2019
Maria, Nëna e Jezusit
Janar 2019


Maria, Nëna e Jezusit

Historia e Maries është një kujtues i përhershëm i çmimit dhe bekimeve të dishepullimit.

Pamja
Mary the Mother of Jesus

Maria i Ruante të Gjitha Këto Fjalë, nga Howard Lyon

Maria, nëna e Jezusit, është një nga gratë e pakta që përmenden në shkrimin e shenjtë dhe e vetmja që për jetën dhe shërbesën e së cilës u profetizuan shekuj përpara lindjes së saj (shih 1 Nefi 11:15, 18; Mosia 3:8; Alma 7:10).1 Autorët e Dhiatës së Re të librave të Mateut, Markut, Llukës dhe Gjonit japin vetëm vështrime të shpejta për jetën dhe shërbesën e saj, sepse përqendrimi i tyre me të drejtë vatërzohet mbi Shpëtimtarin. Por kisha e hershme e krishterë i dha Maries titullin theotokos, “mbajtësja ose nëna e Perëndisë”2, si kujtues i rolit të rëndësishëm që luan edhe ajo në planin e Atit.

Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka shkruar: “A mund të flasim me shumë nderim për atë grua që Zoti e ka bekuar mbi të gjitha gratë? Kishte vetëm një Krisht dhe ka vetëm një Marie. Secili prej tyre ishte fisnik dhe i madhërishëm në [ekzistencën para lindjes] dhe secili u shugurua në shërbesën që ai ose ajo kreu. Nuk mund të mos mendojmë se Ati do të zgjidhte shpirtin më të madhërishëm femëror që të ishte nëna e Birit të Tij, po ashtu si zgjodhi shpirtin mashkullor të ngjashëm me veten e tij që të ishte Shpëtimtari. … Ne duhet … ta çmojmë Marien me atë nderim të duhur që është i saji.”3

Rrëfimi i Llukës për historinë e Lajmërimit të Lindjes, të thënë Maries (shih Lluka 1:26–56), na jep një dritare përmes së cilës mund ta vlerësojmë më mirë këtë të re mbresëlënëse. Nëpërmjet bashkëbisedimeve të saj me Gabrielin dhe Elizabetën, ne shohim një të re që po përpiqet ta marrë me mend dhe ta kuptojë thirrjen e saj të pashoqe prej Perëndisë. Madhështia e asaj thirrjeje duhet të ketë peshuar rëndë mbi një vajzë aq të re dhe prapëseprapë ajo ia nënshtroi me gatishmëri vullnetin e saj vullnetit të Atit. Historia e saj na kujton se Perëndia është i vetëdijshëm për të gjithë fëmijët e Tij dhe se Ai thërret burra e gra të zakonshme që të marrin pjesë në mënyra të jashtëzakonshme për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Tij. Ajo u bë dishepullja e parë e Jezusit dhe prandaj ajo është një model për të gjithë ata që zgjedhin ta ndjekin Jezusin.

Nazareti: Shtëpia e Maries

Për fat të keq, Dhiata e Re nuk na tregon asgjë për prindërit e Maries, lindjen e saj ose ndonjë gjë rreth jetës së saj në Nazaret. Lluka e përshkruan Nazaretin si një polis, që mund të përkthehet ose si një qytet ose një qytezë, por nuk duket se kishte qenë një vend me rëndësi. Përveç Dhiatës së Re, Nazareti nuk përmendet në ndonjë tekst deri në fund të shekullit të dytë ps.K.

