2019
Gjetja e një Profesionisti të Shëndetit Mendor që Është i Duhuri për Ju
Janar 2019


Vetëm në Format Elektronik

Gjetja e një Profesionisti të Shëndetit Mendor që Është i Duhuri për Ju

Ka mundësi dhe pyetje të shumta që duhen marrë parasysh kur zgjidhni të merrni ndihmën që ju nevojitet.

Nëse nuk ju është dashur kurrë më parë të zgjidhnit një punonjës për shëndetin mendor, mund të mos e dini si të gjeni një të përshtatshëm për rrethanat tuaja të posaçme. Ja tek janë disa gjëra që t’i merrni parasysh teksa e filloni kërkimin për të duhurin për ju.

Çfarë lloj punonjësi për shëndetin mendor ju nevojitet?

Profesionistët e shëndetit mendor diagnostikojnë dhe trajtojnë gjendje të shëndetit mendor. Shumica kanë së paku një diplomë pasuniversitare ose arsim, përgatitje dhe kualifikime më të përparuara. Sigurohuni që profesionisti që zgjidhni të mund të japë shërbime për shëndetin mendor.

Të renditura më poshtë janë disa nga llojet më të zakonshme të punonjësve. Disa mund të specializohen në fusha të caktuara të tilla si depresioni, abuzimi me substancat ose terapia familjare. Mbajeni në mendje se pagesa që kërkojnë ose arsimi që kanë nuk është treguesi më i mirë i faktit se sa të kualifikuar apo të dobishëm mund të jenë.

Psikiatri

Një psikiatër është një mjek (me gradën Doktor në Mjekësi ose Doktor i Mjekësisë Osteopatike) i cili është i specializuar për dhënien e mjekimeve që trajtojnë gjendje të shëndetit mendor. Ata mund të specializohen më tej për trajtimin e grupeve pacientësh të tillë si fëmijë, adoleshentë, persona në moshë madhore ose pacientë të moshuar.

Psikologu

Një psikolog është i përgatitur për t’u marrë me mendimet, emocionet dhe sjelljet. Zakonisht, një psikolog ka një doktoratë (gradë shkencore).

Infermieri i shëndetit mendor dhe psikiatrik

Një infermier i shëndetit mendor e psikiatrik është një infermier i regjistruar me përgatitje për dhënien e mjekimeve që trajtojnë gjendje të shëndetit mendor.

Punonjës social klinik me lejë

Një punonjës social klinik ka përgatitje dhe përvojë posaçërisht për trajtimin e gjendjeve të shëndetit mendor. Zakonisht, një punonjës social ka një diplomë pasuniversitare për punë sociale.

Këshilluesi profesionist

Një këshillues profesionist ka përgatitje dhe përvojë për trajtimin e gjendjeve të shëndetit mendor. Zakonisht, një këshillues profesionist ka një diplomë pasuniversitare shkencore.

Çfarë duhet të merrni parasysh kur të zgjidhni midis llojeve të ndryshme të punonjësve për shëndetin mendor?

  • Gjendjen tuaj. Shumica e profesionistëve të shëndetit mendor është e kualifikuar të trajtojë shumicën e gjendjeve të diagnostikueshme, por mund të dëshironi të zgjidhni një që është i specializuar për problemin tuaj të posaçëm.

  • A ju nevojiten mjekime, këshillim apo të dyja. Shumë çështje të shëndetit mendor mund të kenë një përbërës biologjik, psikologjik, shoqëror dhe shpirtëror. Si rrjedhim, mund t’ju nevojitet të shkoni te më shumë se një punonjës për shëndetin mendor. Për shembull, mund t’ju nevojitet të shkoni te një psikiatër për t’ju dhënë mjekim dhe te një punonjës tjetër për shëndetin mendor për këshillim.

Si mund ta gjeni një punonjës për shëndetin mendor?

Keni disa mundësi:

  • Kërkojini mjekut/es t/suaj të familjes një listë punonjësish që ju rekomandon ai ose ajo.

  • Kërkoni një referim ose rekomandim nga një mik i besuar, pjesëtar i familjes, udhëheqës i Kishës, mjek i shëndetit fizik ose nga LDS Family Services [Shërbimet për Familjet SHDM] (nëse ka një zyrë në zonën tuaj).

  • Vihuni në kontakt me një organizatë vendore ose kombëtare për shëndetin mendor (me anë të telefonit ose internetit).

  • Bëni kërkime në internet për shoqata profesionistësh që kanë të dhënat për punonjës për shëndetin mendor në zonën tuaj.

Çfarë pyetjesh duhet të bëni kur të zgjidhni një punonjës për shëndetin mendor?

Merreni parasysh të diskutoni për këto çështje:

  • A është një anëtar/e aktiv/e i Kishës? Nëse jo, a ka të njëjtat vlera morale si ju?

  • Çfarë arsimi, përgatitjeje dhe sa vite përvojë ka?

  • Për çfarë është specializuar?

  • Me cilën kompani sigurimesh punon?

  • Cili është orari i punës, sa i ka tarifat dhe sa zgjatin seancat?

Kur të zgjidhni një punonjës për shëndetin mendor, mos ngurroni të bëni pyetje të shumta. Mund t’i bëni këto pyetje përpara se të bëni takimin tuaj të parë. Shumë punonjës do të kenë një kënd interneti që trajton shumë prej temave të lartpërmendura. Gjetja e punonjësit të duhur që përputhet me ju është vendimtare për themelimin e një marrëdhënieje mirëbesimi dhe për të përfituar sa më shumë nga trajtimi juaj. Teksa i merrni parasysh me lutje mundësitë tuaja, do të udhëhiqeni në drejtimin e duhur.