2019
Dy Nivele Besimi
Janar 2019


Dy Nivele Besimi

Nga një bisedë në një takim shpirtëror, “The Faith to Reap” [“Besimi për të Korrur”], dhënë në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho më 17 mars 2015.

Besimi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij është besimi për të korrur. Është besimi në fuqinë e Tij, jo në fuqinë tuaj.

Pamja
paintings of wheat and Jesus in Gethsemane

Të Korrat e Arta, nga David Merrill, me mirësinë e Muzeut të Historisë së Kishës

Krishti Duke u Lutur në Kopshtin e Gjetsemanit, nga Hermann Clementz

Lehi dhe familja e tij kishin qenë në vendin e shkretë vetëm prej disa ditësh kur Zoti i tha atij që t’i dërgonte bijtë e tij sërish në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani. Ne nuk i përgëzojmë shpesh dy bijtë rebelë të Lehit, Lamanin dhe Lemuelin, por faktikisht ata ishin të gatshëm të shkonin. Ata kishin mjaftueshëm besim për t’u përpjekur.

Lamani dhe më pas Lemueli me vëllezërit e tij, ia kërkuan fletët Labanit. Vëllezërit e humbën pasurinë e tyre familjare dhe për pak edhe jetën e tyre në përpjekje. Në atë pikë, besimi i Lamanit dhe Lemuelit i la në baltë dhe ata ishin gati të hiqnin dorë. Nefi, nga ana tjetër, e mposhti rrezikun dhe shkurajimin:

“Ashtu si Zoti jeton dhe ashtu si ne jetojmë, ne nuk do të kthehemi tek ati ynë në vendin e shkretë, derisa ne të kemi plotësuar gjënë që Zoti na ka urdhëruar.

Prandaj, le të jemi besnikë në zbatimin e urdhërimeve të Zotit” (1 Nefi 3:15–16).

Më pas Nefi e ushtroi besimin e tij të madh, i mori fletët e Labanit dhe u kthye me vëllezërit e tij tek ati i tyre në vendin e shkretë.

Me sa duket ka dy nivele të dallueshme besimi. Niveli i parë është besimi për t’u përpjekur, besimi për të vënë dorë në draprin tonë. Niveli i dytë është besimi për të vepruar. Është më tepër sesa besimi për të vënë dorë në drapër – ai është besimi për të korrur.

Lamani dhe Lemueli kishin besimin për t’u përpjekur, por Nefi kishte besimin për të vepruar. Lamani dhe Lemueli kishin mjaftueshëm besim për të vënë dorë në draprin e tyre, por Nefi kishte mjaftueshëm besim për të korrur.

Ky dallim i hollë ndërmjet besimit për të vënë dorë në drapër dhe besimit për të korrur do ta sjellë gjithë ndryshimin në jetën tuaj. Për të jetuar sërish me Atin tonë Qiellor dhe për të jetuar një jetë frytdhënëse dhe të gëzueshme në tokë, ne kemi nevojë të zhvillojmë besimin për të korrur.

Ne kemi marrë premtime të mrekullueshme nga Zoti – premtime lumturie dhe gëzimi në këtë jetë dhe ekzaltimi në jetën tjetër. Por sprovat dhe problemet e jetës sonë të përditshme synojnë të na e shkatërrojnë shpresën. Toka jonë e premtimit duket kaq e largët, kaq e paarritshme, saqë ne fillojmë të dyshojmë.

“Për mua nuk është e mundur që ta arrij atë synim apo ta marr atë bekim”, mendojmë ne. “Me siguri Zoti po mendonte për dikë tjetër kur Ai i bëri ato premtime.”

Jo, Ai po mendonte për ju dhe për mua. Neve na duhet vetëm besim i mjaftueshëm për t’i marrë bekimet tona – një besim kaq i fortë, saqë mund t’i kthejë premtimet tona të ardhshme në realitete të tanishme. Ne kemi nevojë për besimin për të korrur.

Çfarë është saktësisht ky besim dhe si mund ta zhvillojmë atë?

