2019
Misioni i Mrekullueshëm i Profetit Jozef Smith
Janar 2019


Misioni i Mrekullueshëm i Profetit Jozef Smith

Nga një fjalim “Joseph Smith: The Prophet and the Man” [“Jozef Smithi: Si Profet dhe Si Burrë”], i mbajtur në Seminarin e Udhëheqësve të Misioneve më 25 qershor 2018.

Jozef Smithi arriti më shumë se sa mund të kishte arritur ndonjë njeri i vdekshëm në një kohë kaq të shkurtër. Shpjegimi i vetëm i mundshëm është ndihma qiellore.

Pamja
Painting of Joseph Smith

Joseph Smith, nga William Whitaker

Kam zgjedhur të flas për Jozef Smithin, si Profet dhe si burrë. Duke folur për të, shpresoj se do të jap ndihmesë në kuptueshmërinë tuaj për arritjet e pashoqe dhe të mrekullueshme të profetit themelues të kësaj periudhe ungjillore.

Marrëdhënia e njohurisë dhe dëshmisë për Jozef Smithin është jetike për punën misionare. Të gjithë e dimë se disa kërkues i pranojnë doktrinat themelore të ungjillit, por thjesht nuk mund ta pranojnë faktin se një 14-vjeçar u vizitua nga Ati e Biri dhe se ai përktheu Librin e Mormonit dhe u bë profeti që e njohim se është. Njerëzit që kanë vështirësi me Profetin Jozef Smith, u nevojitet të mësojnë nga ky mësim i dhënë prej Presidentit Rasëll M. Nelson:

“Misioni i Jozefit në vdekshmëri ishte i parashuguruar. Mendja e tij e mprehtë dhe e pacenuar ishte e hapur ndaj udhëzimeve të Zotit. Por, sipas standardeve të botës, Jozefi vështirë se mund ta bënte. Dhe detyra e tij për të qenë Profeti i kësaj periudhe të fundit ungjillore dukej krejtësisht e pamundur. Ky shembull tregon një parim që shpesh është i vërtetë për mënyrën se si punon Zoti: Ai përdor të pazakontën që të arrijë të pamundurën!”1

Është shumë e rëndësishme që misionarët tanë të kenë dëshmi për thirrjen hyjnore dhe punën e mrekullueshme të Profetit Jozef Smith.

Unë jam një student 65-vjeçar i jetës së Jozef Smithit. U linda në vitin 1932, kur Kisha ishte pak më shumë se 100‑vjeçare. Besoj se jam një shembull tipik i shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme të këtij shekulli të dytë. Ne nuk e takuam Jozef Smithin, por ndiejmë sikur e njohim, dhe ne e duam atë nëpërmjet asaj që ai zbuloi dhe dha mësim. Ne jemi dëshmitarë të së vërtetës së parashikimit poetik që “miliona do ta njohin ‘Vëllanë Jozef’”2.

I. Jozef Smithi, si Profet

Të gjithë e njohim Jozef Smithin si profetin e parë të kësaj periudhe ungjillore, mjetin e Zotit në Rivendosjen [të udhëhequr nga] Zoti. Por çfarë rivendosi Zoti nëpërmjet këtij profeti? Jo të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme (dhe disa joanëtarë) janë të vetëdijshëm për shtojcat dritësjellëse dhe të rëndësishme që Zoti e frymëzoi Profetin Jozef t’i bënte doktrinës së krishterë. Ja ku është një listë e shkurtër:

  • Natyra e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë.

  • Funksionet përkatëse të këtyre tre anëtarëve të Kreut-Perëndi dhe marrëdhënia e Tyre me qeniet e vdekshme.

  • Natyra e Rënies së njeriut.

  • Qëllimi i jetës në vdekshmëri në mbështetje të planit të Atit për fëmijët e Tij, për të arritur fatin e tyre të përjetshëm.

  • Roli i Shlyerjes së Jezu Krishtit që të sigurojë pavdekësinë dhe të japë mundësinë për jetë të përjetshme.

  • Roli i martesës tokësore dhe të përjetshme në planin e Atit.

  • Roli thelbësor i priftërisë dhe i ordinancave në planin e Atit.

  • Roli thelbësor i tempujve dhe ordinancave mëkëmbëse në planin e Atit.