E dimë që Nazareti ndodhej në një kodër në Galilenë e poshtme me pamje nga lugina pjellore e Jezebelit, 105 km në veri të Jerusalemit. Arkeologjia vë në dukje se Nazareti i shekullit të parë ishte më shumë si një fshat sesa një qytet apo madje qytezë, me një popullsi të përafërt prej rreth 400–500 vetash.4 Me pak përjashtime, shumica e popullsisë nëpër të gjithë Galilenë e kishte të vështirë mbijetesën duke punuar me mëditje, duke ruajtur bagëtitë, duke peshkuar dhe duke punuar tokën thjesht që të vinin ushqim në tryezë për familjet e tyre dhe të paguanin taksat e tyre. Fshati nuk kishte fortifikime; nuk ka asnjë provë se kishte rrugë të shtruara apo arkitekturë monumentesh, as që përdornin mjete luksi të tilla si mermer, mozaikë apo afreske në ndërtesat, ose që vatrat familjare të zotëronin mallra të bukura, të importuara.5 Dy shtëpitë e shekullit të parë ku janë bërë gërmime, duket të jenë banesa të thjeshta njëkatëshe me dy dhoma, një çati me kashtë dhe një oborr të vogël.6 Zakonet e varrimit dhe disa fragmente enësh prej guri gëlqeror tregojnë se banuesit ishin judenj dhe nuk ishin johebrenj.

Ndërkohë që asnjë prej këtyre zbulimeve nuk mund të lidhet drejtpërsëdrejti me Marien ose familjen e saj, ato na japin vërtet një ide se si mund të ketë qenë jeta e saj në Nazaret: një vajzë fshatare që jetonte në një fshat rural, larg nga qendra fetare e Jerusalemit me tempullin, aristokracinë priftërore dhe pasurinë e vet. Edhe kur ishte vajzë e re, ajo do të kishte punuar përkrah nënës së saj dhe grave të tjera të fshatit, duke endur pëlhura, duke gatuar, duke mbledhur dru për zjarr, duke mbushur ujë nga sternat e familjes ose puset e fshatit dhe duke punuar në fusha – të gjitha për ta ndihmuar familjen e saj që të mbijetonte nga dita në ditë.

Thirrja e Maries

Historia e Maries në librin e Llukës hapet me shfaqjen e engjëllit Gabriel, i njëjti engjëll që i ishte shfaqur më parë Zakarias në tempull (shih Lluka 1:11, 19, 26). Kur shfaqet Gabrieli, Maria është një e re e cila ishte e fejuar për t’u martuar me Jozefin (shih Lluka 1:27). Edhe pse nuk e dimë se sa vjeç ishte në atë kohë Maria, në lashtësi ishte e mundshme që kontratat e martesës të bëheshin madje që përpara pubertetit. Shfaqja e Gabrielit dhe shpalljet e tij se Maria është “hirplotë”, se “Zoti është me ty”, se ajo është “e bekuar ndër gratë” dhe se, sipas Përkthimit prej Joseph Smith‑it të Llukës 1:28, ajo ishte “e zgjedhur” (shih edhe Alma 7:10), mund të kenë shkaktuar një reagim të përzier të pështjellimit dhe madje frikës te Maria. Ne vetëm mund ta përfytyrojmë se ç’mendime mund ta kenë përshkruar mendjen e saj në atë çast, por ato mund të kenë përfshirë mendime si: “Përse Perëndia më konsideron se jam ‘e bekuar ndër gratë’?” “Përse kam ‘gjetur hir para Perëndisë’ dhe për më tepër çfarë do të thotë kjo?” “Përse e dërgoi Perëndia Gabrielin tek unë dhe jo te ndonjë prej të rejave të tjera në Nazaret ose në Jerusalem?” Po, ajo ishte nga shtëpia e Davidit (shih Lluka 1:32; Romakëve 1:3), por kjo nuk kishte shumë vlerë nën pushtimin romak. Në fund të fundit, ajo ishte thjesht një e re nga një familje fshatare, që jetonte në një fshat të parëndësishëm. Sikurse do të pyeste më vonë Natanaeli: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?” (Gjoni 1:46.)

Gabrieli nuk u përgjigjet asnjë prej pyetjeve që mund të kishin mbushur mendjen dhe zemrën e Maries. Në vend të kësaj, ai vazhdon me mesazhin e tij: Ajo do të ngelet shtatzënë me një fëmijë, por jo thjesht çfarëdo fëmije. Fëmija i saj do të quhet “Biri i Shumë të Lartit” dhe do të marrë “fronin e Davidit, atit të tij” (shih Lluka 1:32–33). Me fjalë të tjera, Gabrieli i tha Maries se biri i saj do të ishte Biri i Perëndisë si edhe Mesia i premtuar. Nëse Maria ishte pështjelluar dhe frikësuar përpara kësaj shpalljeje, ne vetëm mund t’i përfytyrojmë emocionet e saj të shtuara pas kësaj.

