2010
Jo Më Vend për Armikun e Shpirtit Tim
Maj 2010


Jo Më Vend për Armikun e Shpirtit Tim

Qoftë e mundur që gëzimi nga besnikëria jonë, në më të lartën e më të mirën e saj brenda nesh, të jetë i yni, kur mbajmë dashurinë tonë dhe martesën tonë, shoqërinë tonë dhe qenien tonë aq të pastra, sa qenë paracaktuar të jenë.

Pamja
Elder Jeffrey R. Holland

Para pak kohe, kur Motra Holland dhe unë zbritëm në një aeroport të largët, tre gra të reja të bukura që po dilnin nga i njëjti aeroplan, nxituan të na përshëndesnin. Ato treguan që ishin anëtare të Kishës, gjë që nuk ishte aq për t’u çuditur, sepse njerëzit që nuk janë të besimit tonë, zakonisht nuk nxitojnë drejt nesh nëpër aeroporte. Në një bashkëbisedim që nuk e prisnim, ne shpejt mësuam përmes lotëve të tyre se, që të treja këto gra, qenë divorcuar së fundi, që në secilin rast bashkëshortët e tyre kishin qenë jobesnikë ndaj tyre dhe në secilin rast fillesat e ftohjes dhe të shkeljes kishin filluar me një tërheqje ndaj pornografisë.

Me këtë hyrje të zymtë në mesazhin tim të sotëm – mesazh që është sfidë për mua të jap – ndihem ashtu si Jakobi i lashtë, i cili tha: “Më brengos që unë duhet të përdor kaq shumë guxim në të folur … para … [shumëkujt,] … ndjenjat e të cilëve janë jashtëzakonisht të buta dhe të dëlira dhe të brishta”1. Por të guximshëm lypset të jemi. Ndoshta ishte ngaqë jam baba apo edhe gjysh, por lotët në sytë e atyre grave të reja shkaktuan lotë tek të miat e të Motrës Holland dhe pyetjet e tyre më bënë të ndihesha i çuditur: “Përse ka aq shumë kalbëzim moral përreth nesh dhe përse kaq shumë individë e familje, përfshirë edhe disa të Kishës, po bien viktimë në të, duke u lënduar tragjikisht prej tij?”

Por, natyrisht, unë e dija, të paktën pjesërisht, përgjigjen e pyetjes sime. Më të shumtën e ditëve, ne të gjithë gjendemi të sulmuar nga mesazhe imorale të ndonjë lloji, të cilat vërshojnë tek ne nga çdo kënd. Anët më të errëta të industrisë së filmit, televizionit dhe muzikës hedhin hapa të mëtejshme në gjuhë fyese dhe sjellje të ligë seksuale. Tragjikisht, i njëjti kompjuter dhe shërbim interneti që më lejojnë të punoj për historinë time familjare e të përgatis ato emra për punën në tempull, mundet që, në mungesë të filtrave e kontrolleve, t’u lejojë fëmijëve apo nipërve të mi të hyjnë tek një batak botëror perceptimesh që mund t’u shkaktojnë një çarje të përhershme në tru.

Mbani mend që ato gra të reja thanë se pabesia e bashkëshortëve të tyre filloi me tërheqjen ndaj pornografisë, por kjo veprimtari imorale nuk është vetëm një problem i burrave dhe bashkëshortët nuk janë të vetmit që mëkatojnë. Rreziku që mundësohet nga vetëm një klikim i mausit – përfshirë edhe çfarë mund të ndodhë në një bisedë virtuale në internet – nuk mban anën e askujt, qoftë mashkull apo femër, i ri apo i vjetër, i martuar apo beqar. Dhe sa për t’u siguruar që tundimi të bëhet gjithnjë e më i arritshëm, kundërshtari është i zënë me shtrirjen e mbulimit të tij, siç i thonë në industri, tek celularët, lojërat elektronike dhe aparatet MP3.