  • Njohuria se Perëndia dëshiron t’i shpëtojë të gjithë fëmijët e Tij dhe se çdo njeri që ka jetuar në këtë tokë – nëse e dinte në këtë jetë për Jezu Krishtin ose jo – është i aftë ta arrijë qiellin më të lartë paskëtaj.

  • Marrëdhënia e tri burimeve të së vërtetës rreth njeriut dhe gjithësisë: shkenca, shkrimet e shenjta dhe zbulesa e vazhdueshme.

Pamja
images of the plan of salvation

Duke u Larguar nga Edeni, Shpëtimtari, dhe Midis Qiellit e Tokës, nga Annie Henrie Nader

Kushdo që e studion sikur edhe një pjesë të vogël të kësaj liste – qoftë besimtar ose jobesimtar – duhet ta pranojë se Jozef Smithi qëndron te kreu i burimit të një rrjedhe të pamasë të ideve të guximshme, të reja dhe të çmuara fetare. Siç lexojmë në udhëzuesin Predikoni Ungjillin Tim, plotësia e ungjillit u rivendos në tokë nëpërmjet Jozef Smithit.3

Ju mund ta keni vënë re se lista ime nuk e përmendi veçanërisht nxjerrjen në dritë nga ana e Jozefit të Librit të Mormonit, një vëllim i ri i shkrimit të shenjtë që është, sigurisht, burimi i shumë prej atyre ideve të reja fetare. Ai libër meriton një përmendje të veçantë. Titulli i tij shpall funksionin e tij më të rëndësishëm: “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”. Por, përtej atij roli themelor, ka më shumë. Kjo është ajo që një studiues, i cili është një nga autorët më të shitur, tha për librin:

Libri i Mormonit propozon një qëllim të ri për Amerikën: të bëhet një mbretërim i drejtësisë më tepër sesa një perandori e lirisë. Kundrejt pasurisë dhe pabarazisë në rritje, Libri i Mormonit mbron çështjen e të varfërve. … Kundrejt qeverisjes në formë republike ai propozon sundim të drejtë nga ana e gjykatësve dhe mbretërve sipas ligjit të Perëndisë. Kundrejt një Bible të mbyllur nga pikëpamja kanonike dhe një feje që nuk beson te mrekullitë, Libri i Mormonit qëndron për zbulesë të vazhdueshme, mrekulli dhe zbulesë për të gjitha kombet. Kundrejt skepticizmit, ai nxit besim; kundrejt nacionalizmit, ai nxit një Izrael të përbotshëm. Ai parashikon katastrofë për kombin nëse dashuria për pasuri, kundërshtimi ndaj zbulesës dhe qytetërimi pagan triumfojnë mbi drejtësinë, zbulesën dhe Izraelin.”4

Më e rëndësishmja është pikërisht ajo që tha Presidenti Nelson kohët e fundit për Librin e Mormonit: “[Ai] është mjeti me anë të të cilit do të kryhet mbledhja e premtuar e Izraelit”5.

Siç lexojmë në udhëzuesin Predikoni Ungjillin Tim, Profeti Jozef Smith tha se Libri i Mormonit është “gurthemeli i fesë sonë”6.

Shumica e njerëzve që nuk janë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, nuk dinë gjë për ndihmesën e madhe të Jozef Smithit në mendimin fetar. Në një studim të njohur në shkallë vendi, anketuesi Geri Lorens zbuloi se thuajse gjysma e njerëzve që ai studioi, mendonin se shenjtorët e ditëve të mëvonshme ishin të izoluar dhe misteriozë dhe kishin “bindje të çuditshme”7. Kur i pyeti njerëzit që po intervistoheshin se “Cili është pretendimi kryesor i mormonizmit?”, vetëm një në shtatë vetë mund të përshkruante diçka të përafërt me idenë e rivendosjes ose rithemelimit të besimit të krishterë fillestar. Në mënyrë të ngjashme, kur një pyetësor tjetër kombëtar u kërkoi të anketuarve të përshkruanin përshtypjen e tyre për fenë tonë, as edhe një person nuk sugjeroi idenë e krishterimit fillestar ose të rivendosur.8

Këto gjetje na sjellin ndër mend se nuk duhet t’i lëmë misionarët tanë të hamendësojnë se njerëzit kanë shumë njohuri për besimin tonë. Ata të cilëve misionarët u japin mësim, mund ta kenë dëgjuar fjalën Mormon, por misionarët nuk duhet të hamendësojnë se shumica e njerëzve kanë madje kuptueshmërinë më të thjeshtë të parimeve themelore të besimit tonë.

