2010
Fuqia e Priftërisë
Maj 2010


Fuqia e Priftërisë

Priftëria nuk e ka fuqinë që duhet të ketë dhe nuk do ta ketë atë derisa fuqia e priftërisë të jetë vendosur siç duhet në familjet.

Pamja
President Boyd K. Packer

Unë u drejtohem baballarëve të familjeve dhe familjeve kudo në Kishë.

Vite përpara ne filluam bashkërendimin nën drejtimin e Presidentit Harold B. Li. Atëherë Presidenti Tomas S. Monson tha: “Tani, ne jemi në fushatë kundër morisë më të madhe të mëkatit, vesit dhe ligësisë grumbulluar ndonjëherë përpara syve tanë … Plani i betejës me të cilin luftojmë të shpëtojmë shpirtrat e njerëzve nuk është nga ne. Ai [erdhi nëpërmjet] frymëzimit dhe zbulesës së Zotit”1.

Gjatë atyre viteve të bashkërendimit, e gjithë struktura vepruese e Kishës u ndryshua. I gjithë programi mësimor u rindërtua. Objektivat dhe marrëdhëniet e organizatave me njëra-tjetrën u riformuluan. Fjala kyçe gjatë atyre viteve të bashkërendimit dhe ristrukturimit ishte priftëria.

Presidenti Monson foli gjithashtu për Gedeonin, një hero i Dhiatës së Vjetër. Gedeoni ishte zgjedhur të udhëhiqte ushtritë e Izraelit, të fuqishme në mijëra. Por nga të gjithë ata, ai zgjodhi vetëm 300 burra.

Gedeoni kishte një mënyrë interesante të zgjedhjes së rekrutëve të tij. Kur burrat pinë ujë në një përrua, shumica “u gjunjëzuan për të pirë”. Ata ai nuk i mori. Disa merrnin ujë në duar dhe pinin, duke qëndruar krejt të gatshëm. Ata ishin që u zgjodhën2.

Ne jetojmë në një kohë kur dëgjojmë për “luftëra, zhurma luftërash dhe tërmete në vende të ndryshme”3. Siç është profetizuar, “i gjithë dheu [është] në rrëmujë”4 dhe “Satani është përhapur në tokë”5. Ai përpiqet të shkatërrojë gjithçka që është e mirë dhe e drejtë6. Ai është Luciferi që u flak jashtë pranisë së Perëndisë7. Përballë gjithë kësaj, ne kemi ndjenja shumë pozitive për atë që do të ndodhë.

Forca e vogël e Gedeonit arriti sukses sepse, siç thonë kronikat: “Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij”8.

Kjo “periudh[ë] e plotësisë së kohëve”9 u hap me shfaqjen e Atit dhe Birit përpara djalit Jozef Smith10. Pastaj engjëlli Moroni iu shfaq Jozefit atje ku ishin groposur pllakat që përmbanin Librin e Mormonit11. Jozefit iu dha fuqia për t’i përkthyer ato12.

Gjatë përkthimit Jozefi dhe Oliver Kaudri lexuan mbi pagëzimin. Ata u lutën të dinin çfarë të bënin13. Atyre iu shfaq një engjëll lajmëtar, Gjon Pagëzori. Ai u dha atyre Priftërinë Aarone “e cila mban çelësat e shërbesës së engjëjve dhe të ungjillit të pendimit e të pagëzimit me zhytje për heqjen e mëkateve”14.

Apostujt Pjetër, Jakob dhe Gjon, që ishin më të afërmit me Zotin në shërbesën e Tij, u shfaqën më pas dhe i dhanë Jozefit dhe Oliverit priftërinë më të lartë15, apo “Priftëri[në] e Shenjtë, sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë”16. Priftëria, shpjegojnë shkrimet e shenjta, do të quhej sipas Melkizedekut, prifti i lartë i madh të cilit Abrahami i pagoi të dhjetat17.

Ky pastaj u bë autoriteti i tyre. Nëpërmjet çelësave të priftërisë, ata patën qasje tek të gjitha fuqitë e qiellit. Ata ishin urdhëruar t’ua mësonin ungjillin të gjitha kombeve18.

