2019
Qëllimi Që Do Ta Ndryshojë Dhënien e Shërbesës Sonë
Janar 2019


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Qëllimi Që Do Ta Ndryshojë Dhënien e Shërbesës Sonë

Ndërkohë që ka shumë qëllime për dhënien e shërbesës, përpjekjet tona për të dhënë shërbesë duhet të udhëhiqen nga dëshira për t’i ndihmuar të tjerët që të arrijnë një kthim më të thelluar në besim si individë dhe për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari.

Pamja
ministering like the Savior

Uji i Gjallë, nga Simon Dewey

Kur i duam të tjerët ashtu siç i do Shpëtimtari, ne duam t’i ndihmojmë ata ashtu siç bëri Ai. Si Bariu i Mirë, Ai është shembulli absolut i dhënies së një shërbese kuptimplotë.

Duke e modeluar dhënien e shërbesës sonë sipas Atij, është e rëndësishme të kujtojmë se përpjekjet e Tij për të dashur, lartësuar, shërbyer dhe bekuar kishin një qëllim më të lartë sesa plotësimi i nevojave të menjëhershme. Sigurisht që Ai i dinte nevojat e tyre të përditshme dhe pati dhembshuri për vuajtjen e tyre të tanishme. Prandaj Ai shëroi, ushqeu, fali dhe dha mësim. Por Ai donte të bënte më shumë sesa thjesht të kujdesej për etjen e së sotmes (shih Gjoni 4:13–14). Ai donte që njerëzit përreth Tij ta ndiqnin Atë (shih Lluka 18:22; Gjoni 21:22), ta njihnin Atë (shih Gjoni 10:14; Doktrina e Besëlidhje 132:22–24) dhe ta arrinin potencialin e tyre hyjnor (shih Mateu 5:48). E njëjta gjë është e vërtetë sot (shih Doktrina e Besëlidhje 67:13).

Ka mënyra të panumërta se si mund të ndihmojmë për t’i bekuar të tjerët, por kur synimi përfundimtar i shërbesës sonë është që t’i ndihmojmë të tjerët të arrijnë ta njohin Shpëtimtarin dhe të bëhen më shumë si Ai, ne do të punojmë për ditën kur nuk do të na duhet t’i mësojmë fqinjit tonë ta njohë Zotin ngaqë të gjithë ne do ta njohim Atë (shih Jeremia 31:34).

Përqendrimi i Shpëtimtarit Shkoi përtej Nevojave të Menjëhershme

  • Disa individë bënë çmos për ta sjellë mikun e tyre te Jezusi që të shërohej nga paraliza. Në fund, Shpëtimtari e shëroi burrin, por Ai qe më i interesuar që ta falte atë për mëkatet e tij (shih Lluka 5:18–26).

  • Kur njerëzit e sollën te Shpëtimtari gruan që u kap duke shkelur kurorën, mosndëshkimi nga ana e Tij ia shpëtoi jetën asaj fizikisht. Por Ai donte që ta shpëtonte atë edhe shpirtërisht, duke i thënë asaj: “Shko dhe mos mëkato më” (shih Gjoni 8:2–11).

  • Maria dhe Marta i dërguan fjalë Jezusit duke i kërkuar Atij që të vinte ta shëronte mikun e Tij, Llazarin. Jezusi, i cili i kishte shëruar të tjerët në raste të panumërta, e vonoi mbërritjen e Tij deri pasi Llazari kishte vdekur. Jezusi e dinte se çfarë donte familja, por duke e ngritur Llazarin së vdekuri, Ai i forcoi dëshmitë e tyre për hyjnueshmërinë e Tij (shih Gjoni 11:21–27).

Çfarë shembujsh të tjerë mund t’i shtoni kësaj liste?

Çfarë Mund të Bëjmë Ne?

Nëse qëllimi ynë është që t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen më shumë si Shpëtimtari, kjo do ta ndryshojë mënyrën se si japim shërbesë. Këtu janë disa mënyra se si kjo kuptueshmëri mund t’i udhëheqë përpjekjet tona për të dhënë shërbesë.

Ideja 1: Lidheni Shërbimin me Shpëtimtarin

Të gjitha përpjekjet tona për të bërë mirë janë të vlefshme, por ne mund të kërkojmë mundësi për ta përmirësuar shërbimin tonë duke e lidhur atë me Shpëtimtarin. Për shembull, nëse familja së cilës ju i jepni shërbesë është e sëmurë, një vakt ushqimi mund të jetë i dobishëm, por shprehja juaj e thjeshtë e dashurisë mund të shumëfishohet nga dëshmia juaj për dashurinë që Shpëtimtari ka për ta. Ndihma juaj për rregullimin e oborrit të shtëpisë do të vlerësohej, por ndoshta mund të bëhej më kuptimplote duke ofruar një bekim priftërie.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Një njeri me zemër të mirë mund ta ndihmojë dikë që të rregullojë një gomë makine, të çojë një shok dhome te mjeku, të hajë drekë me dikë që është i trishtuar, ose t’i buzëqeshë dhe ta përshëndetë për t’ia lumturuar ditën.

