Biblioteka
Hyrje te Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë


Hyrje te Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë

Seminaret dhe Institutet e Fesë kanë përzgjedhur 25 fragmente të zotërimit të shkrimit të shenjtë për secilin nga katër kurset e seminarit. Këto fragmente përbëjnë një bazë të rëndësishme të shkrimit të shenjtë për ta kuptuar dhe shpërndarë ungjillin dhe për të forcuar besimin. Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për kursin e Dhiatës së Re janë si vijon:

Studentët e seminarit nxiten që të zhvillojnë një “zotërim” të këtyre fragmenteve. Ju do të jeni më shumë në gjendje t’i ndihmoni studentët tuaj nëse edhe ju i zotëroni këto fragmente. Zotërimi i fragmenteve të shkrimit të shenjtë përfshin sa vijon:

  • Gjetjen e vendndodhjes së vargjeve duke ditur referencat shoqëruese të shkrimit të shenjtë

  • Të kuptuarin e kontekstit dhe të përmbajtjes së fragmenteve të shkrimit të shenjtë

  • Zbatimin e parimeve dhe doktrinave të ungjillit, të dhëna mësim në fragmentet e shkrimit të shenjtë

  • Të mësuarin përmendsh të fragmenteve

Vazhdueshmëria, Pritshmëritë dhe Metodat

Kur planifikoni t’i ndihmoni studentët të zotërojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë, ju do të jeni më të suksesshëm nëse u drejtoheni fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë duke treguar vazhdueshmëri, nëse ruani pritshmëritë e duhura dhe përdorni metoda që u drejtohen stileve të ndryshme të të mësuarit.

Vazhdueshmëria dhe përsëritja në mësimdhënien e zotërimit të shkrimit të shenjtë do t’i ndihmojnë studentët që t’i ruajnë të vërtetat në kujtesën e tyre afatgjatë për përdorim në të ardhmen. Mund të jetë e dobishme ta përvijoni kursin e studimit për vitin dhe të krijoni një plan që t’u siguroni vazhdimisht mundësi studentëve në klasë për t’i zotëruar fragmentet e shkrimit të shenjtë. Tregohuni të mençur në përcaktimin se sa shpesh dhe se sa kohë të harxhoni duke i ndihmuar studentët t’i mësojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Sigurohuni që veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë të mos e lënë mënjanë studimin e përditshëm, të njëpasnjëshëm të shkrimeve të shenjta. Ju mund të vendosni të kaloni disa minuta çdo ditë duke i përsëritur fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë me studentët tuaj. Ose ju mund të vendosni të bëni një veprimtari të shkurtër të zotërimit një ose dy herë në javë për 10 deri 15 minuta. Pavarësisht se si planifikoni t’i ndihmoni studentët që të mësojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, kini vazhdimësi dhe përshtatini përpjekjet tuaja.

Mbështetini pritshmëritë tuaja për zotërimin e shkrimit të shenjtë tek aftësitë e secilit student. Zotërimi i fragmenteve të shkrimit të shenjtë kërkon përpjekje nga ana e nxënësit. U thoni studentëve që suksesi i tyre në zotërimin e shkrimit të shenjtë varet në masë të madhe nga qëndrimi i tyre dhe gatishmëria e tyre për të punuar. Nxitini ata që të vendosin synime që i shtyjnë aftësitë e tyre drejt niveleve më të larta. Jini të ndjeshëm ndaj studentëve që mund të kenë vështirësi për të mësuar përmendsh, dhe jini të gatshëm t’i përshtatni pritshmëritë e metodat tuaja të mësimdhënies në përputhje me nevojat e studentëve tuaj.

Që të tërhiqni një larmi më të madhe personalitetesh dhe stilesh të të mësuarit, ndryshojini metodat që përdorni për t’i ndihmuar studentët të zotërojnë fragmente të shkrimit të shenjtë. Si me gjithë mësimdhënien dhe të mësuarin e ungjillit, jini të matur në zgjedhjen e veprimtarive nga ana juaj, në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund ta mbështetë zotërimin e shkrimeve të shenjta dhe të doktrinës prej studentëve. Ju do të gjeni një numër metodash mësimdhënieje të përshtatshme të zotërimit të shkrimit të shenjtë në mësimet e këtij manuali. Për metoda shtesë mësimdhënieje të zotërimit të shkrimit të shenjtë, shihni seksionin e titulluar “Veprimtaritë e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë” në këtë shtojcë.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë në Programin Mësimor

Zotërimi i shkrimit të shenjtë është shkruar brenda programit mësimor në një numër mënyrash. Një ikonë e zotërimit të shkrimit të shenjtë vë në dukje trajtimin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë në materialin mësimor. Fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë janë paraqitur dhe diskutuar në kontekstin e kapitujve në të cilët ndodhen. Idetë shtesë për mësimdhënien e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë shfaqen në fund të mësimeve në të cilat ndodhen. Këto ide shtesë për mësimdhënien ndihmojnë në baraspeshimin e katër elementeve të zotërimit të shkrimit të shenjtë (gjetjes së vendndodhjes, të kuptuarit, të zbatuarit dhe të mësuarit përmendsh) në lidhje me çdo fragment. Për shembull, nëse mësimi i ndihmon studentët ta kuptojnë dhe ta zbatojnë fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë, atëherë ideja për mësimdhënie shtesë do t’i ndihmojë që ta gjejnë ose ta mësojnë përmendsh fragmentin.

