2019
Gjoni, Dishepulli të Cilin Jezusi e Donte
Janar 2019


Gjoni, Dishepulli të Cilin Jezusi e Donte

Shkrimet e Dhiatës së Re që lidhen me Gjonin të Dashurin, e paraqesin atë edhe si një mësues edhe si model për vetë dishepullimin tonë.

Pamja
John at the Last Supper

Hollësi nga Darka e Fundit, nga Carl Bloch

Pas Pjetrit, Gjoni është ndoshta më i mirënjohuri nga Dymbëdhjetë Apostujt fillestarë të Jezusit. Ai dhe vëllai i tij, Jakobi, ishin me Pjetrin në disa nga çastet më të rëndësishme të shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit dhe atij tradicionalisht i atribuohen pesë libra të ndryshëm në Dhiatën e Re.1 Afërsia e tij personale me Zotin sugjerohet nga Gjoni 13:23: “Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit”. Përgjatë gjithë epokave, arti i krishterë e ka pasqyruar këtë përfytyrim, duke e pikturuar Gjonin si një të ri, shpesh duke pushuar në krahët e Shpëtimtarit. Kjo është zanafilla e këtij titulli të pashoq, Gjon i Dashuri, por dëshmia dhe misioni i tij zbulojnë aspekte të dishepullimit që ne të gjithë mund t’i kemi.

Gjoni, Biri i Zebedeut

Emri hebraik i Gjonit, Yohanan, do të thotë “Perëndia ka qenë plot hir”. Shumica e hollësive që dimë për të, vijnë nga tre ungjijtë e parë, të cilët tregojnë historinë e shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit kryesisht nga i njëjti këndvështrim. Ata të gjithë bien dakord se Gjoni ishte biri i një peshkatari të begatë galileas, të quajtur Zebede, i cili zotëronte varkën e vet dhe ishte në gjendje të pajtonte punëtorë ditorë që ta ndihmonin atë dhe bijtë e tij në punën e tyre. Gjoni dhe vëllai i tij, Jakobi, gjithashtu patën një ortakëri me vëllezërit Pjetër e Andrea dhe që të katërt e lanë biznesin e tyre të peshkimit kur Jezusi i thirri ta ndiqnin Atë në dishepullimin me kohë të plotë.2

Pamja
Jesus calling fishermen

Krishti duke thirrur apostujt Jakob dhe Gjon, Edward Armitage (1817–1896) / Sheffield Galleries and Museums Trust, UK / © Museums Sheffield / The Bridgeman Art Library International

Ndërkohë që Ungjijtë nuk e përmendin Zebedeun sërish, nëna e Jakobit dhe Gjonit u bë pasuese e Jezusit, duke ndërmjetësuar te Jezusi në emër të bijve të saj dhe duke qenë e pranishme te Kryqëzimi.3 Zakonisht e njohur me emrin Salome, nëna e Jakobit dhe Gjonit gjithashtu mund të ketë qenë një motër e Maries, nënës së Jezusit, duke i bërë ata kushërinj të parë të Jezusit dhe të afërm të Gjon Pagëzorit.4

Pak kohë pas thirrjes së tij fillestare, Gjoni dëshmoi shumë prej mrekullive dhe mësimeve të hershme të Zotit.5 Të shikuarit e këtyre mrekullive dhe dëgjimi i fjalimeve të tilla si Predikimi në Mal pa dyshim e përgatitën Gjonin për çastin kur Jezusi e thirri të ishte njëri prej Dymbëdhjetë Apostujve të Tij.6 Nga këta dëshmitarë të veçantë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni formuan një rreth të brendshëm të dishepujve të ngushtë të cilët ishin të pranishëm në çaste të rëndësishme të shërbesës tokësore të Jezusit:

  • Në ngritjen nga vdekja të bijës së Jairit, duke parë drejtpërdrejt fuqinë e Zotit mbi vdekjen.7

