2019
Ashtu si Shpëtimtari: Rritja në Katër Fusha të Rëndësishme
Janar 2019


Ashtu si Shpëtimtari:Rritja në Katër Fusha të Rëndësishme

Ne nuk dimë shumë gjëra mbi mënyrën se si u rrit Jezu Krishti, por Lluka 2:52 na jep një ide me rëndësi.

Pamja
woman rappelling

Fotografia e gruas që po zbret me litar nga shkëmbi, nga Getty Images

“Pra, pritet që unë të …, çfarë?”

Kisha dëgjuar. Vërtet e kisha bërë. Instruktori i kishte kontrolluar pajimet e mia të alpinizmit, më kishte treguar saktësisht se si ta liroja litarin, madje më kishte parë drejt e në sy dhe më kishte thënë: “Unë NUK do të të lë të biesh!”

Por në çastin vendimtar, ja ku po qëndroja, duke u dridhur e duke u djersitur, teksa shihja poshtë pas shpinës dhe … goxha poshtë, duke e ditur se duhej të bëja hapin e parë.

Buzë një shkëmbi.

Epo, ndoshta ju nuk keni qenë në vendin tim, gati që ta hidhnit njëmend hapin nga maja e një shkëmbi, duke shpresuar se jeni të përgatitur mjaftueshëm sa të zbritni poshtë me litar në mënyrë të sigurt. Por ka gjasa që të keni qenë në vendin tim shpirtërisht. E dini, kur i keni studiuar vetë shkrimet e shenjta dhe i keni dëgjuar mësuesit të dëshmojnë për doktrinën dhe parimet e vërteta. Ju e ndieni Shpirtin t’ju ftojë të veproni në mënyra që do t’ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Shpëtimtari. Jeni i ngazëllyer ta ndërmerrni këtë hap dhe t’ia tregoni Zotit se sa i zotuar jeni ndaj ungjillit të Tij.

Pastaj mendoni: “Si ta bëj atë?”

Dhe ajo çfarë dukej aq e qartë dhe e arritshme vetëm një çast më parë, ju largohet. Ja ku jeni, duke qëndruar në buzë të një shkëmbi shpirtëror, i pasigurt nëse e keni pajisjen apo përgatitjen e duhur për të vepruar sipas të vërtetës që keni marrë.

Që të bëheni si Jezu Krishti: Si e bëni atë?

Niseni te Fillimi

Shpëtimtari e filloi jetën e Tij në vdekshmëri në të njëjtën mënyrë siç e filluam ju dhe unë: si një foshnjë. Dhe me kalimin e kohës, ashtu si ne, Jezusi filloi të rritej (shih te Doktrina e Besëlidhje 93:11–17). Ai mësoi se si të ecte, të fliste dhe të qeshte. Ai mësoi se si të punonte, të lexonte dhe të shkonte mirë me njerëzit.

Në fakt, mënyra se si “u rrit” Zoti është, regjistruar te Lluka 2:52: “Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”.

Nëse dëshirojmë të bëhemi si Shpëtimtari, ne mund ta ndjekim shembullin e Tij.

Pra le ta shqyrtojmë këtë model dhe ta shohim vetë se bërja si Jezu Krishti është i mundur!

“Rritja në dituri”

Perëndia e krijoi mendjen tonë që të ketë aftësi të hatashme për ta vlerësuar, përpunuar dhe vënë në përdorim dijeninë. Faktet, figurat, aftësitë, procedurat – sasia e informacionit që mund të grumbullojmë, është thuajse pa kufi.

Por ashtu si Shpëtimtari, ne kërkojmë të rritemi në dituri, jo thjesht informacion. Dituria është të jesh në gjendje ta përdorësh saktësisht informacionin, t’i kuptosh alternativat e tua dhe të marrësh vendime të mira.

“Përdorimi i duhur i njohurisë përbën urtësi”, dha mësim Plaku Xhejms E. Talmixh (1862–1933), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.1 Ai gjithashtu shpjegoi se si e fitoi urtësinë Shpëtimtari: “Ai e mblodhi njohurinë me anë të studimit dhe e fitoi urtësinë me anë të lutjes, të menduarit dhe përpjekjes”2. Alma i dha mësim birit të tij Helamanit: “O mbaje mend, biri im dhe mëso urtësi në rininë tënde; po, mëso në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë” (Alma 37:35; theksimi i shtuar). Mendoni rreth saj: Besimi, studimi dhe bindja e zgjerojnë aftësinë tonë për të marrë njohuri dhe për t’u rritur në dituri!

“Rritja në shtat”

Nefi ishte i madh dhe i fuqishëm. Ai përshkruhet në shkrimet e shenjta si “i madh në shtat” (1 Nefi 2:16). Unë nuk jam. Shtati i Nefit ishte krijuar për të kryer veprimtari shumë më të ndryshme nga shtati im, sepse Zoti kishte detyra të ndryshme për Nefin. Nefit i duhej të ndërtonte një anije, të gjente ushqim për familjen e tij dhe t’i ndihmonte ata të udhëtonin nëpër vendin e shkretë.

