2019
Ungjilli: Një Teknikë për Jetën e Përjetshme
Janar 2019


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Ungjilli: Një Teknikë për Jetën e Përjetshme

Lori Fulleri është redaktore për revistën Miku. Asaj i pëlqen shumë të gjejë grupe të reja muzikore, të dëgjojë lajmet në radio dhe të gatuajë ushqime nga e gjithë bota. Ndonjëherë ajo shkruan diçka.

A keni menduar ndonjëherë mbi mënyrën se si zbatimi i urdhërimeve e bën jetën shumë më të thjeshtë?

Pamja
life icons

Muajin e kaluar, disa miq dhe unë po i tregonim njëri‑tjetrit të rejat e javës së secilit. Një mik tregoi se ai po merrte përsipër barrën e shërimit të nënës së tij nga alkoolizmi. Ai ishte vetëm pak vite më i vogël se unë dhe kjo ngjante si detyra më e vështirë nga të gjitha.

Më vonë atë natë, biseda shkoi te fakti se sa shumë kushton pirja e duhanit dhe se si dikush që e njihnim kishte arritur të pinte një paketë cigaresh në ditë. (Bëjini llogaritë; janë kaq shumë para!) Ajo po përpiqej ta linte dhe po përjetonte simptomat e tërheqjes. Megjithatë, i biri i saj ishte vërtet i lumtur që ajo po e linte duhanin. I ati i kishte vdekur nga një mbidozë droge, gjë që e bënte përdorimin e çfarëdo droge shumë më të frikshme për këtë djalë.

Së fundi, biseda jonë përfundoi te kafeja – se sa shumë njerëzit pinin çdo mëngjes (dhe pasdite e nganjëherë natën) dhe sa shumë u mungonin makiatot tani që nuk ia dilnin për t’i pirë përditë.

Teksa po e ngisja makinën për në shtëpi, duke menduar për të gjitha këto biseda, më erdhi mendimi: “Fjala e Urtësisë është në thelb teknika më e mirë për jetën që ekziston”. (Nëse nuk e dini, një “teknikë për jetën” është një mënyrë për ta përmirësuar jetën, për të jetuar më me efektshmëri etj. Siç e përshkroi dikush në internet, një teknikë për jetën është ajo që më parë njihej si “një ide e mirë”.) Është sikur Perëndia ka thënë: “Ja ku është një mënyrë për t’ju kursyer paratë, për t’ju ndihmuar që të mbeteni të shëndetshëm, për t’i mbrojtur fëmijët tuaj dhe për të shmangur barrët vërtet të rënda emocionale, përfshirë vetë varësitë tuaja dhe të të tjerëve”. Është thuajse sikur Perëndia t’u kishte paraprirë të gjithë problemeve që do të hasnim, dhe të na kishte dhënë një mënyrë për ta shmangur gjysmën e tyre. …

Për cilindo urdhërim të Perëndisë, ne kemi zgjedhjen që ta ndjekim atë ose ta shpërfillim atë. Por teksa po mendoja për Fjalën e Urtësisë si një grup udhëzimesh nga Perëndia që edhe u paraprin kaq shumë sfidave edhe na mbron nga ato, mendova: “Po sikur të gjitha urdhërimet e Perëndisë të funksionojnë në atë mënyrë?” Po sikur një Atë i dashur Qiellor, që e ka përjetuar këtë jetë dhe sfidat e saj, të ketë dhënë një libër udhëzues për të na ndihmuar që ta gjejmë udhën në botë me sa më pak dhembje që të jetë e mundur? Dhe po sikur Ai na e dha atë neve ngaqë Ai na do dhe dëshiron të na mbrojë?

A doni të jeni të kënaqur me atë që keni, të jeni të lumtur dhe mirënjohës? “Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd” (Eksodi 20:17).

A doni ta shmangni ndjenjën e fajit, burgosjen, garancinë e kushtueshme gjyqësore dhe pagesat e gjykatës? A doni ta ruani mirëbesimin dhe respektin e njerëzve – si dhe punën tuaj? “Nuk do të vjedhësh” (Eksodi 20:15).

A doni të qëndroni pranë Perëndisë me qëllim që Ai të mund t’ju udhërrëfejë e drejtojë dhe t’ju ndihmojë t’i mbani barrët tuaja? “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).

Lista vazhdon e vazhdon. Secili urdhërim i veçantë mund të na mbrojë nga dëshpërimi, ta bëjë më të lehtë jetën tonë, të na mbajë larg telasheve ose thjesht të na ndihmojë të gjejmë paqe. Dhe e gjitha kjo me kaq pak kosto apo parehati vetjake. (Dhe pa pagesa të fshehura!)

Sigurisht që nuk dua t’ua ul vlerën urdhërimeve të Perëndisë në thjesht udhëzime ose teknika të dobishme për jetën. Ato janë shumë më të mëdha se kaq. Por gjithashtu ato janë vërtet aq të thjeshta. Ati Qiellor nuk mund të na mbrojë nga gjithçka. Por si prind i dashur, Ai do të donte të na përgatiste dhe të na mbronte nga kostoja e zgjedhjeve tona – duke na udhërrëfyer që të bëjmë zgjedhje më të mira.

Sigurisht, ne mund t’i mbajmë urdhërimet dhe sërish të na ndodhin gjëra të këqija. Pra, përse ta vrasim mendjen?

Sepse nuk do ta dimë asnjëherë se nga çfarë po mbrohemi tani nëpërmjet bindjes sonë. Sepse na ndihmon të çlirohemi nga një jetë me plagë të shkaktuara vetë. Sepse bindja na ndihmon të qëndrojmë pranë Perëndisë. Sepse na vendos në pozicionin që të pendohemi kur zgjedhim të gabuarën. Sepse ne i mirëbesojmë Perëndisë që e di se si të na bekojë dhe të na mbrojë.

Lista vazhdon e vazhdon. Është shumë më e gjatë sesa lista e arsyeve për të mos i zbatuar urdhërimet.

Për më mirë a për më keq, Perëndia më lejon të zgjedh se sa e bindur dua të jem. Unë e zgjedh se sa e hapur jam për bekimet që Ai ka për mua. Pra, përse t’i zbatojmë urdhërimet? Sepse unë dua që jeta ime të jetë plotësisht e hapur ndaj ndihmës që Perëndia po përpiqet të më japë.