2010
E Madhërishmja Priftëri Aarone
Maj 2010


E Madhërishmja Priftëri Aarone

Ka kërkesë të ngutshme që ju të përmbushni detyrën tuaj ndaj Perëndisë.

Pamja
David L. Beck

Kam nderin që t’u flas sonte të rinjve të mahnitshëm të Kishës. Kam qenë i bekuar të takohem me shumë prej jush anembanë botës. Entuziazmi juaj është ngjitës.

Ju i përballoni sfidat tuaja me fuqi dhe kurajë të jashtëzakonshme. Ju shpreh dashurinë time dhe besimin që kam tek ju.

Ju i frymëzoni njerëzit përreth jush më shumë nga sa mund ta përfytyroni. Dëgjoni fjalët e një të riu që nuk është i besimit tonë, i cili përpiqet të përshkruajë shokun e tij që mban Priftërinë Aarone: “Unë vë re diçka ndryshe tek Luisi… . Ky djalë nuk është aspak si … të tjerët. Thjesht diçka shikohet tek ai… . Unë as që e di se ç’është, por ai është ndryshe nga të gjithë ata. Është veç diçka që e ndieni; jo [diçka] … që e shihni me sy. Thjesht ndihet.”

Ka diçka të rëndësishme që e veçon Luisin edhe juve nga të rinjtë e tjerë. Ju keni marrë Priftërinë Aarone. Ajo është një dhuratë e shenjtë dhe shumëkush nuk e çmon në plotësinë e saj. Sonte do t’ju ndihmoj të kuptoni se si mund të zbuloni për vete madhështinë e Priftërisë Aarone.

I. Perëndia Ju Mirëbeson

Kur Perëndia ju lë në dorëzim priftërinë e Tij të shenjtë, Ai tregon besim të madh tek ju. Ai e di se mund t’jua besojë përdorimin e priftërisë për t’u shërbyer të tjerëve, pikërisht ashtu si u ka besuar të rinjve të tjerë të bëjnë diçka nga puna e Tij më e rëndësishme.

Për shembull, bota nuk do ta kishte dëshminë e fuqishme të Librit të Mormonit për Jezu Krishtin, po të mos qe për dy të rinj të cilëve Perëndia u besonte. Mormoni, profeti që përpiloi këtë dokument të shenjtë, ishte vetëm 10 vjeç kur iu caktua të vëzhgonte e më vonë të regjistronte historinë e popullit të tij. Në moshën 15-vjeçare ai u “[vizitua] nga Zoti dhe [provoi] e [njohu] mirësinë e Jezusit” (Mormoni 1:15).

Libri i Mormonit u përkthye e u botua nga Jozef Smithi, i cili u thirr për veprën e tij të madhe në moshën 14 vjeç, kur atë e vizituan Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Gjëra të mëdha priten nga ju… . Si një sinjal lufte vjen fjala e Zotit tek ju, tek unë dhe tek mbajtësit e priftërisë kudo: ‘Si rrjedhim, tani çdo njeri duhet ta mësojë detyrën e tij dhe të veprojë në thirrjen që është caktuar, gjithë zell’” (“The Call for Courage,” Liahona, maj 2004, f. 54, 57).

II. Programi i Ri Detyrë ndaj Perëndisë

Që t’ju ndihmojë t’i përgjigjeni kësaj thirrjeje të ngutshme, Kisha po fillon një program të ri të Detyrës ndaj Perëndisë, siç e njoftoi sot më parë Presidenti Henri B. Ajring. Jam i ngazëllyer për këtë program. Materialet do t’u dërgohen peshkopëve dhe presidentëve tuaj të degëve duke filluar nga qershori. Duhet të filloni t’i përdorni sapo t’i merrni.

Si dhjak, mësues dhe prift, do të merrni pjesë në veprimtari që do t’ju ndihmojnë të zhvilloni forcë shpirtërore e të mësoni dhe të përmbushni detyrat tuaja të priftërisë. Secila veprimtari ndjek këtë model të thjeshtë:

Së pari, ju mësoni lidhur me një parim të ungjillit ose një detyrë të priftërisë. Ju zbuloni se çfarë dëshiron Ati Qiellor që të bëni dhe ju përpiqeni të fitoni një dëshmi shpirtërore se përse është ajo e rëndësishme.