Nëse ndalojmë së godituri degët e këtij problemi dhe godasim më drejtpërdrejt në rrënjë të pemës, zbulojmë pa çudi se aty fshihet vjedhurazi epshi. Epshi është një fjalë e papëlqyeshme dhe është, natyrisht, një temë e pakëndshme për mua ta trajtoj, por ka një arsye të shëndoshë përse, në disa tradita, ai njihet si më i tmerrshmi i shtatë mëkateve vdekjeprurëse2.

Pse epshi është një mëkat aq vdekjeprurës? Epo ja, veç ndikimit krejtësisht Shpirt-shkatërrues që ai ka mbi shpirtin tonë, unë mendoj se ai është mëkat ngaqë e përdhos marrëdhënien më të lartë e më të shenjtë që Perëndia na jep në jetën e vdekshme – dashurinë që një burrë e grua kanë për njëri-tjetrin dhe dëshirën që ka çifti për të sjellë fëmijë në një familje që synohet të jetë përgjithnjë. Dikush njëherë tha se dashuria e vërtetë duhet të përmbajë idenë e së përhershmes. Dashuria e vërtetë qëndron. Por epshi ndryshon sapo arrin të shfletojë një faqe pornografike apo të hedhë një vështrim akoma mbi një tjetër objekt të mundshëm kënaqjeje që i kalon pranë, mashkull apo femër. Dashuria e vërtetë na e merr mendjen krejt – siç më ndodh mua me Motrën Holland; e shpallim atë që nga çatitë e shtëpive. Por epshi karakterizohet nga turpi e tinëzia dhe është thuajse patologjikisht i fshehur – sa më e vonë dhe sa më e errët ora, aq më mirë, pas derës me dopio-shul, për çdo rast. Dashuria na bën vetvetiu t’i afrohemi pranë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë. Epshi, nga ana tjetër, është kategorikisht i paperëndishëm dhe i thur lavde kënaqjes vetjake. Dashuria vjen me duart hapur e me zemrën hapur; epshi vjen vetëm me oreksin hapur.

Këto janë vetëm disa nga arsyet përse prishja e kuptimit të vërtetë të dashurisë – qoftë me përfytyrime, qoftë me një njeri tjetër – është aq shkatërruese. Ajo shkatërron atë që vjen veçse i dyti pas besimit tonë tek Perëndia – domethënë besimin tek ata që i duam. Ajo lëkund shtyllat e mirëbesimit mbi të cilin ngrihet dashuria e tashme – apo e ardhshme – dhe kërkohet një kohë e gjatë që të rindërtohet ai mirëbesim kur humb. Nëse keqësohet mjaft ky problem – qoftë ai aq personal sa ç’është një pjesëtar i familjes apo aq publik sa ç’janë zyrtarë të votuar, drejtues të bizneseve, yje mediatikë e ata sportivë – dhe, mjaft shpejt, mbi ndërtesën e ngritur për strehimin e shoqërive të përgjegjshme moralisht, ne mund të varim një tabelë që thotë: “Kjo pronë është bosh”3.

Beqarë apo të martuar, të rinj apo të vjetër qofshim, le të flasim për një çast se si të mbrohemi ndaj tundimit, në çfarëdo forme që mund të shfaqet. Ne mund të mos jemi të aftë të shërojmë të gjitha sëmundjet e shoqërisë sot, por le të flasim se cilat mund të jenë disa veprime vetjake.

  • Mbi gjithçka, filloni me shkëputjen e vetes nga njerëz, materiale dhe rrethana që do t’ju dëmtojnë. Siç e dinë ata që luftojnë me diçka të tillë si alkoolizmi, tërheqja nga e afërta mund të jetë fatale. Kështu është edhe në çështje morale. Sikurse Jozefi në praninë e gruas së Potifarit,4 thjesht rendni – rendni sa më larg që mundeni nga çfarëdo apo kushdo që ju gabon. Dhe, ju lutem, kur ikni nga skena e tundimit, mos lini adresën e re.

