2010
Duar Ndihmëtare, Duar Shpëtimtare
Maj 2010


Duar Ndihmëtare, Duar Shpëtimtare

Qoftë e mundur që ne të ndjekim këshillën dhe shembullin e profetit dhe çdo ditë të kërkojmë t’i gjejmë nevojtarët.

Pamja
Elder Koichi Aoyagi

Vëllezër e motra të mia, jam thellësisht mirënjohës për mundësinë që të flas në këtë konferencë. Jam mirënjohës për Presidentin Tomas S.Monson dhe dëshmoj që ai është profet i Perëndisë të gjallë. Më ka lënë mbresë të thellë shembulli i mrekullueshëm i Presidentit Monson, i cili ka shpenzuar një jetë duke përdorur duart e veta për të ndihmuar e shpëtuar të tjerët.

Jetojmë në një kohë kur shumë njerëz përballen me katastrofa dhe kanë nevojë për ndihmë, për shkak të pasojave të tërmeteve, cunameve, uraganeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Kisha po përpiqet t’u gjendet këtyre njerëzve nëpërmjet ndihmës humanitare. Anëtarët e Kishës japin besnikërisht për çdo muaj oferta bujare agjërimi dhe kryejnë shërbim me një shpirt dashurie. Në kuptimin e plotë të fjalës, ata ofrojnë duar ndihmëtare sipas mënyrës së Zotit. Ata ndjekin urdhërimin e Zotit që të “kujtoni në gjithçka të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit, sepse ai që nuk i bën këto gjëra, po ai nuk është dishepulli im” (DeB 52:40).

Sot dëshiroj të përqendrohem mbi duart të cilat ndihmojnë e shpëtojnë shpirtërisht. Puna dhe lavdia e Zotit është vërtet “të [bëjë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Shumëkujt përreth nesh i nevojitet ndihmë shpirtërore. Kur u ofrojmë një dorë shpëtimtare anëtarëve pak aktivë, familjeve pjesërisht anëtare dhe atyre që nuk janë të besimit tonë, ne i ftojmë të gjithë “të vijnë te Krishti”1.

Kur isha një i kthyer i ri në Kishë, përjetova një shpëtim shpirtëror përmes duarve shpëtimtare të një anëtareje besnike të Kishës. Jam rritur në Macumoto të Japonisë, pranë vendit ku u zhvilluan Lojërat Olimpike Dimërore të Naganos. Qyteti im duket krejt si Solt-Lejk-Siti, një luginë rrethuar me male të bukura. Kur isha 17 vjeç, u takova me dy misionarë amerikanë, Plakun Karter dhe Plakun Hajashi. Ndonëse moshat tona i ndanin vetëm dy-tre vite, pleqtë kishin diçka të mrekullueshme që nuk e kisha ndier kurrë më parë. Ata ishin të zellshëm, gazmorë e të mbushur me dashuri dhe dritë. Më lanë mbresë të thellë cilësitë e tyre dhe dëshiroja të bëhesha si ata. E dëgjova me vëmendje mesazhin e tyre dhe vendosa të pagëzohem. Prindërit e mi, që ishin budistë, e kundërshtonin fort pagëzimin tim. Me ndihmën e misionarëve dhe të Zotit, mora leje dhe mrekullisht u pagëzova.

Vitin tjetër hyra në universitet në Jokohama. Duke jetuar vetëm, larg qytetit tim dhe njerëzve që njihja, u bëra i vetmuar dhe iu shmanga Kishës. Një ditë mora një kartolinë nga një anëtare e Kishës nga qyteti im. Më shkruante se kishte dëgjuar që unë nuk i frekuentoja mbledhjet e Kishës. Ajo citonte një shkrim të shenjtë e më ftonte t’i rikthehesha kishës. U trondita nga fjalët e shkrimit të shenjtë. Kjo më ndihmoi të kuptoja se ndoshta kisha humbur diçka të rëndësishme dhe u mendova thellë e u përpoqa për shumë ditë. Gjithashtu, kjo më bëri të kujtoj një premtim që më kishin bërë misionarët: “Në qoftë se e lexon Librin e Mormonit dhe pyet me lutje të zjarrtë a është i vërtetë premtimi që gjendet tek Moroni, ti do ta dish të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”2.

