2010
Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri
Maj 2010


Detyra Jonë ndaj Perëndisë: Misioni i Prindërve dhe Udhëheqësve ndaj Brezit të Ri

Është detyrë thelbësore e jona, ta ndihmojmë rininë të kuptojë dhe besojë ungjillin në një mënyrë thellësisht personale.

Pamja
Elder Robert D. Hales

Këtë pasdite, dëshiroj të inkurajoj prindërit dhe të gjithë që janë thirrur për të udhëhequr e për t’i shërbyer rinisë së kësaj bote. Zoti i zbuloi Jozef Smithit se ne kemi një “detyrë [të] menjëhershme që ne ia detyrojmë gjithë brezit të ri” (DeB 123:11).

Për gjatë gjithë jetës sime si baba dhe gjysh, kam medituar mbi pyetjen: “Cila është detyra ime ndaj Perëndisë në lidhje me rininë? A mund të ndaj disa nga ato që kam mësuar prej meditimit dhe dëshmisë vetjake.

Për të gjithë ne, plotësimi i detyrës sonë ndaj Perëndisë si prindër dhe udhëheqës, fillon me udhëheqjen me anë të shembullit – duke i jetuar parimet e ungjillit me qëndrueshmëri dhe zell në shtëpi. Kjo kërkon vendosmëri dhe zell përditë.

Për rininë, nuk ka asgjë që ta zëvendësojë të parin e ungjillit tek zbatohet në jetën tonë të përditshme. Luftëtarëve të rinj nuk iu desh të pyesnin veten se në çfarë besonin prindërit e tyre. Ata thanë: “Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë” (shih Alma 56:47–48). A e dinë fëmijët tanë atë që ne dimë?

Kam një nip që më kërkoi një herë të shkoja me të në një film të përhapur por të papërshtatshëm. I thashë se, nuk isha aq i rritur sa duhej për të parë atë film. Ai ishte i çuditur derisa gjyshja e tij i shpjegoi se sistemi i klasifikimit të filmave sipas moshës nuk gjente zbatim për Gjyshin. Ai u kthye tek unë dhe tha: “Tani e kuptoj, Gjysh. Ti kurrë s’do jesh aq i rritur sa duhet për të parë atë film, apo jo?” Dhe ai kishte të drejtë!

Përveçse t’ia tregojmë të rinjve rrugën me anë të shembullit, ne i udhëheqim ata duke kuptuar zemrat e tyre dhe duke ecur pranë tyre në shtegun e ungjillit. Për t’i kuptuar me të vërtetë zemrat e tyre, ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht të jemi në të njëjtën dhomë me ta apo të jemi në të njëjtën familje dhe aktivitete Kishe. Ne duhet të planifikojmë dhe përfitojmë nga çastet mësimdhënëse, që lënë një mbresë të thellë dhe të qëndrueshme në mendjet dhe zemrat e tyre.

Për shembull, udhëheqësit e Kishës planifikojnë rregullisht aktivitete të priftërisë dhe mbledhje shoqërore skautizmi e kampime skautizmi – por a e arrijnë gjithmonë këto aktivitete qëllimin e tyre më të rëndësishëm? Kam mësuar se ajo që e bën një aktivitet priftërie apo skautizmi më shumë kuptimplotë për një djalë nuk është thjesht marrja e një distinktivi për merita, por të krijuarit e mundësisë për t’u ulur dhe folur me një udhëheqës që interesohet për të dhe jetën e tij.

Nëna dhe baballarë, në mënyrë të ngjashme, kur i shoqëroni me makinë apo në këmbë fëmijët për në shkollë ose veprimtaritë e tyre të ndryshme, a e përdorni kohën për të folur me ta për shpresat dhe ëndrrat dhe frikërat dhe gëzimet e tyre? A gjeni kohë që t’i bëni të heqin kufjet nga aparatet e tyre të MP3-it dhe të gjithë pajisjet e tjera, për t’ju dëgjuar juve e për të ndier nga dashuria juaj. Sa më shumë jetoj, aq më shumë e pranoj se çastet mësimdhënëse në rininë time, veçanërisht ato që m’ u dhanë nga prindërit e mi, i kanë dhënë formë jetës sime dhe më kanë bërë ai që jam.

