, kur piloti e ngriti me forcë aeroplanin drejt ajrit. Gjithsesi, pak sekonda më vonë, aeroplani ngeci dhe u rrëzua në një zonë të madhe, të sheshtë kënete në fund të liqenit.

Aeroplani kishte ngecur gjatë fluturimit për shkak të një fenomeni të mirënjohur që quhet “efekti tokë”. Efekti tokë krijohet kur ajri kompresohet midis krahëve të aeroplanit dhe sipërfaqes së tokës – kur ata janë në afërsi të ngushtë. Në këtë rast, kur aeroplani i vockël u ngrit ngadalë sipër përtej efektit tokë, kërkohej që ai të fluturonte me fuqinë e vet, gjë të cilën thjesht nuk mund ta bënte.

Për fat nuk pati dëmtime serioze dhe pasi erdhën në vete, një prej peshkatarëve e pyeti tjetrin: “Çfarë ndodhi?”. I dyti u përgjigj: “U rrëzuam gjatë ngritjes – rreth njëqind jard (91 m) larg vendit ku përfunduam vjet!”

Ashtu si dy peshkatarët, me raste ne besojmë se duhet të ketë një rrugë me të lehtë, një rrugë shkurt apo modifikim të urdhërimeve të Zotit që do t’i përshtatet rrethanave tona vetjake. Mendime si këto, nuk arrijnë të pranojnë se bindja e rreptë ndaj ligjeve të Perëndisë sjell bekimet e Tij; dhe dështimi i pajtimit me ligjet e Tij çon drejt pasojave të parashikueshme.

Në kohën e caktimit të tij si President i Kishës, Harold B. Li tha: “Siguria e Kishës vjen nga mbajtja e urdhërimeve prej anëtarëve … Kur ata mbajnë urdhërimet, bekime do të vijnë.”1

Kur ne zgjedhim të shkelim një urdhërim, zakonisht ndodh sepse (1.) ne kemi bindur veten se urdhërimi nuk gjen zbatim për ne; (2.) ne nuk besojmë që ai është i rëndësishëm; ose (3.) ne jemi të bindur se ai është tepër i vështirë për t’u zbatuar.

1. Ky Urdhërim Nuk Gjen Zbatim Për Mua

Gjatë viteve fundit të mbretërimit të mbretit Salomon, Zoti e vuri në dijeni nëpërmjet profetit të Tij: “Unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t’ia jap shërbëtorit tënd”2.

Pak pas kësaj, profeti Ahijah e identifikoi atë shërbëtor si Jeroboamin, një burrë që “punonte”, të cilit Salomoni i kishte caktuar “mbikëqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit.”3 Detyrat e Jeroboamit i kërkonin që të udhëtonte prej zonës malore të Efraimit, ku jetonte, për në kryeqytetin e Jeruzalemit. Gjatë njërit prej këtyre udhëtimeve, Ahijah e takoi gjatë rrugës. Nëpërmjet Ahijahit, Zoti tha: “Unë … do të të jap ty dhjetë fise.”4 Ai gjithashtu e udhëzoi Jeroboamin: “Në rast se … ecën në rrugët e mia, … duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, … unë do të jem me ty, … dhe do të të jap Izraelin.”5

Pasi dëgjoi profecinë e Ahijahsit, Salomoni u përpoq ta vriste Jeroboamin dhe kështu Jeroboami mori arratinë për në Egjipt6. Pas vdekjes së Salomonit, Jeroboami u kthye nga mërgimi drejt pjesës veriore të Izraelit dhe filloi të udhëhiqte dhjetë fiset veriore7.

Megjithatë, plani i Jeroboamit për të udhëhequr mbretërinë përfshiu një përzierje të së mirës dhe të së keqes. Ai themeloi Sikemin si kryeqytetin e kombit, një qytet me rëndësi të madhe fetare për popullin e tij. Por fatkeqësisht ai përhapi rite djallëzore në adhurimin e tyre8.

Jeroboami e bindi veten se disa prej urdhërimeve të Perëndisë nuk ishin të zbatueshme për të. Si pasojë e veprimeve të tij, të gjithë pasardhësit e tij u vranë dhe për shkak të praktikave të idhujtarisë që kishte përhapur në ordinancat e tyre të shenjta, dhjetë fiset e Izraelit përfundimisht u përzunë nga trashëgimia e tyre9.

Tamam si fluturimi përtej efektit tokë me peshë më të madhe se ç’mund të mbajnë krahët e një aeroplani do të sjellë pasoja shkatërrimtare, ashtu pajtimi ynë i pjesshëm apo përzgjedhës me ligjet e Zotit nuk do të sjellë bekimet e plota të bindjes.

2. Ky Urdhërim Nuk Është i Rëndësishëm

Dekada më vonë, Naamani, një hero lufte sirian, një “njeri i madh dhe trim”10 udhëtoi prej vendit të tij të lindjes për në Izrael dhe i kërkoi mbretit, Jehoramit, që ta shëronte nga lebra11.

Naamanin e drejtuan për tek profeti Eliseu. “Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t’i thënë: ‘Shko të lahesh shtatë herë në Jordan … dhe do të jesh i pastër.’”12

Pavarësisht këtij premtimi profetik për t’u shëruar, Naamani u ofendua që Eliseu nuk e përshëndeti personalisht dhe akoma më shumë u fye nga udhëzimi i profetit për t’u larë shtatë herë në lumin e vogël e të turbullt të Jordanit. Krenaria e tij kërkonte diçka më të shquar dhe fisnike, diçka që t’i përshtatej shtatit dhe pozitës së tij në komunitet e vend.