  • Në Malin e Shpërfytyrimit, ku e panë Jezusin të zbulohej në lavdinë e Tij dhe dëgjuan zërin e Atit të dëshmonte se Jezusi ishte Biri i Tij në të cilin Ai ishte shumë i kënaqur.8

  • Në Malin e Ullinjve për profecinë e Tij të fundit rreth ditëve të fundit.9

  • Në Kopshtin e Gjetsemanit, ku ata ishin aty pranë ndërkohë që Shpëtimtari filloi punën e tij të madhërishme të Shlyerjes.10

Ashtu si Jezu Krishti i dha Simonit emrin shtesë Kefa ose Pjetër, që do të thotë “shkëmb”, Ai gjithashtu u dha Jakobit dhe Gjonit titullin Boanerges ose “bij të bubullimës”11. Ngaqë e pyetën Jezusin nëse ata duhej të zbritnin zjarr nga qielli mbi një fshat samaritanësh të cilët nuk e kishin pranuar Atë (shih Lluka 9:51–56), kjo nofkë mund të ketë sugjeruar se ata ishin gjaknxehtë ose të paktën shumë kokëkrisur. Sidoqoftë, ka po aq të ngjarë që emri ishte parathënie për rolin e tyre si dëshmitarë të fuqishëm që ata mund të bëheshin, ashtu si emri i Pjetrit ndoshta pasqyroi jo dhe aq shumë natyrën e tij të mëparshme, të përkushtuar por edhe të rrëmbyer, sesa pasqyroi vendosmërinë dhe forcën e tij pas Ringjalljes së Jezusit.12

Kur Gjoni përmendet në librin e Veprave të Apostujve, ai portretizohet si një shoqërues i fortë dhe i vendosur i Pjetrit. Gjoni ishte me Pjetrin kur ai e shëroi të çalin në tempull dhe së bashku ata me guxim predikuan përpara udhëheqësve judeas të Jerusalemit. Së bashku, të dy Apostujt udhëtuan për në Samari që t’u jepnin dhuratën e Frymës së Shenjtë samaritanëve, të cilët Filipi i kishte mësuar e pagëzuar.13

Prapëseprapë është në shkrimet që lidhen me Gjonin, që ai shihet më mirë si një dëshmitar i fuqishëm i hyjnisë së mësuesit dhe mikut të tij, Jezu Krishtit. Këta libra të Dhiatës së Re e paraqesin Gjonin edhe si një mësues edhe si model për ne në vetë dishepullimin tonë.

Dishepulli i Dashur

Është interesante që Gjoni kurrë nuk thirret me emër në Ungjillin për të cilin tradicionalisht ai njihet si autori. Ungjilli sipas Gjonit i përmend dy bijtë e Zebedeut vetëm një herë, në kapitullin e fundit, ku ata ishin dy nga shtatë dishepujt që u takuan me Zotin e ringjallur pranë Detit të Galilesë. Gjithsesi, edhe atje ata nuk përmenden me emër. Në vend të kësaj, tradita, e mbështetur nga referencat e shkrimit të shenjtë të Rivendosjes14, e ka përcaktuar Gjonin se është “dishepulli [anonim], të cilin Jezusi e donte”, që ishte i pranishëm në Darkën e Fundit, Kryqëzimin, varrin e zbrazët dhe shfaqjen e fundit të Jezusit tek Deti i Galilesë.15

Ai gjithashtu mund të ketë qenë “dishepulli tjetër” i cili, së bashku me Andrean, kishte qenë pasues i Gjon Pagëzorit dhe e kishte dëgjuar të dëshmonte se Jezusi ishte Qengji i Perëndisë (shih Gjoni 1:35–40) dhe ka të ngjarë që ai ishte dishepulli i cili e shoqëroi Pjetrin pas arrestimit të Jezusit dhe e ndihmoi Pjetrin që të hynte në oborrin e kryepriftit (shih Gjoni 18:15–16).