Pas kësaj ju ndërtoni plane për të vepruar mbi atë që keni mësuar. Nxiteni që t’i bazoni planet tuaja mbi nevojat, rrethanat dhe mundësitë tuaja vetjake për t’u shërbyer të tjerëve. Ky është një rast i mrekullueshëm që ju të merrni përgjegjësinë për rritje vetjake dhe të zhvilloni vetëmbështetje shpirtërore.

Më pas ju u tregoni të tjerëve ato që mësoni dhe që përjetoni. Ndërsa veproni ashtu, do të forconi dëshminë tuaj e do të zhvilloni besimin e të tjerëve përreth. Do të rrisni aftësinë tuaj për të folur me të tjerët për ungjillin.

Unë i jam mirënjohës një të riu i cili më tregoi ngjarjen që vijon. Ai dhe një tjetër mbajtës i Priftërisë Aarone qenë caktuar për t’i administruar sakramentin një burri i cili ishte i ngujuar në shtëpi dhe qe shumë sëmurë. Ata mbërritën tek shtëpia e tij pa ditur që trajtimi i tij mjekësor më i fundit ia ndalonte ngrënien e çfarëdo ushqimi – madje dhe të një copëze buke të sakramentit. Pas bekimit të bukës, i riu ia drejtoi sakramentin burrit të brishtë. Ai mori një copëz buke të bekuar, priti një çast dhe pastaj e mbajti tek buzët. I riu tha se, kur pa këtë vëlla besnik që shprehte nderimin e tij për sakramentin, u ndie sikur po shihte se ai i puthi këmbët Shpëtimtarit. Mund të thoshte me siguri që ai e donte Atë.

Domethënia e sakramentit la mbi atë të ri atë ditë mbresa në një mënyrë të paharrueshme. Ju do të keni përvoja të shenjta, njëlloj siç pati ky i ri.

Prindërit tuaj, udhëheqësit dhe pjesëtarët e kuorumit luajnë një rol të rëndësishëm në programin Detyrë ndaj Perëndisë. Mbledhjet tuaja të të dielave në kuorume, do të sigurojnë mundësi të vazhdueshme që të mësoni, të veproni e të shprehni. Programi i ri Detyrë ndaj Perëndisë do t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj për të plotësuar detyrën para Parëndisë e për të zbuluar madhështinë e Priftërisë Aarone.

III. Plotësoni Detyrën Tuaj Ndaj Perëndisë

Gjatë vitit të kaluar kam qenë në një udhëtim, i cili e ka ndryshuar përgjithnjë mënyrën se si ju shoh juve dhe Priftërinë Aarone. Jam i ngazëllyer që ju do të zbuloni vetë atë që kam zbuluar unë. Ju do të mësoni përse Priftëria Aarone është aq e rëndësishme në jetën tuaj dhe sa jetike është ajo për Kishën. Ju do ta vlerësoni arsyen përse ajo përmendet si një nga “pjesët e mëdha” të priftërisë (shih DeB 107:6). Do të kuptoni më mirë domethënien e çelësave të priftërisë, shërbesën e engjëjve dhe ungjillin përgatitor (shih DeB 13; 84:26).

Satani do t’ju bënte të mendonit që jeni mjaft të rinj ose që jeni shumë pak për të bërë gjëra të rëndësishme me Priftërinë Aarone. Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë.

Fjalët e Perëndisë për Moisiun, janë sot për ju: “Vër re, ti je biri im; … dhe unë kam një punë për [ju]” (Moisiu 1:4, 6).

