2019
Bimët e Dëshmisë
Janar 2019


Bimët e Dëshmisë

Çfarë do të thotë në të vërtetë të kesh dëshmi?

Pamja
Testimony Plants

Elisa hyri në klasën e Fillores dhe u ul pranë shokut të saj, Armandos.

“Mirëserdhët!” tha Motra Ruso. “Le të fillojmë me një këngë.”

Elisa këndoi bashkë me klasën e saj. “Besimi ësht’ si një far’, Po të mbillet, rritet” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 50).

Motra Ruso shpërndau letra dhe bojëra dhjami me ngjyra. “Mendoni rreth asaj që kënduam”, tha ajo. “Kur e mbillni farën tuaj të besimit, ajo rritet në një dëshmi. Tani vizatoni se si do të dukej dëshmia juaj po të ishte një bimë.”

Elisa pa ngultas letrën e saj bosh. Gjithkush tjetër filloi të vizatonte. Elisa ia hodhi sytë me të shpejtë vizatimit të Armandos. Bima e tij kishte një kërcell të drejtë me shumë gjethe. Ngjante si borziloku që po rritej në ballkonin e apartamentit të saj. Ndoshta ashtu dukej dhe dëshmia e saj! E kapi bojën e saj të dhjamit dhe vizatoi një bimë njësoj si të tijën.

“Ju lutem, hapini shkrimet tuaja të shenjta tek Alma 32”, tha Motra Ruso.

Ata lexuan rreth mbjelljes së farës në zemër dhe ndjenjës së rritjes së saj. Elisa vështroi bimën e saj të dëshmisë. A kishte ajo një dëshmi? Çfarë do të thoshte kjo në të vërtetë? Ajo donte të pyeste, por ndjeu shumë ndrojtje.

Kur klasa mbaroi, Motra Ruso iu afrua Elisës.

“Dukesh e hutuar. Ka ndonjë gjë që nuk shkon?” pyeti Motra Ruso.

Elisa i hodhi sërish një vështrim vizatimit të saj. “Nuk jam e sigurt se kam një dëshmi. Vërtet nuk e di se çfarë do të thotë ajo.”

Motra Ruso i dha Elisës një buzëqeshje dashamirëse. “S’ka problem. A të kujtohet se çfarë është besimi?”

Elisa pohoi me kokë. “Të besuarit në diçka që nuk mund ta shohim?”

“E saktë!” tha Motra Ruso. “Cilat janë disa gjëra tek të cilat beson?”

Kjo ishte pyetje e lehtë. “Unë besoj tek Ati Qiellor dhe te Jezu Krishti. Unë e di se Ata më duan.”

Motra Ruso buzëqeshi. “Sapo dhe dëshminë tënde! Një dëshmi është ajo që beson lidhur me ungjillin.”

Elisa mendoi rreth asaj. “Pra, unë e kam tashmë një dëshmi?”

“Po!” Motra Ruso ngriti shkrimet e saj të shenjta. “Dhe të kujtohet se çfarë lexuam sot? Ti e ushqen farën duke bërë gjëra si ardhja në kishë. Atëherë dëshmia jote do të rritet më e fortë.”

Elisa ndjeu se e kuptoi. “Pra, kjo është arsyeja përse i vizatuam dëshmitë tona të ngjashme me bimët?”

“Pikërisht. Ngaqë bimët rriten pak e nga pak”, tha Motra Ruso. “Dëshmitë janë po njësoj. Zakonisht dëshmia nuk vjen e gjitha njëherësh. Ato rriten pak e nga pak.”

Elisa u ndje më mirë rreth bimës që kishte vizatuar. Kur shkoi në shtëpi, ajo shkroi pranë vizatimit të saj: “Bima e Dëshmisë Time”. Ajo e vari atë pranë shtratit të saj. Ajo e dinte se dëshmia e saj po rritej tashmë. Dhe ajo donte të vazhdonte ta ndiqte Jezusin që dëshmia të rritej edhe më shumë!