II. Jozef Smithi, si Burrë

Ja ku janë disa nga mendimet e mia vetjake rreth jetës mbresëlënëse të Jozef Smithit.9 Jozef Smithi për të cilin mësova në kërkimin tim vetjak, kryesisht në Ilinois të SHBA-së, ishte një njeri që vinte nga zonat kufitare – i ri, emocional, i gjallë dhe aq i dashur nga njerëzit e tij e i afrueshëm me ta saqë shpesh e quanin “Vëllai Jozef”. Mosha e tij relativisht e re e bëri diçka shumë interesante shërbesën e tij profetike. Ai ishte 14 vjeç në kohën e Vegimit të Parë, 21 vjeç kur i mori fletët e arta dhe vetëm 23 vjeç kur e mbaroi përkthimin e Librit të Mormonit (në më pak se 60 ditë pune).

Më shumë se gjysma e zbulesave në librin tonë Doktrina dhe Besëlidhje u dhanë nëpërmjet këtij profeti kur ai ishte 25 vjeç ose më i ri. Ai ishte 26 vjeç kur u organizua Presidenca e Parë dhe pak më shumë se 33 vjeç kur u arratis nga burgu në Misuri dhe rifilloi udhëheqjen e shenjtorëve. Ai ishte vetëm 38 vjeç e gjysmë kur e vranë.

Gjatë jetës së tij të shkurtër, Jozef Smithi përjetoi vuajtje në vdekshmëri më shumë sesa pjesa dërrmuese e njerëzve të tjerë. Kur ishte rreth shtatë vjeç, ai bëri një operacion tepër të dhimbshëm në këmbë. Për shkak të varfërisë në familjen e tij, ai kishte pak arsimim të mirëfilltë dhe, kur ishte i ri, u detyrua të punonte me orë të gjata për të ndihmuar që të kishte ushqim në tryezën e familjes. Në shumë raste, atë e sulmuan fizikisht. Në mes të përpjekjes për të përmbushur përgjegjësitë e jashtëzakonshme të thirrjes së tij të shenjtë, ai duhej të punonte si fermer ose tregtar për të siguruar jetesën për familjen e vet. Ai e bëri këtë pa dhuntitë e shquara shpirtërore që e mbështetën atë në thirrjen e tij profetike. Zoti i kishte thënë se “në punët fizike ti s’do të kesh forcë, pasi kjo nuk është thirrja jote” (Doktrina e Besëlidhje 24:9).

Në çështjet shpirtërore, Jozef Smithi nuk kishte njerëz model nga të cilët të mund të mësonte si të ishte profet dhe udhëheqës. Ai duhej të mbështetej te bashkëpunëtorë pa përvojë. Ai dhe ata luftuan e mësuan së bashku. Jozefi ishte tepër i shpejtë në fitimin e njohurive dhe në arritjen e pjekurisë. Ai padyshim kishte dhurata të pashoqe. Siç do të thoshim sot, ai ishte “i kapshëm”. Ai tha se iu dha mësim nga lajmëtarë qiellorë dhe nga zbulesa të tjera të Perëndisë, dhe unë e besoj atë.

Një nga dhuratat e tij vetjake dëshmohet nga dashuria dhe besnikëria e njerëzve të mrekullueshëm që e ndoqën atë. Kur Jozefi i sfidoi pasuesit e tij që t’i mposhtnin papërsosuritë e tyre në vdekshmëri, ai nuk e ngriti veten e tij mbi ta dhe ata e deshën për këtë. Në një predikim që dha Jozefi pak më shumë se një muaj përpara se ta vritnin, ai shpalli: “Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka [asnjë] gabim në zbulesat që ju kam mësuar”10. Jozef Smithi kishte një “temperament … të lindur, të hareshëm” (Joseph Smith – Historia 1:28) që e bënte tërheqës për pothuajse cilindo që e njihte atë. Një i njohur tha: “Dashuria që shenjtorët kishin për të, nuk mund të shprehet”11. Shoqëria e miqve të tij ishte një kënaqësi për Jozefin, i cili i pa ndërtimin e shoqërisë dhe ndërtimin e komunitetit si qëllime kryesore të ungjillit.