Në Ungjillin sipas Gjonit, dishepulli i dashur shfaqet si mik i afërt, personal i Zotit. Së bashku me Martën, Llazarin dhe Marien, Gjoni përshkruhet qartësisht në këtë Ungjill si njëri që Jezusi e donte (shih Gjoni 11:3, 5). Pozicioni i tij te tavolina gjatë Darkës së Fundit pasqyroi jo vetëm nderim por edhe afërsi.

Përveç miqësisë së tij me Shpëtimtarin, fragmente të tjera e zbulojnë atë si dëshmitar të fuqishëm të ngjarjeve më të rëndësishme të misionit të Jezusit: ai qëndroi te fundi i kryqit për të dëshmuar vdekjen e Zotit si një flijim për mëkatin, vrapoi për te varri pas Ringjalljes që të vërtetonte se ishte i zbrazët, dhe pa Shpëtimtarin e ringjallur.

Dy herë Ungjilli sipas Gjonit përmend se ai bazohet te dëshmia okulare e dishepullit të dashur dhe thekson se dëshmia e tij është e vërtetë16, diçka që pohon titullin e ri të dhënë Ungjillit nga Jozef Smithi si “Dëshmia e Gjonit”17.

Ndërkohë studiuesit ende debatojnë për identitetin e dishepullit të dashur, që nëse ishte Apostulli Gjon, atëherë ai ishte burimi i materialit në Ungjillin sipas Gjonit, po të mos ishte autori i tij fillestar.18 Përse atëherë mbeti ai i papërmendur me emër, duke mos u përcaktuar asnjëherë drejtpërsëdrejti si Apostulli Gjon? Përgjigjja mund të jetë pjesërisht ngaqë ai pati si qëllim që përvojat e veta të ishin simbole për besimtarët dhe dishepujt në çdo epokë. Duke mbetur anonim, ai mund të na lejonte ta përfytyronim veten tonë në përvojat e tij, duke mësuar se si ta donim Zotin, të kishim dashuri prej Tij dhe pastaj të fitonim vetë dëshmitë tona, të cilat më pas thirremi t’ua japim të tjerëve.

Letrat: 1, 2 dhe 3 Gjon

Sikurse Ungjilli sipas Gjonit, asnjë nga tri letrat që Gjoni u njihet si autori, nuk i drejtohen Gjonit ndonjëherë drejtpërsëdrejti me emër. Megjithatë, 1 Gjon, që është më shumë një traktat doktrinor sesa një letër e mirëfilltë, lidhet ngushtë me Ungjillin në stilin dhe temat e tij, të cilat përfshijnë rëndësinë e dashurisë dhe të bindjes, tema të cilat Shpëtimtari i dha mësim te rrëfimi sipas Gjonit për Darkën e Fundit.

E shkruar pas Ungjillit, 1 Gjon fillon duke shpallur dëshminë e autorit për Zotin Jezu Krisht, “që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës” (1 Gjon 1:1; theksimi i shtuar). Përveç përsëritjes së rreshtave të fillimit të Ungjillit sipas Gjonit, autori thekson dëshminë e tij të fuqishme, vetjake, fizike për Jezu Krishtin, i cili ishte Fjala e Perëndisë e mishëruar në mënyrë të mirëfilltë.

Të krishterët e hershëm, që ishin publiku fillestar i librit, me sa duket kishin pësuar brenda tyre një ndarje me një grup që pranonte besime të pasakta rreth Jezusit pasi e kishte lënë Kishën.19 Te 1 Gjon autori nuk është vetëm një dëshmitar; ai është një autoritet i thirrur për të korrigjuar doktrinën e rreme dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve të besimit nga antikrishtët dhe shpirtrat e rremë (shih 1 Gjon 2:18–27; 4:1–6). Misioni i tij ishte gjithashtu t’i nxiste ata që të mbeteshin besnikë duke u treguar të vërteta domethënëse rreth Perëndisë, Krishtit dhe rëndësisë së besimit e drejtësisë së vazhdueshme.