Kini Besim te Jezu Krishti

Së pari, ndryshe nga besimi për të vënë dorë në drapër, besimi për të korrur nuk është besim në vetvete. Ai nuk është njësoj si vetëbesimi apo një qëndrim pozitiv mendor. Madje nuk është as besim te familja apo miqtë tuaj – gjëra të cilat janë të gjitha të mira. Besimi për të korrur është besimi te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. Është besimi në fuqinë e Tij, jo në fuqinë tuaj.

Kur u thirra si president kunji në Kunjin e Marikopës në Mesë të Arizonës, Plaku W. Mek Lorens, në atë kohë një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, na ftoi gruan time dhe mua në zyrën e presidentit të kunjit dhe na ofroi thirrjen. E pranova me bindje. Më pas ai na ftoi të hynim në dhomën e këshillit të lartë dhe me lutje të merrja parasysh burra për t’i rekomanduar si këshilltarët e mi. Teksa po hyja në dhomë, pashë fotografi të të gjithë presidentëve të kunjit, të cilët kishin shërbyer më parë në kunj qëkurse ai ishte organizuar, dhe m’u ndrydh zemra. Ata ishin udhëheqës të shkëlqyer si në Kishë edhe në komunitet.

E vështrova gruan time dhe thashë: “Ketlin, nuk mendoj se mund ta bëj këtë. Nuk jam në nivelin e tyre.”

Ajo tha: “Epo, mos ma thuaj mua këtë. Më mirë fol me Plakun Lorens.”

Për habinë time, kur i thashë atij se mendoja që nuk mund ta bëja këtë thirrje, Plaku Lorens u përgjigj: “Epo, mendoj se ke të drejtë”.

Por më pas tha: “Nuk mund ta bësh ti, Vëllai Andersen, por Zoti mundet. Ai ka fuqinë ta bëjë punën e Tij dhe, nëse ti do të jesh i denjë dhe të punosh fort, Ai do ta bëjë atë. Do ta shohësh.”

Dhe Ai e bëri.

Besimi për të vënë dorë në draprin tuaj është besimi për t’u përpjekur. Është besimi te vetja dhe ai avullon sapo gjërat të vështirësohen. Dhe më pas ne fillojmë të dyshojmë. Por besimi për të korrur është besimi në Zotin Jezu Krisht. Ai nuk dorëzohet kurrë.

Shkrijeni Vullnetin Tuaj me Vullnetin e Perëndisë

Pamja
woman looking up

Që ta ushtrojmë besimin për të korrur, ne duhet të jemi të sigurt që dëshirat dhe objektivat tona të jenë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Ne nuk mund ta ushtrojmë kurrë besimin për të korrur nëse Perëndia nuk është dakord për korrjen. Që ta kemi ndihmën e Tij, ne duhet ta shkrijmë vullnetin tonë me të Tijin.

Për shkak se profeti Nefi në librin e Helamanit ishte një burrë i drejtë dhe besnik, Zoti i thotë atij: “Unë do të të bekoj përgjithmonë; dhe unë do të të bëj të fuqishëm në fjalë dhe në vepra, në besim dhe në punë; po, madje që të gjitha gjërat do të bëhen sipas fjalës tënde”. Ky po që është një premtim. Më pas Zoti shton: “Pasi ti nuk do të kërkosh atë që është në kundërshtim me vullnetin tim” (Helamani 10:5).

Dhe Moroni na thotë këtë: “Dhe Krishti ka thënë: Në qoftë se ju do të keni besim në mua, ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme” (Moroni 7:33).

Përputhja e dëshirave tona me vullnetin e Perëndisë është një parakusht për besimin për të korrur.

Kur bijtë e mi ishin më të rinj, ata luanin në skuadrat e basketbollit të shkollës së mesme. Në atë kohë, ata e kishin bërë zakon të bënin një lutje si skuadër përpara se ta nisnin çdo ndeshje. Ndërsa i shikoja nga ndenjëset, vrisja mendjen se për çfarë po luteshin. Nëse po luteshin për ta fituar ndeshjen, lutjeve të tyre u mungonte besimi për të korrur. Kjo dukej qartë nga numri i ndeshjeve që humbën. Me sa duket, Zoti nuk kishte të njëjtën dëshirë me ta që medoemos ta fitonin çdo ndeshje.