Pamja
Painting of Joseph Smith

Joseph Smith, nga William Whitaker

Njëherë, unë vërejta: “Gjatë gjithë jetës së tij, Jozef Smithi jetoi në zona kufitare, ku burrat duhej të përdornin forcën e tyre të egër kundrejt natyrës dhe ndonjëherë kundrejt njëri-tjetrit. Ai ishte një njeri trupmadh, i fortë dhe fizikisht aktiv. Ai gjente kënaqësi në sporte konkurruese, përfshirë tërheqjen e shkopinjve – një provë e fuqisë fizike (shih History of the Church, 5:302). Arkivat tona përmbajnë shumë kujtime të mundjeve të tij me miq dhe të njohur. Një ditë Shabati, ai dhe Brigam Jangu u predikuan shenjtorëve në Ramus të Ilinoisit, që ishte afërsisht një ditë udhëtimi me kalë larg nga Navuja. Të hënën, para se të nisej nga Ramusi, Jozefi i mati aftësitë e tij në mundje kundër një burri që dikush e përshkroi si “i dhunshmi i Ramusit” (shih Joseph Smith Journal, 13 mars 1843, shënuar nga Willard Richards, Koleksioni i Jozef Smithit, Arkivat e Kishës SHDM). Jozefi e vuri poshtë atë. Jam i gëzuar që oraret tona të tanishme të konferencave nuk u ofrojnë mundësi anëtarëve vendorë që t’i vënë në provë në këtë mënyrë autoritetet që vijnë për vizitë.”12

Pak burra kanë qenë më shumë shënjestra të sulmeve në misionin e tyre apo në kujtesën e tyre sesa Jozef Smithi. I hetova disa prej këtyre akuzave duke bërë kërkime vetjake në dokumentet origjinale në Ilinois, atje ku Jozefi jetoi pesë vitet e fundit të jetës së tij. Një akuzë e tillë u ngrit kur Jozef Smithi, në atë kohë kryetari i bashkisë, dhe Këshilli i Qytetit të Navusë, e mbyllën Nauvoo Expositor, një gazetë që iu kundërvihej atyre. Kjo mbyllje i përqendroi armiqësitë kundër Kishës dhe çoi drejtpërdrejt në vrasjen e Jozefit.

Historianët e hershëm shenjtorë të ditëve të mëvonshme, përfshirë Plakun B. H. Roberts, e pranuan se ky veprim ishte i paligjshëm. Megjithatë, teksa bëra kërkime për këtë temë si profesor i ri i ligjit, u habita që gjeta një bazë ligjore për këtë veprim në ligjin e Ilinoisit të vitit 1844. Pati shumë mbyllje gazetash në zonën kufitare në periudhën përpara Luftës Civile. Garantimi i lirisë së shtypit në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nuk u shpall i zbatueshëm ndaj veprimeve të qeverive të qyteteve dhe të shteteve deri në vitin 1931 dhe atëherë, ai u bë vetëm nga vendimi i marrë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, me një rezultat votimi pesë me katër, ndaj një ndryshimi kushtetues të miratuar në vitin 1868.13 Një njeri duhet t’i gjykojë veprimet e Jozef Smithit në bazë të ligjeve dhe rrethanave të kohës së tij, jo të kohës sonë.