Programi mësimor gjithashtu jep rregullisht veprimtari përsëritjeje të zotërimit të shkrimit të shenjtë që mund të përdoren kur e lejon koha dhe në harmoni me synimet e zotërimit të shkrimit të shenjtë të klasës suaj. Këto përsëritje mund të plotësohen me veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë, të renditura në këtë shtojcë. Ju mund të përdorni kohë shtesë në fillim ose në fund të një mësimi më të shkurtër për të bërë një prej këtyre veprimtarive për përsëritje.

Metoda të Sugjeruara për Zotërimin e Shkrimit të Shenjtë

Për t’i ndihmuar studentët për aftësitë e gjetjes së vendndodhjes, ju mund të planifikoni t’i paraqitni të 25 fragmentet e zotërimit pranë fillimit të kursit dhe më pas të punoni për thellimin e zotërimit të tyre gjatë gjithë kursit. Ose ju mund të paraqitni disa fragmente çdo muaj dhe të përqendroheni te zotërimi i atyre fragmenteve gjatë atij muaji. Këto paraqitje mund të përfshijnë sugjerimin që studentët t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë në kopjet e tyre vetjake të shkrimeve të shenjta, duke i ndihmuar ata të mendojnë për mënyra se si t’i kujtojnë fjalët dhe referencat kyçe dhe duke iu shpjeguar doktrinat dhe parimet që përmbahen në secilin fragment. Ju gjithashtu mund t’i përfshini studentët në paraqitjen e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë duke i caktuar që t’i përdorin fragmentet në kohët e tyre shpirtërore ose duke i ftuar ata ta mësojnë njëri-tjetrin se si t’i kujtojnë dhe t’i gjejnë ato. Krijoni përgjegjësinë për t’i mbajtur mend fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë me teste të herëpashershme me alternativa dhe veprimtari të herëpashershme të gjetjes së vendndodhjes (shih veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë në këtë shtojcë për shembuj). Një listë me 25 fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për këtë kurs studimi mund të gjendet te libërshenjuesit dhe kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë për studentët.

Për t’i ndihmuar studentët në të kuptuarin e fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë nga ana e tyre, theksojini këto fragmente ndërsa shfaqen në mësimet tuaja të përditshme. Ju mund të përdorni edhe veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë në këtë shtojcë për të rritur njohurinë dhe aftësinë e studentëve për t’i shpjeguar të vërtetat që përmbahen në fragmentet. Në kohët shpirtërore ose gjatë orës mësimore jepuni studentëve mundësi që të shpjegojnë se si të vërtetat në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë i ndihmojnë që t’i kuptojnë më mirë Doktrinat Bazë.

Për t’i mbështetur studentët në zbatimin e të vërtetave që gjenden në fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, inkurajojini që të ndjekin nxitjet e Frymës së Shenjtë për të kuptuar se si të vërtetat te fragmentet gjejnë zbatim në jetën e tyre. Për t’i ndihmuar studentët të veprojnë sipas të vërtetave që mësojnë, herë pas here ju mund të vendosni në një tabelë njoftimesh në klasë një sfidë lidhur me një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ose mund t’u jepni studentëve mundësi në klasë që të ushtrohen për t’i dhënë mësim doktrinat dhe parimet e ungjillit duke përdorur fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë (shih veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë në këtë shtojcë për ide). Ju gjithashtu mund t’i ftoni studentët të zbatojnë parimet që mësojnë në mësimet ku shfaqen fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë. Jepuni studentëve mundësi – në kohët shpirtërore ose në raste të tjera – që t’i raportojnë përvojat e tyre. Kjo do t’i ndihmojë ata që ta rritin dëshminë e tyre për të vërtetat që kanë mësuar nga fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë.

Për t’i ndihmuar studentët që t’i mësojnë përmendsh të 25 fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju mund të planifikoni të vendosni si qëllim që të mësoni përmendsh dy ose tre fragmente çdo muaj gjatë orës mësimore. Ju gjithashtu mund t’i sfidoni studentët që të mësojnë përmendsh disa fragmente në shtëpi (ata mund ta bëjnë këtë me familjet e tyre apo t’ia thonë fragmentet një prindi ose një anëtari të familjes). Ju mund ta bëni të mësuarin përmendsh pjesë të kohëve të përditshme shpirtërore duke i kërkuar klasës që ta recitojë fragmentin ose duke u dhënë kohë studentëve për ta mësuar përmendsh në dyshe. Dhënia e mundësive studentëve që t’i përsëritin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë në dyshe ose në grupe të vogla, apo para klasës, mund t’i ndihmojë që të jenë të përgjegjshëm për përpjekjet e tyre. Veprimtaritë e zotërimit të shkrimit të shenjtë në këtë shtojcë përfshijnë një larmi metodash të të mësuarit përmendsh. Bëni kujdes që t’i përshtatni pritshmëritë lidhur me të mësuarin përmendsh sipas aftësive dhe rrethanave të secilit student. Studentët nuk duhet të bëhen që të ndihen të turpëruar ose të tronditur nëse nuk janë në gjendje ta mësojnë përmendsh një fragment të shkrimit të shenjtë.