Me fjalë të tjera, Perëndia do të na ndihmojë të arrijmë vetëm synimet që janë të mira për ne. Kjo për arsye se Ai na do dhe Ai e di më mirë se ne se çfarë do të jetë për të mirën tonë. E pra, a nuk duhet të jemi mirënjohës për këtë? Ne duhet të lutemi çdo ditë që Ati Qiellor të na bekojë me dëshirat e drejta për ta përputhur vullnetin tonë me të Tijin. Ne duhet të mësojmë të lutemi siç u lut Zoti në Kopshtin e Gjetsemanit, që të bëhet vullneti i Perëndisë, jo i yni (shih Lluka 22:42). Vetëm atëherë mund ta ushtrojmë besimin për të korrur.

Shkoni të Punoni

Parakushti i tretë i besimit për të korrur, është puna. Apostulli Jakob e bën të qartë që besimi pa vepra është i vdekur. Besimi për të vënë dorë në drapër kërkon bindje, por besimi për të korrur kërkon më shumë se bindje. Madje dhe demonët besojnë, shkruan Jakobi, dhe dridhen (shih Jakob [Bibël] 2:17, 19).

Dëgjova një histori rreth një babai që vuri re vajzën e tij të vogël që gjunjëzohej pranë shtratit duke u lutur që Ati Qiellor t’i mbronte zogjtë e vegjël që të mos binin në kurthin që vëllai i saj kishte ndërtuar dhe kishte vënë në kopsht. Më vonë, atë ditë, babai u shqetësua. Ai e dinte se kurthi ishte ndërtuar mirë. Ai e kishte ndihmuar të birin ta ndërtonte atë.

“Të dëgjova tek luteshe këtë mëngjes që Ati Qiellor t’i mbronte zogjtë e vegjël nga kurthi i vëllait tënd”, i tha ai të bijës. “Por nganjëherë gjëra të trishtueshme ndodhin edhe kur lutemi që të mos ndodhin.”

Ajo u përgjigj: “Babi, thjesht e di që ai s’ka për të kapur asnjë zog”.

“E admiroj besimin tënd, zemër”, tha babai. “Por nëse ai i kap disa zogj, shpresoj që mos ta lëndojë besimin tënd.”

“Nuk ka për ta bërë, babi”, tha ajo. “E di që s’do ta bëjë.”

Babai e pyeti: “Si mund të kesh kaq shumë besim?”

“Sepse pasi bëra lutjen”, iu përgjigj e bija, “dola jashtë dhe e bëra copë e çikë kurthin e tij për zogjtë.”

Është gjë e mirë të lutemi për bekimet e Atit Qiellor. Por pasi themi amen, duhet të shkojmë të punojmë. Ne nuk mund të presim që Zoti të na i drejtojë hapat nëse nuk jemi të gatshëm të luajmë këmbët. As nuk duhet t’i kërkojmë Atij që të bëjë për ne atë që mundemi ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë për veten.

Ne duhet të punojmë për arritjen e synimeve tona dhe duhet të punojmë fort për mbajtjen e urdhërimeve. Fuqia e vërtetë në besëlidhjet tona dhe fuqia e vërtetë në besimin për të korrur kuptohet jo atëherë kur arrijmë me siguri në përfundimin se Perëndia i mban premtimet e Tij por, përkundrazi, kur arrijmë me siguri në përfundimin se ne i mbajmë besëlidhjet tona. Ajo e vërtetë e madhe është ajo që i kthen premtimet e ardhshme në realitete të tanishme. Ne duhet të punojmë.

Mos u shkurajoni nga dështimet ose gabimet tuaja, por jini të qëndrueshëm në përpjekjet tuaja dhe jini të vendosur. Besimi për të korrur nuk kërkon përsosuri, por kërkon këmbëngulje.

Unë ju ftoj ta zhvilloni besimin për të korrur. Vendoseni besimin tuaj të patundur te Shpëtimtari, Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. Sigurohuni që dëshirat tuaja të shkrihen dhe të përputhen me vullnetin e Tij. Më pas shkoni të punoni me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj me vendosmëri dhe këmbëngulje të patundur. Nuk ka sfidë, problem, asnjë pengesë që nuk do t’i nënshtrohet besimit për të korrur.