Trupat tanë fizikë kanë atë çfarë na duhet me qëllim që të jetojmë në jetën në vdekshmëri dhe të gjejmë kënaqësi në të. Për shkak të planifikimit hyjnor të Perëndisë, një fëmijë i porsalindur rritet në shtat me kalimin e kohës. Neve nuk na nevojitet të zhvillojmë organe apo gjymtyrë të tjera teksa kalon mosha – ato elemente ishin krijuar tashmë si pjesë e trupave tanë. Nuk kërkohet ndonjë montim shtesë! Por me qëllim që t’i shërbejmë Perëndisë dhe njerëzve përreth nesh, ne duhet ta ruajmë shëndetin e trupave tanë.

Trupat tanë fizikë janë tempulli, apo shtëpia, e projektuar përsosurisht për shpirtrat tanë (shih 1 Korintasve 3:16–17; 6:19–20). Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Trupi juaj, cilatdo qofshin dhuntitë e tij të natyrshme, është një krijim i mrekullueshëm i Perëndisë. Ai është një tabernakull prej mishi – një tempull për shpirtin tuaj.”3

Trupat tanë mund të përjetojnë sfida, paaftësi dhe dhembje të rënda fizike, sepse ne po kalojmë një përvojë në vdekshmëri, por Ati ynë Qiellor i projektoi përsosurisht trupat tanë që t’i përmbushim me sukses mundësitë tona në jetë.

Pamja
young man at the top of mountain

“Rritja në hir përpara Perëndisë”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “e vërteta e parë e madhe e gjithë përjetësisë është se Perëndia na do ne me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij4.

Perëndia ju do ju. Edhe kur keni një ditë kur nuk ndiheni mirë, Ai ju do ju – me gjithë anët tuaja të forta, dobësitë, pyetjet dhe shpresat tuaja. Pra, si “rrite[ni] … në hir përpara Perëndisë”? Ju i tregoni Atij se edhe ju e doni Atë!

Jezusi u tha dikur dishepujve të Tij: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Bindja juaj e shfaq dashurinë tuaj për Perëndinë. Bindja juaj me gatishmëri në veprimtaritë e vogla e të përditshme, mund t’ju përgatitë që të përgjigjeni, kur vijnë ftesat e Tij në të ardhmen, dhe të përmbushni gjëra edhe më të mëdha.

“Rritja në hir përpara njerëzve”

Mos u habitni! Pasja e më shumë ndjekësve se të gjithë në mediat shoqërore nuk do të thotë se keni “hir përpara njerëzve”.

Jezusi shfaqi një mënyrë të ndryshme të ndikimit ndaj të tjerëve – dhe të Atij që Ai e lejoi ta ndikonte. Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë … sepse Perëndia ishte me të” (Veprat e Apostujve 10:38).

Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, tha njëherë: “Mund t’i kujtoj ende, sikur të ishte sot, miqtë që e prekën për mirë jetën time shumë kohë më parë. Ata kanë ndërruar jetë, por kujtimi i dashurisë, shembullit, besimit dhe dëshmisë së tyre, ende më lartëson.”5

Ju mund ta rritni ndikimin tuaj duke qenë një mik që e prek për mirë jetën e të tjerëve. Broshura Për Forcën e Rinisë jua mëson mënyrën se si: “Tregoni interesim të sinqertë për të tjerët; buzëqeshni dhe bëjuani të ditur se interesoheni për ta. Trajtojini të gjithë me mirësi e respekt dhe përmbahuni nga gjykimet dhe kritikat për ata që ju rrethojnë. … Bëni një përpjekje të veçantë për të qenë mik me ata që janë të ndrojtur apo të vetmuar, që kanë nevoja të veçanta ose që nuk ndihen të përfshirë.”6

Mendoni për individët që i admironi dhe i respektoni ndershmërisht – ata të cilët i pëlqeni. Çfarë karakteristikash kanë zhvilluar ata të cilat ju kujtojnë Jezu Krishtin? Sepse, pavarësisht sa të mirë mund të jenë miqtë tanë, Miku ynë më i mirë është Jezu Krishti dhe shembulli i Tij është shembulli që duam ta ndjekim!

Pamja
Jesus sitting with a child

Në Dritën e Tij, nga Greg K. Olsen

Gjithçka Është e Lidhur

“Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Teksa e ndiqni modelin e Shpëtimtarit për rritjen, ju do të zbuloni se elementet funksionojnë përsosurisht së bashku dhe ju do të bëheni më shumë si Ai. Mendja, trupi dhe shpirti juaj do të funksionojnë së bashku për të mirën tuaj dhe ju do të jeni në gjendje ta bekoni jetën e shumë të tjerëve dhe “t’i shërbeni [Perëndisë] me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj”! (Doktrina e Besëlidhje 4:2.)

Shënime

  1. James E. Talmage, The Articles of Faith, bot. 12‑të, (1924), f. 90.

  2. James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 112.

  3. Russell M. Nelson, “We Are Children of God”, Ensign, nëntor 1998, f. 85.

  4. Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 129.

  5. Henry B. Eyring, “True Friends”, Liahona, maj 2002, f. 29.

  6. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 16.