2019
Udhërrëfyesi i një Peshëngritëseje për të Qëndruar të Fortë
Janar 2019


Udhërrëfyesi i një Peshëngritëseje për të Qëndruar të Fortë

Autorja jeton në Kaliforni të SHBA-së.

Një shkrim i shenjtë mund të shkaktojë një ndryshim të madh – edhe në garat e peshëngritjes.

Pamja
Kuinini in a weightlifting competition

Kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme, trajneri i peshëngritjes më kërkoi t’i bashkohesha skuadrës së peshëngritjes.

“Mmm … jo faleminderit”, thashë unë. “Nuk më shkon për shtat.”

Por ai këmbënguli. Për javë të tëra.

Përfundimisht, e provova. Ai kishte të drejtë: më pëlqeu vërtet peshëngritja. Në fillim ishte pa dyshim e çuditshme; trupi im nuk kishte bërë kurrë ndonjë gjë si ajo më parë. Por mësova ta doja ndjenjën e stërvitjes. Gjithashtu i doja shokët e skuadrës sime dhe garat. Dhe fillova t’ia dilja me të vërtetë mirë!

Tani peshëngritja është pjesë e madhe e jetës sime. Unë stërvitem çdo ditë për të paktën dy apo tre orë, duke bërë ngritje peshash nga shpina, nga përpara me shkëputje mbi supe dhe lart me hov. (Dhe nëse nuk e dini se çfarë janë asnjërën nga këto gjëra, mos u merakosni – as unë nuk i dija!)

Si shumë gjëra, peshëngritja kërkon kohë e durim dhe ndonjëherë kjo mund të jetë e vështirë. Fatmirësisht, familja ime është përherë e pranishme duke më nxitur, edhe kur ankohem se sa më dhemb trupi (që ndodh shpesh). Babi im ka gjithmonë gati për mua qese me akull dhe fjalime zemërdhënëse kur shkoj në shtëpi pas stërvitjes. Dhe mami im sakrifikon përherë që unë të mund të shkoj në gara.

Disa vite më parë, shkova në një nga këto gara në Filadelfia të Pensilvanisë në SHBA. Isha e entuziazmuar që do të konkurroja kundër peshëngritësve nga i gjithë vendi, por isha pak e shqetësuar që do të isha kaq shumë larg nga familja ime. Për të ma bërë më të lehtë, mami më premtoi të më dërgonte me celular shkrime të shenjta dhe mesazhe plot mendim çdo ditë.

Natën përpara garës, ca çuna e goca organizuan një festë. Mendova që do të ishte diçka e këndshme të shkoja, kështu që unë dhe shoqja ime e dhomës shkuam për ta parë si ishte. Por menjëherë e dija se nuk ishte lloji i festës për mua. Kishte adoleshentë që po pinin pije alkoolike, duhan, po thoshin fjalë të pahijshme dhe kërcenin në mënyrë të papërshtatshme. E dija se nuk duhej të isha aty, por isha e shqetësuar se çfarë mund të mendonte shoqja ime e dhomës. Ose çfarë mund të mendonin konkurrentët e tjerë.

Por atëherë diçka më shkrepi në kokë:

“Qëndroni në vende të shenjta”.

Ishte nga shkrimi im i shenjtë i parapëlqyer dhe një shkrim që mami ma kishte dërguar atë mëngjes: Doktrina e Besëlidhje 87:8: “Prandaj, qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni, derisa dita e Zotit të vijë; sepse, vini re, ajo vjen shpejt, thotë Zoti. Amen.”

Nuk e di përse mami ma dërgoi atë shkrim të shenjtë atë ditë, por është një shkrim i shenjtë që e kam pëlqyer shumë gjithë jetën time. E kisha mësuar përmendsh që kur isha tetë vjeçe, dhe më ka kujtuar vazhdimisht që të kem guxim, të jem e bindur dhe ta mbroj atë që besoj.

“Qëndroni në vende të shenjta.”

“Po iki”, i thashë shoqes sime të dhomës. I shpjegova për shkrimin e shenjtë që më kishte dërguar mami im atë mëngjes. “Ky nuk është një vend ku duhet të qëndroj unë.”

Shoqja ime e dhomës më tha se as ajo nuk donte të ishte aty. Edhe ajo nuk ndihej rehat, por nuk kishte dashur të largohej vetëm dhe të dukej si dështake. Ajo më falënderoi që fola dhe ne u larguam.

Të nesërmen në mëngjes mësuam se shpejt pasi ishim larguar, çunat dhe gocat që ishin te festa, i kishin kapur dhe eliminuar nga gara për konsumim pijesh alkoolike dhe drogash.

Nëse nuk do të isha nxitur ta kujtoja vargun e mamit tim, edhe unë mund të isha përjashtuar nga gara. Përfundova duke fituar vendin e parë, kështu që jam vërtet mirënjohëse që arrita të garoja. (Mendoj se e falënderoj çdo ditë mamin tim që më dërgoi mesazhe në telefon.)

Fitimi i një gare peshëngritjeje është një bekim tepër i dukshëm dhe i menjëhershëm prej zbatimit të urdhërimeve. Por Doktrina e Besëlidhje 87:8 nuk thotë: “Qëndroni në vende të shenjta që të fitoni gara peshëngritjeje”. Dhe Gjoni 14:15 nuk thotë: “Nëse doni bekime të menjëhershme, zbatoni urdhërimet e mia”. Zoti na bekon ngaqë Ai na do. Dhe ne përpiqemi të jemi të shenjtë dhe të bindur ngaqë ne i mirëbesojmë Zotit dhe e duam Atë.