Biblioteka
Mësimi 77: Gjoni 17


Mësimi 77

Gjoni 17

Hyrje

Përpara se Shpëtimtari të vuante në Gjetseman, Ai ofroi Lutjen e Tij të madhërishme Ndërmjetësuese. Ai u lut që dishepujt e Tij dhe të gjithë ata që e ndjekin Atë, do të arrinin ta njihnin Atin Qiellor e të fitonin jetë të përjetshme dhe Ai u lut që ata të mund të ishin një me Të dhe Atin e Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gjoni 17:1–8

Jezu Krishti i drejtohet Atit Qiellor në lutje

Ftojini studentët të përmendin njerëz të famshëm për të cilët dinë diçka. Më pas kërkojuni studentëve të përmendin njerëz në jetën e tyre të cilët i njohin më mirë nga të gjithë të tjerët.

  • Cili është ndryshimi midis njohjes rreth dikujt dhe njohjes me të vërtetë të atij njeriu?

  • Çfarë ju duhet që ta njihni dikë me të vërtetë?

  • Cilët janë disa individë të cilët e ndjeni se do të jenë të rëndësishëm për ju që të arrini t’i njihni më mirë? Përse?

Shpjegoni se Shpëtimtari dha mësim rreth rëndësisë së arritjes për ta njohur Atin Qiellor dhe Atë. Ftojini studentët të kërkojnë të vërteta teksa studiojnë Gjonin 17, të cilat do t’i ndihmojnë të arrijnë ta njohin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përmbajtjen e Gjonit 17, vini në dukje që diku midis kohës kur Shpëtimtari dhe dishepujt e Tij e kishin ngrënë Darkën e Fundit dhe kur ata hynë në Kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi ofroi një lutje që tradicionalisht njihet si Lutja Ndërmjetësuese. Një kuptim i fjalës ndërmjetësoj është t’i flasë dikujt në emër të një personi tjetër. Në këtë rast, Jezu Krishti i foli Atit Qiellor në emër të dishepujve të Tij, duke u përgjëruar që ata të mund të merrnin jetë të përjetshme.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 17:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se si e përshkroi Shpëtimtari jetën e përjetshme.

  • Si e përshkroi Shpëtimtari jetën e përjetshme?

  • Nisur nga vargu 3, si do ta shprehnit një parim që na mëson se çfarë duhet të bëjmë që të marrim jetë të përjetshme? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që është e qartë se për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të arrijmë të njohim Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.)

Për ta ndihmuar klasën të kuptojnë se çfarë do të thotë ta njohim Perëndinë, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Brus R. Mek‑Konki

“Një gjë është të dish rreth Perëndisë dhe një tjetër ta njohësh atë. Ne dimë rreth tij kur mësojmë se ai është një qenie vetjake sipas shëmbëlltyrës së të cilit njeriu krijohet; kur mësojmë se Biri është sipas shëmbëlltyrës së shprehur të personit të Atit të tij; kur mësojmë se si Ati ashtu dhe Biri zotërojnë tipare dhe fuqi të posaçme, të veçanta. Por ne i njohim ata, në kuptimin e të fituarit të jetës së përjetshme, kur na pëlqejnë dhe përjetojmë të njëjtat gjëra që bëjnë ata. Të njohim Perëndinë është të mendojmë atë që ai mendon, të ndiejmë atë që ai ndjen, të kemi fuqinë që ai zotëron, të kuptojmë të vërtetat që ai kupton dhe të bëjmë atë që ai bën. Ata që e njohin Perëndinë bëhen si ai dhe kanë atë lloj jete që ka ai, që është jeta e përjetshme” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll. [1965–1973], 1:762).

  • Si është njohja e Atit dhe Birit e ndryshme nga thjesht dituria rreth Tyre?

  • Përse nuk mund të fitojë një njeri jetë të përjetshme pa e njohur Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të arrijmë ta njohim Atin dhe Birin?

Përmblidheni Gjonin 17:4–5 duke shpjeguar që Shpëtimtari i raportoi Atit të Tij se Ai e kishte mbaruar punën që Ati i Tij ia kishte dhënë Atij të bënte. Ai i kërkoi Atit të Tij që ta përlëvdonte Atë me të njëjtën lavdi që Ai e kishte pasur në jetën para lindjes.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 17:6–8. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që dishepujt e Tij e kishin bërë që të arrinin ta njihnin Shpëtimtarin.

  • Çfarë kishin bërë dishepujt që të arrinin ta njihnin Shpëtimtarin? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë frazat “i kanë pranuar”, “kanë njohur se me të vërtetë” dhe “kanë besuar” në vargun 8.)

Gjoni 17:9–19

Shpëtimtari lutet për dishepujt e Tij

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 17:9. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar se për cilët u lut veçanërisht Shpëtimtari.

  • Për cilët u lut Shpëtimtari teksa ishte gati të fillonte kryerjen e Shlyerjes?