Nuk ka qenë kurrë e lehtë të jetohet ungjilli i Jezu Krishtit. Nuk ishte e lehtë kur Ai jetoi dhe nuk ishte e lehtë në ditët e hershme të Kishës. Shenjtorët e hershëm kaluan nëpër vuajtje dhe armiqësi të papërshkrueshme.

Kanë kaluar më shumë se 180 vite qysh kur priftëria u rivendos. Ne numërojmë tani afro 14 milionë anëtarë. Dhe përsëri, ne jemi një pjesëz e vogël kur krahasohemi me miliarda njerëz në tokë. Por ne jemi ata që jemi, dhe ne e dimë atë që dimë, dhe ne duhet të shkojmë përpara dhe të predikojmë ungjillin.

Libri i Mormonit e bën të qartë se ne kurrë nuk do të dominojmë me anë të numrave. Por ne kemi fuqinë e priftërisë19.

Profeti Nefi shkroi: “Dhe ndodhi që unë vura re kishën e Qengjit të Perëndisë dhe numrat e saj ishin të pakta, … megjithatë unë vura re se kisha e Qengjit, që ishin shenjtorët e Perëndisë, ishte gjithashtu mbi të gjithë faqen e tokës; dhe sundimet e saj mbi faqen e tokës ishin të vogla”20.

Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Ndërsa mund të thuhet … se ne nuk jemi veç një grusht në krahasim me … botën, përsëri ne mund të krahasohemi me majanë për të cilën foli Shpëtimtari, e cila ndoshta do të mbrujë [apo ngrejë] gjithë botën”21.

Ne mundemi dhe në kohën e duhur sigurisht do të ndikojmë të gjithë njerëzimin. Do të bëhet e ditur kush jemi ne dhe përse jemi ne. Mund të duket e pashpresë; është tejet e vështirë, por ajo jo vetëm është e mundur, por e sigurt se ne do të fitojmë betejën kundër Satanit.

Disa vite përpara unë mbajta një bisedë me titull: “Çfarë Duhet të Dijë Çdo Plak: Një Abetare mbi Parimet e Qeverisë së Priftërisë”. Më vonë, kur ajo duhej të botohej, unë e ndryshova titullin në: “Çfarë Duhet të Dijë Çdo Plak – dhe Çdo Motër Gjithashtu”22.

Unë i përfshij motrat sepse është thelbësore për këdo të kuptojë çfarë pritet nga vëllezërit. Pa tërhequr vëmendjen e nënave, të bijave dhe të motrave – që kanë ndikim te bashkëshortët, baballarët dhe vëllezërit e tyre – ne nuk mund të përparojmë. Priftëria do të humbasë një forcë të madhe nëse motrat lihen mënjanë.

Priftëria është autoriteti dhe fuqia të cilën Perëndia u ka dhënë burrave në tokë që të veprojnë për Atë23. Kur autoriteti i priftërisë ushtrohet siç duhet, mbajtësit e priftërisë bëjnë atë që Ai do të bënte nëse Ai do të ishte i pranishëm.

Ne kemi bërë shumë mirë në shtrirjen e autoritetit të priftërisë. Ne e kemi vendosur autoritetin e priftërisë thuajse kudo. Ne kemi kuorume të pleqve dhe të priftërinjve të lartë kudo në botë. Por përhapja e autoritetit të priftërisë ka përparuar, mendoj unë, më shumë se përhapja e fuqisë së priftërisë. Priftëria nuk e ka fuqinë që duhet të ketë dhe nuk do ta ketë atë derisa fuqia e priftërisë të jetë vendosur siç duhet në familjet.

Presidenti Harold B. Li deklaroi: “Duket qartë për mua se Kisha nuk ka zgjedhje – dhe kurrë nuk ka pasur – veç të bëjë më shumë për të ndihmuar familjen për të kryer misionin e saj të shenjtë, jo vetëm se ky është urdhër i qiellit, por gjithashtu sepse ky është kontributi më konkret që ne mund të bëjmë për rininë tonë – të ndihmojmë të përmirësojë cilësinë e jetës në shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Sado të rëndësishme që janë programet e shumta dhe përpjekjet organizative tonat, ato nuk duhet ta zëvendësojnë shtëpinë; ato duhet ta mbështesin shtëpinë”24.