Është e pamundur që të mbivlerësosh ndikimin e prindërve, të cilët i kuptojnë zemrat e fëmijëve të tyre. Kërkimet tregojnë se gjatë periudhave më të rëndësishme tranzitore në jetë – përfshirë ato periudha kur rinia ka më të ngjarë të largohet nga Kisha –ndikimi më i madh nuk vjen nga një intervistë me peshkopin apo ndonjë udhëheqës tjetër, por nga bashkëveprimi i rregullt, i ngrohtë, miqësor dhe dashamirës me prindërit.

Me këtë në mendje, kur ulemi në tavolinë për darkë, a është e gjithë familja jonë aty? Më kujtohet që kur isha i ri, kërkoja leje të luaja bejsboll gjatë kohës së darkës. “Vëre pak ushqimin tim në furrë”, i thosha mamasë sime. Ajo përgjigjej: “Robert, dua me të vërtetë që të bësh një pushim, të vish në shtëpi, të jesh me familjen për darkë dhe pastaj mund të dalësh e të luash bejsboll deri natën.” Ajo na mësoi ne të gjithëve se aty ku merakosen për vaktet familjare, nuk është ushqimi, por bashkëveprimi familjar që e ushqen shpirtin. Mamaja ime na mësoi se dashuria më e madhe që japim, është brenda shtëpive tona.

Në bashkëveprimet tona me të rinjtë, për t’i prekur vërtet zemrat e tyre, ne duhet t’u kushtojmë vëmendje atyre, ashtu si do t’i kushtonim vëmendje një kolegu të rritur e të besuar ose një miku të ngushtë. Më e rëndësishme është t’u bëjmë atyre pyetje, t’i lemë ata të flasin dhe pastaj të jemi të gatshëm të dëgjojmë – po, të dëgjojmë e të dëgjojmë akoma më shumë – madje të dëgjojmë me veshë shpirtërorë! Disa vite më parë po lexoja gazetën kur një nga nipërit e mi të rinj u ul pranë meje. Ndërsa po lexoja, u gëzova tek dëgjoja zërin e tij të ëmbël të cicëronte në sfond. Përfytyroni habinë time kur, pak çaste më vonë, ai e shtyu veten mes meje dhe gazetës. Duke e marrë fytyrën time në duar dhe duke e shtypur hundën time me të vetën, pyeti: “Gjysh! A më dëgjon?”

Mami, Babi, a më dëgjoni? Gjysh, gjyshe, a më dëgjoni? Të dëgjosh do të thotë të kuptosh zemrat e të rinjve tanë dhe t’u përqasesh atyre. Dhe t’u përqasesh atyre do të thotë jo thjesht të bisedosh me ta, por edhe të bëni gjëra së bashku.

Kohët e fundit dëgjova një nënë të tregonte se si i kishte ndihmuar tre bijat e saj të para të përfundonin kërkesat e Përparimit të tyre Personal duke bërë atë që i ishte kërkuar – të ishte në dijeni dhe të firmoste projektet. Më pas ajo, lot i rridhnin në faqe, shpjegoi butësisht: “Kohët e fundit kam punuar me bijën time të katërt duke i bërë në fakt projektet e saj me të. Kjo ka sjellë një ndryshim të madh në jetën tonë dhe në marrëdhënien tonë. Por, oh, ç’trishtim ndiej kur kuptoj atë që kam humbur, duke mos e bërë këtë me tre bijat e mia të tjera.” Fjalët më të trishtuara të folura dhe të shkruara janë ato që thonë: “Mund të kishte qenë!”1

Anëtarët e rritur të Kishës duhet të kuptojnë se kërkesat e Përparimit Personal dhe Detyrës ndaj Perëndisë nuk janë thjesht një listë e gjatë pikash për t’u plotësuar. Ato janë qëllime vetjake që vendosen nga çdo i ri dhe e re, për t’i ndihmuar ata që të bëhen të denjë për të marrë ordinanca të tempullit, për të shërbyer misione, për të hyrë në martesën e përjetshme dhe për të gëzuar përjetësinë. Por le të bëhet e qartë, do të ishte një humbje dhe tragjedi e madhe që të rinjtë e të rejat të përpiqeshin t’i përmbushnin këto qëllime vetëm!