Si studentë në Universitetin e Çikagos, mua dhe historianit Marvin S. Hill, na u ngjall kureshtja nga fakti pak i njohur se pesë persona dolën në gjyq në Ilinois për vrasjen e Jozef Smithit. Për më shumë se 10 vjet kemi rrëmuar bibliotekat dhe arkivat në mbarë vendin për të gjetur çdo copëz informacioni rreth këtij gjyqi të vitit 1845 dhe të atyre që u përfshinë në të. Libri ynë shqyrtoi fjalët dhe veprimet e qytetarëve të Ilinoisit që e njihnin personalisht Jozef Smithin – të disave që e donin dhe rrezikuan jetën e tyre për të, dhe të tjerëve që e urrenin dhe komplotuan për ta vrarë atë. Asgjë nga gjetjet tona në procesverbalet origjinale të gjykatës apo në dëshminë në gjyqin e stërzgjatur, nuk zbuloi ndonjë gjë që pasqyronte çnderim për burrin që u vra.14

E drejta e përdorimit të dokumenteve të gjykatës së Ilinoisit, çoi në një fushë tjetër të paprekur më parë të hulumtimit mbi Jozef Smithin. Unë dhe Jozef I. Bentli, në atë kohë një student i juridikut në Çikago, zbuluam dokumente të shumta për veprimtaritë tregtare të Jozef Smithit. Ne shkruam së bashku një artikull në Brigham Young University Law Review të vitit 1976 mbi këtë temë.15 Vitet 1840 u pasuan nga një periudhë e panikut dhe depresionit financiar në të gjithë vendin. Kushtet ekonomike në shtetet kufitare si Ilinoisi ishin të rrënuara. Për shembull, biografët e Abraham Linkolnit kanë përshkruar gabimet e tij financiare gjatë kësaj dekade, kur tregtia ishte e pasigurt, shumë detyrime nuk mund të shlyheshin dhe paditë gjyqësore ishin të zakonshme.16

Armiqtë e Jozef Smithit e akuzuan atë për mashtrim në shitje të ndryshme pronash, shumica të bëra në emër të Kishës. Një varg procesesh gjyqësore që zgjatën gati një dekadë, i shqyrtuan këto akuza deri në detajet më të vogla. Së fundi, në vitin 1852, shumë kohë pas eksodit të shenjtorëve nga Ilinoisi (pra, nuk kishte asnjë arsye të mundshme politike ose ndonjë arsye tjetër për t’i favorizuar shenjtorët apo udhëheqësin e tyre), një gjykatës federal i dha fund këtij procesi gjyqësor me një vendim se nuk gjeti asnjë mashtrim apo shkelje tjetër morale nga Jozef Smithi.17

Studiuesit e mirinformuar rreth çështjeve publike në këtë periudhë shkruan këtë për fushatën elektorale të Jozef Smithit për presidencën e Shteteve të Bashkuara:

“Ndërkohë që ai mund të mos ketë pasur një shans të mirë për të fituar zgjedhjet kombëtare të vitit 1844, ai kandidoi me zgjuarsi si kandidat i palës së tretë, i cili ishte pa dyshim serioz në nxitjen e reformave ligjore në Shtetet e Bashkuara. Ai shpresoi dhe punoi për ta përmirësuar opinionin publik për çështje të rëndësishme, përfshirë skllavërinë, lirinë fetare, burgjet dhe tokat publike. Ai dhe Robert F. Kenedi mbeten dy nga të vetmit amerikanë që u vranë, ndërkohë që ishin kandidatë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.”18

Karakteri i Jozef Smithit ndofta u kuptua më së miri nga njerëzit që e njihnin më mirë dhe qëndruan më pranë tij në udhëheqjen e Kishës. Ata e adhuronin atë dhe e mbështetën si profet. “Vëllai i tij, Hajrëmi, zgjodhi të vdiste përkrah tij. Xhon Tejlori, i cili qe gjithashtu atje kur ai u vra, tha: ‘Unë dëshmoj përpara Perëndisë, engjëjve dhe njerëzve, se ai qe një burrë i mirë, i nderuar, i virtytshëm … – se karakteri i tij vetjak dhe publik ishte i paqortueshëm – dhe se ai jetoi e vdiq si një njeri i Perëndisë’ (The Gospel Kingdom [1987], f. 355; shih edhe DeB 135:3). Brigam Jangu, shpalli: ‘Nuk mendoj se jeton ndonjë njeri në tokë që e njihte [Jozef Smithin] më mirë sesa unë; dhe kam guximin të them se, përveç Jezu Krishtit, s’ka jetuar ndonjëherë ose nuk jeton në këtë tokë ndonjë njeri më i mirë’ [“Remarks”, Deseret News, 27 gusht 1862, f. 65].”19