Te 2 Gjon dhe 3 Gjon ai e përcakton veten thjesht si “plaku” dhe vazhdon të theksojë rëndësinë e dashurisë dhe të bindjes, si edhe rreziqet e mësuesve të rremë dhe atyre që nuk e pranojnë autoritetin e duhur të Kishës.20

Që të tre këta libra na mësojnë rëndësinë e përkushtimit të vazhdueshëm ndaj Jezu Krishtit të zbuluar.

Zbuluesi

Nga të pesë librat për të cilët njihet si autori, vetëm Zbulesa aktualisht përdor emrin e Gjonit, duke e përcaktuar autorin e saj tri herë me atë emër në vargjet e saj të hapjes (shih Zbulesa 1:1, 4, 9). Përveç përcaktimit të vetes si shërbëtori i Perëndisë, autori nuk jep asnjë tregues tjetër të pozicionit ose thirrjes së tij, por shumica e autoriteteve të hershme, të krishtera besonin se ai ishte Gjoni, biri i Zebedeut.

Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhjet pohojnë se Apostullit Gjon i ishte dhënë një porosi e veçantë për të marrë e shkruar vegimet që ai i mori.21 Zbulesa, një libër i ndërlikuar dhe mjaft simbolik, kishte për qëllim t’i ngushëllonte dhe t’u jepte siguri të krishterëve që vuanin përndjekje ose sfida në çdo epokë, duke zbuluar në të njëjtën kohë rolin e Jezu Krishtit përgjatë gjithë historisë.

Edhe pse dy data të ndryshme janë propozuar për kohën kur Gjoni e shkroi Zbulesën – një datë e hershme në vitet 60 ps.K. gjatë mbretërimit të perandorit Neron dhe një datë më e vonë në vitet 90 ps.K. gjatë mbretërimit të perandorit Domician – që të dyja do të kishin qenë pas martirizimit të Pjetrit, duke e bërë Gjonin Apostullin më të vjetër në detyrë që kishte mbetur i gjallë.

Thirrja e tij, sidoqoftë, nuk ishte vetëm të merrte e shënonte vegimet që përmbahen në libër. Në një prej vegimeve të tij, një engjëll i tha Gjon Zbuluesit të merrte një libërth, ose një rrotull pergamene, dhe ta hante atë. I ëmbël në fillim në gojën e tij, ai i hidhëroi të brendëshmet e tij, gjë që Jozef Smithi e interpretoi se përfaqësonte misionin e tij për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit si pjesë e rivendosjes së të gjitha gjërave (shih Zbulesa 10:9–11; Doktrina e Besëlidhje 77:14). Ky mision ishte i mundshëm për shkak të shërbesës së vazhdueshme të Gjonit pasi ai u përndryshua. Ndërkohë që komentuesit, si të lashtë dhe bashkëkohorë, janë të ndarë lidhur me kuptimin e pohimit të Jezusit dhënë Pjetrit rreth fatit të Gjonit në fund të Ungjillit (shih Gjoni 21:20–23), Jozef Smithi mori një zbulesë që pohoi se misioni i Gjonit do të vazhdojë si qenie e përndryshuar deri në kthimin e Shpëtimtarit (shih Doktrina e Besëlidhje 7:1–6). Me fjalë të tjera, ai jo vetëm që profetizoi për fundin e kohëve, por misioni i tij përfshin të ndihmuarit që të përmbushen këto profeci si edhe të dëshmuarit e përmbushjes së këtyre gjërave që iu zbuluan atij.

Edhe pse vetë misionet tona mund të mos jenë aq të madhërishme, shembulli i Gjonit na mëson se dashuria jonë për Jezu Krishtin na bën që t’i pranojmë vetë thirrjet dhe sfidat tona në jetë, pavarësisht nga sa të hidhura ose të ëmbla mund të duken herë pas here.