Le të marrim parasysh një parim që kjo pjesë e historisë së Maries na e mëson rreth dishepullimit. Plani i Perëndisë për Marien nuk ishte diçka të cilën ajo e kishte kërkuar! Gabrieli i ishte shfaqur Zakarias ngaqë ai dhe Elizabeta ishin lutur për një fëmijë prej një mrekullie, por ai erdhi te Maria në rrethana shumë të ndryshme: jo për të përmbushur një kërkesë, por për të shpallur vullnetin e Perëndisë për të. Me martesën e saj të afërt, Maria ndoshta kishte menduar rreth mundësisë së pasjes së fëmijëve në të ardhmen. Por edhe pse pati një valë të pritjes për Mesian në judaizëm gjatë shekullit të parë, a do të kishte menduar Maria se ajo, një e re fshatare nga Nazareti, do të ishte nëna e Mesias? Ndoshta jo. Thelbi është që thirrjet për dishepullim shpesh kërkojnë ndryshime të planeve tona të jetës vetjake.

Lluka e përqendron analin e tij te shpalljet e Gabrielit dhe më pas tek Elizabeta. Por ka tri raste kur Maria i shpreh mendimet dhe ndjenjat e saj.

Pamja
Mary seeing the angel Gabriel

Engjëlli Gabriel iu shfaq Maries me mesazhin befasues që ajo ishte “e bekuar ndër gratë” dhe që ajo do të lindte Birin e Perëndisë.

Lajmërimi i Lindjes Dhënë Maries, nga Joseph Brickey

Një Pyetje e Frymëzuar

E para është pyetja e saj drejtuar Gabrielit: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?” (Lluka 1:34). Nisur nga rrethanat, pyetja e saj është një pyetje e arsyeshme. Ajo i kujton lexuesit pyetjen e Zakarias: “Nga se do ta njoh këtë? [d.m.th që Elizabeta do të lindë një djalë]” (vargu 18). Por ndërkohë që pyetja e tij shpreh dyshim rreth përgjigjes së Gabrielit ndaj një lutjeje që Zakaria vetë ia kishte bërë Perëndisë, pyetja e Maries kërkon sqarim rreth vullnetit të shpallur nga Perëndia për të. Pyetjet janë të pashmangshme kur ftesat e Perëndisë i sfidojnë dishepujt që ta rritin nivelin e të dalin prej zonave të tyre të rehatisë, dhe pyetjet e frymëzuara çojnë drejt zbulesës.

Përgjigjja e Gabrielit ndaj pyetjes së Maries vjen në tri pjesë:

  1. Së pari, ai i thotë Maries: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty” (vargu 35). Fryma e Shenjtë është fuqia me anë të së cilës dishepujt në çdo kohë lartësohen në thirrjet e tyre. “Mbani mend që kjo vepër nuk është vetëm e juaja dhe e imja”, dha mësim Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018). “Ajo është vepra e Zotit dhe, kur jemi në punën e Zotit, na është dhënë e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Kujtoni se atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon.”7 Dhe Gabrieli i jep Maries informacion posaçërisht për gjendjen e saj: “Dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen8 e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë” (vargu 35).

  2. Së dyti, Gabrieli i tregon Maries për Elizabetën, dikë që po përjeton një shtatzëni të ngjashme, të mrekullueshme, edhe pse jo të njëllojtë (shih vargun 36). Shtatzënia e Elizabetës është shenjë për Marien se ajo nuk është vetëm, se ka të paktën një njeri tjetër që e ka njëfarë ideje për atë që ajo po përjeton.

  3. Së treti, Gabrieli shpall pa dyshim: “Sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (vargu 37). Perëndia bëri gjënë e pamundshme kur Elizabeta mbeti shtatzënë.9 Shpallja e Gabrielit është kujtues për dishepujt në çdo epokë se, kur u përgjigjemi ftesave të Perëndisë, mrekullitë mund të ndodhin.