  • Si mendoni, përse Apostujt mund të kenë përfituar nga të dëgjuarit e Shpëtimtarit që përgjërohej në emër të tyre?

Shkruani Gjoni 17:11–18 në tabelë. Ndajini studentët në dyshe. Ftojini ata t’i studiojnë këto vargje me partnerët e tyre, duke kërkuar për atë që Jezusi u përgjërua në emër të dishepujve të Tij. Ju mund të doni t’i ftoni studentët të shenjojnë atë që gjejnë. Pas një kohe të mjaftueshme, kërkojuni disave që t’i tregojnë klasës atë që gjetën.

Vini në dukje që Shpëtimtari përmendi se dishepujt e Tij do të vazhdonin të jetonin në një botë që ishte e ligë dhe që i urrente ata.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga vargjet 14–16 rreth të jetuarit në botë si dishepuj të Jezu Krishtit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të jemi në botë, por jo të botës.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jini botë, por jo botës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Në Kishë, ne shpesh themi shprehjen: ‘Jini në botë, por jo të botës’. …

Ndoshta duhet ta shpallim shprehjen … si dy paralajmërime të veçanta. Së pari, ‘Jini në botë’. Përfshihuni, informohuni. Përpiquni të jeni mirëkuptues e tolerantë dhe të vlerësoni larminë. Bëni kontribute kuptimplota në shoqëri nëpërmjet shërbimit dhe përfshirjes. Së dyti, ‘Mos jini të botës’. Mos ndiqni shtigje të gabuara ose të ndryshoni standardet për të përfshirë apo pranuar atë që nuk është e drejtë. …

Ne, anëtarët e Kishës, duhet të ndikojmë më shumë nga sa ndikohemi. Ne duhet të ndalim baticën e mëkatit dhe të së ligës në vend që të përmblidhemi në mënyrë pasive nga ajo. Secili prej nesh duhet të ndihmojë për ta zgjidhur problemin në vend që ta shmangim ose ta shpërfillim atë” (“The Effects of Television”, Ensign, maj 1989, f. 80).

  • Përse Zoti dëshiron që ne të mbetemi në botë ndërkohë që nuk jemi të botës?

Ftojini studentët të punojnë me partnerët e tyre sërish dhe të mendojnë për një shembull se si një njeri mund të jetë në botë, por jo i botës, në secilën nga mjediset vijuese:

  1. Në shkollë

  2. Me shokët

  3. Në internet

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë t’i shpjegojnë klasës shembujt që menduan. Ftojini disa studentë të tregojnë përvoja që i kanë pasur kur ata, ose dikush që e njohin, tregoi në mënyrën e duhur se ishte në botë, por jo i botës.

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një mënyrë të veçantë se si ata do të përpiqen ta ndjekin më mirë Shpëtimtarin duke qenë në botë dhe jo të botës.

Gjoni 17:20–26

Shpëtimtari lutet për gjithë njerëzit që e pranojnë ungjillin e Tij

Ftojeni një student/e të dalë përpara klasës dhe të kryejë një detyrë që do t’i bëjë duart e tij ose të saj të papastra (të tilla si pastrimi i shkumësit nga tabela ose të gërmuarit për një send brenda një tasi me dhe). Nxiteni studentin/en të përpiqet që t’i mbajë duart e tij ose të saj të pastra ndërkohë që kryen detyrën.

Pasi studenti/ja e përfundon detyrën, kërkojini studentit/es t’ia paraqesë duart e tij ose të saj klasës.

  • Si mund të jetë kjo veprimtari e ngjashme me përpjekjet tona për të qenë në botë, por jo të botës? (Pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, ne nuk mbetemi tërësisht të pastër nga mëkatet dhe ligësia që ekziston në botë.)

  • Nëse nuk mund të pastrohemi nga mëkatet tona, çfarë pasojash mund të përjetojmë më së fundi? Përse? (Ne do të veçoheshim nga prania e Perëndisë përgjithmonë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë në praninë e Tij [shih 1 Nefi 15:33–34].)

Falënderojeni studentin/en dhe kërkojini atij ose asaj të ulet.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Gjonin 17:20–23. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë për të cilën u lut Jezu Krishti.

  • Për çfarë u lut Jezu Krishti? (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë fjalën një kudo ku shfaqet në vargjet 20–23.)

  • Cilat gjëra bëjnë të mundur për ne që të bëhemi një me Atin dhe Birin? (Bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, të cilat i marrim nëpërmjet bindjes ndaj urdhërimeve të Tij, dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.)

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kur vijmë te Jezu Krishti dhe i marrim bekimet e Shlyerjes së Tij, ne mund të bëhemi një me Atin dhe Birin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Kuptimi i mirëfilltë i fjalës Shlyerje është vetëshpjegues: sjellja së bashku e gjërave që kanë qenë të veçuara ose të tëhuajtura” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign, mars 2008, f. 34–35).