Por një ndjekës i urdhërimit të parë do t’u shtojë natyrshëm [veprime të tjera] këtyre veprimeve të rëndësishme të shërbimit.”1

Ideja 2: Përqendrohuni te Shtegu i Besëlidhjeve

Kur u foli anëtarëve për herë të parë si President i Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Qëndroni në shtegun e besëlidhjeve”. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve “do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion”2.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne pagëzohemi, konfirmohemi dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Anëtarët e denjë meshkuj marrin priftërinë. Ne shkojmë në tempull për dhurimin [indaumentin] tonë dhe për t’u vulosur së bashku si familje përgjithmonë. Këto ordinanca shpëtuese dhe besëlidhjet që lidhen me to, janë thelbësore që ne të bëhemi si Ai në mënyrë që të mund të jemi me Të.

Ne mund të kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në ndihmesën dhënë të tjerëve përgjatë atij shtegu ndërkohë që i ndihmojmë ata t’i mbajnë besëlidhjet e tyre dhe të përgatiten për të bërë besëlidhje të ardhshme.3 Si mund t’i ndihmoni individët ose familjet të cilave u shërbeni, për të marrë ordinancën e ardhshme që u nevojitet? Kjo mund të nënkuptojë që të jepni ndihmesë për ta përgatitur një baba që ta pagëzojë vajzën e tij, duke i shpjeguar bekimet e besëlidhjes së ardhshme që do të bëhet, ose duke i treguar mënyra për të pasur një përvojë më kuptimplote me anë të ripërtëritjes së besëlidhjeve tona ndërkohë që marrim sakramentin.

Pamja
invite and encourage

Krishti dhe i Riu Pasanik, nga Heinrich Hofmann

Ideja 3: Ftoni dhe Nxitni

Kur është e përshtatshme, këshillohuni me ata të cilët ju i doni, rreth kthimit të tyre në besim dhe përpjekjeve për të qenë më shumë si Krishti. Bëjuani të ditur anët e forta që i shihni dhe i admironi tek ata. Mësoni ku mendojnë ata se mund të përmirësohen dhe flisni për mënyrën se si mund t’i ndihmoni. (Për më tepër informacion mbi këshillimin së bashku me ata të cilëve u jepni shërbesë, shih “Counsel about Their Needs”, Liahona, shtator 2018, f. 6–9.)

Mos kini frikë t’i ftoni ata që ta ndjekin Shpëtimtarin dhe ta lejojnë Atë që t’i ndihmojë për ta arritur potencialin e tyre hyjnor. Kjo ftesë mund ta ndryshojë jetën, kur shoqërohet me shprehjen e mirëbesimit tuaj tek ata dhe besimit tuaj tek Ai.

Gjashtë Mënyra se si Mund t’i Ndihmojmë të Tjerët të Përparojnë drejt Krishtit

Në vijim janë sugjerime për përkrahjen e të tjerëve që të bëjnë përmirësime në jetë dhe të përparojnë nëpër shtegun e besëlidhjeve.(Shih Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 11, për më shumë ide.)

  1. Tregoni. Jini të vërtetë dhe të guximshëm kur flisni për mënyrën se si ju ka ndihmuar Shpëtimtari, ndërsa jeni përpjekur t’i afroheni më pranë Atij duke i jetuar parimet e ungjillit, pavarësisht nga pengesat.

  2. Premtoni bekime. Njerëzit, që të ndryshojnë, kanë nevojë për një arsye e cila është më bindëse sesa arsyet për të mos ndryshuar. Shpjegimi i bekimeve që lidhen me një veprim, mund të japë një shtysë të fuqishme (shih Doktrina e Besëlidhje 130:20–21).

  3. Ftoni. Të jetuarit e një parimi të ungjillit sjell një dëshmi se ai është i vërtetë (shih Gjoni 7:17) dhe të çon në një kthim më të thellë në besim.4 Pothuajse çdo bashkëveprim mund të përfshijë një ftesë të thjeshtë për të bërë diçka që do t’i ndihmonte ata të përparonin.

  4. Planifikoni së bashku. Çfarë nevojitet të ndodhë që ata ta mbajnë me sukses zotimin e tyre për të ndryshuar? Si mund të ndihmoni ju? A ka një rend të caktuar kohor të gjërave që nevojitet të ndodhin?

  5. Përkrahni. Kur është e dobishme, krijoni një rrjet përkrahjeje të njerëzve që mund ta ndihmojnë individin për ta ruajtur shtysën dhe për t’ia dalë mbanë. Të gjithë kemi nevojë për dikë që brohoret për ne.

  6. Ndiqni ecurinë. Flisni rregullisht rreth përparimit. Qëndroni të përqendruar te plani, por përmirësojeni atë nëse është e nevojshme. Jini të durueshëm, këmbëngulës dhe nxitës. Ndryshimi mund të kërkojë kohë.

Ftesë për të Vepruar

Merrini në shqyrtim mënyrat se si përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë – si të mëdha edhe të vogla – mund t’i ndihmojnë të tjerët ta thellojnë kthimin e tyre në besim dhe të bëhen më shumë si Shpëtimtari.

Tregojini Përvojat Tuaja

Na i dërgoni përvojat tuaja teksa u keni shërbyer të tjerëve ose ju është dhënë shërbesë. Shkoni te liahona.lds.org dhe klikoni te “Submit an Article or Feedback” [“Dërgoni një Artikull ose Lini një Përshtypje”].

Shënime

  1. Neil L. Andersen, “A Holier Approach to Ministering” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 10 prill 2018), f. 3; speeches.byu.edu.

  2. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  3. Shih Henri B. Ajring, “Bija në Besëlidhje”, Liahona, maj 2014, f. 125–128.

  4. Shih Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor. 2012, f. 106–109.