Pamja
John and Peter at the tomb

Një dëshmitar i fuqishëm i ngjarjeve më të rëndësishme të misionit të Jezusit, Gjoni qëndroi te fundi i kryqit për të dëshmuar vdekjen e Zotit, vrapoi për te varri pas Ringjalljes që të vërtetonte se ishte i zbrazët, dhe pa Shpëtimtarin e ringjallur.

Gjoni dhe Pjetri te Varri, nga Robert Theodore Barrett

Bërja Vetë Dishepuj të Dashur

Gjoni ishte një anëtar udhëheqës i Dymbëdhjetë Apostujve fillestarë të Jezusit, një anëtar që pati një marrëdhënie të ngushtë vetjake me Shpëtimtarin dhe shërbeu në role të rëndësishme si dëshmitar i Tij, si udhëheqës i Kishës dhe si zbulues. Prapëseprapë, mënyra se si zgjodhi ta portretizonte veten e tij si dishepulli i dashur në Ungjillin që mban emrin e tij, e lejon atë të shërbejë si model për ne të gjithë në vetë dishepullimin tonë. Prej tij mësojmë që si pasues të Jezu Krishtit, ne mund të prehemi të gjithë në krahët e dashurisë së Tij, dashuri të cilën e kuptojmë më tërësisht nëpërmjet ordinancave të tilla si ajo që Ai e themeloi në Darkën e Fundit. Ne gjithashtu mund të qëndrojmë simbolikisht te fundi i kryqit duke dëshmuar se Jezusi vdiq për ne dhe të vrapojmë me shpresë për të mësuar vetë se Zoti jeton. Sikurse Gjoni, si dishepuj të dashur thirrja jonë është t’ua japim atë dëshmi të tjerëve, duke dëshmuar për të vërtetën dhe duke e përmbushur çfarëdo thirrjeje që na jepet derisa Zoti të vijë përsëri.

Shënime

  1. Në mënyrë interesante, vetëm libri i Zbulesës thotë drejtpërdrejt se autori i tij ishte Gjoni (shih Zbulesa 1:1, 4). Asnjë prej Ungjijve, përfshirë Ungjillin sipas Gjonit, nuk e përcakton autorin e tij. Tradita e hershme dhe e krishterë, sidoqoftë, e përcaktoi figurën e dishepullit të dashur në Ungjillin sipas Gjonit me Apostullin me atë emër. Për një diskutim të provave, për diskutimin e studiuesve dhe idetë e Rivendosjes lidhur me këtë përcaktim, shihni shënimin 17. Libri i 1 Gjonit në mënyrë të ngjashme kurrë nuk e përcakton autorin e tij, por stili dhe çështja e temës së tij e lidhin atë ngushtësisht me Ungjillin sipas Gjonit. Librat e 2 dhe 3 Gjonit njohin si autor vetëm “plakun”, por tradita e hershme, e krishterë i lidh ata me autorin e Gjonit dhe të 1 Gjonit.

  2. Shih Marku 1:19–20; shih edhe Mateu 4:21–22; Lluka 5:10–11. Shumica e studiuesve bien dakord se Marku u shkrua fillimisht, diku nga mesi i viteve 60 ps.K., me Mateun dhe Llukën të shkruar diku në vitet 70 ps.K. ose në fillim të viteve 80 ps.K. Si rrjedhim, leximi fillimisht i referencave nga Marku na lejon të shohim se si Mateu dhe Lluka e shtuan ose e përshtatën rrëfimin më të hershëm.