  • Pranoni se njerëzve të lidhur nga zinxhirët e varësive të vërteta, shpeshherë u duhet më shumë ndihmë se ajo vetjake dhe kjo mund t’ju përfshijë edhe juve. Kërkojeni atë ndihmë dhe mirëpriteni atë. Flisni me peshkopin tuaj. Ndiqeni këshillën e tij. Kërkoni një bekim priftërie. Përdorni çfarë ofrohet nga Shërbimet Familjare të Kishës ose kërkoni ndihmë tjetër profesioniste të përshtatshme. Lutuni pareshtur. Kërkoni engjëj për ndihmë.

  • Krahas filtrave në kompjutera dhe një dryni për simpatitë, mbani mend se i vetmi kontroll real në jetë është vetëkontrolli. Ushtroni më shumë kontroll madje edhe mbi çastet e dyshimta që ju kundërvihen. Nëse një shfaqje televizive është e pahijshme, shuajeni. Nëse në kinema një film është i papastër, largohuni. Nëse një marrëdhënie e papërshtatshme është në zhvillim, ndërpriteni. Shumë nga këto ndikime, të paktën fillimisht, mund të mos jenë teknikisht të këqija, por ato mund të mpijnë gjykimin tonë, të dobësojnë anën tonë shpirtërore dhe mund të çojnë drejt diçkaje që mund të jetë e ligë. Një proverb i vjetër thotë se një udhëtim prej njëmijë milje fillon me një hap,5 prandaj, kujdes hapin.

  • Si vjedhësit natën, mendime të paftuara mund dhe kërkojnë të hyjnë në mendjen tonë. Por ne nuk ka pse t’ua hapim derën, t’u shërbejmë çaj e bukë të thekur dhe më pas t’u themi ku i mbajmë argjendurinat! (Ju nuk duhej t’u shërbenit çajin, sidoqoftë.) Dëbojini zuzarët! Mendimet e fëlliqura zëvendësojini me shëmbëllime shpresëdhënëse dhe kujtime të gëzuara; përfytyroni fytyrat e atyre që ju duan dhe që do të copëtoheshin, nëse i poshtëroni. Ka më tepër sesa vetëm një burrë, të cilët janë shpëtuar nga mëkati ose marrëzia duke kujtuar fytyrën e nënës, bashkëshortes apo fëmijës që i prisnin diku në shtëpi. Çfarëdo mendimesh që të keni, sigurohuni që të jenë të mirëpritura në zemrën tuaj vetëm me ftesë. Siç tha njëherë një poet antik, vullnet për ju le të jetë arsyeja juaj.6

  • Nxiteni praninë e Shpirtit të Zotit dhe jini aty ku është Ai. Sigurohuni që të përfshijë shtëpinë ose banesën tuaj, duke diktuar llojin e artit, muzikës dhe literaturës që mbani aty. Nëse e keni marrë indaumentin, shkoni në tempull aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat. Mbani mend se tempulli ju armatos “me fuqinë [e Perëndisë], … [vë lavdinë e Tij] … përreth [jush] dhe engjëjt e [Tij] … ngarkohen me përgjegjësi për [ju]”7. Dhe, kur të largoheni nga tempulli, kujtoni simbolet që merrni me vete, që kurrë nuk duhen lënë mënjanë apo harruar.