E kuptova se nuk po lutesha me gjithë zemër dhe vendosa të veproja ashtu. Një mëngjes u zgjova herët, u ula në gjunjë në dhomën time të vogël dhe u luta me sinqeritet. Për çudinë time, pohimi i Frymës së Shenjtë erdhi mbi mua siç premtohej. Zemra më digjej, trupi më dridhej dhe u mbusha me gëzim. Përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë mësova se Perëndia Atë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, jetojnë dhe se Ata vërtet iu shfaqën Jozef Smithit. Unë bëra në zemrën time një zotim që të pendohesha e të ndiqja besnikërisht Jezu Krishtin, për sa të jetoja.

Kjo përvojë shpirtërore ma ndryshoi jetën krejtësisht! Vendosa që të shërbej në një mision nga mirënjohja për Zotin dhe për anëtaren e Kishës e cila më shpëtoi. Në vijim të misionit, unë u vulosa në tempull me një vajzë të mrekullueshme dhe jemi bekuar me katër fëmijë. Jo rastësisht, kjo është e njëjta vajzë që më shpëtoi duke më dërguar një kartolinë në atë banesë të vetmuar në Jokohama shumë vite më parë. Mbetem gjithmonë mirënjohës për mëshirën e Zotit dhe ndihmën e kësaj anëtareje të Kishës, e cila më ftoi që të vij sërish te Krishti3.

E di që shumë prej jush, personalisht, zgjasni duart e dashurisë e të shpëtimit për çdo ditë. Kjo përfshin edhe një motër besimplote të Shoqatës së Ndihmës e cila kujdeset jo vetëm për motrat tek të cilat është caktuar të mësojë duke i vizituar, por edhe cilatdo motra që janë sëmurë ose që kanë nevojë për ndihmë. Ajo bën vizita shpesh dhe ka forcuar ndër vite besimin e shumëkujt. Mendoj për një peshkop i cili shpesh vizitonte të vetë e të vejat e lagjes së tij. Ky model ndihme vazhdoi për shumë vite mbas lirimit të tij.

Njoh një udhëheqës priftërie i cili kalon kohë me një të ri që ka humbur të atin. Ai shoqërohet me të në aktivitete, i mëson ungjillin dhe i jep këshillë ashtu siç do të bënte i ati. Një tjetër familje ngazëllohet duke folur për ungjillin. Prindërit dhe fëmijët, kushdo, u dëshmojnë për ungjillin atyre që kanë përreth dhe ata duhen nga shumë njerëz.

Si pjesë e një veprimtarie të Fillores, mbesa ime pesëvjeçare vendos një farë kokoshkeje në një shishe të gjerë qelqi, sa herë që bën një veprim të mirë. Ajo këndon me zë të lartë këtë këngë të Fillores, ndërsa kërkon gjëra të mira për t’i bërë çdo ditë: “Ndiq profetin, ndiq profetin,/ Ndiq profetin; ai e di udhën”4.

Nuk kam kohë që t’ju tregoj për të gjitha gjërat e mira që i shoh të bëjnë anëtarët e Kishës. Ata ndjekin këshillën e profetit – jo nga detyra apo përgjegjësia, por nga vullneti i tyre i lirë, pa u shfaqur e me gëzim.

Ndonjëherë ndihemi sikur jemi të dobët e na mungon forca për të shpëtuar të tjerët, por Zoti na rikujton: “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua” (Mateu 25:40).

E mbyll me një citim të Presidentit Tomas S. Monson: “Vëllezër e motra të mia, ne jemi të rrethuar nga ata që kanë nevojë për vëmendjen tonë, nxitjen tonë, mbështetjen tonë, ngushëllimin tonë, mirësinë tonë – qofshin ata pjesëtarë të familjes, miq, të njohur apo të huaj. Ne jemi duart e Zotit këtu në tokë, me autorizimin për të shërbyer dhe për të ngritur moralisht fëmijët e Tij. Ai varet nga secili prej nesh.”5

Qoftë e mundur që ne të ndjekim këshillën dhe shembullin e profetit dhe çdo ditë të kërkojmë t’i gjejmë nevojtarët, që të mund të jemi duart e Zotit në ndihmën dhe në shpëtimin e fëmijëve të Tij, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbim Misionar (2004), f. 1.

  2. Shih Moroni 10:4–5.

  3. Shih Mateu 11:28.

  4. “Follow the Prophet”, Children’s Songbook (1989), f. 110–111.

  5. Tomas S. Monson, “Çfarë Kam Bërë Për Dikë Sot?” Liahona, nëntor 2009, f. 84.