  • Nga ajo që dini për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, përse doni që të bëheni një me Ta?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Vëreni klasën të dëgjojë për bekimet që do t’iu vijnë atyre që përpiqen të jenë një me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet të kërkojmë me zell jo thjesht që të dimë rreth Mësuesit, por të përpiqemi, sikurse na ftoi Ai, që të jemi një me Të (shih Gjoni 17:21). …

… Ditët e së ardhmes do të jenë të mbushura me mjerim dhe vështirësi. Por me sigurimin e ngushëllimit të një marrëdhënieje personale me Perëndinë, ne do të na jepet një kurajë qetësuese” (“That We Might Know Thee”, Ensign, janar 1999, f. 2, 5).

Dëshmoni për rëndësinë e arritjes për ta njohur Jezu Krishtin dhe Atin Qiellor dhe të përpjekjes për t’u bërë një me Ta.

Ftojini studentët të përsiatin çfarë mund të bëjnë për ta njohur më mirë Atin Qiellor e Jezu Krishtin dhe për ta forcuar marrëdhënien e tyre me Ta.

Ftojini studentët që t’i shënojnë mendimet e tyre në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që janë të gatshëm t’ia tregojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre klasës.

Pamja
ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Gjoni 17:3

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendësh Gjonin 17:3, ftojini ta mbajnë me vete gjatë javës së ardhshme kartën e zotërimit të shkrimit të shenjtë që përmban këtë fragment. Nxitini ta shqyrtojnë fragmentin dhe ta praktikojnë duke e thënë atë teksa u shfaqen mundësitë. Ju mund të doni të sugjeroni që të përpiqen t’ia thonë atë përmendësh një pjesëtari të familjes dhe të shpjegojnë domethënien e tij. Në fillim të orës mësimore për disa nga ditët e ardhshme, ftojini studentët ta raportojnë përparimin e tyre me të mësuarin përmendësh të këtij fragmenti.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Gjoni 17:3. Të njihni Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin

Që t’i njohim Atin dhe Birin, ne duhet të kemi një kuptueshmëri të saktë për Ta. Shumë njerëz besojnë se Perëndia dhe Kreu-Perëndi janë të pakuptueshëm, por kjo është një doktrinë e rreme.

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“E vërteta më e madhërishme, e njohur nga njeriu është që ka një Perëndi në qiell i cili është i pafundëm dhe i përjetshëm; që Ai është krijuesi, mbrojtësi dhe ruajtësi i të gjitha gjërave; që Ai na krijoi ne dhe qiejt plot yje dhe shuguroi e hartoi një plan të shpëtimit me anë të të cilit ne mund të ecnim përpara e të përparonim dhe të bëheshim si Ai. E vërteta lidhur me Të është që Ai është Ati ynë në Qiell, që Ai ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa trupi i njeriut, që Ai është një njeri i mirëfilltë dhe që, nëse besojmë dhe u bindemi ligjeve të Tij, ne mund të fitojmë ekzaltimin që Ai zotëron. Tani ajo është e vërteta më e madhërishme dhe koncepti më i lavdishëm, i njohur nga mendja njerëzore” (“The Seven Deadly Heresies” [mbledhje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 1 qershor 1980], f. 7, speeches.byu.edu).

Gjoni 17:12. “Biri [i] humbjes”

Duket që Jezu Krishti i përdori fjalët “biri [i] humbjes” për t’iu drejtuar Judë Iskariotit, i cili në këtë kohë e kishte lënë Jezusin dhe njëmbëdhjetë Apostujt e tjerë me qëllim që ta tradhtonte Jezusin tek udhëheqësit e korruptuar judeas. Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje: “Juda … ndoshta nuk ishte një bir i humbjes në kuptimin e atij që është i mallkuar përgjithmonë, por në kuptimin që ai ishte një bir ose pasues i Satanit në këtë jetë. Shih Mateu 26:21–25” (Doctrinal New Testament Commentary, 3 vëll [1965–1973], 1:765).

Gjoni 17:20–23. “Ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre”

Edhe pse Jezu Krishti e filloi Lutjen e Tij Ndërmjetësuese duke u lutur për dishepujt që ishin me Të, Ai e zgjeroi lutjen e Tij që të përfshinte të gjithë ata që besojnë në Të “me anë të fjalës së tyre”. Anëtarët e Kishës së Zotit do të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin nëpërmjet dëshmisë dhe mësimeve të Apostujve. Kjo na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e studimit të mësimeve të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve sot. Fjala atavargun 22 u drejtohet Apostujve dhe anëtarëve besnikë, të cilët i kanë studiuar mësimet e tyre dhe janë në përputhje me ta, sikurse ata janë me Birin e Perëndisë. Për më shumë informacion lidhur me mënyrën se si ne “të je[mi] të përsosur në unitet” (Gjoni 17:23), shihni Doktrina e Besëlidhje 76:69.