  3. Ndërkohë që Marku 10:35–37 shënon se Jakobi dhe Gjoni kërkuan të uleshin në të djathtën dhe të majtën e Jezusit në mbretërinë e Tij, Mateu 20:20–21 shton se kjo kërkesë në të vërtetë erdhi nga nëna e tyre. Për praninë e saj te Kryqëzimi dhe më vonë te varri i zbrazët, shih Marku 15:40; 16:1–8; shih edhe Mateu 27:55–56; Lluka 23:49, 55; 24:1–10; dhe Gjoni 19:25.

  4. Për diskutim të mëtejshëm të këtyre lidhjeve të mundshme të Salomesë, si edhe për më shumë informacion mbi familjen dhe biznesin e peshkimit të Zebedeut, shih R. Alan Culpepper, John, the Son of Zebedee: The Life of a Legend (2000), f. 7–23.

  5. Shih Marku 1:21–31, 40–45; 2:1–12; 3:1–6; shih edhe Mateu 8:1–4; 9:1–8; 12:9–14; Lluka 4:33–39; 5:12–15, 17–26; 6:6–11.

  6. Për Predikimin në Mal, shih Mateu 5–7. Për thirrjen e Gjonit dhe të Apostujve të tjerë fillestarë, shih Marku 3:13–19; shih edhe Mateu 10:2–4; Lluka 6:13–16.

  7. Shih Marku 5:37; shih edhe Mateu 9:23–26; Lluka 8:51, edhe pse Mateu nuk i jep me emër Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin.

  8. Shih Marku 9:2–10; shih edhe Mateu 17:1–8; Lluka 9:28–36.

  9. Shih Marku 13:3–37.

  10. Shih Marku 14:32–34; shih edhe Mateu 26:36–38.

  11. Shih Marku 3:17. Boanerges me sa duket është një përshtatje alfabetike e papërpunuar nga greqishtja e fjalëve aramaike bene regesh ose r’m, që do të thonë “bijtë e zhurmës ose të bubullimës”.

  12. Shih Culpepper, John, the Son of Zebedee, f. 38–40, 50.

  13. Shih Veprat e Apostujve 3:1–11; 4:1–21; 8:14–17.

  14. Shih Doktrina e Besëlidhje 7; 77; 88:141.

  15. Shih Gjoni 13:23; 19:26, 34–35; 20:2–10; 21:1–14, 20–25; shih edhe Culpepper, John, the Son of Zebedee, f. 57–69.

  16. Shih Gjoni 19:35; 21:24–25; shih edhe Gjoni 20:30–31.

  17. Shih Joseph Smith’s New Translation of the Bible: Original Manuscripts, redaktuar nga Scott H. Faulring, Kent P. Jackson dhe Robert J. Matthews (2004), f. 234.

  18. Për shembuj të diskutimeve të studiuesve rreth identitetit të dishepullit të dashur, shihni Culpepper, John, the Son of Zebedee, f. 72–85, dhe Raymond E. Brown, An Introduction to the Gospel of John, redaktuar nga Francis J. Moloney (2003), f. 189–199. Për Apostullin Gjon qoftë si burimi ose autori i Ungjillit të Gjonit, shih Richard Neitzel Holzapfel, Eric D. Huntsman dhe Thomas A. Wayment, Jesus Christ and the World of the New Testament (2006), f. 126–127 dhe vetë trajtimin tim të kohëve të fundit te “The Gospel of John” në New Testament History, Culture, and Society (2018), bot. Lincoln Blumell.

  19. Shih Raymond E. Brown, The Epistles of John (The Anchor Bible, vëll. 30 [1982]), f. 49–55, 71.

  20. Shih Culpepper, John, the Son of Zebedee, f. 90–95 dhe Holzapfel, Huntsman, and Wayment, Jesus Christ and the World of the New Testament, f. 274–277.

  21. Shih Holzapfel, Huntsman dhe Wayment, Jesus Christ and the World of the New Testament, f. 281–282 dhe veçanërisht 1 Nefi 14:18–27; Ethëri 4:16; dhe Doktrina e Besëlidhje 7:1–3; 77.