III. Jozef Smithi dhe Ligji

Siç është e qartë nga shembujt që kam përmendur tashmë, interesi im afatgjatë në historinë ligjore përfshinte një interes të veçantë për ndërveprimet e Jozef Smithit me sistemin juridik amerikan të kohës së tij. Historianët tradicionalisht kanë deklaruar se Jozef Smithi ishte përfshirë në jo më shumë se rreth 40 veprime ligjore. Sot, duke përfituar nga puna e bërë për The Joseph Smith Papers, ne e dimë se numri është më shumë se 220. Këto veprime ligjore shtriheshin “nga çështje të thjeshta të arkëtimit deri në [çështje gjyqësore] të ndërlikuara që përfshinin teori të sofistikuara ligjore. … Jozefi pajtoi shumë avokatë për të … sjellë e mbrojtur veprime [të tilla], … si çështje civile ashtu edhe penale.”20

Duke u nisur nga pasuria mbresëlënëse e njohurisë që kemi për jetën e Profetit, studiuesi shenjtor i ditëve të mëvonshme, Xhefri N. Uokeri, ka shkruar: “Pa dyshim, Jozef Smithi ishte i përfshirë në mënyrë vetjake, aktive dhe të vazhdueshme në sistemin juridik amerikan. T’i shpërfillësh këto veprimtari të rëndësishme do të thotë të humbasësh shumë nga mënyra se si ai e kalonte kohën dhe i shpenzonte energjitë e tij, në një mënyrë të shkëlqyer dhe të efektshme – kaq shumë sa Daniel H. Uellsi, vetë një avokat, gjykatës dhe prokuror i përgjithshëm, i cili njihej mirë me Smithin, do të thoshte: ‘Unë kam njohur burra që kanë punuar me ligjin gjatë gjithë jetës time. Jozef Smithi ishte avokati më i mirë që kam njohur ndonjëherë në jetën time’ [siç citohet në The Journal of Jesse Nathaniel Smith: Six Decades in the Early West: Diaries and Papers of a Mormon Pioneer, 1834–1906 (1953), f. 456].”21

Tre autorë shenjtorë të ditëve të mëvonshme përmbledhin sa vijon: “Me përfshirjen e tij të madhe në sistemin ligjor, Smithi i mësoi shpejt rregullat e lojës dhe i përdori ligjërisht këto rregulla në avantazhin e tij plotësisht të ligjshëm, duke u përpjekur fort t’i shfrytëzonte të gjitha mundësitë e reja dhe mbrojtjen e ofruar nga ligjet e kombit të ri. Zgjedhjet dhe sjellja e tij ligjore e bëjnë të qartë [faktin] se ai ishte i mirinformuar për çështjet ligjore dhe se ai ndërmori hapa të qartë për t’i shfrytëzuar ato në mënyrë të përshtatshme që lejohej nga ligji, qoftë nëse ai po merrte të drejtën e autorit për Librin e Mormonit sipas ligjit federal, po kryente martesa sipas ligjit të Ohajos, po u jepte formë dispozitave të qytetit të Navusë, po kërkonte mbrojtjen e plotë të lirisë fetare, po i përdorte në mënyrë të efektshme ligjet e reja që rregullonin shitjen e tokës federale, duke pohuar të drejtën e habeas corpus [mosdënimit të dikujt pa dalë në gjyq], duke kërkuar që veprimet ligjore të ndodhnin në vendin e duhur ose duke vënë në zbatim sigurinë sipas ligjit federal të sapomiratuar për falimentimin. Në kohën e tij të lirë, ai studionte librat e juridikut. Ai e dinte formulimin e saktë të Kushtetutës dhe gjuhën e veçantë të statuteve të shtetit. Pa dyshim, ai ishte i vetëdijshëm për shumë zhvillime aktuale ligjore në nivele shtetërore dhe federale gjatë gjithë jetës së tij.”22

Në mënyrë domethënëse, këta tre autorë shtojnë këtë deklaratë: “Si i pandehur, ai nuk u dënua kurrë për ndonjë vepër penale. Sa herë që iu bë një proces gjyqësor, doli se ishte një qytetar i drejtë e i ndershëm.”23

