2019
Nëse Më Doni
Janar 2019


Nëse Më Doni

Pamja
Young Women General Presidency

Tema vjetore e rinisë për vitin 2019 është një thirrje për veprim – një ftesë vetjake nga Shpëtimtari ynë. A jeni tërësisht të përfshirë? A e doni Atë? A jeni të gatshëm të ndiqni gjurmët e Tij?

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, bëri diçka për ne që nuk mund kurrsesi ta bënim për veten tonë. Dhe çfarë kërkon Ai në këmbim? Ai kërkon që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Tij që të mund të bekohemi për ta pasur gjithmonë Shpirtin e Tij me ne (shih Moroni 4:3).

Urdhërimet janë një dhuratë dashurie. Shpëtimtari thjesht tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”, por përse? Sepse Ai JU do! Ai dëshiron që ju të jeni të lumtur. Ai dëshiron që jeta juaj të jetë plot me gëzim dhe mundësi të pafundme. Ai dëshiron që ju të jeni të sigurt dhe të mbrojtur nga ligësitë e botës. Ai dëshiron që të derdhë mbi ju bekime, të cilat janë kaq të mëdha “që nuk do të ketë mjaft vend për t[’i] mbajtur” (3 Nefi 24:10). Ai dëshiron që ju të ktheheni e jetoni me Të përsëri dhe të jeni marrës i të gjitha bekimeve të premtuara të Atit Qiellor.

Mbani gjithmonë mend se sa shumë Ati Qiellor i do fëmijët e Tij. Ai ka dashuri të përsosur për ju. Ju mund ta shfaqni dashurinë tuaj për Të duke zbatuar urdhërimet e Tij. Veprimet tuaja të drejta do t’ju sjellin bekime të jashtëzakonshme juve dhe njerëzve përreth jush.

Ashtu sikurse profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, tha: “Ne kemi nevojë për ju në batalionin e rinisë së Zotit. Nuk do të ishte njësoj pa ju!” Ai ju ftoi që “të dalloheni dhe të jeni të ndryshëm nga bota” duke i jetuar standardet te broshura Për Forcën e Rinisë dhe duke i zbatuar urdhërimet – që “të dukeni, të tingëlloni, të veproni e të visheni si një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], f. 9, https://www.lds.org/broadcasts/face-to-face/nelson?lang=alb).

Teksa përpiqeni fort t’i bindeni Zotit dhe profetëve të Tij, fuqia e Frymës së Shenjtë do t’ju mbushë me dashurinë e Perëndisë dhe do t’ju dëshmojë për identitetin tuaj hyjnor si një bir ose bijë e Perëndisë. Ato bekime rriten teksa ju përpiqeni të jetoni me drejtësi. Zoti dhe profeti ju mirëbesojnë. Ata ju duan. Ne premtojmë që vetëbesim, siguri te vetja dhe ngushëllim i madh vijnë kur ju u bindeni urdhërimeve dhe i zbatoni ato.