2019
Fën Fon – Pnom‑Pen, Kamboxhia
Janar 2019


Portrete Besimi

Fën Fon

Pnom‑Pen, Kamboxhia

Pamja
Phan Phon with wife and granddaughter

Fën Foni dhe gruaja e tij sigurohen që t’ua mësojnë ungjillin nipërve e mbesave të tyre. Ungjilli i Jezu Krishtit e ndihmoi familjen e tyre të vazhdonte përpara pas tragjedisë së humbjes së shtëpisë së tyre nga zjarri.

Kur shtëpia e Fënit u mbulua nga flakët, ai mundi të shpëtonte vetëm tre nipërit e mbesat e tij. Çdo gjë tjetër u bë shkrumb e hi. Fëni u zemërua me fqinjin e tij, i cili shkaktoi zjarrin. Kur zemërimi i tij u përhap te familja dhe miqtë e tij, Fëni e dinte se kishte nevojë të falte.

Lesli Nilson, fotografe

Herën e parë që e dëgjova shpërthimin, e pyeta gruan time: “Ç’është kjo zhurmë?”

Ajo tha: “Mbase po djeg ndonjë gjë fqinji”.

Pastaj dëgjova një shpërthim të dytë. Dikush nga fqinjët ngjitur më tha: “Po digjet një shtëpi mbrapa shtëpisë tuaj!”

Shkuam për të marrë pak ujë, por nuk mundëm ta shuanim zjarrin. Zjarri u përhap deri te shtëpia ime. Vrapova në shtëpi për të nxjerrë tre nipërit dhe mbesat e mia. Tymi po dilte nga dritaret, por nuk mendova për asgjë tjetër përveç nipërve e mbesave të mia. Ata janë gjëja më e rëndësishme për mua. Gjithçka tjetër e lashë brenda.

Dolëm jashtë dhe gjithçka mundëm të bënim ishte ta shihnim shtëpinë të digjej. Zjarrfikësit nuk mbërritën në kohë për shkak se rruga për në shtëpinë tonë ishte shumë e ngushtë. Shtëpia ime ishte e vjetër dhe u dogj shpejt. Qëndrova me gruan dhe nipërit e mbesat e mia dhe e pamë teksa digjej.

Pasi shtëpia u shkrumbua, u ndjeva i pashpresë. Nuk dija se çfarë të prisja. Nuk dija çfarë të bëja për të gjetur një vend të ri për të jetuar. Të nesërmen pas zjarrit, ne u gjunjëzuam për t’u lutur dhe i kërkuam Zotit të na tregonte udhën e të na bekonte që të ishim në gjendje të gjenim një shtëpi të re. Unë po qaja ndërkohë që po i lutesha Zotit, por kisha besim se Ai do të më ndihmonte.

Fillimisht, u zemërova shumë me fqinjin që shkaktoi zjarrin. Doja që ai të paguante për atë që kishte ndodhur. Familja dhe fqinjët e mi të prekur nga zjarri ishin të mërzitur gjithashtu dhe donin t’i dërgonin një letër qeverisë që ta bënte personin që e shkaktoi zjarrin ligjërisht përgjegjës për atë që kishte ndodhur. Ata më kërkuan ta nënshkruaja letrën, por unë nuk doja.

E kuptova që fqinji im ishte i varfër si unë. Nuk kishte për qëllim ta vinte zjarrin. Nëse do ta detyroja të paguante, ai do të gjendej në telashe dhe prapëseprapë unë do të ndieja urrejtje. M’u kujtua fjala e Zotit se duhet ta duam fqinjin tonë. Ndjeva se duhet ta falja.

Kur vendosa ta falja, unë ndjeva paqe.

I thashë kujtdo që ishte prekur nga zjarri, se doja ta falja. Përveç një familjeje, çdokush vendosi të bënte të njëjtën gjë. Ata nuk do ta bënin atë përgjegjës për çfarë kishte ndodhur.

Fqinji im u lumturua që e fala. Edhe familja ime është më e lumtur. Kur e shoh këtë, jam edhe unë i lumtur.

Anëtarët dhe fqinjët dhanë ndihmesë me çfarë mundën për ta ndihmuar familjen time. Më dhanë shumë oriz dhe e ndava me të tjerët. Ata më pyetën përse jepja kur isha në një situatë të vështirë. Unë u them atyre se, kur u shërbej të tjerëve, i shërbej Zotit. Dua t’i jap Atij sepse Ai ka bërë të ndodhin shumë mrekulli në jetën time. Kemi një shtëpi të bukur, më të bukur sesa ajo që u shkrumbua.

Pamja
Phan reading scriptures

Zemërimi i Fënit kundrejt fqinjit të tij që e shkaktoi zjarrin, u zëvendësua me paqe kur ai kujtoi fjalën e Zotit. Fëni është mirënjohës për udhërrëfimin që merr nga shkrimet e shenjta.

Pamja
Phan’s wife and grandchildren

Ndërkohë që shtëpia e tij po shkrumbohej, Fëni mundi të mendonte vetëm për nipërit e mbesat e tij. Fëni e do familjen e tij. “Ata janë gjëja më e rëndësishme për mua”, thotë ai.