Gatishmëria e Një Dishepulli

Përgjigjja e dytë e shprehur e Maries në histori mishëron, sipas mendimit tim, zotimin dhe këndvështrimin e një dishepulleje: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate” (Lluka 1:38). “Shërbëtorja” tregon se Maria ka zgjedhur ta pranojë thirrjen që Perëndia ia ka dhënë asaj. Kjo thënie është varianti i Maries për atë që Biri i saj do të thotë në Gjetseman: “Mos u bëftë vullneti im, por yti” (Lluka 22:42). Ndërkohë që duket e qartë se në këtë çast të udhëtimit të saj ajo nuk mund ta kuptojë ndoshta gjithçka që do të kërkohet prej saj – Simeoni më vonë i profetizon asaj se “edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin” (Lluka 2:35) – megjithatë, Maria zgjedh të ecë përpara me besim.

“Dhe engjëlli u largua prej saj” (Lluka 1:38). Kur Gabrieli largohet, Maria mbetet vetëm. Teksa është një gjë për një dishepulle që të bëjë deklarime si të sajat në praninë e një lajmëtari hyjnor, çfarë bën ajo tani që është larguar engjëlli? Si t’ua shpjegojë këtë përvojë prindërve të vet? Po Jozefit? Cili është çmimi vetjak për të nëse ata ose banorët e Nazaretit nuk e besojnë atë? Mjediset e ngushta të jetës së saj në Nazaret tani mund të bëhen të vështira për të.

Pamja
Elisabeth greeting Mary

Takimi i Maries me Elizabetën, nga Carl Heinrich Bloch

Prandaj ajo kujton pjesën e dytë të përgjigjes së Gabrielit për pyetjen e saj dhe udhëton për te shtëpia e Elizabetës. Edhe një herë dy tregimet e pambaruara të Llukës ndërthuren së bashku. Sapo Maria përshëndet Elizabetën, “fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ‘Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd’” (Lluka 1:41–42). Përshëndetja e saj e drejtuar nga Shpirti përforcoi atë që Gabrieli kishte shpallur tashmë për vendin e bekuar të Maries ndër gratë. Tani Maria kishte një dëshmi të dytë për thirrjen e saj, por ajo erdhi vetëm pasi e kishte pranuar thirrjen me gatishmëri.

Tregimi i Maries dhe Elizabetës është kujtues i dy aspekteve të mëdha në jetën e dishepujve bashkëkohorë. Ai është kujtues i vlerës së madhe bashkëjetuese në zemrën e Shoqatave të Ndihmës anembanë botës: gratë e moshave të ndryshme dhe në etapa të ndryshme në jetë që vijnë së bashku për të mbështetur e përkrahur njëra‑tjetrën në kohë nevoje. Është gjithashtu kujtues se Perëndia nuk i braktis ata që Ai i ka zgjedhur, në kohët e tyre të nevojës, por që Ai shpesh përgjigjet duke i rrethuar në krahët e të tjerëve të cilët Ai i ka thirrur gjithashtu.

Manjifikati [Madhërimi]

Shprehja përfundimtare e Maries njihet si Manjifikati dhe është shprehja e saj e gëzimit në përgjigje të shpalljeve të Elizabetës. Ajo shpreh ndjenjat e veta rreth asaj që ka ndodhur në jetën e saj, dhe pasqyron kuptueshmërinë e vet të shpalosur rishtazi për vendin e saj në planin e Perëndisë. Para së gjithash ajo ndihet e madhëruar, t’i japë lavdërim dhe përlëvdojë Perëndinë e saj, në të cilën ajo ngazëllehet si Shpëtimtari i saj (shih Lluka 1:46–47). Ajo sheh në përvojën e saj mëshirën e vazhdueshme të Perëndisë, si në faktin që Ai zgjodhi dikë me “ultësi” si ajo (shih vargjet 48–50) ashtu edhe në faktin që Ai e ka zgjedhur të luajë një rol qendror në përmbushjen e besëlidhjes abrahamike (shih vargjet 54–55).

“Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet” (vargu 56). Maria ishte tani më e përgatitur për ta përmbushur thirrjen e saj hyjnore.

Pamja
Mary holding baby Jesus

Në krahët e Maries, nga Simon Dewey

Shembulli i Maries për Ne

Dishepujt bashkëkohorë janë larg historisë së Maries si nga kultura ashtu edhe 2 000 vjetët. Megjithatë, historia e saj është një kujtues në çdo kohë për çmimin e dishepullimit. Perëndia pret që pasuesit e Tij t’u përgjigjen vullnetarisht ftesave që Ai u drejton atyre. Presidenti Rasëll M. Nelson na kujton se “Perëndia u ka kërkuar përherë fëmijëve të Tij të besëlidhjes që të bëjnë gjëra të vështira”10. Maria nuk bënte përjashtim dhe as ne. Sfida jonë është që të kemi besimin për t’ia nënshtruar vullnetin tonë vullnetit të Tij, për t’i pranuar thirrjet e Tij me besim se Shpirti i Tij do të na lartësojë në shërbimin e Tij. Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, gjithashtu na kujton se “ne mund të bëjmë gjëra të vështira, por gjithashtu mund t’i bëjmë ato plot gëzim”11.

Si dishepuj të kohës sonë, cili do të jetë Manjifikati ynë? Si do ta shprehim ngazëllimin tonë për Perëndinë tonë? Si do ta shprehim madhështinë e mëshirës së Tij në jetën tonë? Si do të gjejmë mënyra për ta festuar rolin tonë në përmbushjen e besëlidhjes abrahamike në kohën tonë? Këto janë ndoshta vetëm disa prej mënyrave se si ne mund të mësojmë nga historia mbresëlënëse e Maries për dishepullimin.

Shënime

  1. Mateu gjithashtu e kupton se Maria është përmbushja e profecisë së Isaias për një virgjëreshë që do të sjellë në jetë një bir të quajtur Emanuel (shih Isaia 7:14). Citimi i tij për “një virgjëreshë” është nga përkthimi në greqisht i shekullit të dytë pr.K. të librit të Isaias, që u përdor nga të krishterët e hershëm dhe përdoret në Variantin e Mbretit Xhejms të Isaias 7:14.

  2. Në botimin e vitit 1830 të Librit të Mormonit, 1 Nefi 11:18 gjithashtu e përshkruan Marien si “nëna e Perëndisë”.

  3. Bruce R. McConkie, Mortal Messiah, 4 vëll. (1981), 1:326–327, poshtëshënimi 4.

  4. Shih James E. Strange, “Nazareth”, Anchor Bible Dictionary, 4:1050; Jonathan L. Reed, Archaeology and the Galilean Jesus: A Re-examination of the Evidence (2002), f. 131.

  5. Shih Reed, Archaeology and the Galilean Jesus, f. 131.

  6. Shih Ken Dark, “Has Jesus’ Nazareth House Been Found?” Biblical Archaeology Review, vëll. 41, nr. 2 (mars/prill 2015), f. 54–63; shih edhe Ken Dark, “Early Roman-Period Nazareth and the Sisters of Nazareth Convent”, The Antiquities Journal, vëll. 92 (2012), f. 37–64.

  7. Thomas S. Monson, “Duty Calls”, Ensign, maj 1996, f. 44.

  8. Fjala greke e përkthyer si “mbulojnë” (episkiazō) është e njëjta fjalë e përdorur në përkthimin në greqisht të Dhiatës së Vjetër për të përshkruar renë që ra mbi tabernakull kur u përfundua. Ajo përshkruan lavdinë e Zotit.

  9. Zoti i tha të njëjtën gjë Abrahamit kur ai dhe Sara mësuan se do të kishin një fëmijë në moshën e tyre të thyer (shih Zanafilla 18:14; Romakëve 4:19–21).

  10. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 49.

  11. “Boni H. Kordën: Presidente e Përgjithshme e Të Rejave”, Liahona, maj 2018, f. 129.