Përmbledhjet e hollësishme të procesit gjyqësor të Profetit që u përzgjodhën dhe u analizuan në librin që kam cituar, u mbështetën nga puna e shumë studentëve të Shkollës Juridike “J. Ruben Klark”, të cilët bënë kurse për këtë temë dhe bënë punën e hollësishme që çoi drejt librit nga këta tre autorë. U mahnita me përshkrimin e tyre për opinionet e këtyre studentëve të drejtësisë:

“Studentët e drejtësisë të cilët i kanë përdorur përsëritjet e mëparshme të këtij libri si tekstet e tyre, kanë arritur vazhdimisht në përfundimin se Jozefi ishte i besuar, i përgjegjshëm, besnik, i kujdesshëm, i mëshirshëm, i matur, i përpiktë, i bindur ndaj ligjit, i duruar, pozitiv, i shkathët, i mprehtë, i mençur, një gjykues i mirë i karakterit dhe madje ligjërisht i shkëlqyer (për të përdorur disa nga vetë fjalët e tyre), sidomos kur ishte fjala për mbrojtjen e të drejtave fetare dhe civile të të tjerëve ose për zbatimin e detyrave të cilat i ishin besuar. … Jozef Smithi nuk e humbi kurrë besimin te Kushtetuta dhe u përpoq fort të punonte me zell nën mbrojtjen e saj, edhe pse shpesh ishte i irrituar, i zhgënjyer dhe mosbesues ndaj njerëzve që e administronin atë.”24

Pamja
Drawing of Joseph Smith

Jozef Smithi, Profeti, nga Dan Weggelen, me mirësinë e Muzeut Historik të Kishës

V. Përfundimi

Në jetën e tij, Jozef Smithi arriti më shumë sesa mund të kishte arritur ndonjë njeri i vdekshëm në një kohë kaq të shkurtër. I vetmi shpjegim i mundshëm është ndihma qiellore. Më pëlqen kjo përmbledhje:

“Ai përktheu dhe botoi Librin e Mormonit në Nju-Jork; ai organizoi Kishën në Nju-Jork dhe më pas e rivendosi atë në Ohajo, Misuri dhe Ilinois; themeloi qytete, duke përfshirë Kirtlandin, Far‑Uest-in dhe Navunë; thirri dhe trajnoi qindra udhëheqës të kishës; studioi hebraishten dhe Biblën; themeloi Shoqatën e Ndihmës në Navu; administroi veprimtari tregtare, i vetëm dhe me ortakë; krijoi pasuri të paluajtshme dhe ndërtoi tempuj; shkroi dhe botoi artikuj dhe kryeartikuj; pati një familje të madhe dhe përfshiu një rreth të gjerë miqsh; dhe shërbeu në disa funksione drejtuese, përfshirë kryekomandant i një legjioni të madh të milicisë, si dhe kryetar bashkie e kryetar gjykate në qytetin e Navusë. Ai foli rregullisht në shërbesat javore të adhurimit, në përkushtimet dhe në funerale shumë të shpeshta; ai tërhoqi dhjetëra mijëra pasues, duke nxitur valë të të kthyerve në besim që të emigronin në Shtetet e Bashkuara.”25

Në një bisedë të konferencës së përgjithshme që u dha më shumë se 20 vjet më parë, unë thashë këtë:

“Ashtu si shenjtorë të tjerë besnikë të ditëve të mëvonshme, unë e kam ndërtuar jetën time mbi dëshminë dhe misionin e Profetit Jozef Smith. Në të gjitha leximet dhe kërkimet e mia të hershme, nuk e kam humbur kurrë bindjen rreth dëshmisë sime për thirrjen e tij profetike, për ungjillin dhe rivendosjen e priftërisë që Zoti e filloi nëpërmjet tij. Unë pohoj solemnisht dëshminë që Jozef Smithi shprehu në letrën e famshme drejtuar Uentuorthit në vitin 1842:

‘… Standardi i së vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë përparimin e punës; përndjekjet mund të tërbohen, turmat mund të bashkohen, armiqtë mund të mblidhen, shpifja mund të përgojojë, por e vërteta e Perëndisë do të shkojë përpara me guxim, me fisnikëri dhe e pavarur derisa ajo të ketë përshkuar çdo kontinent, të ketë vizituar çdo rajon, të ketë përfshirë çdo vend dhe të jetë dëgjuar nga çdo vesh, derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye’ (Times and Seasons, 1 mars 1842, f. 709; cituar në Daniel H. Ludlow, red., Encyclopedia of Mormonism, 5 vëll. [1992], 4:1754).”26

