2019
Sakramenti dhe të Bërit më Shumë si Krishti
Janar 2019


Përgjigje nga Udhëheqësit e Kishës

Sakramenti dhe Bërja më Shumë si Krishti

Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të tetorit 2017.

Pamja
The Sacrament and Becoming More Christlike

Simbolika e sakramentit të Darkës së Zotit është e bukur për t’u menduar. Buka dhe uji përfaqësojnë mishin dhe gjakun e Atij që është Buka e Jetës dhe Uji i Gjallë (shih te Gjoni 4:10), duke na kujtuar me ton prekës çmimin që pagoi Ai për të na shëlbuar. Kur copëtohet buka, ne kujtojmë mishin e copëtuar të Shpëtimtarit. Kur e pimë ujin, ne mendojmë për gjakun që Ai derdhi në Gjetseman e në kryq dhe fuqinë e tij shenjtëruese (shih te Moisiu 6:60).

Por figurativisht, ngrënia e mishit të Tij dhe pirja e gjakut të Tij ka një domethënie të mëtejshme, dhe kjo do të thotë që t’i përvetësojmë cilësitë dhe karakterin e Krishtit … . Kur e marrim bukën dhe ujin e sakramentit çdo javë, do të ishte mirë të merrnim në shqyrtim se sa plotësisht dhe tërësisht duhet ta përfshijmë karakterin e Tij dhe modelin e jetës së Tij të pamëkatë në vetë jetën dhe qenien tonë. Jezusi nuk do të mund të kishte shlyer për mëkatet e të tjerëve nëse Ai Vetë nuk do të ishte i pamëkatë. Përderisa drejtësia nuk kishte pretendim mbi Të, Ai mund ta ofronte Veten e Tij në vendin tonë për ta kënaqur drejtësinë dhe më pas për të treguar mëshirë. …

Marrja e mishit të Shpëtimtarit dhe pirja e gjakut të Tij nënkupton që të nxjerrim nga jeta jonë çdo gjë që nuk është në përputhje me një karakter si të Krishtit dhe t’i bëjmë tonat cilësitë e Tij. Ky është kuptimi më i gjerë i pendimit: jo vetëm të largohesh nga mëkati i së shkuarës, por “[një] kth[im i] zemrë[s] dhe [i] vullneti[t ndaj] Perëndi[së]”, duke shkuar përpara (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Pendohem, Pendim”, f. 144). Perëndia do të na tregojë të metat dhe dështimet tona, por Ai gjithashtu do të na ndihmojë që ta kthejmë dobësinë në forcë (shih tek Ethëri 12:27). Nëse pyetim me çiltërsi: “Çfarë më mungon tjetër?” (Mateu 19:20) Ai nuk do të na lërë të hamendësojmë, por me dashuri Ai do të na përgjigjet për hir të lumturisë sonë. Dhe Ai do të na japë shpresë.