Ai ju ka dhënë fuqinë e Tij për të bërë gjëra të mëdha. Ndërsa e përmbushni detyrën tuaj ndaj Perëndisë, ju do të forconi e bekoni familjen tuaj. Kjo është detyra juaj më e madhe e priftërisë. Dëgjoni me vëmendje një nënë që përshkruan ndikimin që ka i biri në familjen e vet: “Në shtëpinë tonë Leo ka priftërinë dhe ajo është një bekim i pamatshëm. Ai është një shembull i mirë për motrat dhe vëllezërit e tij; … sigurohet që ata të luten gjithnjë. Shpërndan sakramentin të dielave. Vëllai i tij i vogël e sheh. Ndihmon … për lutjen familjare. Unë e di se ai do të vazhdojë të jetë një bekim kur të rritet më shumë. Ai do të mundë të pagëzojë vëllain e vet më të vogël. Kjo është një mirëqenie dhe një dhuratë për ne.”

Teksa plotësoni detyrën tuaj ndaj Perëndisë, ju do t’u gjendeni miqve tuaj të cilët nuk janë të besimit tonë dhe do të ndihmoni që ata të përgatiten për t’iu bashkuar Kishës. Si një vëlla i vërtetë, do t’i ruani e do t’i forconi ata. Ju do të prini përpara në shpëtimin e të rinjve të tjerë të cilët kanë humbur rrugën.

Ndërsa plotësoni detyrën tuaj ndaj Perëndisë, do të jeni një fuqi për të mirë në të gjitha kohët dhe në çdo rrethanë. Shembulli juaj i drejtë dhe shërbimi juaj besnik me priftëri, do të jenë një mënyrë e fuqishme që ju të ftoni të vijë te Krishti gjithkënd që ju njeh juve.

Në kohën e tyre më kritike, nefitët u mbështetën tek një djalë i ri, Mormoni, për udhëheqje dhe frymëzim (shih Mormoni 2:1–2). Sot, presim prej jush që të jeni forcë e madhe për Kishën dhe forcë për të mirën mbi tokë. Këtë gjë pret Zoti.

IV. Bëhuni Njeri Besnik i Priftërisë

Unë dëshmoj se do të ndieni ndryshimin e zemrës ndërsa bëheni një njeri besnik i priftërisë. Do të kërkoni që të jeni krejtësisht i pastër e ta administroni sakramentin me denjësi. Do ta trajtoni me mirësi dhe respekt cilëndo të re. Do të nderoni prindërit tuaj. Do të shmangni fyerjet ndaj Shpirtit në gjërat që ju mendoni, thoni ose bëni. Do të arrini të njihni Zotin, të cilit ju i shërbeni, dhe do të përpiqeni përherë që të jeni si Ai.

Unë dëshmoj se shërbimi juaj besnik në Priftërinë Aarone do të ndryshojë jetën e atyre që u shërbeni. Ka njerëz të cilëve u nevojitet shërbimi i priftërisë suaj. Familja juaj ka nevojë për ju. Kuorumi juaj ka nevojë për ju. Kisha ka nevojë për ju. Bota ka nevojë për ju.

Ka kërkesë të ngutshme që ju të përmbushni detyrën tuaj ndaj Perëndisë. Jam i bindur që do ta përmbushni.

Një mëngjes të ftohtë, pak javë më parë, kalova ngadalë gjatë lumit Tagus në Lisbonë të Portugalisë. Arrita tek një monument kushtuar eksploratorëve portugezë të shekujve të kaluar. U ndala, teksa dielli ngrihej dhe lëshonte dritën e tij të ngrohtë mbi monumentin madhështor e mbi mua. Unë u frymëzova ndërsa shihja fytyrat e vendosura të eksploratorëve që ngulnin vështrimin tej mbi ujë. Këta ishin burra të cilët qenë të gatshëm të bënin gjëra që pakkush i kishte bërë. Ata iu larguan një bote të njohur e të rehatshme dhe me guxim dolën drejt një oqeani të panjohur dhe zbuluan toka të reja. Ata ndryshuan botën.

Ju shikoj juve kur unë mendoj për atë monument eksploratorësh guximtarë. Ju shoh në një udhëtim tuajin që pakkush në botën e sotme zgjedh që të ndjekë. Ju shoh tek përmbushni detyrën tuaj ndaj Perëndisë.

Lutem që të gjithë të mund ta kuptojmë të madhërishmen Priftëri Aarone dhe t’u mirëbesojmë, siç u mirëbeson Perëndia, atyre që mbajnë atë priftëri. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.