Pamja
Missionaries in Indonesia

Vëllezër e motra, unë dëshmoj për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë, i cili iu shfaq me Atin profetit djalosh dhe për të cilin Ati tha: “Ky është Biri im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith – Historia 1:17). Dhe ne e kemi dëgjuar Zotin tonë, Jezu Krishtin, në zbulesë që nga ajo kohë. Kjo është Kisha e Tij. Ne jemi mbajtës të autoritetit të priftërisë së Tij të shenjtë. Ne shkojmë përpara në kauzën e Tij. Unë dëshmoj për thirrjen e Profetit Jozef Smith dhe për thirrjen e profetëve që e kanë pasuar atë në këtë vepër madhështore në të cilën jeni përfshirë.

Shënime

  1. Russell M. Nelson, Accomplishing the Impossible (2015), f. 1–2.

  2. “Lavdi Burrit”, Himne, nr. 19.

  3. Shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 37.

  4. Richard Lyman Bushman, Joseph Smith: Rough Stone Rolling (2005), f. 105.

  5. Russell M. Nelson, në Sarah Jane Weaver, “President Nelson Shares the ‘Hopes of My Heart’ with New Mission Leaders”, Church News, 26 qershor 2018, news.lds.org.

  6. Predikoni Ungjillin Tim, f. 103; shih edhe parathënien te Libri i Mormonit.

  7. Gary C. Lawrence, How Americans View Mormonism: Seven Steps to Improve Our Image (2008), f. 32.

  8. Shih Gary C. Lawrence, How Americans View Mormonism, f. 42.

  9. Kjo pjesë deri te teksti në shënimin 10 është përshtatur nga Dallin H. Oaks, “Joseph Smith in a Personal World”, në John W. Welch, bot., The Worlds of Joseph Smith: A Bicentennial Conference at the Library of Congress (2006), f. 159.

  10. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 556.

  11. Mary Alice Cannon Lambert, në “Joseph Smith, the Prophet”, Young Woman’s Journal, dhjetor 1905, f. 554.

  12. Dallin H. Oaks, “Joseph, the Man and the Prophet”, Ensign, maj 1996, f. 72.

  13. Shih Dallin H. Oaks, “The Suppression of the Nauvoo Expositor”, Utah Law Review, vëll. 9, nr. 4 (1965), f. 862–903.

  14. Shih Dallin H. Oaks dhe Marvin S. Hill, Carthage Konspiracion: The Trial of the Accused Assassins of Joseph Smith (1975).

  15. Shih Dallin H. Oaks dhe Joseph I. Bentley, “Joseph Smith and Legal Process: In the Wake of the Steamboat Nauvoo”, BYU Law Review, vëll. 1976, nr. 3 (1976), f. 735–782.

  16. Shih David Herbert Donald, Lincoln (1995), f. 94–118.

  17. Shih Dallin H. Oaks dhe Joseph I. Bentley, “Joseph Smith and Legal Process”, f. 781.

  18. Gordon A. Madsen, Jeffrey N. Walker dhe John W. Welch, red., Sustaining the Law: Joseph Smith’s Legal Encounters (2014), f. x–xi.

  19. Dallin H. Oaks, “Joseph, the Man and the Prophet”, f. 73.

  20. Jeffrey N. Walker në Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. vi.

  21. Jeffrey N. Walker në Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. vii.

  22. Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. xvii.

  23. Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. xvii–xviii.

  24. Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. xviii.

  25. Gordon A. Madsen dhe të tjerë, red., Sustaining the Law, f. xi–xii.

  26. Dallin H. Oaks, “Joseph, the Man and the Prophet”, f. 73.

Mosha:

Ngjarja:

14

Vegimi i Parë

21

Mori fletët e arta

23

Përfundoi përkthimin e Librit të Mormonit.

25

Mori gjysmën e zbulesave te Doktrina e Besëlidhje

26

Organizoi Presidencën e Parë

33

U arratis nga burgu në Misuri, rifilloi udhëheqjen

38

U martirizua