Etër, nëna dhe udhëheqës të rinisë, ne ju nxisim të merrni pjesë në Përparimin Personal dhe Detyrën ndaj Perëndisë me fëmijët tuaj dhe me të rinjtë tuaj. Nuk do të rriten vetëm ata, ju do të rriteni gjithashtu. Dhe po kaq e rëndësishme, ju do të rriteni së bashku në një lidhje besimi e miqësie që do t’ju mundësojë të forconi njëri-tjetrin dhe të qëndroni përgjithmonë në shtegun e ungjillit, për të qenë vërtet një familje e përjetshme.

Një pjesë po aq e rëndësishme në plotësimin e detyrës sonë prindërore ndaj Perëndisë është, t’u mësojmë fëmijëve tanë ungjillin dhe t’i përgatisim ata të marrin pjesë plotësisht në Kishën e rivendosur të Shpëtimtarit. Kujtoni mësimin e popullit të mbretit Beniamin. Si pasojë e mësimeve të tij, shumë prej të rriturve u ndodhi një ndryshim i madh në zemër (shih Mosia 5:2). Por, pastaj thotë se: “ndodhi që kishte shumë nga brezi i ri që nuk kuptonin dot fjalët e mbretit Beniamin, duke qenë se ishin fëmijë të vegjël, kur ai i foli popullit të tij; dhe ata nuk besonin… . Dhe zemrat e tyre ishin ngurtësuar” (Mosia 26:1, 3).

Është detyrë thelbësore e jona, ta ndihmojmë rininë të kuptojë dhe besojë ungjillin në një mënyrë thellësisht personale. Ne mund t’u mësojmë atyre të ecin në dritë, por ajo dritë nuk mund të merret hua. Ata duhet ta fitojnë atë për veten e tyre. Ata duhet ta marrin vetë dritën e tyre të dëshmisë drejtpërsëdrejti nga burimi i dritës shpirtërore – Vetë Perëndia – nëpërmjet lutjes dhe studimit dhe meditimit. Ata duhet të kuptojnë se cilët janë dhe se cilët dëshiron Ati Qiellor që të bëhen. Si i ndihmojmë ne ata?

Kur bëjmë një mbrëmje familjare, këshill familjar ose një bisedë kuptimplote ungjilli me fëmijët tanë, ne kemi mundësi t’i shikojmë në sy dhe t’u themi se i duam dhe se Ati Qiellor i do. Në këto ambiente të shenjta, ne gjithashtu mund t’i ndihmojmë ata të kuptojnë, thellë në zemrat e tyre, se cilët janë dhe se sa me fat janë, që erdhën në këtë tokë e në shtëpinë tonë dhe që morën pjesë në besëlidhjet që kemi bërë në tempull për të qenë përgjithmonë një familje. Në çdo bashkëveprim që ndajmë, ne paraqesim parimet dhe bekimet e ungjillit.

Në këto kohë të rrezikshme, nuk është e mjaftueshme për rininë tonë që thjesht të dinë. Ata duhet të veprojnë. Pjesëmarrja me gjithë zemër në ordinancat, kuorumet dhe organizatat ndihmëse, programet e frymëzuara dhe veprimtaritë përforcuese, e ndihmon rininë të veshë gjithë armatimin e Perëndisë. A do t’i ndihmojmë ata ta veshin atë armatim në mënyrë që të përballojnë shigjetat e flakta të kundërshtarit? Për të zgjedhur me të vërtetë rrugën e Zotit, ata duhet ta njohin rrugën e Tij. Dhe për ta njohur vërtet rrugën e Tij, ne duhet t’i mësojmë e udhëheqim ata të veprojnë, të marrin pjesë, të bëjnë.