Presidenti Jozef F. Smith bëri këtë deklaratë mbi priftërinë në shtëpi: “Në shtëpi autoriteti kryesues gjithmonë i jepet babait dhe në të gjitha punët e shtëpisë e çështjet e familjes nuk ka autoritet tjetër më të lartë. Për ta ilustruar këtë parim, një ngjarje ndoshta do të mjaftonte. Ndonjëherë ndodh që pleqtë thirren për të administruar anëtarët e një familjeje. Midis këtyre pleqve mund të ketë presidentë kunjesh, apostuj, apo edhe anëtarë të presidencës së parë të Kishës. Nuk është e përshtatshme në këto kushte për babanë që të qëndrojë i tërhequr dhe të presë pleqtë të drejtojnë administrimin e kësaj ordinance të rëndësishme. Babai është atje. Është e drejta e tij dhe është detyra e tij të kryesojë. Ai duhet të zgjedhë atë që duhet të administrojë vajosjen dhe atë që duhet të bëjë lutjen dhe ai nuk duhet të ndihet se për shkak të pranisë së autoriteteve kryesuese të Kishës, ai duhet të zhvishet nga të drejtat e tij për të drejtuar administrimin e atij bekimi të ungjillit në shtëpinë e tij. (Nëse babai mungon, nëna duhet t’i kërkojë autoritetit kryesues të pranishëm të marrë përsipër detyrën.) Babai kryeson në tryezë, në lutje dhe jep drejtime të përgjithshme lidhur me jetën e familjes së tij, kushdo qoftë i pranishëm”25.

Gjatë Luftës së Vietnamit, ne mbajtëm një seri mbledhjesh të veçanta për anëtarët e Kishës të thirrur në shërbim ushtarak. Pas një mbledhjeje të tillë në Çikago, unë isha pranë Presidentit Harold B. Li, kur një shenjtor i ditëve të mëvonshme, i mrekullueshëm, i ri, i tregoi Presidentit Li se ai ishte me leje për të vizituar shtëpinë dhe pastaj kishte urdhër për në Vietnam. Ai i kërkoi Presidentit Li t’i jepte një bekim.

Për befasinë time të madhe, Presidenti Li tha: “Babai yt duhet të ta japë bekimin”.

Shumë i trishtuar, djali tha: “Babai im nuk do të dinte si të ma jepte bekimin”.

Presidenti Li u përgjigj: “Shko në shtëpi, djali im, dhe tregoi babait tënd se do të largohesh për në luftë dhe se dëshiron të marrësh një bekim babai prej tij. Nëse ai nuk di se si, tregoi atij se ti do të ulesh në një karrige. Ai mund të qëndrojë pas teje dhe të vendosë duart mbi kokën tënde dhe të thotë atë që ndien”.

Ky ushtar i ri u largua i pikëlluar.

Pas rreth dy vitesh unë e takova atë përsëri. Nuk më kujtohet ku. Ai më kujtoi mbi atë përjetim dhe tha: “Unë bëra siç më thanë të bëja. I shpjegova babait tim që do të ulesha në karrige dhe se ai duhej të vendoste duart e tij mbi kokën time. Fuqia e priftërisë na mbushi të dy. Ajo ishte fuqi dhe mbrojtje në ato muaj të rrezikshëm beteje”.

Një herë tjetër unë isha në një qytet të largët. Pas një konference ne po shuguronim dhe veçonim udhëheqës. Ndërsa përfunduam, presidenti i kunjit pyeti: “A mund të shugurojmë një të ri si plak që do të niset për në fushën e misionit?” Përgjigjja, sigurisht, ishte po.

Ndërsa i riu erdhi përpara, ai kërkoi tre vëllezër që ta ndiqnin dhe të qëndronin pranë për shugurimin e tij.

Unë vura re në rreshtin prapa një kopje të këtij djali dhe pyeta: “A është ai babai juaj?”

I riu tha: “Po”.

Unë thashë: “Babai juaj do t’ju shugurojë”.

Dhe ai protestoi: “Por unë i kam kërkuar tashmë një vëllai tjetër të më shugurojë”.