Shumica e njerëzve që janë në telash, përfundojnë duke thirrur: “Çfarë po mendoja unë?” Epo ja, çfarëdo që po mendonin, ata nuk po mendonin për Krishtin. Mirëpo, si anëtarë të Kishës së Tij, çdo të diel të jetës sonë ne zotohemi të marrim mbi vete emrin e Tij dhe premtojmë që “gjithmonë ta [kujtojmë] atë”8. Prandaj, le të punojmë pak më fort për të kujtuar Atë – veçanërisht që Ai ka “[mbajtur] sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona … , [që] ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona … ; dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”9. Sigurisht që veprimet tona do të udhëhiqeshin në një mënyrë të jashtëzakonshme, po të kujtojmë që, sa herë bëjmë shkelje, ne lëndojmë jo vetëm ata që i duam, por lëndojmë edhe Atë, i cili na do ne aq fort. Por, nëse bëjmë mëkat, sado serioz që mund të jetë mëkati, ne mund të shpëtohemi nga e njëjta qenie e madhërishme, Ai i cili mban të vetmin emër të dhënë nën qiell me anë të të cilit çdo burrë ose grua duhet të shpëtohet10. Kur përballemi me shkeljet tona dhe shpirti ynë ngacmohet me dhimbje të vërtetë, bëfshim të gjithë ne ashtu si Alma dhe shqiptofshim thirrjen me të cilën ai ndryshoi jetën e vet: “O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua”11.

Vëllezër dhe motra, unë ju dua. Presidenti Tomas S. Monson dhe Vëllezërit ju duan. Shumë më me rëndësi është fakti që Ati në Qiell ju do. Jam përpjekur të flas sot për dashurinë – dashurinë reale, dashurinë e vërtetë, respektin për të, portretin e duhur të saj në shoqëritë e shëndetshme që ka njohur njerëzimi, shenjtërinë e saj ndërmjet një burri e gruaje të martuar dhe familjet që dashuria krijon përfundimisht. Jam përpjekur të flas për manifestimin shëlbues të dashurisë, dashurinë hyjnore të personifikuar, që vjen tek ne përmes hirit të Vetë Krishtit. Më është dashur të flas gjithashtu për el-diablon, djallëzorin, atin e gënjeshtrave e të epshit, i cili do të bëjë çdo gjë që mundet për të falsifikuar dashurinë e vërtetë, që të përlyejë e të përdhosë dashurinë e vërtetë kudo dhe kurdo që e ndesh. Dhe kam folur për dëshirën e tij që të na shkatërrojë, nëse mundet.

Kur përballemi me tundime të tilla në kohën tonë, ne duhet të shpallim, sikurse i riu Nefi në kohën e tij: “[Nuk do të lë] më vend për armikun e shpirtit tim”12. Ne mund ta refuzojmë të ligun. Nëse ne duam me një dëshirë e thellësi të mjaftueshme, ai armik mund të qortohet e do të qortohet me anë të fuqisë shëlbuese të Zotit Jezu Krishti. Gjithashtu, unë ju premtoj që drita e ungjillit të Tij të përjetshëm mund të shndrisë e do të shndrisë përsëri me shkëlqim aty ku ju druheshit se mos jeta ishte bërë një terr, pa shpresë e pa përkrahje. Qoftë e mundur që gëzimi nga besnikëria jonë, në më të lartën e më të mirën e saj brenda nesh, të jetë i yni, kur mbajmë dashurinë tonë dhe martesën tonë, shoqërinë tonë dhe qenien tonë aq të pastra, sa qenë paracaktuar të jenë, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Jakobi 2:7 (LiM).

  2. Shih, për shembull, botimin e shkëlqyer të Henry Fairlie The Seven Deadly Sins Today (1978).

  3. Shih Fairlie, The Seven Deadly Sins Today, f. 175.

  4. Shih Zanafilla 39:1–13.

  5. Lao Tzu, në John Bartlett, përpilim, Bartlett’s Familiar Quotations, bot. 14-të (1968), f. 74.

  6. Shih Juvenal, The Satires, satira 6, rreshti 223.

  7. Doktrina e Besëlidhje 109:22.

  8. Doktrina e Besëlidhje 20:77; shih edhe vargun 79.

  9. Isaia 53:4–5.

  10. Shih Veprat e Apostujve 4:12.

  11. Alma 36:18.

  12. 2 Nefi 4:28.