Puna më e mrekullueshme misionare që do të bëjmë ndonjëherë, do të jetë në shtëpitë tona. Shtëpitë, kuorumet e klasat tona janë pjesë e fushës misionare. Fëmijët dhe nipërit e mbesat tona janë kërkuesit tanë më të rëndësishëm.

Puna më e mrekullueshme e historisë familjare që do të bëjmë, do të jetë brenda vetë shtëpive tona. Është përgatitja shpirtërore e fëmijëve tanë në brezin e ri të cilët, përmes bindjes së tyre, do të sigurojnë ruajtjen dhe vazhdimësinë e përjetshme të familjeve tona për brezat e ardhshëm.

Shpëtimi më i madh, aktivizimi më i madh, do të ndodhë në shtëpitë tona. Nëse dikush në familjen tuaj po endet në udhë të panjohura, ju jeni një shpëtimtar, i përfshirë në përpjekjen më të madhe shpëtimtare që ka njohur ndonjëherë Kisha. Unë dëshmoj prej përvojës vetjake: Nuk ka dështim, përveçse kur dorëzohesh. Nuk është kurrë tepër herët, apo tepër vonë për të filluar. Mos u shqetësoni për atë që ka ndodhur në të shkuarën. Bëjeni telefonatën. Shkruani një shënim. Bëni një vizitë. Shprehni ftesën që të vijnë në shtëpi. Mos u frikësoni apo turpëroni. Fëmija juaj është fëmija i Atit Qiellor. Ju jeni duke bërë punën e Tij. Ai ka premtuar se do t’i mbledhë fëmijët e Tij dhe se Ai është me ju.

Besimi më i madh që kemi, do jetë brenda shtëpive tona kur qëndrojmë të fortë në sprovat dhe vuajtjet e të qenurit prind. Këto kohët e fundit, Presidenti Monson i tha një grupi të vogël nënash: “Ndonjëherë ne jemi tepër të shpejtë për të gjykuar ndikimin e sukseseve dhe dështimeve tona.” Më lejoni të shtoj që të mos i shihni sfidat e të sotmes si të përjetshme. Ati Qiellor e bën punën e Tij për një kohë të gjatë. “Ka shumë që shtrihet në të ardhmen,” tha Profeti Jozef Smith. “Si rrjedhim, … le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet“ (DeB 123:15, 17).

Këtë të Diel Pashke, shpresoj që do të kemi mundësinë të japim dëshmitë tona se e dimë që Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti. Shpresoj që do të japim dëshmitë tona në mënyrë që fëmijët tanë do ta dinë se çfarë kemi për zemër dhe se i duam ata. Dashuria më e madhe dhe mësimdhënia më e madhe duhet të ndodhë në shtëpitë tona.

I kërkoj bekimet e Zotit të jenë me prindërit dhe rininë që të rriten në shtëpi besnike, në mënyrë që ata të kuptojnë gëzimin që ndodh kur je në një shtëpi e familje ku ata mund t’i duan, t’i drejtojnë dhe udhëzojnë. Lutja ime është që të mund të kemi familje të përjetshme dhe të jemi përgjithmonë në praninë e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Unë jap dëshminë time të veçantë se Jezu Krishti jeton. Ai është bariu i deles së humbur, shpëtimtari i shpirtit në vështirësi, shëruesi i zemrës së plagosur, shpresa e gjithë njerëzimit. Me Të si Zotin tonë, le të përmbushim detyrën tonë ndaj Perëndisë me besim në Të dhe dashurinë e Tij të përjetshme për secilin prej nesh, lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Shih “Maud Muller,” The Complete Poetical Works of John Greenleaf Whittier (1876), f. 206.