2019
8 Sugjerime se si t’i Baraspeshoni Kërkesat e Jetës
Janar 2019


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Tetë Sugjerime se si t’i Baraspeshoni Kërkesat e Jetës

Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 1987

Kam disa sugjerime që shpresoj se do të jenë të vlefshme për ata prej jush që janë të shqetësuar për baraspeshimin e kërkesave të jetës.

Pamja
balancing life’s demands

Ilustrimi dhe ikonat nga Getty Images

  • Së pari, mendoni për jetën tuaj dhe vendosni përparësitë tuaja. Gjeni pak kohë të qetë rregullisht për të menduar thellësisht rreth asaj se ku po shkoni dhe çfarë keni nevojë të bëni për të mbërritur atje. Jezusi, shembulli ynë, shpesh “tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej” (Lluka 5:16). Ne kemi nevojë të bëjmë të njëjtën gjë herë pas here, për t’u përtërirë shpirtërisht ashtu siç bëri Shpëtimtari. Shkruajini detyrat që doni të përmbushni çdo ditë. Mbi të gjitha, mbajini në mendje besëlidhjet e shenjta që keni bërë me Zotin ndërkohë që shkruani programin e ditës suaj.

  • Së dyti, vendosni synime afatshkurtra që mund t’i arrini. Vendosni synime që janë të baraspeshuara mirë – jo më shumë seç duhet, as më pak seç duhet dhe jo tepër të larta por as edhe tepër të ulëta. Shkruajini synimet tuaja të arritshme dhe punoni për to sipas rëndësisë së tyre. Lutuni për udhërrëfim hyjnor kur t’i vendosni synimet tuaja.

  • Së treti, nëpërmjet planifikimit financiar me mençuri, kontrollojini nevojat tuaja reale dhe matini me kujdes ato kundrejt dëshirave tuaja të shumta në jetë. Jashtë mase shumë individë dhe familje kanë marrë borxh me tepri. Kini kujdes nga ofertat e shumta tërheqëse për të marrë para hua. Është shumë më e lehtë të merrni para hua sesa t’i shlyeni ato. Nuk ka rrugë të shpejta për te siguria financiare. Ne nuk do të kemi kurrë baraspeshë në jetën tonë nëse financat tona nuk mbahen të sigurta nën kontroll.

    Kujtohuni të paguani gjithnjë një të dhjetë të plotë.

  • Së katërti, qëndrojini pranë bashkëshortit/es, fëmijëve, të afërmve dhe miqve. Ato do t’ju ndihmojnë të mbani një baraspeshë në jetën tuaj. Ndërtoni marrëdhënie me familjen dhe miqtë tuaj me anë të komunikimit të hapur e të ndershëm.

    Një martesë e mirë dhe marrëdhëniet e mira familjare mund të ruhen me anë të komunikimit të butë, dashamirës e të matur. Mbajeni mend se shpesh një shkelje syri, një tundje e kokës ose një prekje do të thotë më shumë sesa fjalët. Pasja e humorit dhe një dëgjim i kujdesshëm janë gjithashtu pjesë thelbësore të komunikimit të mirë.

  • Së pesti, studiojini shkrimet e shenjta. Ato ofrojnë një nga burimet më të mira që kemi për të na mbajtur të lidhur me Shpirtin e Zotit. Një nga mënyrat se si e kam fituar njohurinë time të sigurt se Jezusi është Krishti, është nëpërmjet studimit tim të shkrimeve të shenjta. Presidenti Rasëll M. Nelson u ka kërkuar anëtarëve të Kishës ta studiojnë plot lutje Librin e Mormonit çdo ditë.

  • Së gjashti, ne duhet ta programojmë kohën në kalendarët tonë të përditshëm për çlodhje, stërvitje dhe pushim të mjaftueshëm nëse duam të shijojmë një jetë të shëndetshme dhe të baraspeshuar. Paraqitja e mirë fizike e rrit dinjitetin tonë dhe respektin për veten.

  • Së shtati, zhvilloni mbrëmje të përjavshme familjare. Ne nuk duhet ta humbim këtë mundësi të veçantë për t’ia “mës[uar] njëri‑tjetrit doktrinën e mbretërisë” (DeB 88:77), e cila do t’i drejtojë familjet drejt jetës së përjetshme.

    Satani është gjithmonë duke punuar për ta shkatërruar dëshminë tonë, por ai nuk do ta ketë fuqinë të na tundojë apo të na shqetësojë përtej forcës sonë për të bërë ballë kur jemi duke studiuar ungjillin dhe duke jetuar urdhërimet e tij.

  • Sugjerimi im i fundit është të lutemi shpesh. Ju mund të dini të merrni vendimet e duhura çdo ditë, nëpërmjet lutjes së vazhdueshme dhe të sinqertë. Kur jam në harmoni nga ana shpirtërore, kuptoj se unë mund ta baraspeshoj çdo gjë në jetën time shumë më lehtë.

E kuptoj se sugjerime të tjera mund t’u shtohen këtyre. Sidoqoftë, unë besoj se kur përqendrohemi në disa objektiva bazë, ka më shumë të ngjarë të jemi në gjendje t’i administrojmë kërkesat e shumta që na sjell jeta. Kujtoni, çdo gjë me tepri në jetë mund të na e prishë baraspeshën. Në të njëjtën kohë, mungesa e gjërave të rëndësishme mund të sjellë të njëjtën gjë. Mbreti Beniamin këshilloi “që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull” (Mosia 4:27).

Shpesh mungesa e drejtimit dhe e synimeve të qarta mund të na e çojnë dëm kohën dhe energjinë dhe të japin ndihmesë për ta nxjerrë nga baraspesha jetën tonë. Synimi ynë kryesor duhet të jetë të kërkojmë “pavdekësi[në] dhe jet[ën] e përjetshme [të] njeriut” (Moisiu 1:39). Duke pasur këtë si synimin tonë, përse të mos heqim nga jeta jonë gjërat që na i shpërqendrojnë dhe na i konsumojnë mendimet, ndjenjat dhe energjitë tona pa ndikuar te [përpjekja] jonë për ta arritur atë synim?

Thjesht bëni më të mirën që mundeni çdo ditë. Bëni gjërat bazë dhe, përpara se ta kuptoni, jeta juaj do të jetë plot me kuptueshmëri shpirtërore që do t’ju pohojë se Ati juaj Qiellor ju do. Kur një njeri e di këtë, atëherë jeta do të jetë plot me qëllim e kuptim, duke e bërë më të lehtë mbajtjen e baraspeshës.