Histori nga Shkrimet e Shenjta
Pemët e Ullirit


“Pemët e Ullirit”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)

Jakobi [LiM] 5–6

Pemët e Ullirit

Dashuria e Perëndisë për popullin e Tij

Pamja
figurë e pemëve të ullirit shfaqet teksa Jakobi flet

Jakobi ishte një profet i Perëndisë. Ai dëshironte t’u mësonte nefitëve se sa shumë Perëndia e do popullin e Tij. Jakobi u tregoi një histori rreth një vreshti me pemë ulliri. Zoti i vreshtit dhe shërbëtori i Tij punuan së bashku për t’u kujdesur për vreshtin.

Jakobi [LiM] 5:1–4, 7; 6:4–5

Pamja
Zoti i vreshtit gërmon me lopatë pranë pemës së ullirit

Zoti pati një pemë të veçantë ulliri e cila bëri fruta të mira. Jakobi tha se kjo pemë ishte si populli i Perëndisë, ose shtëpia e Izraelit. Fruta ishte si veprimet e njerëzve. Zoti u kujdes shumë për këtë pemë. Ai e ndihmoi që të rritej duke i ushqyer rrënjët e saj dhe duke i krasitur degët e saj. Ai i dha asaj atë që i nevojitej për të jetuar.

Jakobi [LiM] 5:1–3, 5; 6:1, 7

Pamja
pema e ullirit fillon të fishket

Pas njëfarë kohe, pema e Tij e veçantë filloi të fishkej. Kishte vetëm pak degë të shëndetshme. Kjo gjë e trishtoi Zotin. Ai donte që ajo të vazhdonte të jepte fruta të mira.

Jakobi [LiM] 5:3, 6–8

Pamja
Zoti i vreshtit e pret dhe heq degën e shëndetshme

Që të shpëtonte degët e shëndetshme, Zoti i hoqi ato dhe ua bashkëngjiti pemëve të tjera. Më pas Ai i zëvendësoi ato me degë të shëndetshme nga pemë të tjera.

Jakobi [LiM] 5:7–14

Pamja
Zoti i vreshtit dhe shërbëtorët kujdesen për pemët e ullirit

Kaloi një kohë e gjatë. Zoti dhe shërbëtori erdhën shpesh te vreshti. Ata u kujdesën për pemën e veçantë të Zotit. Gjithashtu u kujdesën për degët e veçanta që u shpërndanë në pemët kudo nëpër vresht. Shumica e frutave që u rritën, ishin të mira. Frutat e mira i bënë të lumtur Zotin dhe shërbëtorin e Tij.

Jakobi [LiM] 5:15–29, 31

Pamja
Zoti i vreshtit flet me shërbëtorin rreth pemëve të ullirit

Pas njëfarë kohe, secila pemë prodhoi më shumë fruta. Por tani të gjitha frutat ishin të këqija. Zoti ishte shumë i trishtuar. Ai nuk donte ta humbiste vreshtin e Tij ose frutat e vreshtit. Kishte punuar shumë për t’i ndihmuar pemët e Tij. Ai pyeti veten se çfarë tjetër mund të bënte. Foli me shërbëtorin dhe zgjodhën që të vazhdonin të përpiqeshin.

Jakobi [LiM] 5:29–51

Pamja
punëtor që pret dhe heq degën e shëndetshme

Që ta shpëtonte vreshtin e Tij, Zoti tha që të mblidheshin degët që Ai i kishte hequr nga pema e veçantë. Ai tha që t’ia bashkëngjitnin ato sërish pemës së veçantë.

Jakobi [LiM] 5:51–60

Pamja
degë të shëndetshme iu bashkëngjiten pemëve të ndryshme të ullirit

Kjo ishte hera e fundit që Zoti do ta punonte vreshtin e Tij. Ai thirri shërbëtorë të tjerë që të ndihmonin. Që të gjithë punuan së bashku për t’i mbledhur dhe për t’i bashkëngjitur degët.

Jakobi [LiM] 5:61–72

Pamja
degë të shëndetshme të pemës së ullirit me fruta

Ata u kujdesën për të gjitha pemët. Ata i hoqën degët e këqija dhe i mbajtën të mirat. Pas njëfarë kohe, pema e veçantë e Zotit prodhoi përsëri fruta të mira. Pemët e tjera gjithashtu prodhuan fruta që ishin po aq të mira sa frutat e pemës së veçantë. Zoti ishte i lumtur. Pemët e Tij u shpëtuan! Ato të gjitha prodhuan frutat që Ai dëshironte që ato t’i prodhonin.

Jakobi [LiM] 5:73–75

Pamja
Zoti i vreshtit dhe shërbëtorët vështrojnë te një pemë e madhe dhe e shëndetshme ulliri

Zoti i falënderoi shërbëtorët. Ai u tha atyre se ishin të bekuar që punuan kaq shumë dhe i zbatuan urdhërimet e Tij. Ai e ndau frutën me ta dhe ajo i bëri shumë të lumtur. Për një kohë të gjatë, Zoti u kënaq me frutën.

Jakobi [LiM] 5:75–77

Pamja
figura e Jezu Krishtit shfaqet teksa Jakobi flet

Jakobi e mbaroi historinë e pemëve të ullirit. Ai u mësoi njerëzve se Perëndia kujdeset për ta pikërisht ashtu si Zoti i vreshtit u kujdes për pemët e Tij. Jakobi i kërkoi çdo njeriu që të pendohej dhe të vinte më afër Perëndisë. Ai u mësoi që ta donin Perëndinë e t’i shërbenin Atij, sepse Perëndia është gjithmonë duke e shtrirë dorën për t’i ndihmuar ata.

Jakobi [LiM] 6:1–5, 7, 11