Unë i thashë: “Djalosh, babai yt do të të shugurojë dhe ju do të jetoni për të falënderuar Zotin për këtë ditë”.

Pastaj babai erdhi përpara.

Fatmirësisht ai ishte një plak. Nëse nuk do të ishte, ai shpejt do të ishte bërë! Në ushtri këtë do ta quanin gradim për plotësim vendi. Ndonjëherë gjëra të tilla bëhen në Kishë.

Babai nuk dinte si ta shuguronte birin e tij. Unë i hodha krahun dhe e ndihmova gjatë ordinancës. Kur mbaroi, i riu ishte një plak. Pastaj diçka e mrekullueshme ndodhi. Tërësisht të ndryshuar, babai dhe biri u përqafuan. Dukej qartë se ajo nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Babai, përmes lotëve të tij, tha: “Mua nuk m’u dha t’i shuguroja djemtë e mi të tjerë”.

Mendoni sa shumë më tepër ishte përmbushur sesa po ta kishte shuguruar një tjetër, qoftë edhe apostull.

Ndërsa priftëria është tani kudo në botë, ne i bëjmë thirrje çdo plaku dhe prifti të lartë, çdo mbajtësi të priftërisë, të ngrihet, si forca e vogël por e fuqishme e Gedeonit prej 300 vetësh, në vendin e vet. Ne duhet tani të zgjojmë në çdo plak e prift të lartë, në çdo kuorum e grup dhe te babai i çdo shtëpie, fuqinë e priftërisë së të Gjithëfuqishmit.

Zoti ka thënë se “gjërat e dobëta të botës do të vijnë dhe do të dërrmojnë gjërat e fuqishme dhe të forta”26.

Profeti Nefi gjithashtu tregoi për “fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës”, dhe tha se “ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”27.

Ne kemi nevojë për gjithsecilin. I lodhuri apo i rraskapituri, apo dembeli madje edhe ata që janë të mbërthyer në fajësi, duhet të kthehen përmes pendimit dhe faljes. Po ashtu shumë nga vëllezërit tanë të priftërisë po jetojnë nën nivelin e privilegjeve të tyre dhe pritshmërive të Zotit.

Ne duhet të shkojmë përpara, me besim për fuqinë hyjnore të priftërisë. Është një burim force dhe kuraje të dimë cilët jemi dhe çfarë kemi, dhe çfarë duhet të bëjmë në punën e të Gjithëfuqishmit.

Zoti ka thënë: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim”28.

Shtëpitë pa priftëri duhet të mbikëqyren dhe të shërbehen nga kuorumet e priftërisë. Në këtë mënyrë, asnjë bekim nuk do të mungojë në çdo familje brenda Kishës.

Vite përpara një familje u mbodh te shtrati i një gruaje daneze të moshuar të pakët. Midis tyre ishte biri i saj me moshë mesatare, i pabindur. Gjatë di sa viteve të shkuara ai kishte jetuar në shtëpi.

Mes lotësh ai u lut: “Mama, ti duhet të jetosh. Mama, ti nuk mund të vdesësh”. Ai tha: “Mama, ti nuk mund të ikësh. Unë nuk do të të lë të ikësh”.

Nëna e pakët ngriti sytë nga biri i saj dhe në theksin e saj të thyer danez tha: “But ver is yo powah?” – Ku është forca jote?

Pali tha:

“[Ne jemi] ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qenë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,

mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,

në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë”29.

Që puna e Zotit do të triumfojë, nuk ka asnjë dyshim. Që ne duhet të mobilizojmë të gjitha përpjekjet tona dhe të bashkohemi, janë të caktuara.

Autoriteti i priftërisë është me ne. Pas gjithë asaj që jemi bashkërenduar dhe organizuar, tani është përgjegjësia jonë të aktivizojmë fuqinë e priftërisë në Kishë. Autoriteti në priftëri vjen nëpërmjet shugurimit; fuqia në priftëri vjen nëpërmjet të jetuarit besnikërisht dhe me bindje në respektim të besëlidhjeve. Ajo rritet duke ushtruar dhe përdorur priftërinë në drejtësi.

