2010
Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë
Maj 2010


Ata na Folën Neve

Ta Bëjmë Konferencën Pjesë të Jetës Sonë

Merrni parasysh që të përdorni disa nga këto pohime, aktivitete dhe pyetje si pikënisje për diskutim familjar apo meditim vetjak.

Ju mund të gjeni biseda të konferencës së përgjithshme në internet në faqen conference.lds.org. Ju gjithashtu mund të shihni dhe të ndani fragmente nga bisedat e konferencës së mëparshme tek mormonmessages.org.

Shënim: Numrat e faqeve të renditur më poshtë tregojnë faqen e parë të bisedës.

Për Fëmijët

  • Gjithkush mund të marrë pjesë në punën për historinë familjare! Plaku Rasëll M. Nelson sugjeroi që fëmijët mund të vizatojnë një pemë familjeje (faqe 91). Prindërit mund t’i ndihmojnë ata të shtojnë emrat e paraardhësve të tyre.

  • Lexoni ose ritregoni ndodhinë e Plakut Kuentin L. Kuk për fëmijët samoas, që vrapojnë për të shpëtuar nga cunami (faqe 83). I vini pjesëtarët e familjes të bëjnë sikur ujërat përmbytës po hyjnë në shtëpi dhe i nxisni ata të gjejnë “vend më të lartë”, të tillë si një shtrat ose një karrige. Flisni për vende ku ne mund të gjejmë vend më të lartë shpirtëror në përmbytjen nga ligësia që përjetojmë sot.

  • Plaku D. Tod Kristoferson foli për Uiliam Tindelin, që përktheu Biblën në anglisht (faqe 32). U kërkoni fëmijëve më të mëdhenj të lexojnë një varg të shkrimit të shenjtë në një gjuhë që nuk e flasin. Kur të thonë se nuk munden, ftojini ta lexojnë në gjuhën tuaj amtare. Flisni për rëndësinë e mundësisë së përdorimit të shkrimeve të shenjta në gjuhën tuaj amtare.

  • Bashkë me familjen tuaj, rishihni një nga bisedat e shumta të konferencës së përgjithshme mbi Jezu Krishtin. Këndoni “Tell Me the Stories of Jesus” [“Më Trego Historitë e Jezusit”] (Children’s Songbook, f. 57). Shpërndani letra dhe lapsa druri ose dylli. Ftoini fëmijët tuaj të vizatojnë një histori të parapëlqyer të Jezusit. Lexoni së bashku historinë nga shkrimet e shenjta.

Për të Rinjtë

  • Rishihni bisedën e Presidentit Diter F. Uhtdorf mbi durimin (faqe 56). Cilat janë disa parime të ungjillit dhe praktika që mund të na mësojnë durim? Merrni parasysh, për shembull, agjërimin ose mos daljen në takime njohjeje deri në 16 vjeç. Si keni përfituar ju dhe pjesëtarët e familjes suaj nga shfaqja e durimit duke ndjekur këto dhe të tjera parime?

  • Plaku M. Rasëll Ballard, Plaku Bradlei D. Foster, Motra Xhuli B. Bek dhe Motra Elen S. Dalton, që të gjithë folën mbi natyrën hyjnore të grave (faqet 18, 10, 98 dhe 120). Nëse jeni femër, si ju ndikojnë bisedat e tyre për atë që ndieni për veten tuaj? Çfarë mësuat mbi qëllimin dhe dhuntitë tuaja? Nëse jeni mashkull, si e ndikuan këto mesazhe perceptimin tuaj për nënën tuaj, motrat, shoqet dhe gra e të reja të tjera në jetën tuaj?

  • Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Nëse një shfaqje televizive është e pahijshme, shuajeni. Nëse në kinema një film është i papastër, largohuni. Nëse një marrëdhënie e papërshtatshme është në zhvillim, ndërpriteni. Shumë nga këto ndikime … mund të mpijnë gjykimin tonë, të dobësojnë anën tonë shpirtërore dhe mund të çojnë drejt diçkaje që mund të jetë e ligë” (faqe 44). Si familje, diskutoni se çfarë mund të bëni që ta shndërroni shtëpinë tuaj në një vend ku Shpirti mund të banojë. Këqyrni veprat artistike, muzikore, librat, video-gejmët dhe zbavitje të tjera që keni dhe hidhni çfarëdo gjë të papërshtatshme.

Për të Rriturit

  • Bashkë me familjen tuaj, rishihni ndodhinë që tregoi Presidenti Tomas S. Monson për një të ri që quhej Xhejsën dhe familjen e tij (faqe 87). Flisni se si mund të na bekojë dija për planin e shpëtimit.

  • Plaku L. Tom Peri tregoi se si nëna e tij u dha mësim fëmijëve duke përdorur pjesë nga i njëjti material që përdori për të dhënë mësim tek Shoqata e Ndihmës (faqe 29). Cilat janë disa mënyra se si mund të bashkërendoni shërbimin tuaj në Kishë me përgjegjësitë tuaja familjare?

  • Plaku Robert D. Hejls theksoi rëndësinë që ka të flasësh me fëmijët e të rinjtë dhe t’i dëgjosh ata (faqe 95). Çfarë mundësish mund të krijoni që të flisni me fëmijët tuaj? Çfarë keni mësuar kur i keni dëgjuar ata? Si mund të tregoni gatishmërinë tuaj për të dëgjuar? Në çfarë mënyrash mund të shfrytëzoni rastin për t’u dhënë dëshmi spontanisht fëmijëve dhe të rinjve? Për shembuj, shihni bisedën e Plaku Dejvid A. Bednar (faqe 40).

  • Disa folës iu drejtuan rëndësisë së Detyrës ndaj Perëndisë dhe të Përparimit Personal (shih faqet 22, 54, 60, 95 dhe 117). Çfarë mund të bëni për të ndihmuar të rinjtë që keni pranë, që të përfitojnë nga këto programe?