Për fatin e Naamanit, shërbëtorët e tij e bindën atë që pavarësisht asaj që i kishte kërkuar profeti që të bënte, nëse i bindej, kjo do t’i sillte bekimet e Zotit. Naamani e lau veten në lumin Jordan siç u udhëzua dhe si rezultat i bindjes së tij, u shërua nga lebra13.

Bindja ndaj urdhrave të Zotit, pavarësisht se sa të vogla apo të parëndësishme ne besojmë se janë ato, do të sjellin me siguri bekimet e Tij të premtuara.

3. Ky Urdhërim Është Shkurt Tepër i Rëndë

Në zbatim të urdhrit të Zotit, profeti Lehi e udhëhoqi familjen e tij për në shkretëtirë. Gjatë pak ditëve të para të udhëtimit, Lehi e udhëzoi birin e tij, Lemuelin, që të ishin të “vendosur dhe [të] qëndrueshëm dhe [të] patundur në zbatimin e urdhërimeve të Zotit!”14

Mirëpo, kur erdhi kërkesa e profetit për t’u kthyer në Jeruzalem për të marrë fletët e tunxhit që përmbanin një “anal [të] Judenjve”15, dy djemtë më të mëdhenj u rebeluan duke thënë: “Është një gjë e vështirë.”16

Pavarësisht mërmëritjeve të vëllait të tij më të madh, besimi dhe bindja e Nefit ndaj urdhrit të Zotit çoi në marrjen e atyre fletëve të tunxhit. Një komb u ngrit, një gjuhë u ruajt dhe ungjilli i Jezu Krishtit u mësua për brezat e ardhshëm.

Nganjëherë, ne mund të arsyetojmë se Zoti do ta kuptojë mosbindjen tonë sepse rrethanat tona të veçanta e bëjnë besnikërinë ndaj ligjeve të Tij të vështirë, turpëruese ose madje të dhimbshme. Megjithatë, bindja besnike, pavarësisht madhësisë në dukje të detyrës, do të sjellë udhëheqjen, ndihmën dhe paqen e Zotit.

Profeti Jozef Smith iu lut Zotit në dy raste, duke i kërkuar nëse një mik me rëndësi, Martin Herrisi, mund të merrte, nga Harmonia e Pensilvanisë për në Palmira, 116-të faqet e para të shkruara me dorë të materialit të përkthyer nga libri i Lehit. Në secilin rast, Zoti e këshilloi Jozefin të mos ia besonte dorëshkrimin Z. Herris.

Martini po synonte ta përdorte materialin e përkthyer si provë për t’i ndaluar kolegët e tij nga përhapja e thashethemeve rreth miqësisë së tij me Jozef Smithin. Në lutjen për të tretën herë, Zoti e pranoi kërkesën e Jozefit17.

Martini e humbi dorëshkrimin dhe për pasojë fletët iu morën Profetit Jozef Smith për një periudhë të gjatë. Ky qe një mësim i dhimbshëm për Profetin Jozef, që tha: “E kam bërë këtë si rregull timin: ‘Kur Zoti urdhëron, bindu.’”18 Ky duhet dhe mund të jetë rregulli ynë, gjithashtu.

Përgjigjja e Zotit kur i bindemi urdhërimeve të Tij, vjen me siguri. Ai na ka premtuar: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme.”19

Përveç kësaj, Ai na ka këshilluar: “Unë, Zoti, jam i mëshirshëm dhe i hirshëm për ata që më kanë frikë dhe gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund.”20

Bindja ndaj urdhërimeve të Zotit na jep vetëbesim në shtegun që kemi zgjedhur, dhe na cilëson për udhëheqjen e drejtimin e Tij kur vazhdojmë në përpjekjet tona; dhe na ofron potencialin për t’u bërë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe për t’u kthyer në praninë e Atit tonë.

Lutja ime është që çdo ditë do të na gjejë duke u përpjekur që të jemi më të bindur ndaj ligjeve, ordinancave dhe urdhërimeve të ungjillit të Jezu Krishtit në mënyrë që Ai të mund të bekojë më plotësisht jetën tonë.

Dëshmoj se bindja ndaj urdhrave të Perëndisë sjell bekimet e qiellit, që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë, që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe se Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Zotit për kohën tonë, në emër të Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Harold B. Li, cituar në Stephen W. Gibson, “Presidency Meets the Press,” Church News, 15 korrik 1972, f. 3.

  2. 1 Mbretërve 11:11.

  3. 1 Mbretërve 11:28.

  4. 1 Mbretërve 11:31.

  5. 1 Mbretërve 11:38.

  6. Shih 1 Mbretërve 11:40.

  7. Shih 1 Mbretërve 12:2–3, 20.

  8. Shih 1 Mbretërve 12:25–30.

  9. Shih 1 Mbretërve 14:10, 15–16.

  10. 2 Mbretërve 5:1.

  11. Shih 2 Mbretërve 5:5–6.

  12. 2 Mbretërve 5:10.

  13. Shih 2 Mbretërve 5:11–14.

  14. 1 Nefi 2:10.

  15. 1 Nefi 3:3.

  16. 1 Nefi 3:5.

  17. Shih History of the Church, 1:20–21; Doktrina e Besëlidhje 3, 10.

  18. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 160.

  19. Doktrina e Besëlidhje 14:7.

  20. Doktrina e Besëlidhje 76:5, theksimi është shtuar.