Tani, baballarë, unë do të doja t’ju kujtoja për natyrën e shenjtë të thirrjes tuaj. Ju keni fuqinë e priftërisë drejtpërdrejt nga Zoti për të mbrojtur shtëpinë tuaj. Do të ketë kohë kur gjithçka që qëndron si mburojë midis familjes tuaj dhe dinakërisë së kundërshtarit do të jetë ajo fuqi. Ju do të merrni drejtim nga Zoti nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë.

Kundërshtari nuk po i shqetëson aktivisht mbledhjet tona në kishë – ndoshta vetëm rastësisht. Në përgjithësi ne jemi të lirë të mblidhemi siç dëshirojmë pa shumë probleme. Por ai dhe ata që e ndjekin atë, janë këmbëngulës në sulmin kundër shtëpisë dhe familjes.

Qëllimi i fundit i gjithë aktivitetit në Kishë është që një burrë dhe bashkëshortja e tij, dhe fëmijët e tyre të mund të jenë të lumtur në shtëpi, të mbrojtur nga parimet dhe ligjet e ungjillit, të vulosur të sigurt në besëlidhjet e priftërisë së përhershme.

Çdo ligj dhe parim, dhe fuqi, çdo besim, çdo ordinancë dhe shugurim, çdo besëlidhje, çdo predikim dhe çdo sakrament, çdo këshillë dhe korrigjim, vulosjet, thirrjet, lirimet, shërbimet – të gjitha këto kanë si qëllim të tyre të fundit përsosjen e individit dhe të familjes, sepse Zoti ka thënë: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”30.

Unë sjell dëshmi për fuqinë e priftërisë që i është dhënë Kishës për të na mbrojtur dhe drejtuar. Dhe duke pasur këtë, ne nuk kemi frikë nga e ardhmja. Frika është e kundërta e besimit. Ne ecim përpara, të sigurt se Zoti do të kujdeset për ne, veçanërisht në familje. Për Atë unë sjell dëshmi në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Thomas S. Monson, “Correlation Brings Blessings”, Relief Society Magazine, prill 1967, f. 247.

  2. Shih Gjyqtarët 7:4–8.

  3. Mormoni 8:30; shih gjithashtu Doktrina e Besëlidhje 45:26; Joseph Smith—Mateu 1:23, 28.

  4. Doktrina e Besëlidhje 45:26; shih gjithashtu Doktrina e Besëlidhje 88:91.

  5. Doktrina e Besëlidhje 52:14.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 10:22–23.

  7. Shih Zbulesa 12:7–9; Doktrina e Besëlidhje 29:36–37; 76:25–26.

  8. Gjyqtarët 7:21.

  9. Doktrina e Besëlidhje 112:30.

  10. Shih Joseph Smith – Historia 1:17.

  11. Shih Joseph Smith – Historia 1:33–34, 59.

  12. Shih Libri i Mormonit parathënie; Doktrina e Besëlidhje 135:3.

  13. Shih Joseph Smith – Historia 1:68–69.

  14. Doktrina e Besëlidhje 13:1.

  15. Shih Doktrina e Besëlidhje 27:12–13.

  16. Doktrina e Besëlidhje 107:3.

  17. Shih Doktrina e Besëlidhje 107:2–4, shih gjithashtu Hebrenjve 7:1–4; Alma 13:15.

  18. Shih Doktrina e Besëlidhje 42:58.

  19. Shih 1 Nefi 14:14.

  20. 1 Nefi 14:12.

  21. Joseph Fielding Smith, në Conference Report, tetor 1968, f. 123.

  22. Shih Boyd K. Packer, “What Every Elder Should Know—and Every Sister as Well: A Primer on Principles of Priesthood Government”, Tambuli, nëntor 1994, f. 15–24.

  23. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 141; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:28–31, në shtojcën e Biblës.

  24. Harold B. Lee, “Preparing Our Youth”, Ensign, mars 1971, f. 3; kursivet shtuar.

  25. Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, botimi i 5-të (1939), f. 287.

  26. Doktrina e Besëlidhje 1:19.

  27. 1 Nefi 14:14.

  28. Doktrina e Besëlidhje 82:10.

  29. Efesianëve 2:20–22.

  30. Moisiu 1:39.